Xhamia muze e Korçës, në kërkim të madhësisë

Investim nga Turqia për restaurimin e brendshëm të objektit kult

Xhamia e vjetër e Korçës, e quajtur edhe si xhamia e Iljaz bej Mirahorit, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, është në kërkim të madhështisë së saj të humbur ndër vite… Ky objekt i rrallë kulti, që konsiderohet si i veçantë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, për shkak të kubesë, të vlerave historike dhe arkitektonike, njihet edhe si monumenti më i vjetër i qytetit, aq sa ndërtimi i xhamisë nga Iljaz bej Mirahori identifikohet edhe me krijimin e vetë qytetit të Korçës. Xhamia që është përfunduar në vitin 1496, në rrjedhën e gjatë të viteve dhe të kohës, ka humbur herë pas here pjesë të rëndësishme të saj. Një boshllëk që tani vonë u mbush ishte ai i minares. Më parë, ishte ndërhyrë për restaurimin e çatisë dhe tani pritet një tjetër investim, që mendohet se do t’i japë shkëlqimin e përafërt që ka pasur dikur. Një investim që është parashikuar të nisë aty nga muaji mars i këtij viti, i cili duket plotësues për t’i rikthyer këtij objekti kulti muze madhështinë e munguar nga bjerrja e kohës. Kështu shpreson edhe myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi, i cili tregon për projektin më të ri në xhaminë e vjetër, atë të restaurimit të brendshëm të saj. Tashmë është bërë e ditur se Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim TIKA, si partner i Ministrisë së Kulturës, ka financuar për restaurimin e 5 xhamive të shpallura monumente në Shqipëri. Një ndër to është edhe xhamia simbol e qytetit të Korçës, ku pas disa investimeve të mëparshme i ka ardhur radha restaurimit të brendshëm të këtij objekti kulti, krejt të veçantë. Muret e brendshme të ndërtesës së xhamisë, si edhe afresket që janë punuar në këto ambiente të brendshme, të dëmtuara nga lagështia dhe agjentë atmosferikë, do të jenë këtë herë, objekti kryesor i projektit të restaurimit. “Specialistë nga Turqia kanë ardhur disa herë për të përgatitur këtë projekt dhe do të jenë po ashtu specialistë nga ky vend që do të merren me restaurimin e brendshëm”, thotë myftiu i Korçës. Piktura të Mekës dhe Medinës, në formën e afreskeve, janë vlerësuar si të dëmtuara dhe do të restaurohen. Një hap i mëtejshëm do të jetë ai i krijimit të një lulishteje në ambientet e jashtme të xhamisë dhe me këtë investim të pritshëm ajo pritet të marrë një pamje të denjë si nga brenda edhe nga jashtë, jo vetëm për rëndësinë që ka si objekt kulti, por edhe si një nga monumentet më me vlera të qytetit. Myftiu i Korçës thotë se nuk e di vlerën e financimit të projektit të ri, që, sipas tij, do të nisë nga zbatimi aty nga fillimi i pranverës, por shton se pritet një vlerë e konsiderueshme investimi nga Turqia. Që nga ky shtet erdhën pak vite më parë specialistë dhe ia arritën të ringrenë minaren e shkatërruar prej tërmeti të xhamisë së Iljaz bej Mirahorit, në sajë të një fondi prej 12 milionë lekësh të reja. Myftiu tregon se para këtij investimi për ringritjen e minares së xhamisë është investuar me një vlerë afro 10 milionë lekë të reja për rregullimin e çatisë së amortizuar të xhamisë, ndërtimin e banjave apo hamameve që gjenden nën tokë dhe të ndonjë rregullimi të pjesshëm. Po ashtu, janë siguruar fonde edhe për të përmirësuar pamjen hyrëse të ndërtesës së xhamisë, dhe kjo është kryer disa vite më parë. Kështu, dora dorës, që pas viteve 2000 e këtej, xhamia muze e Korçës, e preferuar si për besimtarë myslimanë, por edhe nga shumë e shumë vizitorë të huaj, që e hasin nëpër manualë apo nga udhërrëfyes, nuk ka më atë paraqitje prej të lëni pas dore, në harresë, e me një madhështi të rraskapitur nga tallazet e kohës. /Gëzim Ashimi/gazetasqhip/

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/xhamia_1360919647.jpg[/img]


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip