Hytbeja e Kurban-Bajramit

Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Falënderojmë Allahun xh.sh., Krijuesin e gjithësisë, I Cili na e bëri të mundur që sot, në këtë ditë feste e në këto momente të lumtura të ditës së Kurban Bajramit, të jemi së bashku, në adhurim në të gjitha xhamitë, kudo që jetojnë e frymojnë besimtarët, t’i drejtohemi Allahut xh.sh. me lutje e adhurim, në kërkim të ndihmës, mëshirës e mirëqenies për të gjithë ne.

Të mos harrojmë asnjëherë se këtë festë e karakterizojnë dy obligime madhore në Islam, siç është haxhi dhe therja e kurbanit, e që janë nga begatitë më të mëdha të dhuruara nga ana e Allahut xh.sh. për besimtarin. Sytë e njeriut nuk mund të shohin diçka më madhështore se Qabeja, në drejtim të së cilës duhet të drejtohemi pesë herë në ditë, dhe të cilën në këtë ditë feste po e vizitojnë edhe një numër i konsiderueshëm i haxhinjve edhe nga vendi ynë.

E, me therjen e Kurbanit rikujtojmë mëshirën e pakrahasueshme të Zotit xh.sh., si shenjë falënderimi e mëshire për njeriun.

Sot, në këtë mëngjes të bukur të kësaj dite feste që e festojnë besimtarët anekënd botës, e në veçanti ata që gjenden për vizitë në Qebe, në Mekë, lutjeve të shumta të miliona besimtarëve dhe hanxhinjve u janë bashkuar edhe lutjet e engjëjve dhe lutjet e tërë gjithësisë. Bashkë me këto lutje janë edhe lutjet e baballarëve, nënave, vëllezërve, motrave bijve e bijave tona, që në Qabenë e bekuar e lusin Allahun xh.sh. për faljen e gjynaheve, pranimin e ibadeteve dhe lutjeve, për një mirëqenie të përgjithshme të të gjithë njerëzve. E për ta ne sot lutemi që të kthehen shëndosh e mirë në familjet e tyre. Dje, në Arafat, sot në tavaf në Qebe, të gjithë me një zë i drejtohen Allahut xh.sh. me këtë lutje: “Të përgjigjem ty, O Zot, të përgjigjem. Ti nuk ke rival, o Zot, vetëm Ty të takon falënderimi, mirësia e pushteti, Ti nuk ke rival.”

Kjo lutje buron nga thellësia e shpirtit, dhe bashkon besimtarët në të katër anët e botës po në vendin ku bënë lutje shumë pejgamberë, në vendin nga i cili u përhap misioni hyjnor, ku u lind dhe u rrit edhe më i mirë prej njerëzve, i Dërguari i fundit, Muhamedi a.s., krenaria e gjithë njerëzimit. Në atë vend engjëlli iu paraqit Muhamedit a.s. me urdhrin e parë, duke i thënë: “Lexo!” Sepse pa lexuar s’mund ta njohim as veten dhe as Zotin. Pra, është ky vendi që shënon edhe përmbylljen e misionit të pejgamberit të fundit, Muhamedit a.s.

Vëllezër e motra,

Muhamedi a.s. nga ai vend i shenjtë, nga Mekeja e nderuar dhe Medineja e ndritshme, e ngriti zërin për besim në Zotin Një, dhe largimin nga besimi në shumë zota, në idhuj e puta. E vazhdoi këtë thirrje të pejgamberëve të mëparshëm, porsi Ademi a.s., Nuhi a.s., Ibrahimi a.s., Musai a.s., Jusufi a.s., Isai a.s. dhe shumë të tjerë, që ishin para tij, dhe që të gjithë thirrën për besim në Zotin Një dhe largimin nga besimet në shumë zota. Ata gjithashtu thirrën për një jetë të përbashkët, për harmoni, respekt e ndershmëri mes njerëzve, në mesin e të cilëve duhet të dominojë uniteti, urtësia dhe vendosmëria e përbashkët, pavarësisht besimit, vendit, gjuhës apo ngjyrës.

Ishte kështu ngase të gjithë pejgamberët porositë e tyre i merrnin nga i njëjti burim, dhe se thirrja e tyre në vazhdimësi ishte që të besohet e adhurohet vetëm një Zot. Allahu xh.sh. thotë: “Zoti juaj (që meriton adhurim) është Një, nuk ka zot pos Atij, që është Mëshirëplotë, dhe që gjithnjë mëshiron.” (El Bekare,163).

Të nderuar dhe shumë të respektuar besimtarë,

Të gjithë duhet ta dimë se pasuria që kemi në këtë botë është një sprovë nga ana e Allahut xh.sh., se ku dhe si do ta shpenzojmë. Zoti nuk e do besimtarin e pasur që është koprrac. Pra, I Madhi Zot urdhëron në shpërndarjen e pasurisë për atë që ka nevojë, te i varfëri, jetimi, i mbeturi pa përkrahje, te i moshuari, pra te të gjithë njerëzit nevojtarë. Solidariteti dhe ndihma për të varfërit dhe njerëzit në nevojë është urdhër kuranor dhe amanet i Muhamedit a.s.

Allahu xh.sh. thotë: “O njerëz! Para Allahut të gjithë ju jeni të varfër dhe nevojtarë. Vetëm Allahu është i Pasur dhe i Denjë për lavdërim.”(Fatir, 15).

Të nderuar besimtarë, të gjithë ne duhet ta dimë se dhënia e ndihmës të varfërve nuk pakëson pasurinë tonë, ngase mirësia e ruan pasurinë, ndërsa s’ka dyshim se Allahu xh.sh., do t’ia shumëfishojë pasurinë atij që e jep Zekatin, sadakanë dhe lëmoshën për njerëzit e varfër. Muhamedi a.s. thotë: “Pa dyshim, sadakaja kalon në dorën e Allahut xh.sh. para se ta marrë nevojtari!”

Vëllezër e motra,

Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit, thërras të gjithë besimtarët që në zemrat dhe shpirtin e tyre të shndritë besimi i sinqertë, i cili motivon zemrat tona që të jemi edhe më solidarë, më humanë, më të mëshirshëm dhe më tolerantë. Të luftojmë urrejtjen, xhelozinë dhe armiqësinë, dhe të motivohemi për buzëqeshje e përqafim vëllazëror, ngase thirrja për unitet dhe vëllazërim mes njerëzve urdhërohet në shumë vende në Kurr’an, por edhe në porositë e pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s. Çdo festë e jona ka urtësinë dhe porosinë e vet, por porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë, ?ijimit dhe sakrificës. Dëshiroj edhe një herë që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saja, të bëjë lutjen të i madhi Zot për mirëqenie të të gjithë vëllezërve e motrave tona, brenda dhe jashtë trojeve tona etnike shqiptare, si dhe mërgatës tonë, kudo që është. E lus Allahun xh.sh. që t’i mëshirojë të gjithë ata që jetën e tyre flijuan në emër të Zotit xh.sh., për çlirimin e atdheut!

Besimtarë të respektuar!

Në këtë festë madhështore të haxhit lamtumirës të Muhamedit a.s.,, konfirmohen me theks të veçantë edhe të drejtat e femrës, të drejta këto që vazhdojnë të përbuzën dhe të abuzohet me to edhe sot e kësaj dite nga shoqëri të shumta nëpër botë. Fakti që Pejgamberi ynë Muhammedi a.s. e përzgjodhi të drejtën e femrës në mesin e shumë gjërave dhe çështjeve tjera me rëndësi në haxhin lamtumirës, flet për përkushtimin e tij për të. Fillimisht na rikujtoi Allahun dhe përgjegjësinë që kemi para Tij, Pastaj na rikujtoi edhe përgjegjësinë karshi femrës dhe të drejtave të saja, për të porositur më pas që të jemi të mirësjellshëm ndaj tyre. Nëse do të shpjegonim këtë të drejtë sipas tri të drejtave paraprake, atëherë me pak fjalë do të thoshim se Islami garanton lirinë e besimit dhe të drejtën e femrës për të jetuar dinjitetshëm, e jo për të abuzuar me të. Allahu na urdhëron dhe thotë: “…Jetoni e silluni mirë me to!….” (En-Nisa, 19)

Megjithëkëtë, me keqardhje më duhet të them se liria fetare dhe të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tim në mënyra e forma të ndryshme duke e privuar nga liria që i ka dhuruar Alla­hu xh. sh., veçmas e drejta e saj për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo e nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës. Ende vazhdon femra të jetë e privuar nga hisja e saj në pasurinë e babait, të cilën Kurani tash e 1400 vjet më parë ia garanton. Kurban-Bajrami duhet të na shërbejë si një motivim shtesë për ta jetësuar këtë të drejtë të tyre.

Të dashur besimtarë,

Vëllezër dhe motra!

Kurban-Bajrami është një festë, mësimet e së cilës nuk duhen lexuar vetëm në këtë ditë. Ato janë mësime që shërbejnë për të rregulluar jetën dhe përditshmërinë tonë. Fundja, kush mund të thotë se nuk kemi nevojë për to kur në mesin tonë ende ka vëllavrasje, vetëvrasje, vjedhjet e keqpërdorimet e pasurisë janë më shumë se kurrë më parë, e drejta dhe liria fetare nëpërkëmbet, shkelja e nderit të njeriut është për t’u shqetësuar derisa femra dhe të drejtat e saja vazhdojnë të përbuzen.

Prandaj e drejta dhe liria është një pako të cilën askush nuk duhet ta shfrytëzoj në dëm të se drejtës dhe lirisë së tjetrit. Pjesëtarët e një feje shumicë në një shtet mund të jetë komunitet fetar pakicë në një shtet tjetër. Ka qenë thirrje e vazhduar që deri sa po ndërtojmë shtetin, të ndërtojmë lidhje të pa shkëputura me popujt që e kanë ndërtuar të drejtën dhe lirinë fetare si themel i të drejtave dhe lirisë fetare si dhe t’i përvetësojmë eksperiencat e tyre më të mira.

Për shoqërinë tonë është i domosdoshëm mobilizimi për luftimin e dukurive që i bëjnë dëm vendit tonë që rrezikojnë të ardhmen brezave. Le të ngrisim bashkërisht një shoqëri ku gjynahu – diskriminimi zilia e urrejtja – nuk do të lejohen të triumfojnë ndaj së mirës – bashkëjetesës e respektit të ndërsjellë! Qeveria e Republikës së Kosovës, pavarësisht kush qeverisë në krye të saj dhe pavarësisht orientimeve politike shoqërore fetare të saj, duhet të shfaq urtësi të lartë e veprime konkrete në zhvillimin dhe funksionimin për kultivimin bashkëjetesës fetare. Nuk duhet harruar as sesi se adhurimi i Zotit është një e drejtë dhe liri e patjetërsueshme e njeriut, e mandatuar nga vetë Perëndia. Me një vizion të tillë të çiltër, Kosova nuk duhet të vijoj më Ministerialet e se nesërmes me retorika politike paushalle, por, si shtet shembullor karshi të se drejtës dhe lirisë fetare për të dëshmuar botërisht se është djep i se drejtës, bashkëjetesës dhe lirisë fetare me qëndrim të qartë ashtu siç tha në një fjalim të tij sekretari i SHBA shtetit ton mik, ku prerazi tha se SHBA–ja nuk do të tërhiqet nga e drejta dhe mbrojtja e lirisë fetare.

Andaj, duke e marrë shkas këtë festë të madhe dhe mësimet e saj madhështore, të fillojmë që në vend të vrasjes e hakmarrjes, të falim e të shtrijmë dorën e pajtimit, në vend të fajdesë e

kamatës, të solidarizohemi me njëri-tjetrin dhe të ndihmohemi, në vend të mohimit të të drejtave të femrës dhe lirisë se saj, ta marrim këtë festë si kampanjë në të cilën do të promovojmë këto vlera e të drejta të femrës të garantuara nga i Madhi Zot xh. sh., dhe të punojmë për jetësimin e tyre. Ngase femra është shtylla e shoqërisë, është gjysma e shoqërisë, por edhe gjysmën tjetër të shoqërisë njerëzore e lindi femra, ndaj meriton respekt e nderë edhe më të madh.

Në fund : Më lejoni që, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër te Myftiut Naim ef. Ternava, në emër të të gjitha organeve dhe institucioneve të saja fetaro arsimore dhe në emrin tim personal, t’ua uroj festën e Kurban-Bajramit të gjithë vëllezërve dhe motrave tona si në Kosovë, brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët, duke iu drejtuar Allahut me lutje që ta bëjë këtë festë gëzim për të gjithë ne! Është apel i vetë festës që të lëmë anash inatet dhe mospajtimet e të bëhemi bashkë, jo vetëm për të festuar, por edhe për ta rregulluar jetën tonë. Ndaj, le të shërbejnë mësimet e kësaj feste instruksione dhe këshilla përkatëse për të gjithë ne.

Edhe një herë, urime për festën e Kurban-Bajramit.
Urime dhe me fat ju qoftë festa e Kurban Bajramit!
Reshat ef. Mexhiti
Zëvendëskryetar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës

PrishtinëMë 11.08.2019


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Hajrullah Bega ?