Kudo që të shkelësh në tokën e zonës së Postribës, është e pamundur të mos ndjesh frymën e një besimi të natyrshëm e të pastër islam, të trashëguar brez pas brezi ndër shekuj…
As zgjeba ateiste e komunizmit vrastar, nuk arriti t’i ndajë njerëzit e thjeshtë të kësaj zone nga besa e baballarëve dhe shpirti i breznive të lidhur me Kur’an e Tradita të Resulullahut (a.s)… Subhanallah..!
Ditën e sotme, të mërkurën e 4 shtatorit 2013, vendosëm të bëjmë një vizitë në xhaminë e fshatit Vilëz, një ndër 11 fshatrat e Komunës Postribë, rreth 5 km larg Drishtit.
U nisëm. Natyrshëm, rrugës për në Postribë, të shoqëron një zhgënjim i madh, i papërshkrueshëm, për gjendjen mjerane të infrastrukturës. Rrugët që të çojnë në qendër të Komunës a drejt cepave të saj, nuk kanë asnjë lidhje me një vend të qytetëruar, as me një vend ku respektohet njeriu, puna e tij, mundi, djersa, vullneti për të mundur varfërinë, mjerimin, skamjen, dëshirën për të bërë tregëti e për të lëvizur si njerëz të civilizuar në rrugë të shtruara, me sinjalistikë e rend, drejt fitimit hallall, fitmit të kohës dhe respektimit të saj… Vetëm kjo nuk ekziston sot në këtë zonë të mjeruar…
Për të mbrojtur mjetin me të cilin lëvizim, kalojmë nga Ura e Bardhajve, në një gjendje të ngjashme me rrugët e Postribës… Përshëndetemi me xhaminë e bukur e të pastër të këtij fshati dhe pas disa minutash, duke kaluar nga xhamia e re, thuajse e përfunduar, e fshatit Mes-Myselim, mbërrijmë tek Ura e Mesit, prej ku do të nisemi drejt fshatit Drisht.
Tashmë shkelim mbi një tokë të begatuar nga Zoti, por të neglizhuar nga robi. Rrugës plot gropa e pellgje me ujë me ngjyrë skamje, drejt fshatit Drisht, mendoj për fëmijët e ngratë, si shkojnë në shkollë ditë pas dite? Si kalojnë në këtë rrugë në gjendje të mjeruar? Si lagen në dimër, si pluhurosen në verë? E, në këto mendime, diku afër lagjes Hebibaj, tre fëmijë, me fytyra të pastra e të qeshura, teksa kalojmë me makinë, na përshëndesin me dorë. Na japin edhe selam, se janë fëmijë selami, të rritur me “bismilah” e me “elhamdulilah”… Elhamdulilah..! E, buzëqeshjet e tyre, duke trazuar botën e mendimeve të mia, sikur më thonë: “Më mirë do bëhet, me ndihmën e Zotit, që e begaton vullnetin dhe punën e njerëzve të mirë…”.
