A janë politike të drejtat e njeriut?

 


Shoqëria moderne dhe shteti modern ia arritën të krijojnë botën e tyre – botën dytësore, botën e “zgjedhjeve” dhe të “premtimeve” shterpe – si realitet të vetëm në të cilin nuk ka vend për realitetin mbinatyror, për realitetin hyjnor. Për shkak të këtij horizonti ideor bashkëkohanikët tanë thjesht bëhen të paaftë të hapen për realitetin hyjnor, ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë Fjalën Hyjnore... Prof. Dr. Ismail Bardhi


“Armiqësia” e elitës kosovare ndaj mbulesës së disa vajzave myslimane, dhe në veçanti ndaj mbajtjes së veshjes së tillë edhe në shkollat publike, nuk bëhet fjalë thjesht se shihet si kufizuese e lirisë së femrave dhe simbolizon atë që edhe shumë evropian kohëve të fundit e shohin si shtypje që feja islame u bënë femrave, por kjo veshje fyen sekularizmin kushtetues të aktit më të lart të Kosovës.
Realisht, Kushtetuta duhet të jetë shprehje e lirë e popullit, ose siç do të thoshte Huber për Ligjin; “ai është zëdhënës i popullit”. Në një gjendje jokushtetuese flitet për nxjerrjen e Kushtetutës së re, dhe në demokraci, thotë Marksi; vetë Kushtetuta paraqitet si vetëvendosja (vetëpërcaktim) e popullit. Në monarki, thotë ai, kemi popullin e Kushtetutës, kurse në demokraci Kushtetutën e popullit”. Këtu, Kushtetuta vazhdimisht reduktohet në bazën e vetë të vërtetë (reale), në njeriun e vërtetë, në popullin e vërtetë dhe se përcaktohet si vepër e tij vetjake dhe kjo jo vetëm për vete, ndaj thelbit të vet, por edhe për nga ekzistimi i tij dhe e vërteta, njëmendësia. Në një rrafsh më të gjerë çdo përcaktim antidemokratik, me vetëdije ose pa të, edhe pse kjo mund të mos jetë fare qëllimi, mund të çojë deri në fashizëm. (Newmann)
Edhepse Kushtetuta e Kosovës, garanton lirin e besimit në kuadër të të drejtave të njeriut, çështja e natyrës së të drejtave të njeriut nuk është fare e zgjidhur për vet faktin se janë braktisur premisat që janë vendos nga vetë përpiluesit e këtij akti juridik më të lart të Shtetit. Çështja që na preokupon do të banalizohej; çështja do të reduktohej në një pyetje rreth mundësisë së shfrytëzimit të idesë së të drejtave të njeriut, shfrytëzimit të kërkesave që frymëzohen prej saj, në mënyrë që të mobilizohen energjitë kolektive dhe të shndërrohen në një forcë që do të ishte në gjendje të ballafaqohet me forcat tjera në arenën politike. “Vetëm njeriu mund të bëjë të pamundurën, ai shkoqit dhe peshon, zgjidhë dhe gjykon” do të përfundonte Gëteja.
Të drejtat e njeriut e shpien të drejtën te një themel i cili, me gjithë emërtimin që ka, është pa figurë dhe sado absurd të tingëllojë një emërtim i tillë, shenjat për zhvillime të tilla janë të pranishme kudo në botën demokratike. Politikat radikale të udhëheqësve tanë të legjitimuar nga vet aktet e kësaj Kushtetute, të prirë me sjellje autokratike me parime dhe fantazi makiaveliste për prirje oligarkive edhe me bindjen ta kthejnë veprimin shoqëror tërësisht në dobi të tyre, në mbrojte të pozitës së tyre për iks ëndje individësh, është një prirje endemike. E pranojmë, në rrafshin lokal jemi shumicë myslimane, ndërsa në rrafshin e politikës kosovare jemi pakicë e parëndësishme dhe na duhet të heshtim sipas doktrinës filozofike të “Ketmani’it”, e cila lejon mbijetesën për të mbetur gjallë dhe për ta vazhduar “luftën” kur të piqen kushtet. Por, sa duhet pritur???
Në një botë demokratike, raste të tilla (shkelje të të drejtave të njeriut) gjykohen dhe merren si precedentë nga vet elita, ndërsa në një botë të kufizuar, (rasti ynë) sa kohë që njerëzit nuk ngrenë zërin për ndryshime, serish për ta “kujdeset” elita. Mbi baza të tilla (mos respektim të të drejtave të njeriut dhe politizim të tyre), të drejtat e individit dhe shoqërisë nuk mund të jenë bazë mbi të cilën mund të ngritët Kushtetuta e re. Baza duhet të jetë garantimi dhe sigurimi i të drejtave kolektive, në qoftë se njëmend pretendohet për të drejta të tilla. Rasti i fundit i diskriminimin mbi baza fetare rreth mbulesës së vajzave myslimane dhe pjesëmarrjes së tyre edhe në shkollat publike, s’ka si të mos merret si diskriminim dhe shkelje e të drejtave themelore të njeriut, rast i izoluar për zgjidhje (sepse në disa shkolla vazhdohet mësimi) si dhe politizim total i situatës. Lideri i popullit është tutor gjeneral i gjithë shoqërisë, Kushtetuta është një “relevat” e ardhur nga vet qytetarët, projektpiloti dhe menaxhimi në bazë të këtij projekti janë udhëheqësit nga pozicionet që i janë besuar. Pavarësisht se të gjitha këto, s’mund të koordinohen nga një Lider dhe të gjitha këto janë të vështira pa mos thënë të pamundura të udhëhiqen nga një person, është Kushtetuta – relevata që zgjidhë çdo çështje dhe problem që paraqitet në shoqëri, mjafton një kujdes dhe një demonstrim se duam të respektojmë atë. Nëse do ta parafrazonim edhe Volterin në këtë shkrim, dyshojmë se edhe ai e kishte një problem të kësaj natyre kur patë thënë: “Nuk miratoj veshjen tënde, por do të mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për t’u veshur sipas bindjes”. Të tilla pohime do të reprezentonin figurën me kompetencë të plot të një udhëheqësi që respekton Kushtetutën, pavarësisht pse nuk pajtohet.
Shoqëria civile kosovare është në kërkim të një udhëheqësi me emrin njeri, të gjithë janë shndërruar në mbinjerëz duke harruar se asnjë “mbinjeri” i pajisur me forcë “mbinjerëzore” nuk u ngrit në nivelin e arsyes mbinjerëzore ndërsa sa më shumë që aspirojmë të shndërrohemi në mbinjerëz, aq më çnjerëzor bëhemi!


Artikulli i kaluar
Islami dhe islamizmi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi