Dikur në kohët e hershme, jetonin dy vëllezër, njëri jetonte në qytet, kurse tjetri jetonte në një majë mali.

I dyti besonte se jeta mes njerëzve ishte e vështirë, për shkak të degjenerimit moral dhe veseve të këqija. Për këtë, ai ishte vendosur në një mal, ku kishte ndërtuar një shtëpi dhe merrej me bagëti. Atje ndjehej i qetë, larg të keqes së njerëzve. Të paktën nuk e shihte të ligën me sy, as nuk dëgjonte për të. Aq shumë kishte fituar devotshmëri dhe dëlirësi shpirtërore në mal dhe larg njerëzve, saqë edhe ujin e mbarte me një çantë pëlhure. Po, nuk e mbarte me bucelë, qyp apo gjëra të ngjashme, por me çantën e tij të pëlhurës, të cilës i kishte vënë dy rripa dhe e mbante mbi shpinë ngado që shkonte.
Një ditë, i del një punë e detyruar dhe merr rrugën për në qytet. Menjëherë shkon në shtëpinë e të vëllait, përshëndetet me të, qëndron pak dhe i kërkon leje për të dalë në Pazar.
“Çantën e ujit po e lë këtu!” i tha të vëllait dhe e vari çantën me ujë në një gozhdë.
Pasi kishte kaluar pak kohë nga largimi i tij për në Pazar, vëllai që jetonte në qytet vëren diçka të pazakontë, diçka që nuk kishte ndodhur më parë. Ai vëren që nga çanta ku i vëllai mbante ujin, kishin rrjedh disa pika ujë. Ai u çudit nga kjo dhe me vete mendoi:”Diçka duhet të ketë ndodhur me tim vëlla sot!”
Kur i vëllai erdhi, ai e pyeti: ”Hë more vëlla, si shkoi pazari? Si ia kalove dhe çfarë ka bërë vaki?”
I vëllai që jetonte në mal iu përgjigj tërë mllef: ”Lëre mos e pyet! Qenka prishur dynjaja, qenka degjeneruar fare!” dhe lëshoi një lum mallkimesh.
I vëllai i qytetit buzëqeshi pak dhe i tha: ”O vëllai im i dashur! Kush bëhet i devotshëm këtu në qytet, mes njerëzve me vese e me probleme, pa atje në majë të malit ku jeton ti, të gjithë bëhen të devotshëm e zemërdëlirë!”

Profeti Muhamed a.s., thoshte: ”Besimtari që përzihet me njerëzit dhe i duron të këqijat që mund t’i vijnë prej tyre, është më i mirë se besimtari që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk i duron të këqijat që mund ti vijnë prej tyre.”



Elmaz Fida


Artikulli radhës
Dy vëllezërit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

500 vjet xhami, 500 pajtime gjaku - Sadri Zeka hoxha i pajtimit, flamurit dhe kufirit