Besnikëria e vërtetë ndaj atdheut
Atdhedashuria është një ndjenjë e pastër shpirtërore që gjendet thellë në natyrën e çdo njeriu. Vendi ku lind ai, ku hap sytë, loz me dheun e tij, rritet nga ushqimet që nxjerr ai dhe, kalon stinët e jetës bashkë me ato të vendit, për të ai bëhet si nënë dhe natyrisht, dashuria ndaj tij shkrihet në gjakun e tij. Nëse atdhedashuria shfaqet në formën e duhur te njeriu, ajo mund të kultivojë tek ai vlera e virtyte të larta, e të kontribuojë për mbarësinë, jo vetëm të kombit, por të gjithë njerëzimit.
Por, a lind vetvetiu dashuria ndaj atdheut në natyrën e njeriut apo i paraprin asaj diçka?! Çfarë është atdheu për dikë?, dhe, çka është ajo që i bën njerëzit t`a duan atdheun?
Atdheu, në radhë të parë, është pasuri, pasuri që duhet ruajtur. E ajo pasuri është e gjithanshme: familje, gjuhë, veshje, kulturë etj. Që të gjitha këto formojnë vlerë, e cila lind një dashuri të natyrshme ndaj atdheut. Kush më pak e kush më shumë orientohet nga resurset që e mbushin zemrën e tij për dashuri e besnikëri ndaj atdheut. Ndërsa besimi u jep formën dhe përmbajtjen e duhur ndjenjave dhe dëshirave njerëzore. Ai e plotëson njeriun duke ndërgjegjësuar sjelljen e tij dhe e pajis atë me vetëdije hyjnore, që ai të ruhet nga rreziqet që mund t’i shkaktojë vet.
Kur atdhedashuria mishërohet me besimin në një Krijues, shfaqet në formën më të hijshme, duke sjellë vlera dhe dobi të gjithanshme. Por, fatkeqësisht po bëhen përpjekje për të ngushtuar kuptimin e saj, dhe sot ajo përqaset me nacionalizëm, shovinizëm dhe urrejtje ndaj racave, kombeve apo shteteve të tjera. Historia e botës na tregon raste të panumërta të konflikteve të përgjakshme ndëretnike që kishin zanafillën pikërisht në të kuptuarin e të shtrembër të kësaj ndjenjeje.
Më shumë do atdheun apo fenë?! Pyetje që kemi dëgjuar sa e sa herë, sidomos nga njerëz, të cilët me krenari i`u janë drejtuar besimtarëve për t’i vënë në sprovë para një debati poshtërues ose përqeshës. Një krahasim i tillë i fesë dhe i atdheut as që do të duhej të bëhej. Për më tepër të dyja janë kaq të mishëruara në qenien e një njeriu, saqë nuk di se si shihen ndaras.
Parimi i parë dhe më themelori i fesë Islame është që fjalët e një personi dhe veprat e tij kurrsesi nuk duhet të tregojnë hipokrizi apo standarde të dyfishta. Besnikëria e vërtetë kërkon një lidhje të ndërtuar në bazat e sinqeritetit dhe ndershmërisë. Ajo kërkon që edhe nga brenda njeriu të jetë i njëjtë me atë që shfaqet në sipërfaqe. Në marrëdhëniet me shtetin, ky parim ka rëndësi të madhe. Prandaj, është thelbësore për një shtetas, të cilitdo shtet, të vendosë një lidhje besnikërie të çiltër ndaj shtetit të tij, pa marrë parasysh nëse ai është qytetar i lindur i atij shteti apo fiton shtetësinë gjatë jetës së tij përmes rrugës së imigracionit apo në ndonjë mënyrë tjetër. Besnikëria është një veti madhore dhe njerëzit që kanë shfaqur këtë veti në shkallën më të lartë ishin pejgamberët e Zotit. Dashuria dhe besnikëria e tyre ndaj Zotit ishin aq të fuqishme, saqë në çdo çështje ata i ndoqën porositë e Tij dhe u munduan tërësisht për t’i zbatuar ato, pavarësisht nga rrethanat. Ndaj, pikërisht standardet e tyre të besnikërisë ne duhet t’i marrim si model për vete.
