„Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në natën e Kadrit.
E ku e di ti se ç'është nata e Kadrit?
Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një
mijë muaj!Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë)
zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën
çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri
në agim të mëngjesit.” (El-Kadr: 1-5)

Ramazanit po i afrohet fundi. Ditët e bekuara të këtij muaji kaluan shumë shpejtë. Sapo u mësuam me këtë regjim të agjërimit, me disiplinën e trupit e të shpirtit, sapo i zbuluam bukuritë e Ramazanit dhe përjetuam kënaqësitë e begatitë e pranverës qiellore të Ramazanit, ja, pra, tani na duhet të mendojmë në ndarjen prej tij.
Jemi në dhjetëditëshin e fundit dhe pikërisht në Natën e madhe të Kadrit.
Në këtë natë, në natën e sotme para 14 shekujve, në shpellën e malit Hira ndodhi diçka e jashtëzakonshme, ndodhi mrekullia më e madhe e të gjitha kohëve. Papritmas u ndërpre nga të gjitha anët vetëdija njerëzore nga meleku më i mirë – Xhebraili (a.s.). Kjo ishte një natë kur u shndriti gjithësia nga të gjitha anët. Në natën e sotme para 14 shekujve, prijësi i melaqeve Xhibrili (a.s.) erdhi për herë të parë te Muhammedi (s), të cilin e gjeti në shpellë duke medituar dhe duke u lutur për zbulimin e së vërtetës. Dhe papritmas ndodhi zbulesa – zëri i së vërtetës absolute. Kjo qe një kthesë e madhe ndërmjet dy periudhave dhe pika e parë e mëshirës së Zotit që erdhi t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga errësira e injorancës në dritën e diturisë e të shkencës.
Kjo natë, pra është një natë e vlefshme në të cilën u shpall Kitabi i vlefshëm. Iu shpall të dërguarit të vlefshëm nga një popull i vlefshëm.
Vetëm në natën pranverore të Ramazanit është nata e 27, Nata e Dritës mbi dritat, Nata më shndritshme se çdo ditë, më e vlefshme se një mijë muaj, më e gjatë se çdo zgjatje kohore, Nata e cila bëri pajtimin e Qiellit dhe Tokës – Nata e fatit të botës dhe Nata e shkëlqimit të diturisë. Pikërisht në këtë natë na është dhuruar Fjala e Penda dhe Pllaka e Xhibrili dhe Pejgamberi e Libri – ato frytet e amshuara të pranverës qiellore të Ramazanit. Në këtë natë hapen të gjitha dyert qiellore dhe koret e melaqeve me Ruhin në krye, melaqet e fronit (Arshit) të All-llahut, pelegrinojnë Tokën dhe tokësorët. Dhe sikur dikur edhe sot në Ramazan, në Natën e tij më të bekuar freskojnë dhe ruajnë kujtimin e gjallë për Pejgamberin e Islamit, të cilit All- llahu (xh. sh.) pikërisht atë natë ia dha në trashëgim Kitabin (Librin) e përjetshëm, Lapsin, Lehvën dhe të gjitha mbretëritë qiellore e tokësore. Në këtë natë, të gjitha dritat qiellore dhe tokësore e bashkojnë shkëlqimin e tyre me dritën e Fjalës kur’anore që shkëlqen me pastërtinë e së vërtetës. Në këtë natë përzihen melaqet dhe njerëzit në pamjet e tyre të pastra e të pa shtrembëruara dhe pikërisht në këtë natë, All-llahu (xh. sh.) u tregon edhe njërës edhe palës tjetër, mbretëritë e qiellit e të tokës, deri atëherë të papara dhe të panjohura, të fshehura nga sytë e dritës së përditshme. U tregohet edhe Froni i të Gjithëmëshirshmit në lavdinë e tij qiellore, oborret dhe pallatet rreth tij të stolisura, ku janë vendosur shpirtrat e pejgambereve, evliave, shehidëve dhe të drejtëve tjerë, të ndriçuar me afërsinë e All-llahut. Dhe vetëm disave prej tyre, atyre, të cilët i kundrojnë gjërat me syrin e zemrës, atyre All-llahu (xh. sh.) ua zbulon plotësinë e bukurisë së Vet në Natën e çdo përkryerjeje.
Kështu duhet të arrimë në natën e Kadrit ku frymëzimi do të jetë aq i madh sa të zbulojë të Vërtetën absolute, e cila do t’i shndrit shpirtin e njeriut, do t’i hapë dyert e së vërtetës qiellore dhe duke ia zhvilluar shikimin e shpirtit, do të përjetojë shkëlqimin e brendshëm shpirtëror. Dhe kështu në këtë pikë kulmore te ngritjes, ai do të ndjejë kënaqësi të papërshkruara dhe një shkallë të lartë gëzimi e satisfaksioni sa që do t’i duket se të gjitha dëshirat i janë plotësuar dhe se nuk ka nevojë më për asgjë tjetër, vetëm që të mos mbetet i privuar nga ato momente të mrekullueshme. Kjo do të arrihet pikërisht në Natën e Kadrit dhe frymëzimi që merr aty do ta përcjellë sa të jetë gjallë (1000 muaj – 84 vjet). Atë natë do të ketë frymëzim shtesë, sepse do të zbresin melaqet dhe xhibrili. Pikërisht në këtë Natë, Pejgamberit (s) iu zbulua drita e së vërtetës, në natën kur Xhibrili hoqi nga ai perden e shikimit shpirtëror.
Kush nuk e sheh, kush nuk e kupton të vërtetën apo urtësinë e vërtetë, ajo fshihet nga ai sikurse pas ndonjë perdeje. Atij çdo gjë i duke e paqartë, e errët dhe e mjegulluar. Ndërsa, kujt i zbulohet e vërteta para shikimit të tij shpirtëror, atij do t’i hiqet perdja “qiellore” dhe do t’i shfaqet e vërteta dhe urtësia si drita qiellore e Zotit, sepse “All-llahu është dritë e qiejve dhe e tokës” dhe se vetëm prej Tij vjen drita, e vërteta “E vërteta është nga Zoti yt”. E ai që e kupton këtë të vërtetë, atij nuk i duhet asgjë më tepër.
Kur’ani, natën kur filloi shpallja e quan “Lejletu’l-Kadri” që do të thotë natë respekti, nata e njohjes dhe e vlerësimeve më të mëdha, nata e gjithëfuqisë.
Muhammedi (s) shpesh thoshte se Lejletu’l-kadri është nata më e rëndësishme në historinë njerëzore. Një thënie e tij lidhur me këtë thotë:
“Në ramazan është një natë, e cila vlen më shumë se 1000 muaj. Kush nuk e shfrytëzon atë natë, kush mbetet i privuar nga çdo mirësi, ai edhe më tej do të jetë i pafat”.
Pejgamberi (s) përsëri thoshte: “Çdo i dërguar i Zotit ka pasur mrekullitë e veta, mrekullia ime është Kur’ani dhe i tillë do të mbetet përgjithmonë.”
Nata e Kadrit është Nata e devotshmërisë: Pejgmaberi (a.s.) ka thënë:
“Kush e kalon Naten Kadrit në ibadet, duke besuar sinqerisht dhe duke llogaritur për fitimin e begative të saj, do t’i falen gjynahet e kaluara”. (Bahariu)
Nata e Kadrit është nata e mëshirës së All-llahut me të cilën erdhi Shpallja dhe pejgamberia e Muhammedit (s)
“Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha botët.” (Ebija: 107)
Nata e Kadrit ështa nata e qetësisë shpirtërore:
Të arrish këtë kënaqësi në veten tënde është gjurma më e madhe e ndikimit të besimit në ty. Kulmi i kësaj duhet të jetë në natën e Kadrit.
Nata e sotme është nata e lutjes së përbashkët të melaqeve, njerëzve dhe gjithë universit. Xhamitë, mesxhidët, shtëpitë dhe vendet tjera anë e kënd botës marrin frymë me lutje të qetë. Çdo gjë është në lëvizje: trupi, mendja, zemra dhe shpirti. Kjo lutje do të zgjat tërë natën pa pushuar deri në agimin e qetë. Pejgamberi (a.s.) thotë:
“Kur vjen nata eKadrit, zbret Xhibrili me grupe melaqesh duke bërë lutje dhe duke i përshëndetur të gjithë ata që janë duke u lutur në këmbë, ulur dhe duke përmendur All-llahun (xh. sh.).
Nata e kadrit është nata e lutjes, në të cilën pranohet çdo lutje e sinqertë.
“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare, 186)

