Të drejtat e njeriut në Islam
ABSTRAKT
Teksti e trajton problemin e të drejtave të njeriut në Islam, të drejta këto që janë mishërim i universalitetit të mësimeve islame dhe fleksibilitetit të normave juridike të të drejtës islame. Teksti ven theks në veçoritë e teksteve fetare në kontekst të të drejtave të njeriut në botëkuptimin islam, marrë parasysh se në të drejtën islame kemi dy elemente të rëndësishme:atë të burimit hyjnor dhe parimeve bazë të pandryshuara, dhe atë të fushës së gjurmimeve dhe krahasimeve, e që në fakt aludon në atë se ka fusha ku ka hapësirë për ekspertët të e të drejtës islame që ta thonë fjalën e tyre duke u thirrur në burimet bazike të të drejtës islame dhe duke bërë krahasime dhe analogji të nevojshme në funksion të nxjerrjes së dispozitave adekuate.
Së këtejmi, natyra hyjnore paraqitet si veçori e parë dhe substanciale e të drejtave të njeriut në botëkuptimin islam, duke u dëshmuar me këtë se të drejtat e njeriut kanë edhe garancë hyjnore.
Metodologjia e teksteve fetare në shtrimin e problemeve, ofron mundësi që të adaptohen dhe modifikohen norma dhe dispozita në fushën e të drejtave të njeriut, të cilat e plotësojnë dhe përsosin atë që haset te sistemet dhe religjionet tjera, e që në esencë nuk bien ndesh me parimet bazë të mësimeve islame.
Fjalët kyçe:Islami, univerzaliteti, hyjnyteti, karakteri fetar, tekstet fetare.
HYRJE
Islami është një nga tre fetë botërore monoteiste e cila ka më së shumti pasues pas Krishterizmit. Emri Islam është në arabisht, dhe rrjedh nga rrënja “s-l-m” që do të thotë “nënshtrim” (që rrjedh nga fplja esleme) ose “paqë” (që rrjedh nga folja seleme). Prandaj, musliman është ai i cili gjen paqe përmes nënshtrimit ndaj Zotit dhe Islami është feja e cila e sjell këtë gjendje personale.(1)
Në botëkuptimin religjioz Islam, Islami është feja të cilën e shpalli Allahu i Madhërishëm për mbarë njerëzimin, dhe prej njeriut të parë dhe pejgamberit të parë, Ademit a.s., Islami ka qenë feja e vetme që Allahu e ka shpallur dhe që e ka pranuar prej njerëzve.(2) Sot, kur flitet për Islamin, mendohet në Kur’anin dhe në Muhamedin s.a.v.s., të cilët kanë qenë hallka të fundit në zinxhirin e dërgatave islame, gjegjësisht dërgimi i shpalljeve dhe të dërguarve të Allahut te njerëzit, përfundon me këta, edhe pse nuk ka filluar me këta. Mirëpo, marrë parasysh se Kur’ani është libri i fundit i serisë së librave të Allahut dërguar njerëzimit, i cili i vetmi mbeti në versionin origjinal pa ndërhyrje të krijesave, dhe marrë parasysh se Muhamedi s.a.v.s. është i dërguari i fundit i Allahut, gjegjësisht vula e pejgamberëve, këta dy, pra Kur’ani dhe Muhamedi s.a.v.s. janë sinonim i Islamit.
Për muslimanët, Islami nuk është thjesht një sistem besimi dhe kulti, ose si të themi një sferë e jetës që dallon nga sferat e tera të cilat kanë të bëjnë me autoritetet jofetare që administrojnë ligje jofetare. Ai është vetë jeta në tërësinë e saj, dhe normat e tij përfshijnë elemente të së drejtës civile, penale, madje dhe atë që do ta quanim e drejtë kushtetuese.(3)
Islami pa dyshim paraqet sistemin më të përsosur të vlerave madhore të cilat i japin kuptim jetës së njeriut dhe shoqërisë, e pa të cilat, personaliteti i njeriut dhe imazhi i shoqërisë do të jenë të gjymtë, të zymtë dhe të pa aftë të reflektojnë energji pozitive.
Personaliteti i njeriut dhe ndërtimi i tij i shëndoshë, paraqesin boshtin qëndrorë të mësimit Islam, për atë, që të realizohen synimet parësore të këtij mësimi dhe platforme homogjene, Islami i caktoi objektiva të veta prioritare, lirimin e njeriut nga të gjitha prangat dhe ankthet që e katandisin të ardhmen e tij konform botëkuptimit burimor Islam. Së këndejmi, besimi Islam për njëshmërinë e Allahut-Teuhid dhe koncepti i rrobërimit dhe nënshtrimit të plotë vetëm Krijuesit të Madhërishëm. Në këtë kontekst, në Kur’an(4) qëndron:”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë”(5), është tulla e parë thelbësore dhe më qenësore drejt ndërtimit të personalitetit të shëndoshë të njeriut, të lirë nga ankthet dhe nënshtrimi ndaj njerëzores përmes rrobërimit ndaj Krijuesit. Kjo, dhe mësimi Islam këtë koncept të qartë dhe konstruktiv për prestigjin e njeriut, dinjitetin e tij dhe mbrojtjen e autoritetit të tij si qenje më të dalluar në sipërfaqen e tokës, e plotësoi përmes platformës së të drejtave të njeriut në Islam, të cilat burojnë pikërisht nga besimi i pastër mbi Njëshmërinë e Krijuesit-Teuhid(6), që në fakt është revolucion në planin intelektual, dhe largimin nga të këqijat e mos dorëzimin para epshit dhe pasioneve e lakmive të kësaj bote, që në fakt paraqesin revolucion në planin moral.
Termi “të drejtat e njeriut” nuk duket në asnjë shkrim të shenjtë. Kjo nuk është e çuditshme sepse nga një pikëpamje fetare individët shihen si të krijuar, dhe të varur tërësisht nga Zoti. Çfardo të drejtash që kanë njerëzit ato janë akorduar nga Krijuesi i tyre…Është e lehtë që të provohet se të gjitha të drejtat e njeriut siç janë shprehur në marrëveshjet ndërkombëtare tashmë kanë qenë të garantuara nga Kur’ani 1400 vjet më parë. Kjo është e vërtetë si për Marrëveshjet e të drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara ashtu edhe për Këshillin e Europës.(7)
Poashtu, mos theksimi i këtij nocioni në Kur’an, është kompatibil edhe me vetë natyrën e Kur’anit që gjërat t’i përmend të përgjithësuara pa u ndalur në detaje, ndërkaq të drejtat e njeriut, në raport me shpalljen hyjnore, janë një detaj i mbrojtjes së prestigjit dhe pozitës së njeriut, gjegjësisht mund të thuhet se janë një nga segmentet e udhëzimit të njeriut në atë që është e dobishme në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Kur’ani për çështjet e ndryshme që e tangojnë njeriun, ka një qasje të përgjithshme dhe flet me metodën e formulave të përgjithshme të cilat shërbejnë për çdo kohë, vend dhe rrethana, për t’i zgjidhur problemet. Kjo qasje është prezente edhe për të drejtat e njeriut.
Teknikisht, Kur’ani i mbron të drejtat e njeriut me anë të deklarimeve vetvetore: Ndalimi i përgjithshëm për të vrarë mund të tregohet si të dhënit dikujt një të drejtë për të jetuar. E njejta gjë është e vërtetë për nxjerrjen e të drejtave të pronës nga të ndaluarit e vjedhjes, dhe t drejtës të pjesëmarrjes politike nga urdhëri i këshillimit.(8) Shkollari i shquar musliman Adnan el-Hatib thotë:”Të drejtat e njeriut, të cilat sot janë të kërcënuara dhe për të cilat bëhet thirrje që të mbrohen dhe të respektohen, Islami i ka miratuar dhe promovuar që para 14 shekujsh, e me këtë ua ka tejkaluar qysh herët atyre të cilët folën për këtë çështje në shek.XVIII, i cili shekull u cilësua si shekull i të drejtave të njeriut. Islami i mbështeti, i konfirmoi dhe i ngriti mbi baza të fuqishme morale, shpirtërore dhe legjislative”.(9)
ELEMENTET QENËSORE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT NË ISLAM
Kur flitet për të drejtat e njeriut në Islam, duhet potencuar tre elemente qenësore të filozofisë së Islamit për të drejtat e njeriut, edhe atë si vijon:
1-BURIMI:Të drejtat e njeriut në botëkuptimin Islam, nuk rrjedhin nga marrëveshjet e grupacioneve të ndryshme të njerëzve në kohë dhe rrethana të caktuara, e që si zakonisht janë rezultat i një kompromisi pas debateve të shumta në këtë fushë, por burimi i tyre është dituria e Allahut të madhërishëm, pra burimi i tyre është absolut, e jo relativ spekulativ.Burimet relevante Islame, Kur’ani dhe Suneti(10) e shtruan në opininon platformën e të drejtave të njeriut karshi tentimeve tjera në këtë plan, e me këtë shihet qartë konstruktiviteti, gjithpërfshishmëria dhe stabiliteti i kësaj platforme karshi platformave tjera.
