Një njeri i devotshëm pa në ëndërr sikur iu tha:

“Kur të mbërrijë sabahu, gjënë e parë që të shohësh kapërdije, të dytën fshehe, të tretës plotësoja kërkesën, të katërtën mos e mërzit, ndërsa nga e pesta largohu!”
Erdhi sabahu dhe njeriu doli jashtë. Filloi udhën dhe ç’të shohë, një mal i madh i doli përpara. U habit. Tha me vete:
“Zoti im më urdhëroi ta kapërdij. Ai nuk më urdhëron me diçka për të cilën nuk kam mundësi.”
Dhe kështu vendosi ta kapërdinte. Filloi të ecte drejt tij, por sa më shumë që ecte aq më shumë mali zvogëlohej. Kur mbërriti ai tashmë ishte sa një kafshatë, e kapërdiu. Shijen e kishte të ëmbël. E falënderoi Allahun e vazhdoi të ecte.
Përballë iu shfaq një govatë që mbiu nga toka. Mendoi: “Zoti më urdhëroi që këtë ta fsheh.” Prandaj hapi një gropë dhe e mbuloi atë. Eci më tutje, por kur kthehu kokën pas, vuri re që govata kish dalë përsëri mbi faqen e dheut. U kthye dhe e groposi edhe një herë. Eci edhe pak dhe përsëri shikoi govatën të cilën e groposi për të tretën herë. Tha me vete “Unë e bëra detyrën time.” dhe u largua.
Rrugës i doli para një zog që po ndiqej nga një skifter. Zogu i tha: “O ti rob i dashur i Allahut, me fsheh, më ndihmo!” E mori dhe e fshehu atë në gjirin e tij. Më pas foli skifteri: “O ti rob i dashur i Allahut, unë jam i uritur. Jam gjithë ditën në ndjekje të këtij zogu, dua ta kap atë, mos u bëj pengesë e rriskut tim!” Njeriu tha me vete: “M’u urdhërua të plotësoj kërkesën e të tretit dhe e plotësova. M’u tha të mos mërzis të katërtin. Tani ç’të bëj?” U hutua. Pastaj mori thikën, ndau një copë mish nga kofsha e tij dhe ia hodhi skifterit. Më pas e la zogun të lirë dhe vazhdoi.
Rrugës pa një kufomë që kundërmonte erë të keqe. E la dhe u largua.
Kur erdhi nata bëri këtë lutje:
“Unë iu binda urdhrit Tënd. O Zot, të lutem më trego kuptimin e këtyre punëve.”
Përsëri në ëndërr një zë i tha:
“E para që shikove dhe gëlltite ishte zemërimi yt. Në fillim u duk i madh sa një mal, por me durim, u zvogëlua aq shumë sa u bë një kafshatë e ëmbël.
E dyta, ishte puna jote e mirë. Sado që ta fshehësh, ajo ka për të dalë mbi faqen e dheut.
E treta ishte një amanet që të ishte dorëzuar. Mos e tradhto atë!
E katërta ishte kjo: nëse një njëri kërkon diçka prej teje, jepja, edhe nëse është diçka e domosdoshme për ty.
E pesta ishte përgojimi. Largohu nga ata që përgojojnë.
Me të vërtetë, vetëm Allahu di më së miri.”

Të fitosh kënaqësinë dhe dashurinë e Allahut nuk është një punë shumë e vështirë… mjafton të zbatojmë urdhrat e Tij dhe të largohemi nga gjithçka Ai ka ndaluar. Këto urdhëresa dhe ndalesa nuk janë një barrë që nuk mund të mbarten nga njeriu sepse Ai nuk ngarkon askënd përtej mundësive të tij….



Përktheu dhe përshtati: Elona Sytari