Hutbeja e festës së Kurban Bajramit

Shenjtëria e njeriut dhe e të drejtave të tij vështruar sipas mësimeve të hutbes lamtumirëse

Të nderuar besimtarë,

Vëllezër e motra,

Kurban Bajrami nuk është thjesht festë. Nëse shikohet nga perspektiva e vlerave, mësimeve dhe urtësive, Kurban Bajrami është shkollë në vete. Vlerat dhe virtytet që kultivon kjo festë kalitin dhe farkëtojnë një karakter të fortë për besimtarin, të pandikuar nga kode, doke, zakone e veprime primitive. Kurban Bajrami është sinonim i shkëputjes dhe ndarjes fizike dhe shpirtërore të besimtarit me të keqen dhe të ligën, që cenon të drejtat dhe liritë, vlerat dhe virtytet, njeriun dhe njerëzinë. Kurban Bajrami është kongresi vjetor në të cilin konfirmohet angazhimi i përhershëm i Islamit për të drejtat universale të njeriut. Nga kjo perspektivë, është edhe përgjigje ndaj atyre që padrejtësisht akuzojnë Islamin për shkeljen e të drejtave. Është momenti kur Islami flet për vetveten. Andaj ata që duan ta njohin më afër, më mirë dhe më thellësisht Islamin, tani e kanë mundësinë. Kurban Bajrami paraqet, simbolikisht, përmbylljen e shpalljes. Ligjërimi i Pejgamberit tonë Muhammedit a.s. gjatë ditëve të haxhillëkut, veçmas ai në Arafat, është një ligjërim përmbyllës dhe përmbledhës i filozofisë dhe mesazheve të misionit të tij. Natyrisht, në fjalime të tilla fokusi vihet tek gjërat më me rëndësi, dhe, sigurisht, edhe Pejgamberi ynë Muhammedi a.s., përmblodhi disa prej parimeve kyçe të fesë, të cilat do t’i përmendim në këtë hutbe.

Të respektuar besimtarë!

Kurban Bajrami vjen si festë pas kryerjes së haxhit,vizitës së Qabes dhe vendeve tjera të shenjta dhe prerjes së kurbanit, festë e cila konfirmon shenjtërinë e të drejtës për të jetuar. Askujt nuk i takon të derdh padrejtësisht gjakun e tjetrit. Në Kur’an, Allahu na mëson:

“… mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji)…” [Kur’ani: En’amë: 151]

Kjo e drejtë është pothuajse kryefjalë e ligjërimit të Pejgamberit tonë Muhammedit a.s., Ai, masës së tubuar para tij, që ishin më shumë se njëqind mijë njerëz, iu drejtua me këto fjalë: “Vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta ndërmjet jush, si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend.” Pra, ashtu sikur që dita e Arafatit, muaji dhul-hixhe dhe Mekja janë të shenjta, kështu është edhe gjaku i njeriut. Për këtë shkak, “mbytja e njeriut konsiderohet mëkat më i madh se shkatërrimi i tërë botës.”



Allahu thotë në Kur’an:

“…kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit….” [Kur’ani: Maide: 32]

Por nuk është e ndaluar vetëm vrasja, është edhe hakmarrja. Në këtë mësim nuk shfaqet vetëm madhështia e fesë por edhe e kumtuesit të saj, Pejgamberit tonë Muhammedit a.s. Para tërë asaj mase të madhe, ai shpalli botërisht se hiqte dorë nga gjaku i kushëririt të vet, për të treguar kështu shembull të lartë.



Të dashur besimtarë!

Të drejta tjera që konfirmohen në Kurban Bajram janë edhe ajo e pronës dhe nderit. Pejgamberi ynë Muhammedi a.s. siç e cituam, ka thënë: “Vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta ndërmjet jush, si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend.”

Në ndërkohë që Muhammedi a.s. konfirmoi të drejtën e pronës, ai anuloi një traditë të keqe, e cila kërcënonte seriozisht këtë të drejtë, fajdenë dhe kamatën. Kurbani Bajrami nuk vjen vetëm si mjet që çrrënjos të këqijat por edhe si alternativë. Nëse janë ndaluar këto forma të raporteve ndërmjet njerëzve, pra kamata dhe fajdeja, është nxitur për solidaritet dhe, therja e kurbanit, si ritual në këtë festë, ka pikërisht këtë mesazh.

Pejgamberi ynë Muhammedi a.s., ndaloi po kështu edhe nga çdo gjë që nëpërkëmbë vlerat dhe dinjitetin e njeriut, si: tallja, përqeshja, përgojimi, zbulimi i të metave, fyerja, dëmtimi fizik, etj, për të konfirmuar gatishmërinë e Islamit për ta ruajtur njeriun jo vetëm fizikisht dhe materialisht por edhe moralisht. Kjo për shkak se, shikuar sipas zanafillës, të gjithë njerëzit jemi bijë dhe bija të një babai dhe një nëne, të Ademit dhe Havasë dhe se pozita jonë tek Zoti është në varësi të plotë të vlerave shpirtërore dhe morale që kemi, jo atyre materiale.


Besimtarë të respektuar!

Në këtë festë madhështore të haxhit lamtumirës të Muhamedit a.s.,, konfirmohen me theks të veçantë edhe të drejtat e femrës, të drejta këto që vazhdojnë të përbuzën dhe të abuzohet me to edhe sot e kësaj dite nga shoqëri të shumta nëpër botë. Fakti që Pejgamberi ynë Muhammedi a.s. e përzgjodhi të drejtën e femrës në mesin e shumë gjërave dhe çështjeve tjera me rëndësi në haxhin lamtumirës flet për përkushtimin e tij për të. Fillimisht na përkujtoi Allahun dhe përgjegjësinë që kemi para Tij, Allahu na përkujtoi edhe përgjegjësinë karshi femrës dhe të drejtave të saja, për të porositur më pas që të jemi të mirësjellshëm ndaj tyre. Nëse do të shpjegonim këtë të drejtë sipas tre të drejtave paraprake, atëherë me pak fjalë do të thoshim se Islami garanton të drejtën e femrës për të jetuar dinjitetshëm, e jo abuzuar me te. Allahu na urdhëron:

“…Jetoni e silluni mirë me to!….” [Kur’ani: Nisa: 19]

Megjithëkëtë, me keqardhje më duhet të them se të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tim në mënyra e forma të ndryshme duke e privuar nga liria që i ka dhuruar Allahu xh. sh., veçmas e drejta e saj për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo e nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës. Ende vazhdon femra të jetë e privuar nga hisja e saj në pasurinë e babait, të cilën Kurani tash e 14OO vjet më parë ia garanton. Kurban Bajrami duhet të na shërbejë si një motivim shtesë për ta jetësuar këtë të drejtë të tyre.



Të dashur besimtarë,

Vëllezër dhe motra!

Kurban Bajrami është një festë, mësimet e të cilës nuk duhet lexuar vetëm në këtë ditë. Ato janë mësime që shërbejnë për të rregulluar jetën dhe përditshmërinë tonë. Fundja, kush mund të thotë se nuk kemi nevojë për to kur në mesin tonë ende ka vëllavrasje, vetëvrasje, vjedhjet e keqpërdorimet e pasurisë janë më shumë se kurrë më parë, shkelja e nderit të njeriut është për tu shqetësuar derisa femra dhe të drejtat e saja vazhdojnë të përbuzen.

Andaj, duke e marrë shkas këtë festë të madhe dhe mësimet e saja madhështore, të fillojmë që në vend të vrasjes e hakmarrjes, të falim e të shtrijmë dorën e pajtimit, në vend të fajdes e kamatës, të solidarizohemi me njëri tjetrin dhe të ndihmohemi, në vend të mohimit të të drejtave të femrës, ta marrim këtë festë si kampanjë në të cilën do të promovojmë këto vlera e të drejta të femrës të garantuara nga i Madhi Zot xh. sh., dhe të punojmë për jetësimin e tyre. Ngase femra është shtylla e shoqërisë, është gjysma e shoqërisë, por edhe gjysmën tjetër të shoqërisë njerëzore e lindi femra, ndaj meriton respekt e nderë edhe më të madh.



Për fund,

Më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të të gjitha institucioneve të saja fetare dhe arsimore, dhe në emrin tim personal, tua uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë vëllezërve dhe motrave tonë si në Kosovë, brenda trojeve tona etnike shqiptare por edhe në mërgatën e largët, duke iu drejtuar Allahut me lutje që ta bëjë këtë festë gëzim për të gjithë ne! Është apel i vet festës që të lëmë anash inatet dhe mospajtimet e të bëhemi bashkë, jo vetëm për të festuar, por edhe për ta rregulluar jetën tonë. Ndaj, le të shërbejnë mësimet e kësaj feste si instruksione dhe këshilla përkatëse për të gjithë ne.

Edhe një herë, urime festa e Kurban Bajramit.


Myftiu i Kosovës: Mr. Naim Tërnava
21.08.2018
Prishtinë