Po vijnë ditë që dallohen nga të tjerat dhe nuk janë një apo dy, por plot 30 ditë të njëpasnjëshme, të cilat i pret me shumë mall e shumë gëzim e gjithë bota islame.

Janë ditët e bekuara të muajit të mëshirës, të faljes dhe të amnistisë nga flakët e ferrit të përjetshëm. Janë ditët e një muaji që lartësohet e nderohet në mesin e 12 muajve, për shkak të specifikave, karakteristikave, ngjarjeve dhe simbolikave që e bëjnë të veçantë. Janë ditët e muajit të begatë të Ramazanit. Ardhja e tyre përjetohet për çdo vit me emocione e dëshirë të madhe nga të gjithë besimtarët myslimanë, kudo ku jetojnë përqark globit, pasi mundësitë që ofrojnë këto ditë janë të arta dhe të pazëvëndësueshme. Përgjatë 30 ditëve të Ramazanit, nëpërmjet agjërimit që konsiston në ndërprerjen e ushqimit dhe pijes, nga agimi e deri në perëndim të Diellit, si dhe të marrëdhënieve intime përgjatë këtij intervali kohor, gjithashtu nëpërmjet shtimit të adhurimeve që janë specifike në këtë muaj si: namazi i teravive, shtrimi i iftareve, shtimi i lutjeve, myslimani synon të arrijë gradën më të lartë të devotshmërisë; të mos mbetet thjesht gjallesë tokësore, por të ngrihet e të lartësohet, që fjalët e tij të kenë fuqi të depërtojnë nëpër katet qiellore e të dëgjohen tek lartmadhëria hyjnore, tek Zoti i Gjithëpushtetshëm.
Ditët e Ramazanit janë ditë plot gjallëri dhe aktivitet të larmishëm dedikuar besimtarëve. Janë ditë ku njeriu i largohet monotonisë së ditëve normale dhe i dorëzohet një sistemi rregullash e ritesh, që shërbejnë dhe kontribuojnë në disiplinimin e tij, nëpërmjet të ngrënit në orare fikse, si dhe lëvizjeve e veprimeve të paracaktuara. Ditët e Ramazanit janë ditë të cilat, sa më shumë kalojnë, aq më shumë të bëjnë për vete, saqë dëshiron të mos mbarojnë kurrë, pasi qetësia shpirtërore që mbizotëron përgjatë tyre, është një ndjenjë për të cilën shumë njerëz që vuajnë nga stresi e depresioni, ankthi e pasiguria shpirtërore, do të paguanin shuma të majme parash për ta përjetuar atë.
Ditët e Ramazanit janë ditë për të cilat agjëruesi planifikon për to shumë kohë përpara se ato të mbërrijnë dhe mezi pret çastin e nisjes së tyre, me qëllim që të realizojë ato pika kyçe që ia ka bërë obligim vetes. Janë ditë ku gjithëkush vendos për ta sfiduar veten e për ta privuar atë nga shumë të mira, të cilat i shijon lirshëm jashtë Ramazanit, dhe një ndër qëllimet primare që ka, është të forcojë lidhjen e tij me Atë që e sjell vit për vit muajin e Ramazanit me të gjithë ofertat e tij, me Allahun, të vetmin Zot që meriton me të drejtë të gjitha adhurimet e lutjet, nderimet e përkushtimin e krijesës më të dalluar në faqen e dheut, atë të njeriut.
Ditët e Ramazanit janë një mundësi më shumë për çdo mëkatar, që ai të pastrohet nga gjynahet e tij, të cilat mund ta kenë njollosur zemrën e tij e mund ta kenë ndryshkur atë. Aroma e këtyre ditëve ka filluar të ndihet, e me ardhjen e tyre shtëpitë tona do të gjallërohen edhe më tepër nga mysafiri (muaji i Ramazanit) i dërguar nga Allahu; do të rigjallërohen e do të karikohen me energji pozitive shpirti e zemra, edhe pse ndoshta mund të dobësohet trupi. Nëse në muajt e tjerë, i kemi kushtuar ndoshta më shumë rëndësi trupores sesa shpirtërores, në këtë muaj besimtari i jep prioritet të dytës më shumë se të parës, pasi një zemër e vdekur kot qëndron në një trup të gjallë. Për plot 30 ditë, agjëruesi i ka të hapura të gjitha portat e bereqetit, për të marr e për t’u pajisur me çfarë do t’i nevojitet për një vit të tërë. Besimtari është më i gatshëm për të komunikuar më shpesh dhe më i vendosur me Krijuesin e tij, për t’ia qarë hallet e problemet dhe për të kërkuar zgjidhje për to. Janë 30 ditë, ku duhet të bëjmë gjithçka është e mundur, pse jo edhe të pamundur, për ta bindur Zotin që të derdhë mbi ne mëshirën e faljen e Tij, për të gjitha ato lëshime e shkelje rregullash nga ana jonë, që nga fundi i Ramazanit të vitit të kaluar.
Ramazani është edhe muaji i tubimit, ku gjatë tij ne takohemi me vëllezër e motra në Islam, me të cilët nuk na ka rënë rasti të shihemi gjatë muajve të tjerë. Janë iftaret që na bashkojnë, si dhe namazi karakteristik i këtij muaji, ai i teravive. Është muaji i vëllazërimit, pasi në të njihemi edhe me miq të rinj, por edhe forcojmë lidhjet me ata që kemi, si dhe i rregullojmë me ata të cilët, ndoshta jemi ftohur disi, dhe ja ku vjen ky muaj, për t’na dhënë një shtysë për të shtrirë dorën e pajtimit dhe të paqes. Netët e begata të këtij muaji, nuk i ngjajnë aspak të tjerave jashtë tij. Përgjatë tyre, dritat në shtëpitë e besimtarëve nuk qëndrojnë gjithë kohën fikur, dhe e gjithë nata nuk është për gjumë, ashtu siç mund të ketë qenë deri në fillimin e Ramazanit. Këto netë karakterizohen nga leximi e këndimi i Kuranit, falja e namazit të natës, përgatitja për syfyr dhe ngrënia e tij, përmendja e Zotit dhe vetmia në qetësi, ku valët e frekuencat e komunikimit midis robit dhe Zotit janë të pastra dhe nuk ka fare interferencë apo valë të tjera që ndërhyjnë, sinjali është i pastër dhe mesazhet e kërkuesit ngjiten e transmetohen nëpër qiej më shpejt se raketat kozmike në hapësirë.
Fjalët për të përshkruar siç duhet vlerën dhe rëndësinë e këtyre ditëve nuk kanë të mbaruar dhe nuk majftojnë kurrë, pasi ato me të cilat vijnë këto ditë janë infinit. Hëna e Ramazanit ka marr udhëtimin drejt nesh dhe shumë shpejt do të shfaqet në qiellin e dynjasë për të lajmëruar ardhjen e muajit fatlum.
Kush ka nevojë për falje e mëshirë, ta dijë se muaji i Ramazanit po vjen, kështuqë le ta shfrytëzojë atë. Kush synon Xhenetin dhe shpëtimin nga Xhehenemi, ta dijë se muaji i Ramazanit mund t’ia plotësojë këtë qëllim e mund ta shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga vuajtjet e një zjarri flakërues e të pijeve përvëluese pa mbarim. Qoftë një muaj i mbarë e i pranuar për çdo punë e adhurim që do të bëjmë gjatë tij! Sjelltë gëzim e harmoni në çdo vatër që do t’i hapë portën e saj e në çdo sofër që do të shtrohet për të. Amin! /Drita Islame/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi