Pyetja "çfarë t'i mësojmë fëmijës tonë, kur t'ia mësojmë, si t'ia mësojmë dhe kush t'ia mësojë" ka qenë një shqetësim i shumë prindërve dhe edukuesve që në kohët e lashta.
Kur pyetja ka të bëjë me çështjet fetare, ajo merr nota serioziteti dhe rëndësie më të madhe. Ato që thuhen në këtë aspekt janë të shumta. Madje, disa persona me prapavijë të dyshimtë, vazhdojnë të këmbëngulin me të madhe se fëmijëve nuk u duhet dhënë asnjë lloj edukate fetare gjersa të mbushin moshën njëmbëdhjetë vjeçare.
Në asnjë kohë dhe periudhë nuk është konstatuar se njeriu ka jetuar pa besim dhe fe. Besimi ka ekzistuar në të gjithë etapat historike, me emra dhe forma të ndryshme, ama ka ekzistuar. Ky njeri brenda të cilit jetojnë prirje materialiste dhe të tjera shpirtërore, është gjithmonë në përpjekje për të vërtetuar ekzistencën e tij materiale, ashtu siç kërkon në anën tjetër përgjigje bindëse për shumë pyetje që kanë të bëjnë me fenë. Edukata fetare që fëmija merr gjatë viteve të fëmijërisë, lë gjurmë thella në psikologjinë e tij gjatë gjithë viteve të jetës. Për këtë, ne duhet t'u ofrojmë fëmijëve tanë informacionin e duhur dhe të nevojshëm, që në vitet e tyre të para të jetës.
Ne nuk duhet të harrojmë se lastarët mund të marrin çdo lloj forme përderisa janë të njomë dhe të rinj. Thotë imam Gazzali: "Zemra e fëmijës është boshe dhe e pastër. Ai ka prirje të natyrshme për të pranuar gjithçka."
Kurse Ibnu Meskevi thotë: "Fëmija gjatë kësaj periudhe është i gatshëm të pranojë çdo lloj edukate dhe gjithçka që i diktohet nga të rriturit."
Ibnu Sina thotë: "Fëmija lind bashkë me një sërë aftësish, të cilat kanë nevojë të përmirësohen dhe shtohen."
Pra, nëse kjo gatishmëri shfrytëzohet dhe fëmija orientohet drejt të mirës e fesë, ai rritet besimtar. Por, nëse orientohet drejt të ligës dhe ateizmit, ai rritet si jobesimtar.
Thotë Bediu Zeman: "Fëmija që nuk merr gjatë fëmijërisë së tij mësime të gjalla besimi, e ka të vështirë më pas ta pranojë islamin dhe shtyllat e besimit. Shpesh herë, kjo vështirësi komplikohet saqë gatishmëria e tij për ta pranuar fenë, është ekuivalente me atë të një jomyslimani."
Gjatë studimit të referencave të shumta që flasin mbi psikologjinë e fëmijës, gjejmë se fëmijëria ndahet në tre etapa, të cilat janë:
Etapa e mëkimit: Nga lindja gjer tre vjeç.
Etapa e fëmijërisë së hershme: Nga tre vjeç gjer gjashtë vjeç.
Etapa e fëmijërisë së vonshme: Nga gjashtë vjeç deri njëmbëdhjetë për vajzat dhe gjer trembëdhjetë për meshkujt.
Dy etapat e para konsiderohen si etapat më me ndikim për të ardhmen e fëmijës.
Etapa e mëkimit
Gjatë kësaj etape, e cila shtrihet nga lindja gjer në moshën tre vjeçare, nuk vërehet asnjë ndjesi dhe opinion fetar tek fëmija. Gjatë kësaj etape, fëmija është krejtësisht pasiv dhe për gjithçka i duhet ndihma e prindërve. Nga ana tjetër, ai nuk është i izoluar nga bota dhe ambienti që e rrethon. Edhe pse nuk ushtron asnjë aktivitet fizik dhe social, ai është shumë i ndjeshëm për gjithçka që ndodh në shtëpi. Studimet kanë vërtetuar se fëmija krijohet me prirje shpirtërore karshi mesazheve fetare që i vijnë nga jashtë. Këtë fakt e shpreh me fjalët e tij Hamdi Jazir ku thotë: "Çdo individi i është rrënjosur në shpirt ndjenja e së vërtetës. Atij i është kultivuar në zemër instikti për të njohur Zotin."
Psikologu i njohur gjerman Holenbah thotë: "Fëmija posedon një ndjesi dhe prirje të fuqishme për informacion dhe kërkim mbi një forcë të pakufishme që e mbron dhe e ruan. Kjo ndjesi vazhdon të jetë e fshehtë dhe gjer tani nuk është mundur të shpjegohet. Ajo që e bën fëmijën një individ fetar e besimtar, është pikërisht kjo prirje dhe dëshirë për të zbuluar të pakufishmin dhe të mbinatyrshmin. Kjo dëshirë është e ngulitur thellë në brendësinë e fëmijës. Familjes i mbetet që këtë dëshirë e pasion, ta stimulojë, ta ushqejë dhe ta orientojë."
Etapa e fëmijërisë së hershme (Etapa e imitimit)
Që me fillimin e vitit të tretë, fëmija tregon një interes të madh për tu njohur me gjithçka që e rrethon. Ai rreket të luajë me gjithçka që i bie në dorë dhe kështu zbulon specifikat e çdo sendi. Gjatë kësaj periudhe, fillojnë të formohen më fort ndjenja të tilla si siguria, dashuria për të tjerët etj... Shpesh herë fëmija dëshiron të tregojë se ai nuk ka nevojë për të tjerët për t'i plotësuar këto nevoja. Si rezultat, ai bën gjithçka që të shtjerë në dorë sendet që e rrethojnë, duke u rrekur t'i thyej ndonjëherë apo grisë. Në këtë mënyrë, ai kërkon të vërtetojë se edhe ai ekziston. Të gjithë fëmijët e kësaj grup moshe, sjelljet i kanë të bazuara në emocione. Interesi i tyre më i madh është për ato gjëra që ngacmojnë ndjenjat dhe emocionet e tyre. Veç kësaj, inteligjenca e fëmijës është akoma e paaftë të perceptojë të gjithë konceptet. Ai nuk di si të reagojë ndaj shumë ngjarjeve me të cilat përballet. Për këtë, imitimi është karakteristikë dalluese tek fëmijët e kësaj grup moshe.
Në një moshë të tillë, fëmijët kanë nevojë për një model që ta ndjekin dhe imitojnë. Njerëzit që mund të jenë model për fëmijën, janë pikërisht pjesëtarët e familjes. Studimet kanë zbuluar se ambienti familjar i fëmijës, është faktori që lë gjurmët më të thella për sjelljet dhe formimin e tij fetar.
Transmeton Ebu Hurejre – Zoti qoftë i kënaqur me të – se i dërguari i Zotit a.s ka thënë: "Çdo njeri lind me natyrë të pastër (fitra). Janë prindërit ata që e bëjnë të krishterë, çifut apo zjarrputist. Nëse ata janë myslimanë, edhe fëmija është mysliman." (Transmeton Muslimi)
Hadithi i lartpërmendur thekson edhe një herë rëndësinë e familjes, sidomos të prindërve, në formimin fetar dhe ideologjik të fëmijëve të tyre.
Në këtë moshë, fëmijët i përvetësojnë spontanisht shprehjet, ritet fetare dhe çdo gjest tjetër me natyrë fetare, që i vënë re tek pjesëtarët e familjes. Kjo i shtyn t'i imitojnë, pasi ata përbëjnë modelin ideal për fëmijët.
Kjo prirje e natyrshme për të imituar, ka si burim psikologjinë e fëmijës për të imituar njeriun e dashur. Kjo është shumë e rëndësishme për sa i përket formimit të orientimit fetar tek fëmija. Që këtu, personat që dashje pa dashje shndërrohen në modele për fëmijët, duhet të bëjnë kujdes me fjalët dhe sjelljet e tyre. Kështu, prindërit që japin këshilla për pasurimin e aspektit fetar në jetën e fëmijës, duhet të jenë të kujdesshëm që që fjalët e tyre të mos bien ndesh me veprat. Fjalët e tyre duhet të vërtetohen me vepra dhe adhurime si namazi, agjërimi, lutja, haxhi dhe sadakaja. Në çastin kur fjalët e tyre të bukura, nuk shoqërohen me vepra dhe sjellje, atëherë këto fjalë nuk i tejkalojnë veshët e fëmijës. Madje, në shumë raste këto fjalë kanë ndikim të kundërt tek fëmija.
Si duhet të jenë sjelljet e këtij modeli (familja) atëherë?
Prindërit të cilët duan që fjalët e tyre të zënë vend tek fëmijët, së pari duhet të veprojnë me sinqeritet konform asaj që thonë, pastaj t'u kërkojnë fëmijëve t'i përmbahen.
Modeli pozitiv
Dëgjimi nga fëmija, i lutjeve të personave (model) që e rrethojnë dhe shikimi i riteve fetare që ata kryejnë, përbëjnë një rëndësi tejet të madhe për fëmijët. Gjithçka që dëgjojnë dhe shohin, rrënjoset thellë në pavetëdijen e tyre, gjë të cilën fëmija fillon ta pranojë pak e nga pak. Për shembull, një fëmijë tre ose katër vjeç që sheh prindërit e tij duke u falur, fillon t'i imitojë. E njëjta gjë ndodh kur sheh prindërit të përgatiten për tu falur sa herë dëgjojnë ezanin. Më vonë, me të dëgjuar ezanin, fëmija u kërkon prindërve të falen. Me këtë sjellje, fëmija kërkon të tregojë se edhe ai ekziston.
E njëjta gjë vlen edhe për etikën e sjelljes, fjalë si "faleminderit" "të lutem" etj… të cilët nguliten thellë në psikologjinë e fëmijës dhe që me kalimin e kohës fillon t'i përdorë dhe fëmija.
Fëmijës i duhet forcuar bindja që për arritjen e objektivave dhe realizimin e dëshirave, duhet të lusim Zotin. Në këtë mënyrë, ne kultivojmë tek fëmija ndjenjën se Zoti është streha e tij e vetme. Nga ana tjetër, ne duhet t'i mësojmë fëmijës besimin në Zot, rëndësinë e adhurimit të Zotit dhe përkrahjen që Zoti u jep besimtarëve të Tij.
Për t'i përçuar këto koncepte në formën sa më të plotë tek fëmija, duhet t'u rrëfejmë histori që u tërheqin vëmendjen dhe u zgjojnë interes. Historitë dhe rrëfenjat që kanë lidhje me besimin, stimulojnë mendimet dhe idetë e fëmijës, pasi ndërgjegjësohen se pas materiales ekzistojnë edhe forca të tjera. Për këtë, ne si prindër jemi të obliguar t'u rrëfejmë fëmijëve tanë historitë e profetëve që gjenden në Kuran dhe të profetit Muhamed a.s. Ashtu siç është mirë t'u rrëfejmë heroizmat e shokëve të Profetit a.s, durimin e tyre, vendosmërinë dhe sakrificat. Në këtë formë, lëshon rrënjë modeli ideal në mendjet e fëmijëve tanë.
Si duhet të jenë lodrat e fëmijëve tanë?
Në këtë periudhë, fëmija e ka të pamundur t'i përvetësojë konceptet për këtë, ai jepet më shumë pas simboleve. Prandaj, duhet që lodrat që i jepen, të jenë të tilla që të shprehin aspekte nga jeta fetare. Lodra të tilla mund të jenë ato që montohen, fjalëkryqet dhe CD-të me filma vizatimorë.
Krah kësaj, ekziston dhe një metodë tjetër, e cila konsiston në dhuratat që personat "model" i bëjnë fëmijëve. Në këtë rast, dhurata mund të jetë një sixhade, një palë tespih dhe gjëra të ngjashme. Ndjeshmëria fetare, nuk mund të kultivohet tek fëmijët, veçse me anë të dashurisë dhe njerëzve të dashur për fëmijët. T'i lidhësh fëmijët me Zotin, me anë të shpresës dhe dashurisë për Të, është diçka shumë e rëndësishme, sepse aftësitë e tyre mendore dhe inteligjente i lidh me çështje të tilla në të ardhmen.
Dashura e Zotit të lartësuar, ndjenja e shpresës dhe lidhjeve me Zotin, janë dy elementë që konsiderohen si ndjenja themeltare tek fëmija. Që këtu, formohen bazat e forta fetare.
Më poshtë do të paraqes dy shprehje të ndryshme, njëra i përket një fëmije pesë vjeçar, kurse tjetra një fëmije gjashtë vjeçar, të cilat përmbledhin mënyrën si janë edukuar të dy:
Muradi (pesë vjeçar): "Kur falemi dhe u bëjmë mirë njerëzve, na do Zoti. Kur bëjmë gabime, Zoti na fal. Ai i do nënat, etërit, vëllezërit, gjyshet, shokët dhe të gjithë njerëzit, por në veçanti fëmijët e vegjël."
Aliu (gjashtë vjeçar): "Nëse i kundërshton prindërit, Zoti të ndëshkon në zjarr. Nëse i kundërshton prindërit ose i rreh, është njëlloj sikur të kesh kundërshtuar Zotin e lartësuar. Prandaj, Zoti do të hedhë në mes të zjarrit, ku do të digjesh dhe përvëlohesh. Nëse flasim fjalë të pahijshme, Zoti do i shkrijë trupat tanë në zjarrin e nxehtë të skëterrës."
Besoj se është e panevojshme ta themi cila nga metodat e edukimit është më e drejtë!