Shoqata bamirëse “Bereqeti”, dega në Gjakovë ndërton shtëpi për dy familje (video)

Kryetari Bashkësisë Islame në Gjakovë, Ahmet ef. Hoxha bashkë me imamin Abdurrahman ef.Bejtullahu, koordinator i Shoqatës bamirëse “Bereqeti”, dega në Gjakovë, vizituan dy familje që jetojnë në kushte shumë të rënda.

Ata vizituan familjet Hasani e Krelani, dhe për së afërmi panë gjendjen e mjerueshme në të cilën jetojnë këto familje.

Familja pesë anëtarëshe Hasani jeton në një shtëpi në kodrën e Çabratit në Gjakovë e cila nuk plotëson as kushtet elementare për jetesë. Shtëpia është në rrënim e sipër, çatia është plotësisht e shkatërruar, dera është e improvizuar, ndërsa dritare nuk ka fare.

“Në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame Gjakovë vepron dega “Bereqeti”, e cila në vazhdimësi ka ndihmuar këtë familje, por kësaj radhe jemi duke menduar që t’i ofrojmë një ndihmë tjetër, ndërtimin e shtëpisë sepse kushtet në të cilat jeton kjo familje pesë anëtarëshe janë kushte jashtëzakonisht jo të mira”, tha kryetari i KBIGJ-së.

Ky lajm i gëzoi pamasë anëtarët e kësaj familje, e cila sipas kryefamiljarit jeton këtu prej shumë vitesh. Ai tha se familja e tij kanë kaluar vetëm ditë të zymta nën rrënojat e kësaj shtëpie të vjetruar.

Shoqata bamirëse “Bereqeti”, dega në Gjakovë do t’i del në ndihmë edhe familjes tre anëtarëshe Krelani, e cila jeton në një shtëpi të shkatërruar dhe në kushte jashtëzakonisht të rënda. Edhe kësaj familje Shoqata Bamirëse “Bereqeti” dega në Gjakovë pritet t’ia ndërtoj një shtëpi të re.

Ndërtimi i të dy shtëpive pritet të filloj së shpejti. Sipas donatorëve finalizimi i të gjitha punimeve dhe dorëzimi i çelësave familjarëve do të bëhet brenda disa muajve, konkretisht në festën e Fiter Bajramit.

Ata apelojnë edhe tek njerëzit e vullnetit të mirë që të kontribuojnë sado pak dhe t’u dalin në ndihmë familjeve skamnore.

Vlen të theksohet se të dyja vizitat janë përcjellë nga TV “SyriVision”.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme