Nata e Kadrit është një nga karakteristikat më të theksuara të Ramazanit, gjegjësisht është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit të cilave i dërguari i Allahut u ka kushtuar kujdes të veçantë dhe na ka porositur që në veçanti t’u përkushtohemi me adhurim.
Vlera e Natës së Kadrit dhe e Ramazanit theksohet në veçanti për shkak të fillimit të shpalljes së Kur’anit famëmadh në këtë natë të madhe e të bekuar e cila është në këtë muaj të bekuar. Nisur nga kjo, kjo natë quhet nata e Kur’anit dhe muaji i Ramazanit quhet muaj i Kur’anit, e për shkak të besimit dhe praktikimit të tij, edhe umeti islam quhet Umeti i Kur’anit.
Nata e Kadrit, apo nata e Kur’anit paraqet një nga evenimentet më të mëdha të historisë njerëzore në përgjithësi dhe asaj islame në veçanti, ngase në këtë natë u thye monotonia e adhurimit të deformuar e të pakuptimtë idhujtar i cili e kishte okupuar mendjen njerëzore. Me hapjen syve të njeriut në çështjen e besimit, në fakt njeriut iu kthye dinjiteti i nëpërkëmbur nga besimi në idhuj. Me shpalljen e Kur’anit jeta e njeriut fitoi kuptim, ngase u çlirua nga të qenit robër i nënshtruar ndaj idhujve, por iu hapën shtigjet e përparimit dhe zhvillimit mbi themelet e shëndosha hyjnore.
Në këtë natë, botës i erdhën udhëzime për jetën dhe qëllimin e ardhjes së tyre në këtë botë, si dhe rolin që ata duhet ta luajnë.
Kjo natë është nata më e ndritshme në gjithë historinë e njerëzimit, ngase u sqarua e vërteta, u mposht gënjeshtra dhe u çlirua mendja e njeriut nga shabllonet e gabuara të cilat e kishin privuar njeriun nga të gjykuarit e drejtë për jetën, botën dhe qëllimin e ardhjes së njeriut në këtë botë.
Nata e Kadrit ka rëndësi të veçantë për mbarë njerëzimin, ngase për herë të parë në histori, një shpallje hyjnore fillon me urdhrin për lexim, dituri dhe mësim. Filloi shpallja me përmendjen e lapsit dhe mësimin e përdorimit të tij. Këto fjalë të para të shpalljes së fundit të Allahut të Madhërishëm, dhanë mesazh të qartë se dituria është çelësi i suksesit dhe ajo që e ngre pozitën e njeriut. Frymëzimi për dituri duhet të vijë pikërisht nga këto udhëzime hyjnore, ngase kjo e bën kërkimin e diturisë adhurim për të cilin ka shpërblim. Në Natën e Kadrit, u ndriçua jeta e njeriut dhe u lartësua dituria, ngase me diturinë, mësimin e leximin, Allahu i Lartmadhërishëm e filloi shpalljen dhe mesazhin e Tij të fundit drejtuar njerëzimit.
Nata e Kadrit solli mesazhin e paqes për njerëzimin. Kjo, ngase Allahu i Madhërishëm këtë natë e quajti natë të paqes në Kur’anin famëlartë. Sa të mundohen armiqtë e Islamit të akuzojnë për dhunë dhe mostolerancë, pikërisht cilësimi i Natës së Kadrit si natë që është paqe deri në mëngjes, e demanton këtë supozim të pabazë. Është absurde të pretendohet se mesazhi islam është mesazh i dhunës dhe mostolerancës, kur nata kur filloi të shpallet libri i fundit i këtij mesazhi është nata e paqes. Kjo natë e paqes na përsëritet çdo vit që ta ripërsëris për njerëzimin porosinë se umeti islam mba mesazhin e paqes dhe shpëtimit për njerëzimin.
Nata e Kadrit, e lidhi qiellin dhe tokën, ngase në këtë natë, ashtu siç dëfton Kur’ani, zbresin në tokë melekët dhe i shoqërojnë banorët e tokës deri në agim. Zbritja e melekëve në tokë ka simbolikën e madhe në drejtim të shpalosjes së natyrës së mesazhit të kësaj feje madhështore. Islami është fe e cila e lidh shpirtëroren dhe materialen, këtë botë dhe botën tjetër, qiellin dhe tokën. Zbritja e melekëve në tokë, ia bën me dije njeriut se ai është nën mbikëqyrjen e banorëve të qiellit, melekëve kiramen katibin-shkruarsve besnikë që me urdhrin e Allahut i regjistrojnë njeriut çdo gjë që bën. Kjo duhet t’ia kujtojë njeriut llogaritjen e vetes para se ta llogarisin tjerët dhe përmirësimin e sjelljes së tij, ngase për çdo gjë që bën, do të japë llogari.
Poashtu, zbritja e melekëve ia rikujton njeriut se nuk duhet të jetë neglizhent ndaj aspektit shpirtëror, ngase ai në këtë botë nuk ka ardhur vetëm të dëfrehet e të zbavitet, por ka ardhur me një mision madhështor, ai është sjellë nga Allahu të jetë mëkëmbës në tokë. Dhënia pas kënaqësive të kësaj bote dhe neglizhimi i shpirtërores, e devijon njeriun nga ky qëllim madhor, por e nënçmon duke e shndërruar në rob të epsheve që për synim të vetin ka vetëm zbavitjen dhe dëfrimin, të cilat sado që të jenë të shumta, janë fare pa vlerë në krahasim me misionin për të cilin u soll njeriu në këtë botë.
Nata e Kadrit dëshmon për vlerën dhe pozitën e lartë të njeriut te Allahu i Madhërishëm. Kjo, ngase në këtë natë, me urdhrin e Allahut të Madhërishëm zbresin melekët, dhe në veçanti meleku ma i dalluar, meleku i shpalljes-Xhibrili a.s. Ardhja e këtij meleku të dalluar është nder për tërë njerëzit, dhe kjo duhet të jetë shtytje që njeriu të mendojë mirë se çfarë rruge është duke ndjekur. Ai duhet të ndalet e ta pyes veten:Vallë, kjo qenie që ka pasur nderin të shoqërohet Natën e Kadrit nga meleku i shpalljes-Xhibrili a.s. a i ka hije të ec gjurmëve të djallit e mos i nënshtrohet Krijuesit?! Kjo qenie që u shoqërua nga melekët dhe nga Xhibrili në veçanti Natën e Kadrit, a është e logjikshme të jepet pas gjërave të ulëta të cilat kanë përfundim të shpejtë, e ta len qëllimin për të cilin e solli Allahu i Madhërishëm në këtë botë-të qenit mëkëmbës i caktuar nga Allahu i Madhërishëm?! Njëmend, përgjigja është fare e qartë, nuk donë shumë kohë për të humbur: Njeriu duhet ta ruaj këtë nderë të madh nga Krijuesi duke qenë zbatues i denjë i urdhrave të Tij.