Vuajtjet e muslimanëve të Krimesë gjatë historisë

Një historik i shkurtër për Krimenë

Krimeja është një gadishull, i cili i përket Republikës së Ukrainës. Në gjuhën tatare fjala “Krime” domethënë “Kala”. Tatarët ishin ata që jetuan në atë vend disa shekuj me radhë. Në këtë gadishull feja islame kishte depërtuar dhe ishte përhapur shpejt që nga fillimi i shek. XVI dhe gadishulli i Krimesë kishte rënë në duart e qeverisë së Shtetit Osman. Muslimanët kishin qeverisur atë vend për disa shekuj, derisa kishin ardhur komunistët rus, të cilët kishin shkatërruar vendin dhe banorët.
Gadishulli i Krimesë ka një pozitë mjaft strategjike, ka pasuri të mëdha natyrore (petrol, gaz, thëngjill dhe shumë metale të tjera të çmuara), gjithashtu posedon edhe pasuri bujqësore dhe spitale mjaft të avancuara.
Në të kaluarën Moska ua paguante (Xhizjen-tatimin) muslimanëve, të cilët udhëhiqnin atë vend për disa shekuj me radhë, derisa Shteti Osman filloi të dobësohej në dekadat e fundit të shek. XVIII. Pas asaj periudhe rusët arritën ta okuponin gadishullin dhe aty bënë masakra të papara ndonjëherë më parë ndaj myslimanëve të Krimesë. Thuhet se për një vit kanë vrarë dhe masakruar 350 mijë muslimanë dhe më shumë se një milion prej muslimanëve kishin braktisur vendin.
Rusia kishte përdorur metoda të ndryshme persekutimi ndaj muslimanëve, u kishte konfiskuar pronat, xhamive u kishin ndërruar destinacionin dhe njerëzit ballafaqoheshin me tortura të ndryshme vetëm e vetëm që të braktisin fenë e tyre.
Në fillim të shek. XX shumë muslimanë u rikthyen në vendet e tyre dhe u orvatën të rikthenin fuqinë e tyre duke shpallur një qeveri, mirëpo fatkeqësisht komunistët rusë i vranë në mënyrën më të vrazhdë.
Në vitin 1928 Stalini dëshiroi të formonte aty një shoqatë ekonomike të çifutëve, mirëpo shumë muslimanë, nën udhëheqjen e imamëve të xhamive, u ngritën kundër këtij vendim dhe, për pasojë, u ekzekutuan 3500 muslimanë.
Në vitin 1883 numri i muslimanëve në gadishull ishte disa milionë, por në vitin 1941 numri qe pakësuar në 850 mijë!
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Stalini akuzoi myslimanët e Krimesë për bashkëpunim me Gjermanët, edhe pse shumë të rinj i kishte futur dhunshëm në ushtrinë e tij, dhe, si rezultat, pas luftës u ekzekutuan shumë muslimanë dhe shumë të tjerë u internuan, ashtu që muslimanët mbetën pakicë.

Muslimanët kanë mbetur pakicë

Numri i banorëve të Krimesë sot është afërsisht 2.5 milionë, kurse numri i muslimanëve varion në mes 400 e 500 mijë - për shkak të torturave të ushtruara ndaj tyre!! E muslimanët sot në atë vend konsiderohen si pakicë dhe janë shumë të dobët e të varfër.
Në bazë të konfirmimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në Ukrainë jeton një komunitet shqiptar prej 5000 vetash. Një pjesë e tyre janë
të vendosur në zonën e Krimesë, mirëpo, në bazë të konfirmimeve zyrtare, nuk ka pasur ndonjë raportim për incidente për komunitetin shqiptar në Krime. Në bazë të raportimeve të MPJ-së, në protesta në sheshin “Mejdan” të Kievit protestuan edhe një grup prej 12 të rinjsh me origjinë shqiptare.
Sot Fuqitë e Mëdha janë në konflikt rreth këtij gadishulli pikërisht për shkak të pozitës strategjike dhe rëndësisë ekonomike të tij. Krimeja është një pjesë e pandashme e tokës së muslimanëve, ajo është toka e Tatarëve muslimanë, të cilët kanë derdhur mund të madh për ta mbrojtur Islamin dhe për t’i përhapur mësimet e tij.

