Dialogu mes popujve dhe shoqërive me diversitete të ndryshme kombëtare, kulturore dhe fetare është në të vërtetë një synim dhe një sfidë për të gjitha kombet dhe shoqëritë e rajonit të Ballkanit, po dhe më gjerë. Trajtimi i temave me përmbajtje të tilla në këtë konferencë orienton dhe kontribuon për avancimin e promovimit dhe kultivimit të vlerave kulturore, paqësore, tolerante dhe të dialogut në shoqëritë shumetnike dhe multikonfesionale në rajonin e Ballkanit.
Angazhimi i bashkësive fetare dhe i personaliteteve fetare në proceset kulturore, politike, integruese dhe në paqendërtim, mund të themi se është një vlerë më shumë për emancipimin e shoqërive në Ballkan, dhe një përgjegjësi sa kombëtare po aq edhe fetare e këtyre njerëzve, për të cilët ka nevojë çdo shoqëri. Besimet fetare kërkojnë respektimin e te drejtave të njeriut dhe predikojnë barazi midis qenieve njerëzore. Ato hedhin poshtë çdo formë të diskriminimit racial, fetar dhe kulturor duke bërë thirrje për lirinë e të gjithëve, pa imponim në fe dhe pa ndërhyrje në lirinë individuale të njerëzve. Edhe Islami bën thirrje për njohje, dialog dhe bashkëpunim reciprok ndërmjet popujve dhe kombeve, për të rritur stabilitetin dhe për të garantuar paqen në rajonin e Ballkanit, po dhe më gjerë.
Roli i fesë në shoqëri
Roli i fesë dhe kontributi i bashkësive fetare si dhe bashkëpunimi i tyre me institucionet publike shtetërore në ndërtimin e paqes në Kosovë dhe në zhvillimin e proceseve multinacionale, multikonfesionale si dhe në ato politike e integruese, është shumë i rëndësishëm dhe mund të themi se është një vlerë më shumë për emancipimin e shoqërisë sonë dhe një përgjegjësi sa fetare e humane po aq edhe politike e shtetërore, për të cilat ka nevojë çdo vend. Besimet fetare kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe predikojnë barazi midis qenieve njerëzore. Ato hedhin poshtë çdo formë të diskriminimit racial, fetar dhe kulturor duke bërë thirrje për lirinë e të gjithëve, pa imponim në fe dhe ndërhyrje në lirinë individuale të njerëzve. Islami si fe e shumicës së popullatës në Kosovë bën thirrje për njohje, dialog dhe bashkëpunim reciprok ndërmjet popujve dhe kombeve për të rritur stabilitetin dhe për të garantuar paqen në Kosovë, në rajon dhe në botë. Njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur në mes tyre, e jo për të treguar e shprehur urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Këtë e theksoi Kurani që në fillim të shpalljes së tij: (Shih:El Huxhurat, 13).
Për të luajtur rol feja dhe institucionet fetare në shoqërinë kosovare, atyre u duhet dhënë më shumë hapësirë në jetën publike, në jetën mediatike dhe në institucionet e tjera qofshin ato të arsimit, të shkencës dhe kulturës. Thjeshtë feja dhe roli i saj nuk duhet të vështrohet si diçka që nuk e ka vendin në institucione dhe në jetën publike të shoqërisë sonë, dhe si diçka që duhet të mbetet private dhe e izoluar. Ne mendojmë se bota sot por edhe shoqëria jonë kanë nevojë për energji fetare, të cilën shumë vende po e shfrytëzojnë ngase laicizmi është treguar i pasuksesshëm në zgjidhjen e problemeve shoqërore e veçmas të atyre morale e shpirtërore. Këtë e vërteton fakti i pakontestuar se sot bota posedon pasuri dhe të mira materiale më shumë se asnjëherë më parë, por aq sa të shtohen begatitë dhe të mirat materiale, aq më shumë shtohen pasiguria dhe rrezikimi i paqes. Pra, gjykohet kështu, ngase besimi i pastër dhe i sinqertë në Krijuesin e gjithësisë është i vetmi burim, i cili te individi dhe shoqëria prodhon pandërprerë paqe, qetësi dhe stabilitet. (Shih: El Enam, 82).
Bota njerëzore sot, duke rënë nën ndikimin e plotë të materies dhe duke harruar komponentin tjetër të përbërjes së tij, shpirtëroren, ka rënë nën ndikimin e ligjit të vetëvlerësimit, që nënkupton zbatimin e ligjit të më të fuqishmit, i cili është sistem i botës shtazore, e jo i botës njerëzore.
Edhe në ligjërimin politik e akademik perëndimor hasim disa pikëpamje mbi natyrën, vendin dhe rolin e fesë në botë në përgjithësi dhe të Islamit në veçanti për sa i përket aspektit politik dhe zgjidhjes së konflikteve. Për fillim më janë dukur më të përshtatshmit dhe më interesantet dy vlerësime. Njëri është i rabinit të Anglisë Dr. Xhonatan Saksi, i cili ka thënë: “Feja është bërë forcë madhore në formësimin e ngjarjeve në botë dhe, nëse nuk është pjesë e zgjidhjes, është me siguri pjesë e problemit”.(1)
Ndërsa vlerësimi tjetër është i ish-Presidentit të SHBA-së, Xhimi Karter, i cili është shprehur: “Vitet e fundit besimi fetar ka hyrë në një shkallë të pabesueshme në mbretërinë e politikës… dhe ka një prirje drejt fundamentalizmit në të gjitha fetë”.(2)
Madje, për ndikimin e teologjisë në politikën e SHBA-së kuptojmë edhe më shumë nga drita e mendimeve të Xhimi Karterit, i cili thekson edhe: “Besime teologjike ngushtësisht të përcaktuara janë pranuar si rend i rreptë dite nga një parti politike… Disa nga udhëheqësit fetarë kanë qenë në vijën e parë të frontit për të na çuar në luftën e Irakut” (Vlerat tona në rrezik, 2005 f. 7, 114). Ideja se teologjia ndikon shumë në politikën shtetërore amerikane, është objekt shtjellimi në 400 faqet e librit të Kevin Filips “Teokracia amerikane” (American theocracy 2006).(3)
Nëse i referohemi një shkrimi të Kardinalit Ratzinger (Papa Benedikti XVI), të botuar në revistën gjermane “Cicero”, do të shohim se sa i nevojshëm është për Perëndimin besimi në fe dhe në Zot. Ai, ndër të tjera, në këtë revistë shkruan: “Perëndimi vuan nga një veturrejtje e çuditshme, e cila s`mund të quhet ndryshe përpos patologjike… Për të mbijetuar Evropa, duhet ta pranojë veten në një mënyrë të re… një botë pa Zot nuk ka ardhmëri… Evropa është e sëmurë”.(4)
Për sa i përket Islamit, ai është program që jep shpjegimin realist të jetës dhe si fe përkon me natyrën njerëzore. Më saktë, ai është: “një vetëdije e thellë politike, për shkak të një konceptimi të përgjithshëm dhe të kompletuar mbi jetën, universin, shoqërinë, politikën, ekonominë dhe etikën”.(5)
Mbështetur në këtë premisë, Islami ofron vizionin e një jete civilizuese, ku duhet të mbretërojë ligji, rendi, paqja dhe drejtësia në jetën shoqërore. Islami rregullon marrëdhëniet njeri-njeri, njeri-shoqëri, njeri-natyrë dhe njeri-Krijues.
Islami dhe paqja
Kur flasim për Islamin dhe paqen ose të kundërtën, Islamin dhe luftën apo ekstremizmin, duhet t’i rikthehemi patjetër edhe një herë ligjërimit politik perëndimor, por pa e harruar konstatimin e ish-Presidentit të SHBA-së Xhimi Karter, për “praninë e fundamentalizmit dhe ekstremizmit në të gjitha fetë”. Ky konstatim dhe shumë konstatime të personaliteteve dhe të studiuesve të tjerë, na bënë ta kuptojmë se ekstremizmi nuk ka ngjyrë dhe nuk njeh kufij. Nga fetë më të përhapura monoteiste në botë, Islami është bërë tema madhore dhe më e mprehtë e ditës në ligjërimin perëndimor politik. Në kuadër të këtij ligjërimi “hapësira islamike u bë qendra nervore e universit tonë të vënë në rrugën e mondializimit”.(6)
Këtu lindën edhe kundërthëniet rreth hipotezave nëse perëndimi po i vinte në shënjestër Islamin e muslimanët për të plotësuar nevojën për një armik të ri, që të ruajë kompaktësinë e tij si sistem dhe si politikë, apo me të vërtetë Perëndimi ndihej dhe ishte i kërcënuar nga rreziku i quajtur fundamentalizëm dhe terrorizëm islamik. Kur e shtruam këtë dilemë dhe kur e ngritëm këtë pyetje, ndoshta përgjigjen mund ta gjejmë në veprën “Islami dhe miti i konfrontimit…” i autorit Fred Hollidei.
Ai përmes kësaj vepre paralajmëronte: “Pas mbarimit të luftës së ftohtë duket se atë do ta zëvendësojnë rivalitete të reja, një prej të cilave është ai midis Islamit dhe Perëndimit”.(7)
Ndërsa Xhon Espozito ka shkruar: “Shekulli XXI to të mbizotërohet nga ndeshja globale e dy feve me rritjen më të shpejtë, Krishterimit dhe Islamit”. Këtë mendim e ka shprehur në veprën e tij “Lufta pa shenjtëri”.
Megjithatë, pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001, sulmi ndaj Islamit dhe muslimanëve u bë pothuajse modë për televizionet, radiot dhe mediet e tjera të shkruara perëndimore. Shkrimtarë, studiues, analistë, politikanë dhe autorë anti-islam përpiqen të jenë kopje e njëjtë e Steve Emersion-it, në kohën kur Islami portretizohet si fe që promovon dhunën dhe luftën.(8)
Hirësia e tij Jerry Fallvell, pas 11 shtatorit pati deklaruar: “Muhamedi është terrorist, kurse Islami është fatkeqësi”. Ndërkohë që Pat Robertson, Islamin e quajti armik, kurse për muslimanët ka thënë: “Muslimanët janë më të këqij se nazistët”.(9)
Islamofobia ishte përhapur edhe në vende të tjera të Perëndimit, sidomos në Francë. Kështu Patrik De Klark, shkrimtar dhe analist francez, i cili në gazetën e njohur franceze “Le Monde” botoi një artikull me titull: “Unë e urrej Islamin”, në të cilin, ai e sulmon Islamin me shprehjet dhe atributet më të këqija: “Ai sjell marrëzinë, sepse ai bën segregacion mes dy gjinive… sistemi i të menduarit të tij mbështetet në luftën e shenjtë”.(10)
Shembuj të këtillë ka përplot. Por, në këtë rast vlen të përmendet edhe ana tjetër e medaljes. Pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit, një numër i konsiderueshëm i intelektualëve perëndimorë u solidarizuan me popullatën muslimane si në SHBA, ashtu edhe në Evropë, duke bërë dallimin ndërmjet një grupi ekstremistësh dhe Islamit si fe universale e muslimanëve si popull, të cilët jetojnë në të gjitha kontinentet e botës. Përkrahësit e ideve më të ashpra në ligjërimin perëndimor për Islamin, shpeshherë shprehin pakënaqësi dhe zemërim, kur politikanët e rëndësishëm perëndimorë i thonë disa të vërteta publikisht, ose mbajnë qëndrime neutrale ndaj Islamit për nevoja të realpolitikës. Atyre nuk u konvenon kur ish-Presidenti amerikan Bill Klinton, ish-Sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt, apo sekretarja e mëvonshme e shtetit Hilari Klinton deklaruan e lavdëruan, se virtytet e vlerat e Islamit janë të mirëpritura në Amerikë, sepse pasurojnë vendin me mësimet për vetëdisiplinën, mëshirën, përkushtimin ndaj familjes, solidaritetin e respektin për të gjithë, paqen…(11)
Studiuesja e njohur e Islamit Karen Amstrong, e cila ka shkruar disa libra dhe artikuj për Islamin, para opinionit amerikan dhe atij perëndimor ka shtruar disa pyetje: “Nëse Islami është aq i keq, ashtu siç paraqitet nga mediet perëndimore, si është e mundur që ai të përhapet me një shpejtësi marramendëse në Perëndim?!”.(12)
Ajo pastaj shtron edhe këtë pyetje: “Ku është shpata e Islamit tash? “Islami është fe e paqes, por muslimanët nuk janë lënë të qetë për një kohë të gjatë nga kryqtarët e së kaluarës e të tashëm… Islami nuk është i dhënë pas lufte, lufta nuk është njëra prej 5 shtyllave të Islamit…”.
Cili është Islami i vërtetë me koncepte universale paqësore
Për ta vlerësuar një fe apo një sistem a shoqëri se sa është paqësore dhe tolerante, mendojmë se është e domosdoshme të analizohen dhe të shikohen dispozitat dhe ligjet e asaj feje apo të atij sistemi, si dhe historia e zhvillimit të asaj shoqërie. Sa më fisnike dhe bujare të jenë dispozitat e një feje, aq më paqësore dhe tolerante do të jetë ajo fe dhe aq më të mëdha do të jenë predispozitat e saj për t`u bërë fe universale. Nëse i analizojmë dhe i zbërthejmë mirë burimet kryesore të fesë islame, Kur`anin dhe traditën profetike, do të shohim se që të dyja këto burime, me normat dhe rregullat e tyre, në mënyrë reale trajtojnë çështjen e tolerancës, barazisë dhe të bashkëjetesës ndërmjet besimtarëve me përkatësi të ndryshme fetare dhe kombëtare.
Në vazhdim do të citojmë disa ajete kuranore, në të cilat theksohet qartë liria e besimit. Citojmë: “Në fe nuk ka shtyrje me dhunë” (El Bekare, 256).
Në ajetin tjetër theksohet se zgjidhja përfundimtare e besimit është çështje personale: (Shih:El Kehf, 29). Koncepti paqësor ndaj besimeve të tjera vërehet edhe në ajetin tjetër, në të cilin thuhet: “Ti këshillo, ti je vetëm këshillues. Ti ndaj tyre nuk je detyrues”. (El Gashije, 22-23).
Kur`ani nga besimtarët e vet jo vetëm që kërkon dialog, bashkëpunim, mirëkuptim me pjesëtarët e feve tjera, por ai shkon edhe më larg dhe, nga bashkëpunimi reciprok, kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për të drejta të barabarta mbarënjerëzore si vlera universale për bashkëjetesë. Kurani si libër hyjnor i shpallur nga Krijuesi, që të tri fetë i quan fe qiellore/hyjnore dhe i fton për bashkëpunim me këto fjalë: (Shih:Ali Imran, 64).
Nëse fetë qiellore besimin e vërtetë në krijuesin e gjithësisë e trajtojmë në këtë dritë dhe e shikojmë në këtë prizëm, atëherë edhe pikat e përbashkëta ndërmjet Hebraizmit, Krishterimit dhe Islamit do të ishin më të mëdha. Në këtë rast do të nxirrej përfundimi se keqkuptimet dhe konfliktet kanë ardhur nga interpretimet e shtrembëruara, nga devijimet që u janë bërë shpalljeve e jo nga shpalljet burimore dhe nga pejgamberët e pasuesit e tyre. Në lidhje me lirinë e besimit dhe respektin e ndërsjellë dhe të drejtat e njeriut në traditën profetike, profeti Muhamed a.s., si interpretues legjitim i Kuranit, ka sqaruar më së miri parimet dhe idealet e larta kuranore, që kanë të bëjnë me këtë fenomen. Ai, me shembullin e vet, i bëri traditë praktike këto parime dhe u bë model edhe për brezat e ardhshëm. Ai kishte theksuar: “Drejtësia mban qiellin dhe Tokën”.Muhamedi a.s. u kishte garantuar me ligje mbrojtjen dhe sigurinë pjesëtarëve të feve qiellore në shtetin islam. Kështu, në hadithin e Pejgamberit a.s. thuhet: “Ai që mundon një hebre ose një të krishterë, në Ditën e Gjykimit mua do të më gjejë si paditës të tij”. Kjo frymë e paqes dhe e tolerancës do të vazhdojë gjatë gjithë historisë së zhvillimit të kulturës dhe civilizimit islam. Islami gjatë historisë së tij asnjëherë nuk ka pasur në gjirin e vet grupe inkuizicioni dhe asnjëherë nuk ka pasur për qëllim ndërrimin me forcë të fesë së ndonjë populli. Edhe shoqëria jonë, nacionalitetet tona, pavarësisht nga bindje fetare dhe nacionale duhet të kuptojnë një herë e përgjithmonë se realiteti dhe fati, jo vetëm yni, por i gjithë botës, është larmi bindjesh e besimesh. Ky është vullneti i Krijuesit të gjithësisë dhe kush mund të merrte guximin të ngrihej kundër vullnetit të Tij.
Toleranca ndërfetare në Kosovë
Këtu vlen të përmendim se, edhe pse populli shqiptar numerikisht është i vogël dhe i ndarë në tri konfesione e disa rite, historia nuk mban në mend të kenë ndodhur ndonjëherë konflikte fetare. Aq më tepër ai gjatë historisë tregoi një tolerancë dhe respekt të paparë edhe ndaj religjioneve dhe objekteve sakrale të fqinjëve të tij, duke i ruajtur ato brez pas brezi.
Shqiptarët për shekuj me radhë i kanë ruajtur kishat ortodokse në Kosovë dhe familjet serbe, kur ato kishin nevojë. Mjerisht, objektet fetare islame në Serbi, si dhe popullata muslimane nuk patën të njëjtin fat. Beogradi në kohën e Perandorisë Osmane kishte afër 85 xhami, mesxhide, mejtepe e medrese, e sot ka vetëm një xhami.
Të njëjtën fatkeqësi objektet fetare islame e pësuan gjatë agresionit të fundit serb në Kosovë. Vlen të përmendim se gjatë periudhës 28 shkurt 1998 – 20 qershor 1999 nga soldateska serbe u dogjën, u granatuan dhe u shkatërruan 218 xhami nga 560 sa kishte Kosova, disa prej të cilave me vlera të mëdha arkitektonike.(13)
Edhe pse ne jemi të mendimit se konflikti serbo- shqiptar në Kosovë nuk kishte karakter fetar, pala serbe është përpjekur që simbolet fetare t’i përdorte për mobilizimin e forcave serbe, për spastrimin e territoreve ku jetojnë shqiptarët, dhe për zhdukjen e monumenteve kulturore të tyre, siç janë xhamitë, minaret, mejtepet si dhe vizatimi i katër S-ve si simbol i ortodoksizmit, bile këtë në shumë raste e bënte policia serbe edhe në kraharorët dhe fytyrat e të rinjve shqiptarë. Kisha Ortodokse Serbe, me ardhjen e Sllobodan Milosheviçit në pushtet, u shndërrua në skenën publike, për të ndihmuar operacionalizimin e programit nacional serb. Në këto veprime, kisha ka luajtur rol të madh, duke i kontribuar zgjimit të etnonacionalizimit dhe qëndrimit shtetomadh të shtresave të gjera, duke manipuluar me ndjenjat religjioze dhe nacionale të qytetarëve për qëllime politike. Njëkohësisht, i ka dhënë përkrahje të plotë regjimit milosheviçian, dhe ka pasur rol të rëndësishëm në mobilizimin e segmenteve të caktuara antikomuniste të shoqërisë.(14)
Me gjithë tërë ato që kanë ndodhur në Kosovë, qoftë në të kaluarën e largët apo dhe të afërt, shqiptarët si popull shumicë në Kosovë, i janë kthyer ardhmërisë dhe ata jetësisht janë të interesuar për stabilizimin e gjendjes në të. Duke pasur parasysh rëndësinë që kanë paqja dhe toleranca në Kosovë, si dhe rolin që mund ta kenë institucionet fetare në ndërtimin e paqes, BIK, institucionet e saj dhe imamët anë e kënd vendit në vazhdimësi janë angazhuar dhe duhet të angazhohen edhe në të ardhmen që me mësimet dhe predikimet e tyre të përçojnë mesazhet hyjnore, që thërrasin për paqe, dashuri, mirëkuptim, respektim të tjetrit e, para së gjithash, për falje e mirëkuptim.
(1) Kliford Longli “Populli i zgjedhur” (Clifford Longley, “Chosen people…”, Angli, 2002, f. 148).
(2) (Xhimi Karter “Vlerat tona të rrezikuara. Kriza morale e Amerikës”/(Jimmy Carter “Our endangered values. America’s moral crisis”), 2005, f. 16, 30.
(3) Abdi Baleta, “Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami përcjell në këtë integrim“ (simpozium kombëtar), 2008, f. 71.
(4) (Kardinali Ratzinger, Revista” Cicero”, qershor, 2004.
(5) Muhamed Bakir ess- Sadër, filozofia jonë, Prishtinë, Zëri ynë, 2006, f. 67..
(6) Aleksandër Adler “Në takim me Islamin” f. 75.
(7) (Fred Hollidei, “Islami dhe miti i konfrontimit…”, 1996, f.2
(8). Indianapolis Star, December 4, 2002, Column by Cal Thomas).
(9) Mr. Qemajl Morina, Edukata Islame (Revistë shkencore kulturore islame), nr. 84, Prishtinë, 2007, f.5).
(10). (Po aty, f.6).
(11). Abdi Baleta, Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami përcjell në këtë integrim (simpozium kombëtar), 2008, f. 63.
(12) Rime Magazine, 17.09.2001, the true peaceful face of islam).
(13) Bashkësia Islame e Kosovës,Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë (shkurt-98-qershor 99 Prishtinë, 2000, f.8).
(14) Dr.Samet Dalipi, Ndërtimi i paqes në Kosovë (nga perspektiva e politikologjisë perëndimore), Prishtinë, 2014, f. 40 ).