Në xhaminë e Drishtit, ndonëse është akoma herët për kohën e mesditës, na përshëndet me përzemërsinë e tij tipike, z. Selimi, një plak besimtar vendas. Të gjithë e njohin. Vitet e para të rilejimit të fesë në vendin tonë, zotni Selimi, - siç e njihnim asokohe, ne, djelmoshat e xhamisë së Plumbit, - vinte në këmbë, nga Drishti deri në Xhaminë e Plumbit… Po, po, në këmbë. (Të shumtë e dëshmojnë këtë fakt) Vinte për të falur namazin e xhumasë, për të dëgjuar Mevludin, për të puthur “Qimen e Pejgamberit”. Me tonet e moshës së thyer dhe ëmbëlsinë e besimit që e rrethon personin e tij, na fton në shtëpinë e tij… Subhanallah, bujaria është në genet islame të banorëve të kësaj zone… është natyrë e trashëguar ndër breza besimtarë…
Nga xhamia e Drishtit, drejt fshatit Vilëz, na shoqëron me makinën e tij, vëllau i ynë, Fatmir Halili. Rruga është e vështirë, e papërshtatshme për makina të zakonshme. Vetëm rrugë nuk mund të jetë. Egërsinë e saj, na e bën ta harrojmë bukuria e madhe që Zoti i ka dhënë kësaj zone. Gjelbërimi na rrethon nga çdo anë. Ajri i freskët na mbush krejt qenien. Pemë nga më të ndryshmet, nisin të shfaqen në kthesat e shumta, me afrimin tonë drejt fshatit Vilëz. Pemët e mëdha të gështenjës janë dominuese. Ka edhe arra të moçme, që përveç hijes së rëndë, të qetësojnë syrin me pamjen e tyre madhështore. Andej-këndej shkurret me mare, manaferra dhe shega të egra, plotësojnë ngjyresën e zonës me begatitë natyrore që të ftojnë të thuash me zemër: “Subhanallah!”…
Minarja e bardhë e xhamisë së fshatit Vilëz nis të shfaqet në horizont. Drejt saj, duhet të kalosh nën hijen e freskët të pemëve shumëvjeçare të gështenjave, të cilat, sikur të përgatisin shpirtërisht për t’u ballafaquar me faltoren, në majën më të lartë të Postribës, por jo vetëm…
Xhamia e fshatit Vilëz është e vogël për nga përmasat, por me një histori të lashtë, që sipas plakut të urtë 74 vjeçar, Halil Tahiri, daton që 420 vjet më përpara. Ai dëshmon se prej shekujsh, në vendin ku ekziston xhamia aktuale, ka ekzistuar përherë xhami. Sot, ajo ka edhe një minaret të bukur, të ndërtuar me kontribut vullnetar nga banorët e 20 familjeve të mbetura në këtë fshat, në vitin 2009.
Nga brenda, xhamia e fshatit Vilëz është një ndërtesë modeste. Më ngjan me xhaminë e vjetër të Domnit. Besimtarët e pranishëm, ankohen për periudhën e dimrit. Ata kërkojnë që të mundësohet ndërrimi i çatisë së saj, prej së cilës, rrezet e diellit që depërtojnë deri në brendësi të xhamisë, sikur e pohojnë kërkesën e tyre…
Pas një bisede vëllazërore, të mbështetur ne hadithin e Resulull-llahut (a.s), se: “Kush nuk interesohet për gjendjen e muslimanëve, nuk është prej tyre”, dalim të prekim nga afër pjesën e mbetur të vakëfit të kësaj xhamie.
Xhamia është e rrethuar nga varreza të lashta, prej së cilave kanë ngelur vetëm disa gjurmë gurësh të lodhur nga vitet, dekadat dhe shekujt. Vende-vende, duket se edhe gurëve të varreve të vjetra, u ka shkuar koha e kujtesës… Disa, duket se presin në heshtje e qetësi varresh, exhelin e tyre të padiskutueshëm…
Haxhi Halili, bën me shenjë drejt një varri. “Këtu pushon hoxha jonë i nderuar, imami Baki Baftjar Skurraj, nga Tetova. Ai ka ndërruar jetë në vitin 1965, në moshën 54 vjeçare. Ka shërbyer tek ne për 30 vite. Ndonëse i ri në moshë, në momentin e mbërritjes në zonën tonë, ai është dëshmuar si njeri i ditur, i përkushtuar dhe me moral të lartë”- dëshmon plaku, që teksa flet me nderim për hoxhën e vjetër, drita e kujtimeve të shkuara, i shndrit në sytë e tij, me vetullat e zbardhura nga mosha që mban mbi supe…
Dalëngadalë afron koha e mesditës. Dëshira për ta kënduar ezanin, më bën të afrohem tek mikrofoni dhe të thërras me tërë forcën e shpirtit: “All-llahu ekber… All-llahu ekber…”. Më duket se nga ai pozicion gjeografik, që Zoti i ka dhënë Vilzës, edhe Shkodra atje poshtë në horizont, bashkë me liqenin e saj, e dëgjojnë thirrjen time dhe së bashku përsërisin: “All-llahu ekber… All-llahu ekber…”. Është një ndjesi që të mbush me besim, që të plotëson, që të jep forcë në rrugën e Thirrjes Islame…
Namazi i mesditës, si një pelerinë qetësie dhe prehje, na mbulon të gjithëve sa jemi në xhami. Besimtarët, duan që këto vizita të mos mbeten jetime. Unë lutem që ky të jetë fillimi i vizitave të shpeshta nga imamët dhe drejtuesit e Myftinisë Shkodër, që e kanë detyrim të ndjekin deri në cepin më të largët, qoftë edhe muslimanin më të fundit që mund të ketë mbetur…
Vilza, në thellësi të relievit, kufizohet me Shllakun dhe Mazrekun, dy fshatra me besimtarë katolikë. Vilzorët, dëshmojnë se me komshitë e tyre gëzojnë marrëdhënie miqësore të shkëlqyera, plot harmoni dhe mirëkuptim. Njëri prej tyre më dëshmon: “Bagëtitë tona kullosin edhe në tokat e ndërsjellta, pa asnjë problem, me miratimin tonë të plotë”… Është shenjë e një tradite besimi dhe qytetarie të lartë, të bazuar mbi respektin reciprok të besimit dhe traditave të tjetrit. Është një shembull pozitiv, që e plotëson dhe e zbukuron edhe më shumë mozaikun e traditave tona islame, jo vetëm në Shkodër por edhe përtej saj…
Tashmë, pas kënaqësisë së marrë nga orët e kaluara në xhaminë dhe vakëfin e fshatit Vilëz, marrim të kthehemi drejt Drishtit e më pas drejt Shkodrës. Rrugës, pamje të reja duket se na e plotësojnë kënaqësinë e këtij udhëtimi në tokën e Postribës. Së bashku me Blendin, Ervilin dhe Fatmirin, i afrohemi destinacionit tonë. Diku, pas një kthese, shfaqet kalaja e famshme e Drishtit. Ndalemi pak, për të shijuar më mirë peisazhin që kemi para syve, por edhe për të bërë ndonjë lutje… Teksa shoh shtëpinë muze, të ndërtuar në mes të mjerimit dhe skamjes që shoqëron banorët e kalasë së Drishtit, mendoj për meskinitetin e pushtetarëve, që jo vetëm kanë lejuar dhe toleruar që të grabitet vakëfi i xhamisë së kalasë së Drishtit në funksion të shtëpisë muze, por xhaminë e saj të vjetër e kanë lënë në gjendjen e saj drejt rrënimit…
Me zë dhe me zemër lutem: “All-llahumme, ma bëj rizk që ta ndërtoj minaren e bardhë të xhamisë së kalasë së Drishtit dhe ta rikonstruktoj xhaminë e saj, që ezani i lartësuar të vazhdojë të këndohet në kalanë e besimit dhe muslimanëve shekullorë të Drishtit..!”
Dhe ndjej, se çdo gjë përreth meje, thotë: “Amin!”, duke e shoqëruar me një ofshamë dhimbje dhe një bekim shprese… Edhe unë them: All-llahumme Amin!..
Nga Drishti marrim rrugën drejt Shkodërloces. Kanë kaluar disa orë. Shkodra është po ajo, me bukurinë e saj, me erën e saj melankolike, me aromën e stinës dhe heshtjen e shekujve, që i japin përherë madhështi e hije të rëndë…
Teksa kthej kokën pas, diku në mes të maleve që rrethojnë Shkodrën, rrezaton bardhësia e minares së fshatit Vilëz. Nëpërmjet dritës së diellit, ajo sikur thotë: “Ju pres, mos më harroni, mirë se të vini sërish në krahët e xhamisë shekullore të tokës së besimit dhe Islamit”…
Shkodër, 4 shtator 2013
Autori është myfti i Zonës Shkodër