Muslimanët e Krimesë në kohën e Rusisë Cariste dhe periudhës komuniste

Muslimanët e Krimesë kanë përjetuar vuajtje të tmerrshme që nga koha e Rusisë cariste, e më pastaj edhe në periudhën e komunizmit. Ndaj tyre janë përdorur lloj-lloj metodash të internimit me dhunë, urisë dhe masakrave të përgjakshme, gjithashtu shkatërrimin e tërë pasurisë së tyre kulturore, fetare dhe qytetëruese, dhe kjo sidomos gjatë kohës së komunizmit. Gjatë periudhës së Rusisë cariste ata nuk gëzonin asnjë të drejtë elementare dhe të shumtën burgoseshin, internoheshin dhe ekzekutoheshin.
E periudha komuniste ishte edhe më e ashpër, dhe në veçanti gjatë periudhës së Stalinit. Pushteti komunist i kishte akuzuar ata se shkaktonin konflikte etnike ose ngrinin parulla kundër shtetit sovjetik e shpifje të ngjashme, dhe për pasojë, ndëshkoheshin me burgim të rëndë për disa vite, në rastin më të mirë prej pesë deri në shtatë vjet.
Gjithashtu edhe gjatë periudhës së Leninit ata qenë ballafaquar me lloj-lloj torturash dhe ndëshkimesh dhe ishin vrarë me mijëra muslimanë.
Në vitin 1928 Stalini kishte ndërmarrë hapa ndaj tyre për spastrim dhe gjenocid, duke futur në praktikë dënimin me varje për një numër të madh të prijësve fetarë të Krimesë. Kishte mbyllur shumë xhami e shkolla fetare, dhe disa të tjera i kishte shndërruar në klube nate e stalla për kuaj, kurse disa të tjera i kishte rrënuar. Numri i xhamive dikur ishte 1558 për të ngelur më vonë vetëm një numër shumë i vogël i tyre. Në vitin 1946, Dhoma e Lartë e Kuvendit Sovjetik kishte miratuar një vendim për revokimin e Republikës së Krimesë, e cila ishte e pavarur, dhe aneksimin e saj nga Republika e Ukrainës, bazuar në, kinse, “Tradhtinë e popullit të Krimesë ndaj Republikave të Bashkimit Sovjetik”, siç theksohej në vendim.
Ndoshta në periudhën e Hrushovit, i cili kishte prejardhje ukrainase, kishte më pak veprime diskriminuese sesa nga paraardhësit e tij. Ai gjatë një fjalimi në vitin 1956 kishte thënë se akuza ndaj popullit të Krimesë për bashkëpunim me Gjermanët, ishte një akuzë e gabuar. Mirëpo, edhe pse disave iu duk se
Hrushovi u riktheu shumë të drejta, megjithatë as në kohën e tij popullit të Krimesë nuk iu rikthyen të drejta esenciale, siç janë: rikthimi i pronave dhe tokave të tyre, të cilat u ishin marrë me dhunë dhe nga të cilat ishin internuar me dhunë.
Në vitin 1967 u miratua vendimi për pafajësinë e Tatarëve ndaj akuzës së tradhtisë për bashkëpunim me gjermanët, e cila u kishte veshur atyre gjatë periudhës së Stalinit. Me gjithë aprovimin e këtij vendimi, autoritetet ruse asnjëherë nuk u kishin lejuar atyre të ktheheshin në tokat e tyre, duke ndërmarrë sanksione të ashpra ndaj çdo personi që u shiste apo u jepte me qira atyre ndonjë objekt. Dhe, si rezultat i një politike të tillë, nuk ishin kthyer përveçse një numri shumë i vogël, përafërsisht tri familje.

Feja Islame në Krime

Feja Islame konsiderohet feja e dytë pas Krishterimit, megjithatë përkushtimi i autoriteteve qeverisëse, në rend të parë, dhe si një objektiv ka largimin e myslimanëve nga feja dhe atdheu i tyre, në rend të dytë, shkatërrimin e qytetërimit islam dhe eliminimin e çdo gjëje që ka lidhje me fenë Islame në tokën e Krimesë.
Në periudhën në mes viteve 1989 – 1992 numri i muslimanëve të rikthyer në vendet e tyre vazhdoi të rritej, kështu që gjatë një viti arriti afërsisht në 40 mijë muslimanë. Në vitin 1997 ishin rikthyer 3500 persona, kurse në vitin 2002 afërsisht 2000 persona. Statistikat tregojnë se gjatë vitit 1770 përqindja e Tatarëve (muslimanëve) në Krime ishte 93%, ndërsa pakicat e tjera vinin nga Armenia dhe Greqia, e ruse nuk kishte fare. Ndërkaq, në vitin 1921 përqindja e Tatarëve (muslimanëve) ishte 25.9%, ndërsa rusët dhe ukrainasit përbënin 51.5 % e të tjerët ishin çifutë dhe gjermanë.
Ndërkaq, në vitin 1959 në Krime nuk ishte regjistruar prania e asnjë muslimani, kurse përqindja e rusëve ishte 71 % dhe e ukrainasve 22 %. Të tjerët ishin çifutë dhe komunitete të tjera. Situata filloi të përmirësohej atëherë kur u ishte lejuar të riktheheshin në vendin e tyre, mirëpo gjendja ishte keqësuar përsëri, kështu që sot ata përbëjnë vetëm 20 % të banorëve të Krimesë. Tatarë të tjerë,të cilët jetojnë në vise të ndryshme të Rusisë, Uzbekistanit dhe Ukrainës janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për rikthim në vendet e tyre.
Në kohët e fundit popullata muslimane tatare e Krimesë është përfshirë në listën e Kombeve të Bashkuara të popujve të rrezikuar nga asimilimi, dhe kjo si rezultat i disa shkaqeve të përmendura nga disa autorë, e ndër shkaqet më të theksuara janë presioni kulturor, martesat e përziera, humbja e vlerave dhe manipulimi me konceptet e fesë, traditës dhe zakoneve.



Mr. Vedat Shabani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi