Tri vite më parë e vizitova një mikeshë shumë të dashur pas martesës së saj. Ajo bashkë me burrin e saj jetonin në një shtëpi të vogël në periferi të qytetit. Pas kësaj nuk e vizitova më, por kontaktonim përmes telefonit, dhe i tregonim njëra-tjetrës për gjërat e reja. E dija që gjendja e saj materiale ishte e mirë, dhe se burri i saj kishte filluar një biznes.
Një ditë m’u dha mundësia që ta vizitoj përsëri, por këtë herë shtëpia e saj e re ishte në kryeqytet në një lagje elitare. Që kur hyra në shtëpinë e saj, vazhdoja të thosha: "mashallah tebarekallah". U befasova nga madhësia e shtëpisë dhe mobiljet e shtrenjta, të cilat mund t’i blejnë vetëm të pasurit. Nuk e them që t’i përçmoj ata, por ngase e dija gjendjen e tyre.
Më parë i lutesha Allahut për ta që t’ju jepte bereqet, e tani kur e pashë këtë ndryshim të madh e pyeta nga i erdhi, e ajo më tha: "Subhanallah desha të tregoj për këtë. Dy vjet më parë, unë dhe burri im vendosëm një kasë në dhomën e gjumit dhe çdo ditë kur zgjoheshim linim diçka në të, një markë, dy ... E rëndësishme ishte të linim diçka për të qenë nga ata që i përfshin hadithi i Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ku thotë: “Nuk ka asnjë ditë që zgjohen robërit, e që nuk vinë dy melekë dhe njëri thotë: “O Allah, rritja pasurinë bujarit”! Ndërsa, tjetri thotë: “O Allah, shkatërro koprracin”! (Buhariu, Muslimi)
Ditën e xhuma, burri im e hapte kasën, i merrte të gjitha të hollat pa i numëruar dhe i jepte si sadakë pas xhumasë. Për Zotin, që kur kemi filluar ta zbatojmë këtë këshillë, hajri dhe nafaka filloi të na vinte nga të gjitha anët”.
Të vërtetën e ka thënë Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik: “Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish atë? Allahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai.“ (El Bekare, 245)
Këtë që e shikon, kurrë nuk kam ëndërruar që të kemi, por kur All-llahu dëshiron, jep befasisht dhe pakufi.