Burimi Hyjnor i të drejtave të njeriut në Islam, nënkupton edhe respektimin serioz të këtyre të drejtave, mosderogimin e tyre, sepse një veprim i këtillë do të thoshte derogim edhe i shpalljes së Allahut, gjë që nuk është në kompetenca të njeriut, garancia e plotë nga të gjitha faktorët për respektimin e tyre, e në veçanti nga pushteti, sepse shkelja e tyre do të thotë shkelje e fjalës Hyjnore dhe prekje në ingerencat e Allahut xh.sh. dhe sigurimin e një rrjedhe normale të tyre pa ndërhyrje dhe intervenime deformuese nga faktori njeri.
2-KORNIZAT LIGJORE:Bota bashkëkohore në të shumtën rasteve në emër të të drejtave të njeriut është duke bërë kërdi dhe krim të madh mbi njeriun dhe ardhmërinë e tij. Me fjalë tjera, në shumë shoqëri hasim thirrje për anarki dhe rrezikim serioz moral dhe biologjik të qenjes njerëzore në emër të të drejtave të njeriut.Sot vërehet se kërkohet të legalizohet prostitucioni në emër të të drejtave t njeriut, të legalizohet dhuna, krimi apo të thënë shkurt të trashet e keqja dhe e liga që e injoron edhe natyra e pastër dhe e shëndoshë njerëzore, në emër të të drejtave të njeriut.
Nisur nga kjo, Islami nuk e la këtë çështje të hapur, të pa definuar dhe me boshllëqe për manipulime të natyrave të ndryshme të kobshme për vetë njeriut, por ai vuri korniza të qarta ligjore për fushën e të drejtave të njeriut dhe e definoi qartë këtë fushë duke mos konfuzion në përmbajtjen, zbatimin dhe fushën e shtrirjes së tyre.Mos precizimi i këtillë i të drejtave të njeriut, shkakton dy të këqija të mëdha:anarkinë dhe despotizmin, që islamikisht janë të urrejtura dhe të pa pranueshme.
Për ta kuptuar më mirë, këtë fakt do ta ilustrojmë me një shembull:Islami ia njohu njeriut të drejtën e pronësisë, mirëpo këtë nuk e la absolutisht të lirë, por caktoi rregulla dhe dispozita përkitazi me fitimin dhe harxhimin e pasurisë.Pra, njeriu nuk mund të fut në pronë të vetë çdo pasuri, por ka pasuri të cilat ia ka të ndaluara t’i posedojë, si derri, alkooli, droga etj, poashtu nuk është krejt i lirë edhe në mënyrën e fitimit të pasurisë, pra nuk mund të fitojë pasuri përmes mashtrimit në tregti, kamatës, ryshfetit apo më mirë thënë në mënyrë jo të ndershme.Poashtu, Islami caktoi rregulla edhe për atë se ku harxhohet pasuria.Kështu, muslimani nuk mund ta harxhojë pasurinë e vetë si të donë ai vetë, por duhet ta harxhoj vetëm në gjëra të cilat janë të lejuara.Poashtu, Islami caktoi edhe një pjesë që duhet ta jepë muslimani detyrimisht nga pasuria e tij për hirë të Allahut në fondet e caktuara nga vetë Ligjvënësi, që do të thotë se nuk është i lirë që vetëm për vete ta mbanë gjithë pasurinë e vet, por në pasurinë e tij ka hise edhe për të varfurit dhe disa kategori tjera njerëzish.Shembuj të këtillë ka shumë, por mendoj se mjafton nji në një punim të këtillë të shkurtër, për t’u kuptuar kjo çështje ma mirë.
3-UNIVERSALITETI:Të drejtat e njeriut në Islam janë universale me plotëkuptimin e fjalës.Kjo, ngase këto të drejta nuk janë të kocentruara vetëm në një segment të jetës së njeriut, si psh., të përfshinë fushën sociale, por i përfshinë të gjitha fushat e jetës dhe aktivitetit të njeriut. Këto të drejta, janë të inkorporuara në fushën sociale, ekonomike, politike, fetare, ndërkombëtare etj., gjë që është kompatibile edhe me vetë natyrën e Islamit, ngase “Islami nuk është vetëm fe e devocionit-përkushtimit, por është ligj dhe sistem i cili rregullon të gjitha çështjet e shoqërisë, është ligj i jetës, kushtetutë e pjestarëve të shtetit dhe udhëzim për ta, është ligj i udhëheqësit musliman dhe burim i orientimit të tij, është e drejta në mesin e njerëzve që përfshinë çdo lëmi të marrëdhënieve të tyre ndërnjerëzore, ai është fe e Allahut në këtë botë, është fe dhe shtet, akide dhe sheriat”.(11)
Poashtu, këtë të drejta janë universale edhe në kuptim të objektit të cilit i referohen, gjegjësisht nuk janë të destinuara për një shtresë të caktuar njerëzish, por i përfshinë të gjithë njerëzit, pa dallim feje, kombi, gjuhe, race apo përqindje, sepse shpesh herë gjatë historisë, në shtetin Islam kanë jetuar pakica fetare apo nacionale-jo arab apo jo turq, por të gjithë këta i kanë gëzuar të drejtat e veta elementare pa u cunguar as gjëja më e vogël.
Këto të drejta nuk influentohen nga koha, vendi, rrethanat dhe ndryshimet e çfarëdo natyre që ndodhin në periudha të ndryshme kohore, sepse këto kanë bazament të fortë të ngritur mbi shpalljen e Allahut të Madhërishëm.
Poqese tentojmë të shkruajmë për llojet e këtyre të drejtave dhe ndarjen e tyre, me të vërtetë do të na duhej mjaft kohë dhe hapësirë, ndërkaq ky shkrim nuk e ka për synim trajtimin e detajizuar të lëndës në fjalë, por thjesht mëton që të japë një pasqyrë gjenerale për këtë term duke i prekur disa nga çështjet më të rëndësishme për temën në fjalë, për atë, në vazhdim do të themi disa fjalë për disa nga premisat Islame të cilat i gjenerojnë këto të drejta dhe e thirrin njeriun që më tepër të thellohet në mesazhin e tyre, ndërkaq kalimthi do t’i përmendim në mënyrë të përgjithësuar titujt e të drejtave të njeriut të miratuara në mësimet Islame, e ato janë:E drejta e jetës, e drejta e lirisë, e drejta e shkollimit, e drejta e nderit, e drejta e posedimit të pasurisë.
Megjithatë, në këtë kontekst, nuk bën pa u përmendur në mënyrë telegrafike edhe pesë gjërat e domosdoshme që janë në interes të njeriut, e që Islami i mbrojti. Islami i mbron pesë dobitë e domosdoshme për jetën e njeriut, edhe atë:feja, jeta, mendja, nderi apo gjeneza dhe pasuria. Së këtejmi, dispozitat e të drejtës islame kanë ardhur kompatibile me:mbrojtjen e fesë; mbrojtjen e jetës; mbrojtjen e mendjes; mbrojtjen e gjenezës; mbrojtjen e pasurisë.(12) Është më se evidente se këto pesë dobi të domosdoshme për jetën e njeriut, janë të lidhura edhe me të drejtat e njeriut, gjegjësisht, mbrojtja e këtyre pesë dobive të domosdoshme impenjohet edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
PREMISA ISLAME TË CILAT GJENEROJNË TË DREJTA TË NJERIUT -DEKORIMI I NJERIUT SI QENJE
Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:”Ne, vërtetë nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”(13).
Allahu i Madhërishëm e dekoroi dhe nderoi qenien njerëzore me atë që ua fali mendjen dhe i bëri shfrytëzues të këtyre të mirave që i fali Ai, i destinoi krijesat tjera si kafshët dhe bimët që të jenë në shërbim të njeriut. Në Kur’an qëndron:”Ai (Allahu) është që për juve krijoi gjithçka ka në tokë, pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është I gjithdijshmi për çdo gjë”.(14) Ai ia fali njeriut formën dhe pamjen më të përsosur, i dha mundësi që logjikojë e zbulojë, t’i shijojë këto begati të të shumta. Në Kur’an qëndron:”Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”. (15)E gjithë kjo flet se njeriu është dalluar nga qeniet tjera, dhe ky dallim është nderim e dekorim për qenien njerëzore.
Për atë, këtë dekorim Allahu nuk e bëri për grupe të caktuar njerëzish, për njerëz që u takojnë popujve, feve, racave e shtresave të caktuara shoqërore, por kjo vlen për të gjithë njerëzit. Pra, të gjithë njerëzit për nga pozita e tyre si qenie njerëzore, janë të barabartë para Allahut, nuk ka dallim i bardhi nga i ziu, arabi nga jo arabi, i pasuri nga i varfuri etj.
Kjo premisë që rezulton nga ky ajet Kur’anor, i lufton të gjitha degradimet që mund t’i bëhen qenies njerëzore në bazë të racës, gjuhës, kombit, fesë etj. Pra, me këtë luftohet racizmi, shovinizmi, fanatizmi fetar dhe njerëzve u jepen të drejtat e jetës dhe zhvillimit në botë pa marrë parasyshë dallimet e zëna në gojë.
PËRGJEGJËSIA NË TOKË
Allahu xh.sh. thotë:”(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve:”Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë zavendës”!…”(16).
Allahu xh.sh. e bëri njeriun zavendës në tokë, pra i dha përgjegjësi dhe angazhime të caktuara për mbarëvajtjen e punëve në tokë, dhe kjo, shiquar realisht është një nder i madh për njeriun dhe flet për pozitën e tij të lartë.
Këtë vlerësim, Allahu nuk ia bëri njeriut mvarësisht prej gjuhës, kombit apo racës së tij, por ky angazhim dhe përgjegjësi erdhi për gjininë njerëzore në formë të përgjithësuar dhe të pa kufizuar në racë a komb të caktuar.
Nga ky ajet, kuptohet se të gjithë njerëzit i kanë të drejtat e barabarat në shfrytëzimin e mirësive të Allahut që i fali në natyrë, apo thënë ndryshe, prej këtij ajeti nxirren të drejtat ekonomike dhe sociale të njeriut.
Poashtu, ky ajet demanton fuqishëm çdo tentim për ozurpimin e të drejtave të njeriut dhe tentimin e dominimit të një race, kombi, shtrese mbi tjerat, sepse Allahu e caktoi zavendës njeriu, pa theksuar dallime të caktuara të kësaj natyre.
Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe detyrimi i shteteve dhe shoqërive për mbrojtjen e individëve dhe komuniteteve minore të cilat rrezikohen nga shumica. Njeriu është përgjegjës në tokë që t’u dalë në ndihmë edhe komuniteteve të cilave u shkilen të drejtat nga shumica, e ata vetë janë të pafuqishëm që të dalin në mbrojtje të këtyre të drejtave. Si në të kaluarën, edhe sot, kemi raste kur komuniteteve të caktuara u shkilen të drejtat, dhe kjo shihet qartë nga raportet e organizatave të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fjala vjen si Amnesty International, Human Rights Woatch, etj. Mos intervenimi i faktorit njeri për pengimin e kësaj dukurie, flet për neglizhimin e rolit të zavendësit në tokë.
Pa mos u futur në detaje, vetëm kalimthi do të përmendim se në historinë e zhvillimit të shtetit islam, kemi raste kur shteti islam ka intervenuar për mbrojtjen e komuniteteve të rrezikuara nga shumica, bile edhe nëse nuk kanë qenë muslimanë. Shembull për këtë mund ta përmendim intervenimin e Tarik ibn Zijadit në Spanjë, me qëllim që t’i mbrojë komunitetet e rrezikuara krishtere.
GJENEZA E PËRBASHKËT
Allahu xh.sh. thotë:”O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”(17).
Ajeti në fjalë konfirmon qartë faktin se gjithë njerëzit kanë prejardhje të njejtë, pra rrjedhin nga i njejti baba dhe e njejta nënë, Ademi dhe Hava, dhe në këtë drejtim nuk ka dallime mes tyre, gjegjësisht nuk mund dikush të krenohet se ka prejardhje më fisnike se tjetri, apo një bashkësi se ka prejardhje më fisnike se tjetra, kur dihet se të gjithë rrjedhin nga të njejtit prind. Me këtë, eliminohen të gjitha dallimet dhe përparësitë e imagjinuara në bazë të gjakut, racës dhe përkatësive tjera të kësaj natyre mes njerëzve, por të gjithë njerëzit janë të barabartë në këtë drejtim. Në hadith qëndron:”O ju njerëz, Zoti juaj është një, dhe babai juaj është një, gjithë ju jeni të Ademit, e Ademi është prej toke. Njëmend më i ndershmi prej jush tek Allahu është më i devotshmi, dhe nuk ka përparësu arabi ndaj joarabit vetm se me devotshmëri”.(18)
Në këtë ajet dhe hadith potencohet dallimi i vetëm:në bazë të devotshmërisë dhe afrimit me vepra të mira te Allahu. Pasi njerëzit kanë gjenezë të përbashkët, atëherë i gëzojnë edhe të drejtat elementare njerëzore pa dallim të racës, gjuhës, nacionalitetit, vendit apo ndonji konsiderate tjetër të kësaj natyre.
Ajeti dhe hadithi në fjalë e mbrojnë njeriun nga diskriminimi dhe gjenerojnë dispozita ligjore për mbrojtjen e individëve dhe komuniteteve nga diskriminimi. Intelektuali bashkëkohor musliman me prejardhje gjermane, Murad Hofman, thekson se nga ky ajet gjeneron mbrojtja e minoriteteve raciale, ngase njerëzit duhen klasifikuar vetëm nga një kriter:devotshmëria.(19)
VULLNETI DHE LIRIA
Prej veçorive të qenies njerëzore ndaj qenieve tjerave, është edhe ajo se Allahu xh.sh. i fali vullnet që të mund ta zgjedh vetë rrugën të cilën do ta ndjek, edhe atë pa imponim, pra e njohu lirinë e tij për të vendosur në çështjet që janë të kësaj natyre.
Islami e ndalon rreptësisht imponimin e sendeve me fuqi, bile edhe nëse është në pyetje feja, pra nuk ka askush të drejtë që dikë ta bëjë me fuqi ti takojë një feje. Allahu xh.sh. thotë:”Në fe nuk ka dhunë.Është sqaruar e vërteta nga e kota.E kush nuk i beson të pavërtetat, e i beson Allahut, ai është kapur për lidhejn më të fortë, e cila nuk ka këputje.Allahu është dëgjues i dijshëm”(20).
Pra, këtu miratohet liria e besimit të njeriut dhe ndëshkohet imponimi i fesë me dhunë, gjë që flet se kjo e drejtë është e garantuar për njeriun dhe nuk ka askush të drejtë të bëjë diçka të kundërt, pra t’u imponojë tjerëve fe me dhunë.
Kjo vlen edhe për të drejtat dhe liritë tjera.Kështu, në këtë drejtim mendoj se janë të mjaftueshme fjalët e kalifit të dytë të drejtë të muslimanëve Omerit (radijallahu anhu), i cili iu drejtua guvernatorit të tij në Egjipt, Amër ibn El-Asit duke i thënë:”Kur i rrobëruat njerëzit, kur nënat i kanë lindur të lirë”.(21)
Këto fjalë, erdhën pas një zënke që kish ndodhur në një garë në vrapimin e kuajve, kur djali i guvernatorit të Egjiptit e kish ofenduar dhe goditur fizikisht një jo musliman.Ky, pra jo muslimani, prej Egjipti erdhi në Medine te kalifi dhe u ankua për veprimin e këtillë të djalit të guvernatorit.Atëherë Omeri (radijallahu anhu) e thirri guvernatorin e tij në Egjipt bashk me djalin e vet i cili kish bërë problem, dhe pasi i qortoi për veprimin në fjalë dhe e la të lirë këtë jo musliman që të hakmeret për padrejtësinë që ia kishin bërë, ua tha fjalët e mësipërme, të cilat fjalë janë bazë e fortë të konceptit Islam për të drejtat e njeriut, dhe njëkohësisht janë reflektim real i preokupimit të kalifëve musliman për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në shtetin Islam, sepse këto të drejta paraqesin pjesë integrale të mësimit Islam.
Poashtu, mbrojtja e të drejtave të njeriut, është e konfirmuar në mësimet Islame, pra qoftë në Kur’anin famëlartë apo në hadithet e të dërguarit të Allahut, ndërkaq ne këtë do ta ilustrojmë vetëm me dy fjalë që hasen në disa ajete Kur’anore:”ve la teëtedu””mos bëni shkelje dhe teprime”.
KONSULTIMI
Një premisë tjetër Kur’anore e cila reflekton fuqishëm në fushën e të drejtave të njeriut, është edhe konsultimi. Allahu i Madhërishëm e ka urdhëruar që të konsultohet të Dërguarin e Tij, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në kaptinën Ali Imran, bile ky urdhër ka ardhur për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. pas luftës së Uhudit, kur ai i konsultoi shokët e vet dhe e pranoi mendimin e shumicës, dhe rezultat i kësaj lufte qe ai që dihet. Por, edhe përskaj kësaj, Allahu i Madhërishëm e urdhëroi të Dërguarin e Tij të vazhdojë me konsultim duke i thënë:”…andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet…”.(22) Ajo që e thekson çështjen e konsultimit është se në ajetet e zbritura në Meke, Allahu i Madhërishëm e ka përshkruar shoqërinë e besimtarëve me disa cilësi themelore, në mesin e të cilave edhe konsultimi, gjegjësisht se është shoqëri që konsultohen mes veti. Allahu i Madhërishëm ka thënë:”Edhe ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta, e nga ajo që Ne ua japim ata e shpërndajnë”.(23)
Poashtu, edhe shokët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e kanë zbatuar konsultimin. Omeri r.a. porositi që për çështjen e kalifit të konsultohen gjashtë nga sahabet e mëdhej, dhe këta i konsideroi njerëzit kompetent të umetit për vendime. Ndërkaq, vendimi përfundimtar të merret sipas shumicës së tyre. E nëse votat janë të barabarta, tre me tre, atëherë i katri që do ta vendose me votën e vet, do të jetë jashtë këtyre gjashtë, gjegjësisht Abdullah ibn Omeri. Nëse me të nuk pajtohen, atëherë do të merret vendimi i tre vetëve në mesin e të cilëve është Abdurrahman ibn Aufi.
Kjo premisë Islame e shpallur në Kur’an, ka impenjim të fuqishëm në fushën e të drejtave politike të individit. Në fakt, konsultimi konsiston në atë që të dëgjohet mendimi i tjetrit, mos të imponohet mendimi i një shtrese, por të konsultohet ata që meritojnë të konsutohen dhe që janë të zotit të japin mendim, e me këtë mbrohet liria e mendimit dhe e drejta e shprehjes së lirë të mendimit. Por jo vetëm kaq, kjo premisë shkon edhe në drejtim të mbrojtjes së të drejtave kolektive të komuniteteve, ngase konsultimi konsiston në atë që të konsultohen edhe komunitetet për gjëra të cilat i tangojnë të drejtat kolektive. “Mbrotja e minoriteteve fetare si pasojë nuk është vetëm një çështje e ligjit ndërkombëtar por, për muslimanët, gjithashtu është një detyrë fetare”.(24)
Konsultimi si veçori e umetit islam dhe, në të njejtën kohë, obligim i parisë islame, ven imza në sferën e mosdiskriminimit të minoriteteve fetare apo minoriteteve tjera. Duke e vënë konsultimin për obligim të estabilishmentit politik islam në veçanti, Islami i mbron të drejtat e minoriteteve fetare, bën integrimin e minoriteteve në shoqëri, e ndalon margjinalizimin e individëve dhe komuniteteve, e mbron të drejtën e mendimit dhe lirinë e shprehjes, si dhe e ndalon dhe e përjashton mendimin dhe qëndrimin autoritar.
Këtë punim konciz, do ta përmbylli me fjalët e shkollarit musliman Ibrahim Esh-Shihabi i cili thotë:”Islami i ofroi njerëzimit një ligj ideal për të drejtat e njeriut, që para katërmbëdhjetë shekujsh.Ky ligj, synon ta mbrojë prestigjinë dhe vlerën e njerëzimit, thirrë në eliminimin e shfrytëzimit të njeriut, shtypjen e dhunës.Kjo, ngase të drejtat e njeriut në Islam burojnë nga bindja dhe besimi në Zotin Nji, të vetëm e të pashoq i Cili është burim i të drejtave, dispozitave dhe ligjeve, Ai është Ligjvënësi i të gjitha të drejtave njerëzore.Kjo pikëpamje imponon faktin që asnji inidivid, bile edhe nëse është kalif-president i shtetit Islam, lider politik, po bile asnji qeveri, këshill konsultativ(parlament b.a.) apo organizëm tjetër, t’i rrudhë, të intervenojë diçka në to apo t’i anulojë, këto të drejta dhe ligje të cilat ia fali Allahu xh.sh. njeriut”(25)
Literatura:
- Kur’ani dhe përkthimi me komentim në gjuhën shqipe nga Sherif Ahmeti. Botues: Kompleksi i Shërbyesit të Dy Haremeve, Mbretit Fehd për shtypin e Kur’anit të ndershëm. Medine, 1413h.
- El-Hatib, Adnan. 1992. Hukuku-l-insani fi-l-islam. Damask: Daru Talas.
- Hofmann, Murad. 2007. Islami. Përktheu nga anglishtja:Ermal Bega. Tiranë: Organizata Kulturore:”Rinia e Së Ardhmes”.
- Fet’hi-Rifai, Muhamed. 2003. Mendimi Islam. Përktheu:Sadush Tahiri. Shkup: Furkan ISM.
- El-Gazali, Ebu Hamid. 1322h. El-Mustesfa min ilmi-l-usul. Bulak: El-Matba’atu-l-emirijje.
- Lewis, Bernard. 1993. Islami dhe perëndimi. E përktheu:Haki Shtalbi. Tiranë: Instituti i Dialogut&Komunikimit.
- El Maududi, Ebul-Aëla. 1995. Parimet e Islamizmit. Përkthyer prej:Vehbi Sylejman Gavoçit. Rijad: I.I.F.S.O.
- Medkur, Ibrahim. 1992. Hukuku-l-insani fi-l-islam. Damask: Daru Talas.
- el-Muëxhemu-l-mufehres li elfadhi-l-hadithin-nebevijj. 1988. Istanbul: Çagri Yayinlari.
- en-Nedvij, Ebu-l-Hasen Ali. 2000. Islami, ndikimi i tij në civilizim dhe merita e tij për njerëzimin. Nga arabishtja:Bashkim Aliu. Shkup: Furkan ISM.
- Esh-Shihabi, Ibrahim. 1990. El-Kur‘an harrere el-insan. Bejrut: Menshuratu xhem‘ijjeti-d-daëve el-islamijje.
- Topoljak, Sulejman. 2010. Socijalne kategorije ljudi u svijetlu islamskog ucenja i pedagogije. Novi Pazar: El-Kelimeh.
________________________________________
(1) Murad Hofmann, Islami, f.47, Ebul-Aëla El-Maududi, Parimet e Islamizmit, f.6.
(2) Muhamed Fet’hi-Rifai, Mendimi Islam, f.15.
(3) Bernard Lewis, Islami dhe perëndimi, f.14.
(4) Përkthimi i ajeteve Kur’anore është marrë nga përkthimi i kuptimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Sherif Ahmeti.
(5) Kaptina El-Fatiha, 4.
(6) Sulejman Topoljak, Socijalne kategorije ljudi u svijetlu islamskog ucenja i pedagogije, f.9.
(7) Murad Hofmann, Islami, f.75-76.
(8) Ibidem, 76.
(9) Adnan el-Hatib, Hukuku-l-insani fi-l-Islam, f.32.
(10) Murad Hofmann, Islami, f.76.
(11) Muhamed Fet’hi-Rifai, Mendimi Islam, f.21.
(12) Shih:Ebu Hamid el-Gazali, el-Mustesfa, vëll.I, f.287.
(13) Kaptina El-Israë, 70.
(14) Kaptina El-Bekare, 29.
(15) Kaptina Et-Tin, 4.
(16) Kaptina El-Bekare, 30.
(17) Kaptina El-Huxhuratë, 13.
(18) Hadithin e kanë transmetuar:Ebu Davudi, Tirmidhiju dhe Ahmedi. Shih:el-Muëxhemu-l-mufehres li elfadhi-l-hadithin-nebevijj, vëll.I, f.267.
(19) Islami, f.94.
(20) Kaptina El-Bekare, 256.
(21) Cituar sipas:Ebu-l-Hasen Ali en-Nedvij, Islami, ndikimi i tij në civilizim dhe merita e tij për njerëzimin, f.48.
(22) Kaptina Ali Imran, 159.
(23) Kaptina Esh-Shura, 38.
(24) Murad Hofmann, Islami, f.93.
(25) Shih:El-Kur‘an harrere el-insan, f.54.