“(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kuríani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aqë ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falenderoni(185)” (el-Bekare: 185)
Është transmetuar prej Abdullah bin Amër se i Derguari i Allahut s.a.v.s. ka thene: “Agjerimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kijametit. Agjërimi do të thotë:” O Zot, unë e kam ndaluar këtë rob prej ushqimit dhe epsheve gjatë ditës, ndaj më lejo që të ndërmjetësoj për te!” Kur‘ani do të thotë:”Unë e kam ndaluar prej gjumit gjatë natës, për atë më lejo që të ndërmjetësoj për të!” Allahu u thotë:”Ndërmjetësoni.“ Ahmedi dhe Tabarani ne “El Kebir”.
Muaji e Ramazanit pasqyron rrugëtimin e dritës më të madhe hyjnore për njerëzimin, përgjatë historisë, shpalljeve të Allahut të Madhërishëm. Muaji i Ramazanit, nuk shënon vetëm kohën e shpalljes së revelatës së fundit të Krijuesit të Madhërishëm-Kur’anit famëmadh, siç mendohet nga shumë njerëz, por në fakt, shënon kohën e shpalljeve të Krijuesit të cilat përfunduan me Kur’anin. Ramazani është ajo arkë e cila i ngërthen- në kuptim të harkut kohor të fillimit të zbritjes- shpalljet e të Lartrmadhërishmit që janë dritë, udhëzim dhe pishtarë të njerëzimit. Me këtë, Ramazani konvergon me parimet tjera fundamentale islame në drejtim të dëshmisë së unitetit të misionit të të dërguarve të Allahut, prej të parit e deri te i mbrami, edhe pse në aspektin normativ ligjor të pjesës juridike të shpalljes, kanë patur dallime të caktuara, gjë që ka qenë vullnet i vetë Ligjvënësit Absolut, po edhe logjika e shëndoshë e pranon si domosdoshmëri e përshtatjes së zhvillimit të jetës dhe veprimtarisë konform normave dhe parimeve hyjnore sipas një ecurie natyrore, por në aspektin doktrinar dhe spiritual, kanë qenë unike. Me fjalë tjera, Ramazani me tiparin e të qenit kohë e shpalljeve hyjnore, sublimon esencën e besimit i cili ka qenë nji dhe unikat te të gjithë të dërguarit e Allahut, pa marrë parasyshë vendin, periudhën historike, rrethanat dhe masën të cilën i është drejtuar, modifikoi legjislaturat pejgamberike që të shënojnë një tërësi kuptimore besimi, misioni dhe platforme doktrinare.
Historia unike e Islamit e filluar për gjininë njerëzore që me krijimin dhe ngritjen në këmbë të babait të njerëzimit, Ademit a.s. dhe misionit të tij Islam për banorët e atëhershëm të tokës, bijve dhe bijave të veta, dëshmohet pikërisht në Ramazan, pasi në këtë muaj erdhën edhe mesazhet hyjnore për të dërguarit tjerë të Allahut, pos atij të fundit, Muhamedit s.a.v.s. Me këtë, Ramazani këput nga skena çdo dilemë se ndoshta mos të dërguarit e mëparshëm si:Ibrahimi a.s., Musai a.s., Isai a.s., etj., kanë patur një mision tjetër fare nga ai i të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s. Kjo, ngase është simptomatike se jo vetëm misioni unik, por edhe koha e njejtë e shpalljes së mesazheve hyjnore për ta, gjegjësisht muaji i Ramazanit, edhe pse ka patur dallim në ditët e këtij muaji për sa i përket tajmingut të ardhjes së shpalljeve të Allahut për të dërguarit e Tij, dëshmon për të qenit e të gjithë të dërguarve hallka të zinxhirit Islam të shpalljeve, i cili përfundoi me shpalljen e fundit e zbritur Muhamedit s.a.v.s. për tua kumtuar mbarë njerëzimit.
Ibn Kethiri në tefsirin e tij, duke komentuar për ajetet e kaptinës el-Bekare të cilat flasin për agjërimin, shënon:”Allahu i Madhërishëm e lavdëron muajin e agjërimit në mesin e muajve tjerë, me atë që e zgjodhi që të jetë muaji i zbritjes së Kur’anit madhështor.Në hadith përmendet se ky është muaji kur u janë zbritur librat e Zotit pejgamberëve.
Imam Ahmed ibën Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, transmenton prej Vathile ibën El-Eske’it se i dërguari i Allahut s.a.v.s.ka thënë:”Fletushkat(suhufet) e Ibrahimit janë shpallur në natën e pare të muajit Ramadan; Teurati është shpallur në natën e gjashtë të muajit Ramadan; Inxhili është shpallur në natën e trembëdhjetë të muajit Ramadan, ndërkaq Allahu i Madhërishëm Kur’anin e shpalli në natën e njëzet e katër të muajit Ramadan .”
Në këtë prizëm, Ramazani ngërthen edhe mesazhin e përfitimit nga jetëshkrimi dhe veprimtaria e të dërguarve të Allahut të cilët kanë qenë shembuj për popujt e tyre, e janë shembuj edhe për ne në besim, si dhe fton të eksplorohet thellësisht rrugëtimi i tyre me popujt dhe kohën, që të merret mësim për të tashmen. Stuhitë që i kanë goditur ata flamurtarë të besimit, i godasin edhe thirrësit e sotëm të besimit të Teuhidit, dhe sulmet që u janë bërë atyre, u bëhen edhe sot bartësve të misionit Islam, por ata nuk u thyen dhe as që u zbrapsën, ashtu që Ramazani duke na mësuar të agjërojmë, në prizmin metahistorik, na mëson të qëndrojmë në parime dhe të sakrifikojmë për ideale, si të parët tanë të denjë në besim, ngase sfidat dhe betejat e bërësve të historisë së popujve dhe shteteve sipas modelit islam, nuk kanë mbaruar dhe as që do të mbarrojnë. Realisht, me këtë, Ramazani jep shtytje ngazëllyese dhe mbjell e ngjall shpresa që të veprohet me vendosmëri për kauzën. Ardhja e më tepër pejgamberëve, nuk flet për përvoja të dështuara pejgamberike të mëhershme, por e shpreh vullnetin e të Lartmadhërishmit që të dërgojë një varg pejgamberësh, i cili varg përfundon me të fundit dhe më të madhin e tyre, Muhamedin s.a.v.s. Bartësit e misionit islam, nuk duhet të zbrapsen në rast të dështimit të një përvoje, për shkak komploteve të gjithanshme, por ashtu si vazhduan të dërguarit e Allahut të vijnë njëri pas tjetrit deri sa përfundoi ky varg me Muhamedin s.a.v.s., ashtu duhet të vazhdojë edhe rruga e misionit deri në Ditën e Fundit të kësaj bote, ashtu siç është edhe misioni i Muhamedit s.a.v.s.
Të qenit e Ramazanit muaj i shpalljeve të Allahut të Madhërishëm, të cilat janë sinonim i udhëzimit, rrugës së drejtë dhe drejtimit të saktë, dhe përsëritja e tij për çdo vit, e thekson domosdoshmërinë e udhëzimit të njerëzve dhe ngritjes e ndërtimit të gjithanshëm të njeriut në dritë të besimit të vërtetë, me qëllim që të arrihet lumturia në këtë botë dhe shpëtimi në botën tjetër. Udhëzimi i njerëzve dhe ndërtimi i personalitetit të shëndoshë duhet të jetë synimi i ligjërimit në muajin e Ramazanit në veçanti, dhe ligjërimit të thirrësve në Islam në përgjithësi, ngase ngritja e njerëzimit në disa stade në planin teknologjik, ka bërë rënien e thellë të moralit te njerëzit dhe institucionalizimin e devijimeve të rënda të cilat e rrezikojnë seriozisht shoqërinë dhe individin, gjegjësisht është mjaft e theksuar lajthitja nga e vërteta. Së këtejmi, Ramazani, duke qenë muaj i shpalljeve, në fakt reflekton udhëzimin, devotshmërinë dhe pastrimin shpirtëror që fiton në peshë në veçanti në këtë muaj.