BIK dënon sulmin ndaj xhamisë së fshatit Llabjan të Novobërdes

Sulmi në xhaminë e Llabjanit dëmton seriozisht përpjekjet e komuniteteve fetare për krijimin e mirëbesimit ndërfetar e ndëretnik

Pasditen e së shtunes xhamia e Llabjanit është demoluar nga një pjesëtar i komunitetit serb i cili përveç dëmtimit të xhamisë ka bërë edhe përdhosjen e sallës së lutjeve si dhe ka dëmtuar e përdhos lehvat me ajete nga Kurani famëlartë që kanë qenë të vendosura në muret e xhamisë.
Sulmi, përdhosja dhe demolomi i objekteve e simboleve fetare, përveç që është akt i papranueshëm, është veprim që dëmton seriozisht përpjekjet e komuniteteve fetare për krijimin e mirëbesimit ndërfetar e ndëretnik .
Sulmet e tilla dhe përdhosja e objekteve fetare nxisin e ringjallin urrejtje, mos durim e dhunë, frikën dhe klimën e mosbesimit tek popullata e Kosovës, andaj duhet angazhim i të gjithëve që këso veprime të mos na përsëriten.
Kërkojmë nga organet kompetente të marrin masat e duhura për sigurinë e objekteve fetare, që ato të mos bien pre e individëve që kanë qëllime të errëta dhe drejtësia të vihet në vend.
Nga ana jonë ne mbetemi të përkushtuar për kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit e mirëbesimit në vendin tonë.



Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Urime për muajin e bekuar Ramazan