Nata e mbështetjes së plotë në All-llahun(xh. sh.):
“Kush i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij, All-llahu realizon dëshirën e vet dhe All-llahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” (Talak, 3)

Nata e vërtetimit të besimit, nata e tevhidit dhe e deklarimit të sinqertë të La ilahe il’lall-llah – Formula e monoteizmit.
Pejgamberi (s) ka thënë: “Gjëja më e mirë që unë dhe pejgamberet para meje e kemi shpreh është: Nuk ka zot përveç All-llahut...”

Nata e tesbihit dhe e lavdërimit të All-lahut (xh. sh.)
Ebu hurejre thotë se pejgamberi (s) ka thënë: Dy shprehje janë të lehta në gjuhë, por të rënda në peshoren e ahiretit dhe të dashura për të Mëshirshmin:
“Madhështia dhe falënderimi i takon All-llahut! Madhështia i takon All-llahut të Lartësuar! (Buharia+Muslimi)

Nata e leximit/këndimit të Kur’anit:
“E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” (Enfal, 2)

Nata e vazeve dhe e mësimit të njerëzve
“Sadakaja më e mirë është që myslimani e mëson për vete, t’ia mësojë edhe vëllait vet.”
Më sa u tha më lartë kuptojmë që qëllimi i kësaj nate është që të riedukojë njeriun, të bëjë më human, më të devotshëm dhe më të mirë. Ta bëjë të vlefshëm për rolin dhe obligimet që i ka marrë nga Krijuesi.
Të gjithë ata, të cilët nga Nata e Kadrit nuk dalin të ripërtërirë, rilindur është shenjë që ata nuk kanë qenë të pranishëm aty dhe kanë mbetur të privuar nga të mirat, përfitimet dhe begatitë e saj, e kush mbetet pa të mirat dhe vlerat e saj, ai ka humbur çdo të mirë, pikërisht siç thotë Muhammedi (s):
“Po ju vjen Ramazani. Në të ështw një natë më e mirë se një mijë muaj. Atë që e anashkalon vlera e saj, ka mbetur i privuar nga çdo e mirë, e ajo nuk e anashkalon askënd përveç të prishurit (devijuesit).”
Prandaj, Nata e Kadrit është data më e rëndësishme jo vetëm në historinë islame, por edhe në historinë botërore.
Në këtë natë para 14 shekujve u vendos ura kalimtare prej një epoke të re në të cilën do të jetë i mjaftueshëm për njerëzit zhvillimi i tyre personal që me ndihmën e Kur’anit të kërkojnë e të gjejnë zgjidhje për çdo çështje deri në ditën e Gjykimit.
Në këtë natë tërë njerëzimi mori Librin që s’mund të vlerësohet e të krahasohet me asgjë. Në këtë natë, përmes Kur’anit, çdo gjë që ka një domethënie është arsyetuar shprehimisht dhe qartë, janë vendosur vlera të reja dhe kritere të reja, është caktuar fati i popujve të tërë. Nga injoranca dhe për fatin e tij të keq, njerëzimi fare nuk dëshiron të kuptojë domethënien e vërtetë të kësaj nate dhe kriteret e reja që janë vendosur në të, e me këtë humb paqen, suksesin dhe lumturinë më madhështore që i ofrohen përmes islamit: paqen, e cila i përket ndërgjegjes, jetës familjare dhe bashkësisë njerëzore.
O Zoti ynë, ne bëmë gabime (gjynahe) ndaj vetes tonë, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur.
O Zoti ynë prano lutjet tona.
O Zot, na i hap dyert e Mëshirës Sate dhe na i lehtëso dyert e furnizimit Tënd.
Lavdia dhe çdo falënderim është për Ty o Zoti im! Nuk ka Zot përveç Teje! Prej Teje kërkoj falje, Ty të drejtohem dhe para Teje pendohem!
O Mëshirshmi All-llah, Nëse ne Ty të harrojmë, Ti mos na harro ne!

O Zot ti je i mëshirshëm, e do mëshirën, më mëshiro mua”


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi