(Këshilla fetare dhe mjekësore për ata që planifikojnë të bëhen prindër)
Fëmijët janë begatia më e madhe që Zoti ia dhuron një çifti. Ata janë mirësi në këtë botë dhe botën tjetër. Prandaj arsyet që na nxitin të bëhemi prindër janë të shumta, por mbi të gjitha mbetja e esencës sonë në këtë botë edhe pas ikjes nga këtu, pra përmes pasardhësve. Në aspektin fetar, arsyen për t'u bërë prind e nxisin edhe shumë thënie të Muhamedit a.s., që si begati renditin fitimin e shpërblimit të Zotit si rezultat i fëmijëve, shpëtimin tonë nga ana e fëmijëve etj.
Një ndër thëniet është edhe hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, se ky i fundit e ka dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë: "Fëmijët tuaj fluturojnë në Xhenet duke mos u penguar askund. Kur ta takojnë (Ditën e Gjykimit) njërin apo të dy prindërit, i kap për rroba, ose për dore, pikërisht ashtu siç e kapni ju me dorë skajin e rrobës suaj, dhe nuk ndalen së ecuri derisa Allahu ta fusë në Xhenet atë së bashku me prindin."(1)
Bazuar në këtë thënie dhe në shumë të tjera si kjo, lindja e fëmijëve fillimisht është kërkesë fetare, e pastaj ajo sjell edhe shumë dobi të tjera.
Të bëhesh prind mund të jetë një eksperiencë përplot strese, nëse prindërit nuk janë të informuar mirë. Nëse çiftet janë naivë për ndryshimet që ndodhin në stilin e jetesës, në disa raste kjo mund të shkaktojë depresion, dhe në raste të tjera edhe pakënaqësi dhe keqkuptime. Një parim i artë duhet të ekzistojë te secili çift: Familja është parësore.
Besimtari duhet t'i lutet Zotin xh. sh. që Ai t'i falë fëmijë. Duaja për fëmijë është mësim fetar dhe udhëzim i dhënë nga gjithë pejgamberët. Zoti në Kuran përmend lutjen e njerëzve të mirë, të cilët thanë: "Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar më (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit!" (El Furkan, 74).
Ibën Abasi, në komentin e tij që i ka bërë këtij ajeti, ndër të tjera përmend: "Besimtarët me këtë lutje kanë si qëllim pasardhës që do të bëjnë vepra të mira, që do t'i gëzojnë prindërit e tyre në dynja dhe ahiret."
Gjithashtu kemi edhe lutje të pejgambereve të përmendur në Kuran, e të cilët edhe para lindjes edhe pas lindjes së fëmijëve u luten për fëmijët e tyre. Për shembull, Ibrahimi a.s. bëri dua në këtë mënyrë: "Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve!" (Es Safat, 100).
Lutja për fëmijët
Pejgamberi a.s. na këshillon që të jemi të kujdesshëm në lutjet për fëmijët tanë, të lutemi shumë për ta, sepse duaja e prindit pranohet, dhe Zoti na shpërblen me pasardhës të hairit.
Nga fjalët e Muhamedit a.s. myslimanët këshillohen që para akteve dashurore të kërkojnë strehim tek Allahu prej djallit të mallkuar, duke pohuar që fëmija i lindur nga ai akti dashuror të mos ndikohet nga djalli.(2)
Qëllimi më fisnik i aktit dashuror është sjellja në jetë e një pasardhësi, që është i udhëzuar në rrugë të drejtë, i dashur dhe i dobishëm për familjen dhe gjithë njerëzit. Prandaj është shumë e rëndësishme që bashkëshortët t'i luten Allahut për largimin e shejtanit të mallkuar nga pasardhësi i tyre.
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: "Kur ndonjëri nga ju dëshiron t'i afrohet gruas së tij për të bërë dashuri, le të thotë: "Bismilah. Allahume xhennibnesh-shejtan, ve xhennibi shejtane ma rezaktena!" (Me emrin e Allahut! O Allah, na e largo djallin prej nesh dhe prej atij që do të na furnizosh me të!)"
Nëse nga ky akt dashuror është e caktuar që të ketë fëmijë, shejtani kurrë nuk do ta dëmtojë atë.(3)
Ca këshilla për të rritur mundësinë e shtatzënisë Nëse jeni një çift që dëshironi fëmijë, më poshtë janë të paraqitura disa këshilla për të rritur shanset e shtatzënisë:
- Spermatozoidet e meshkujve në trupin e gruas mbijetojnë 48 orë, kurse qelizat vezë të gruas kanë një jetë maksimale prej 12-24 orë.(4) Po brenda kësaj periudhe gruaja është e aftë për fekondim. Në këtë kohë marrëdhënia dashurore mund të çojnë deri te ngelja shtatzënë, pasi në këtë kohe kemi ovulacionin (pjekjen e qelizë s femërore).
- Në marrëdhënie dashurore është i vlefshëm edhe ligji i gravitetit. Pozita më e lehtë për të ngelur shtatzënë është shtrirë, dhe duke pushuar pas aktit dashuror. Kjo duhet të ndodhë në mënyrë që spermatozoidet të kalojnë sa më lehtë te qeliza vezë dhe të bëhet fekondimi.
- Përjetimi i orgazmës nga ana e gruas gjatë aktit dashuror rrit mundësinë për të ngelur shtatzënë, sepse tkurrja e mitrës tërheq spermatozoidet te qeliza vezë.
- Gratë që kanë qenë të mbrojtura me kontraceptivë për një kohë, nuk kanë nevojë të presin më shumë se femrat tjera për të ngelur shtatzënë. Me përfundimin e përdorimit të kontraceptivëve pak kohë u duhet për t'u rivendos cikli. Megjithatë, zakonisht, që në ciklin e parë vjen deri te ovulacioni.
Këshilla për t'u bërë prindër
Jeni të gatshëm të bëheni prindër?! Natyrisht se tash duhet të filloni t'i kushtoni rëndësi kësaj çështje, dhe atë sikur punëve të tjera dhe gjërave që keni dashur dhe dëshironi t' i bëni në vazhdimësi.
Nëse dëshironi krijimin e familjes, apo ta zgjeroni familjen me një anëtar më shumë, pritja nuk është zgjedhje për ju.
Profesoresha e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Stanford University School of Medicine, në Palo Alto, Calif, thotë: "Këshilla e parë për të ngelur shtatzënë është të mos i thoni vetes prit, por të provoni që ajo të ndodhë menjëherë. Kjo është gjëja e parë, dhe shumë gra ballafaqohen me konceptin se nuk mund të kontrollojnë gjithçka." Sidoqoftë, ka disa gjëra që mund të bëni, - apo të mos i bëni, - që të rrisni gjasat të mbeteni shtatzënë sa më shpejtë që është e mundur. Disa nga ato gjëra janë:
1. Largimi i stresit: Shumë femra, duke u munduar të ngelin shtatzënë, kjo u prodhon stres, e stresi sigurisht se mund ta prishë ovulimin. Në fushën e studimeve të mjekësisë gjinekologjike ky mendim tashmë është i njohur. Stresi gjithashtu mund të shkaktojë edhe çrregullim seksual dhe shqetësim te gjinia mashkullore. "Ka ca dëshmi se akupunktura mund të ndihmojë në lirimin e stresit dhe rritjen e gjasave për të ngelur shtatzënë," thotë Dr. Goldfarb.(5) Kështu që, këshilla jonë është të punohet në largimin e stresi dhe të provohet të bëhet një jetë pa stres.
2. Të bëhet një kontroll mjekësore para ngeljes shtatzënë: Secila femër, para se të fillojë të provojë të mbetet shtatzënë duhet të bëjë një kontroll te gjinekologu/ja. Kontrolli duhet të bëhet për ta shikuar gjendjen shëndetësore, se a është e gatshme të ngelet shtatzënë, pastaj për vitaminat për shtatzënat, përkatësisht se a ka të mjaftueshëm acid folik në organizëm apo duhet filluar të marrë më shumë. Arsyeja e konsumimit të acidit folik është shumë e madhe, ngase mungesa e acidit folik mund të shkaktojë probleme në kurriz dhe kafkë të foshnjës - "defekt të tubit neural", i cili shkakton vdekje apo invaliditet të rëndë te fëmija. Krahas mungesës së acidit folik ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në krijimin e defektit të tubit neural, e që duhet kushtuar vëmendje dhe duhet konsultuar me mjekun, si: ekzistimi i defektit të tubit neural në familje, shtatzënia paraprake me defekt të tubit neural, përdorimi i disa antiepileptikëve, përdorimi i dushit të ngrohtë në shtatzëninë e hershme, temperatura e lartë trupore, temperatura në shtatzëninë e hershme, diabeti dhe trashësia e madhe te nënat etj. Prandaj, rekomandohet përdorimi i acidit folik edhe para konceptimit (shtatzënisë) shkaku i shmangies së rrezikut ndaj këtyre problemeve. Doza prej 400 mcg e acidit folik, e cila është e nevojshme ta merrni, përmbush ushqimin që është sasi e mjaftueshme të sigurohet për ju dhe për foshnjën tuaj. Është e rëndësishme që të filloni me këtë dozë tre muaj para fillimit të shtatzënisë, sepse defektet e tubit neural mund të paraqiten pas muajit të parë të shtatzënisë (28 ditë pas konceptimit), pra përderisa shumë gra ende nuk janë në dijeni që janë shtatzënë. Nuk duhet marrë më shumë se 1000 mcg në ditë, sepse edhe doza e madhe mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tuaj. Gjërat ushqimore ku gjendet acid folik janë: gjethet e perimeve të gjelbra, farat, arra, portokalli, limoni, fasulja, mëlçia, drithërat e pasura - cereale, buka, makaronat dhe orizi.(6)
Prapëseprapë, kontrolli duhet të bëhet edhe për arsye të tjera, kryesisht për t'u këshilluar për një mbarëvajtje sa më të mirë të shtatzënisë.