Në shumë ajete të Kuranit Famëlartë, Allahu thotë që të kesh dashuri të vërtetë ndaj Zotit dhe ndaj Islamit, kërkon që të kesh dashuri edhe ndaj atdheut. Pra, është shumë e qartë që nuk mund të ketë asnjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj Zotit dhe dashurisë së tij ndaj atdheut. Ai i urdhëron muslimanët që ata duhet të përmbushin zotimet dhe premtimet e tyre, sepse do të merren në përgjegjësi nga Ai për të gjitha ato. Muslimanët janë urdhëruar të përmbushin të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë edhe ato që ata kanë bërë me Zotin e Madhërishëm, si dhe zotimet e tjera që kanë bërë, në bazë të shkallës së tyre të rëndësisë. Në këtë kontekst, një pyetje që mund të lindë në mendjen e njerëzve është që, besnikëria e një muslimani ndaj shtetit dhe zotimi i tij për të respektuar ligjet e vendit mos kanë rëndësi dytësore tek ai dhe për këtë arsye, vallë, a do të sakrifikojë ai zotimin e tij ndaj shtetit në disa raste? Ka mundësi të krijohet kjo përshtypje, sepse muslimanët pohojnë që Zoti dhe feja e Tij kanë rëndësinë më të madhe për ta, që do të thotë se zotimi i tyre i besnikërisë ndaj Zotit është prioriteti i tyre i parë dhe se atë zotim ata e vlerësojnë mbi gjithçka dhe mundohen ta përmbushin atë.
Pejgamberi Muhammed s.a.v.s. vetë na ka mësuar që “Dashuria ndaj atdheut është pjesë e besimit”. Ndaj, patriotizmi i sinqertë është një kërkesë e Islamit. Që të kesh dashuri të vërtetë ndaj Zotit dhe ndaj Islamit, kërkon që të kesh dashuri edhe ndaj atdheut. Pra, është shumë e qartë që nuk mund të ketë asnjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj Zotit dhe dashurisë së tij ndaj atdheut. Përderisa dashuria ndaj atdheut është përcaktuar si pjesë e Islamit, është shumë e qartë atëherë që një musliman duhet të orvatet për të arritur standardet e larta të besnikërisë ndaj vendit të tij, sepse edhe ky është një mjet për t`a arritur Zotin dhe për t’iu afruar Atij.
E si mos ta dojë njeriu Mëmëdheun e tij, ku nga ai dhe e ajo tokë është krijuar, ku në atë vend për herë të parë ka parë Diellin me sytë e tij, ku ka lozur, ka qeshur e ka qarë, ku është njohur me më të dashurit e tij, ku ka mësuar shkronjat e para të abetares.
“Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t’u kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë”.
Dashuria ndaj Atdheut kërkon prind të mirë e cili edukon fëmijët e tij në frymë të shëndosh, në rrugë të drejtë. Kërkon mësues të mirë i cili edukon nxënësit dhe i mëson në formën më të mirë të mundshme. Kërkon bujk që punon tokën mirë dhe me vullnet, kërkon punëtor administrate që u kryen shërbime qytetarëve me ndërgjegje të plotë. Kërkon hoxhë i cili punon natë e ditë për vetëdijesimin e shoqërisë, i lidhë njerëzit me fenë dhe Atdheun e tyre duke u shpjeguar atyre rëndësinë e Atdheut, ruajtjes së tij dhe kultivimit të vlerave në të. Kërkon politikan i cili nuk merr postin për tjetër pos që t’i shërbejë popullit të vet, heq keq vet vetëm e vetëm që populli të jetë i lumtur. Kërkon tregtarë e biznesmenë të mirë të cilët synojnë ta përparojnë vendin e ta zhvillojnë atë ekonomikisht. Kërkon gazetarë të mirë të cilët mbrojnë vlerat e popullit dhe i përhapin ato. Kërkon policë e ushtarë të mirë që mbrojnë vatanin me dinjitet nga çdo e ligë e mundshme. Pra, kërkon një sensibilizim gjithë-popullorë të çdo individi. Dashuria ndaj Atdheut nënkupton që interesi i shtetit, pra i Atdheut dhe i shoqërisë të jetë parësor dhe mbi interesat personale.
Andaj gjejmë se në Islam mbrojtja e Atdheut, me pasuri e me trup, është parim i fesë, dhe numërohet xhihad respektivisht kontribut i shenjtë, i cili gradohet lartë dhe shpërblehet shumë nga Zoti. Mu për këtë, sipas mësimeve të islamit, shehidët-dëshmorët nuk vdesin. Nga ana tjetër, sipas mësimeve të Islamit tradhtia ndaj shtetit, është ndër mëkatet më të mëdha. Ata që nuk e donë Atdheun e tyre, ata që punojnë për të keqen e popullit dhe të shoqërisë së vet, ata nuk i do as Zoti Fuqiplotë, siç ka theksuar Kurani Famëlartë:
“Vërtet Allahu nuk i do tradhtarët” (Enfal, 58). Tradhtarët do të ringjallën ditën e Kiametit të dëshpëruar e të privuar nga mëshira e Zotit, siç ka potencuar pejgamberi Muhamed (alejhiselam).
Prandaj, është e pamundur që dashuria e një muslimani të vërtetë ndaj Zotit të mund të bëhet pengesë që e ndalon atë për të shprehur dashurinë dhe besnikërinë e vërtetë ndaj shtetit të tij. Fatkeqësisht, në disa shtete shohim që të drejtat fetare ngushtohen madje mohohen tërësisht.
Nëse do t’i hedhim një vështrim historisë së Evropës, shohim që edhe në këtë kontinent disa popuj kanë qenë viktimë të persekutimit fetar, dhe si rrjedhojë disa mijëra njerëz u detyruan të mërgojnë nga një vend në një vend tjetër. Të gjithë historianët, qeveritë dhe njerëzit mendjendritur janë të mendimit që ky persekutim i përkiste një dhune të skajshme. Në rrethana të tilla, Islami udhëzon, që aty ku persekutimi kapërcen çdo kufi dhe ai bëhet i padurueshëm, atëherë njeriu duhet të largohet nga ai qytet apo shtet për të mërguar në ndonjë vend ku është i lirë të praktikojë paqësisht fenë e tij.
Gjithsesi, përveç këtij udhëzimi, Islami gjithashtu mëson që në asnjë rrethanë asnjë individ nuk duhet të marrë vetë ligjin në dorë dhe as nuk duhet të marrë pjesë në projekte dhe komplote kundër vendit të tij. Ky është një urdhër shumë i qartë dhe i shkoqur i dhënë nga Islami. Një tipar i bukur dhe i dalluar i Islamit është që ai jo vetëm na tërheq vëmendjen për pasojat përfundimtare, ku ato mund të jenë mjaft të rrezikshme, por ai na alarmon edhe për të gjitha çështjet e vogla, të cilat veprojnë si shtigje për të drejtuar njerëzimin në rrugën e hapur të rrezikut. Kështu që, nëse udhëzimi i Islamit do të ndiqet ashtu siç duhet, atëherë çdo problem mund të zgjidhet që në fillim, para se situata të dalë jashtë kontrollit. Për shembull, një çështje që mund të dëmtojë rëndë një shtet është babëzia e individëve për para. Shpesh njerëzit pushtohen tërësisht nga dëshirat materiale, aq sa ato u bëhen të pafrenueshme dhe dëshirat e tilla përfundimisht i shpien drejt një sjelljeje të pabesë. Këto gjëra, përfundimisht shkaktojnë një tradhti ndaj shtetit.
Islami mëson që nga njerëzit që ndjekin këto rrugë nuk mund të shpresohet që ata të tregojnë besnikëri, sepse besnikëria është e gërshetuar me virtytet e larta. Besnikëria nuk mund të ekzistojë pa vlerat e larta morale dhe vlerat e larta morale nuk mund të ekzistojnë pa besnikëri. Ndonëse, është e vërtetë që njerëz të ndryshëm mund të kenë pikëpamje të ndryshme për standarde të larta morale, megjithatë, feja Islame vërtitet tërësisht rreth kërkimit të pëlqimit të Zotit. Kështu që, muslimanët janë urdhëruar të veprojnë gjithnjë për t`a kënaqur Atë.
Shkurt, sipas mësimeve të Islamit, Zoti i Madhërishëm ka ndaluar të gjitha format e pabesisë dhe të rebelimit, qofshin kundër shtetit të tyre apo të qeverisë. Kjo sepse rebelimi ose veprimi kundër shtetit kërcënon paqen dhe sigurinë e vendit. Madje, aty ku ndodh kryengritje apo kundërshtim i brendshëm, ai patjetër i fryn zjarrit të kundërshtimit të jashtëm duke inkurajuar të huajt të përfitojnë nga çrregullimi i brendshëm. Prandaj, pasojat e pabesisë ndaj shtetit mund të jenë shumë të mëdha dhe ekstreme.
Duke marrë parasysh të gjitha këto gjëra, besnikëria ndaj shtetit i kërkon njeriut që të tregohet i duruar, i virtytshëm dhe zbatues i ligjeve të vendit. Në përgjithësi, në epokën moderne, shumica e qeverive drejtohen në mënyrë demokratike. Prandaj, nëse ndonjë person apo grup dëshirojnë të ndryshojnë qeverinë, atëherë ata duhet të bëjnë një gjë të tillë duke ndjekur procesin e duhur demokratik. Zërin e tyre ata duhet të përcjellin përmes kutive të votimit. Votat nuk duhet të jepen në bazë të preferencave apo interesave personale, përkundrazi, Islami na mëson që çdo person duhet të japë votën e tij me një ndjenjë besnikërie dhe dashurie ndaj vendit të tij. Çdo person duhet të japë votën e tij duke menduar për përmirësimin e shtetit të tij.
Ky është Islami i vërtetë dhe kjo është besnikëria e vërtetë. Ky është i njëjti mësim që është dhënë në Kuranin Famëlartë.
Këto janë disa aspekte të mësimeve të Islamit, që udhëzojnë të gjithë muslimanët e vërtetë për kërkesat e vërteta të besnikërisë dhe dashurisë ndaj shtetit.
Në fund, dua të them që në këtë kohë vërejmë që bota është bërë si një fshat global. Njerëzimi është bashkuar dhe i gërshetuar. Popujt e të gjitha kombeve, feve dhe kulturave gjenden në të gjitha shtetet. Kjo kërkon që liderët e çdo vendi duhet të vlerësojnë dhe respektojnë ndjenjat dhe mendimet e të gjithë njerëzve. Liderët e qeverive të tyre duhet të mundohen për të hartuar ligje, që krijojnë atmosferë dhe frymë të vërtetësisë dhe drejtësisë, e jo të krijojnë ligje që përdoren si mjet për të tensionuar dhe irrituar njerëzit. Padrejtësitë dhe egërsitë duhet të eliminohen dhe në vend të tyre duhet të mundohemi për të vendosur drejtësinë e vërtetë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që bota të arrijë t`a njohë Krijuesin e saj. Çdolloj besnikërie duhet të lidhet me besnikërinë ndaj Zotit. Nëse do të ndodhë kjo, atëherë me sytë tanë do të mund të dëshmojmë tek njerëzit e të gjitha vendeve nivelet më të larta të besnikërisë dhe do të hapen rrugët më të reja që na çojnë drejt paqes dhe sigurisë në mbarë botën.
A konsiderohet se e do Atdheun ai politikan, i cili nuk mendon tjetër vetëm se si të arrijë në pushtet që t’i mbush xhepat e të bëhet milioner për pak vite? A konsiderohet se e do Atdheun ai mjek i cili e lë pacientin të vdes pse nuk i paguan “bakshish”? A konsiderohet se e do Atdheun ai mësues i cili nuk e ka dert se a po mësojnë apo përfitojnë nxënësit e studentët, por me rëndësi është t’i ecë paga. A konsiderohet se e do Atdheun ai tregtar a biznesmen që importon produkte të prishura apo të dëmshme për popullin e vet, vetëm se ka përfitime materiale? A konsiderohet se do Atdheun e vet ai gazetar i cili gjatë tërë kohës përhap antivlera nëpër media? A konsiderohet se e do Atdheun ai qytetar i cili thotë se nuk me intereson se jam i këtij vendi apo shet shtetësinë për pak para? Apo qytetari tjetër që për shkak të dështimit të tij personal, mendon këtë shoqëri duhet ndryshuar rrënjësisht, përfshirë fenë, gjuhën, kulturën e traditat, duke vrapuar pas kulturave dhe shteteve kinse më të avancuara? A konsiderohet atdhetar ai i cili ka luftuar, por sot në liri uzurpon, keqpërdor dhe kërcënon njerëzit? A konsiderohen të tillët atdhetarë e patriotë, apo mos vallë ka ndonjë titull tjetër që u përshtatet më shumë?
Ne e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë, por se a do dimë ta ruajmë atë, këtu është shqetësimi im! e Zoti është i madh e i mëshirshëm mundet të dërgojë njerëz të mençur e vizionarë, që të vetëdijesohemi si popull.
Një gjë nuk do mend, nëse dashuria për Atdhe është vetëm fjalë boshe, vargje e këngë me çifteli, atëherë ne jemi të parët. Allahu na drejtoftë e na udhëzoftë, e na bëftë të sinqertë.
Sa më shumë të jeni të lidhur me fenë e bukur Islame, aq më shumë do ju shtohen edhe ndjenjat si: mëshira, dashuria, besnikëria etj., sepse do të kuptoni që:
"DASHURIA PËR ATDHEUN BURON NGA BESIMI."
Ligjeratë e mbajtur më 20.02.2015, e xhuma, në Xhaminë Sefe, Gjakove