Tekua bin Muhamed është një vajzë e cila talentin e saj në vizatim e ka shfrytëzuar në përcjelljen e mesazheve të forta kundër islamofobisë në Evropë.
Këtë talent, ajo e ka kapitalizuar edhe monatarisht duke u bërë mjaft e njohur në rrethet e gazetarisë grafike por edhe të shoqatave apo projekteve të qeverive vendore në qytetet kryesore të Italisë madje duke dalë edhe jashtë kufijve me ekspozita arti anë e mbanë Evropës.
Tekua është një gazetare grafike e cila shpreh idetë e saj nëpërmjet vizatimit të situatave të ndryshme të jetës së një muslimaneje me shami me anë të karikaturave. Nëpërmjet tyre, ajo dëshiron të shprehë mesazhe të forta situatash tragjike, komike, apo thjesht domethënëse të jetës së përditshme të një muslimaneje me shami apo të djemve muslimanë me mjekër. Nëpërmjet karikaturave, ajo shpreh me laps atë çka nuk mund ta shprehet lehtë me fjalë. Vizatimet e situatave të ndryshme të lënë pa fjalë dhe të bëjnë të biesh në mejtime për shkak të fuqisë së mesazhit që përcjellin.
Ajo me talentin e saj ka krijuar “Fumetto Intercultura” (Karikatura Ndërkulturore) që në moshën 14-vjeçare tek sa ishte aktiviste vullnetare në shumë shoqata kulturore dhe humanitare. Nëpërmjet lapsit të saj ajo përpiqet që të shprehë histori reale diskriminimi, të shpreh vlerën e madhe që ka respektimi i lirisë së individit dhe praktikimin e vështirë në jetën reale të kësaj vlere kur bëhet fjalë në fakt për një muslimane me shami.
Arti i gazetarisë grafike përdoret prej saj për të luftuar stereotipet që krijon media në mendjen kolektive, islamofobia, përçmimi i gruas me shami apo i djalit me mjekër në një shoqëri përbuzëse ndaj së ndryshmes. Gjithashtu të vizatoj histori reale dhe paradoksale të stereotipeve, paragjykimeve, talljeve, përqeshjeve apo diskriminimeve qe ajo vetë ka përjetuar por që janë elemente thuajse të kudondodhura dhe të përjetuara nga shumica e muslimanëve. Këto histori prekëse, arrijnë tek publiku me gjuhen e vizatimit në mënyrë delikate dhe therëse njëherësh.
[
Me talentin e saj ajo ka arritur të korrë mjaft sukses në aspektin e sensibilizimit ndaj diskriminimit racor dhe fetar në Itali. Përveç çmimeve të pafundme dhe vlerësimeve që ka marrë në Itali, në 2015 Tekua ka marrë pjesë si folëse në TEDx dhe sot ajo radhitet si 12 gratë që duhet të mbahen nën vëzhgim për sukseset e ardhshme në 2017 radhitur ndër Marie LePen dhe Ivanka Trump nga revista “Donna Moderna”.
Tekua, për mua është një shembull i qartë i suksesit të arritur duke ndjekur zemrën dhe talentin. Të gjithë duhet të ndalemi dhe të shohim në vetvete se cilat janë aftësitë tona më të spikatura, cila është fusha profesionale që ne mund të japim kontributin tonë me gjithë shpirt, plot vullnet dhe dëshirë për të shërbyer në shoqëri dhe për të arritur sukses. Është e vështirë të shërbesh me shpirt në një profesion që nuk je i prirur, por që e ke zgjedhur për leverdinë ekonomike apo për prestigjin që ai pozicion të dhuron. Zbuloje talentin tënd real dhe puno për të, puno më të sepse kush punon shumë duhet të jetë i bindur se do të arrijë sukses, dhe kush punon shumë me talentin e tij le të jëtë plotësisht i bindur dhe i sigurt që do të arrij sukses dhe mbi të gjitha lumturi nga duart e tij.
Nuk është me fat kush ka punë por është me fat kush punon.
Vajada Keçi Manjani
(Prej vitesh jeton në Itali. Është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në "International Commerce" pranë Universitetit të Padovas.)