3. Njohja e ciklit: Gratë duhet që vërtetë të kuptojnë ciklin e tyre, dhe se kur më së shumti ka gjasa që ato të mbeten shtatzënë. Koha më e mirë që të mbeteni shtatzënë është koha e ovulimit. Dita e parë e periodave (menstruacioneve) llogaritet dita e parë e ciklit 28 ditësh. "Prandaj, duhet të fillohet testimi nga dita e nëntë, dhe të vazhdohet derisa të vërehet rezultati pozitiv i testimit", thotë Dr. Joanne Piscitelli, profesor asistent i Gjinekologjisë në Qendrën e Mjekësisë pranë "DUKE UNIVERSITY" në Durham të Nju Jorkut.(7)
Gratë me cikël 28 ditësh anojnë të ovulojnë në ditën e 14, por shumë gra kanë cikël më të gjatë apo më të shkurtë, kështu që për t' u siguruar duhet kapur më gjerë, me fjalë të tjera të provohet nga dita e ll-të deri në ditën e 18-të, duke filluar numërimin nga dita e parë e ciklit.
4. Të bëhet një jetë e shëndetshme: Ushtrimet janë të mira, por kur provoni të mbeteni shtatzënë duhet ndaluar paksa. Ushtrimet e tepërta mund të çojnë deri te mosovulimi. Kështu që, për të mos e humbur mundësinë, duhet kontrolluar ushtrimet. Gjithashtu duhet lënë duhanin, që të rriten gjasat për një shtatzëni, sepse duhani ndikon në nivelet e estrogjenit dhe në ovulim. Duhet ta dimë se në mënyrë të rregullt mund të kemi realizim të shtatzënisë, nëse kemi marrëdhënie dashurore të rregullta dhe të pambrojtura brenda një viti. Statistikat thonë se 85% e grave mbeten shtatzënë duke provuar brenda një viti. Nëse kjo nuk ndodh në periudhën më shumë se një vit, duhet konsultuar mjekun për ndonjë terapi ndihmëse. Për gratë më të moshuara se 35 vjet disa mjekë rekomandojnë që të konsultohen me mjekun pas gjashtë muajve të provave për shtatzëni.(8) Nëse punoni gjatë natës dhe flini gjatë ditës, kjo mund të ndikojë në mungesën e ovulacionit. Arsyeja është se ju mungon drita diellore. Në këtë rast trupi juaj prodhon hormon megatonin, i cili e vë trupin për të fjetur, pra e shtyn dhe e parandalon ovulacionin.(9)
5. Përdorimi i alkooli te gratë ndikon në çrregullimin e ciklit, e që ndikon në vonesën e menstruacioneve. Kjo shkakton edhe mungesën e ovulacionit. Te burrat alkooli ndikon keq në hormonet që prodhojnë spermatozoidet, si dhe në numrin e tyre. Pra nëse dëshirojmë të bëhemi prindër, duhet ta anulojmë përdorimin e alkoolit.
Për fund, duke qenë se temat si kjo kërkojnë shpjegim më të gjatë, këtë herë do të ndalemi vetëm te pjesa e parë e kësaj teme, pra duke dhënë disa udhëzime për gratë që përgatiten të kenë fëmijë, përkatësisht disa këshilla fetare dhe mjekësore për ata që planifikojnë të bëhen prindër. Herën tjetër do të vazhdojmë me udhëzimet për ushqim dhe shtatzëni të shëndetshme.
__________________
(1) Shënon Muslimi, Nr. 2625, Ahmedi, 2/488 etj.
(2) Sabit Gashi, Gazmend Gjota. "Dispozita fetare dhe këshilla mjekësore për të porsalindurin 0-4", Botimi 1, Lib Art, 2010, f. 21-22.
(3) http://xhamiambret.com/mburoja-muslimanit/duaja-para-mardhenieve-intime Data: 12.02.2016; ora 15:56.
(4) Prof. L. Çkerri & Prof. R. Bregu, "Fiziologjia mjekësore", ILAR, Tiranë, 2000, f. 595.
(5) http://sherohu.com/si-te-mbetem-shatzan-7-keshilla 12.02.2016.
(6) htp://www.bebaime.com/ushqimipershtatzena/acidi-folik. 03.04.2016.
(7) Po aty.
(8) htp://sherohu.com/si-te-mbetem-shatzan-7-keshilla/ Data:12.02.2016, ora:14.30.
(9) http://www.femra.net/sekretete-vogela-per-te-ngelur-shtatzene/ Data: 21.01.2016.
Msc. Ass. Teuta Borovci-Jaha