Asmae Dachan: "Kam mbuluar kokën, por jo dhe mendjen".
Opinioni publik apo edhe privat që kanë perëndimorët sot e kësaj dite për sa i përket vellos islame është shumë kontradiktor, dhe lidhet ngushtë me mospranimin e identiteteve të shumta që përbëjnë qenien komplekse të njeriut. Edhe pse jetoj në Itali me vello islame mbi krye, jam e bindur se qëndrimi i italianëve mbi këtë element është pothuajse i njëjtë me atë të francezëve, spanjollëve, holandezëve e kështu me radhë. Kjo për dy arsye konkrete: E para ka të bëjë me llojin e politikës që po përfshin Kontinentin e Vjetër i karakterizuar nga dalja në skenë e partive të djathta ksenofobe të cilat si politikë kryesore të tyre kanë ushqimin dhe më pas instrumentalizimin e ndjenjës së frikës kolektive. Ato në qendër të programeve të tyre elektorale mbartin çrrënjosjen e emigracionit duke u përqendruar kryesisht në disa simbole që ata i quajnë "të huaj" në botëkuptimin europian. Njëri prej këtyre simboleve është pikërisht velloja islame. E tillë u mor në "shënjestër" si element më i dukshëm i fenomenit të emigracionit, si dhe më i lehtë për t'u etiketuar dhe "luftuar". Ndërsa arsyeja e dytë, mbetet të jetë përdorimi masiv, pra instrumentalizimi i kësaj "frike nga e huaja", prej mediave vizive dhe të shkruara si për arsye të aleancës me politikën në problematika sociale të shpikura prej saj, ashtu edhe për kërkimin e vazhdueshëm të tyre të rritjes së shikueshmërisë, pra "audiencës".
Vë në dukje një element mjaft të rëndësishëm që mendoj se duhet theksuar: Velloja islame, në vendet perëndimore, paraqitet si një element i cili është shfaqur masivisht përkitazi me fenomenin e emigracionit të familjeve muslimane në vendet e industrializuara europiane. Paçka se Europa krenohet me rrënjët e saj kristiane dhe ka në gjirin e saj femra me vello katolike, gjithsesi velloja islame është klasifikuar botërisht në mendjen e tyre si një element i ri dhe i huaj për këtë kontinent. Mediat në Itali, në mënyrë të vazhdueshme ndikojnë në mbajtjen gjallë të perceptimit negativ të masave mbi këtë fenomen duke ushqyer gjithmonë e më shumë kronika të fryra të pikturuara të realiteteve të rëndomta për të përfituar bujën mediatike të karakterizuar nga shikueshmëria tej mase e lartë e programeve televizive të cilat krijojnë në brendësi të tyre, një përballje të dhunshme të të dyja kulturave (asaj islame dhe asaj katolike). Kjo i jep publikut një perceptim relativ sikur inskenimi i konflikteve të shpikura mediatikisht përbën realitetin që e rrethon. Me këtë abuzim të fuqisë së saj, media vizive arrin të përhapë botërisht efektet që ajo dëshiron, jo vetëm duke manipuluar "opinionin publik" por duke e shndërruar atë në një "emocion publik", siç pohon Paul Virillio, emocion ky i cili përhapet në vende të ndryshme te botes njëkohësisht.
Në këto shoqëri, elementi i medias tenton të krijojë dhe të ushqejë një imagjinatë kolektive të caktuar për figurën e femrës me vello islame. Ato e krijojnë këtë perceptim duke u bazuar kryesisht në stereotipe të shumta të përhapura në popullsi. Në imagjinatën kolektive femra me shami paraqitet si e "robëruar nga familja, e detyruar që në vegjëli të martohet me mesoburra në moshë shumë herë më të madhe se e saj, të zgjedhur dhe imponuar me dhunë nga "i ati padron" i cili i dhunon fizikisht dhe psikologjikisht brenda mureve të shtëpisë çdo femër që gjendet në brendësi të saj. Për të mbuluar shenjat e kësaj dhune të ushtruar mbi femrat ato i detyrojnë të mbulojnë çdo centimetër të trupit të tyre me tesha të gjera dhe të trasha..." Kjo imagjinatë kolektive dhe shumë të tjera të ngjashme të përhapura masivisht, shkon edhe më tej aq sa të pohojë se "femra muslimane perceptohet (ose tentohet të paraqitet prej tyre) si një femër e gjorë e cila duhet shpëtuar nga zgjedha e padronit të saj mashkull brenda familjes. Ata (pra perëndimoret) duhet ta lirojnë medoemos nga kjo zgjedhë fatkeqe. Si simbol i këtij lirimi donkishotesk nga ana e tyre merret zhveshja e femrës muslimane nga "shamia-burg" që e detyruar dhe e imponuar nga prepotenca mashkullore e mban veshur si simbol të robërisë dhe nënshtrimit të saj ndaj burrit". Fatkeqësisht ky makinacion mediatik merret si i mirëqenë nga pjesa më e madhe e popullsisë e cila bindet lehtë prej "vërtetësisë" skenike e pohuar nga fakte të marra nga ndonjë tribù afrikane apo aziatike prej dorës së ndonjë krimineli mashkull, duke harruar se fatkeqësisht çdo shoqëri ka thyesit e ligjeve të saj, e një mijë e një të liga kanë pushtuar botën, jo për faj të fesë por të mungesës së saj. Natyrisht që kjo imagjinatë kolektive është e ushqyer dendur nga promotorë socialë të lëvizur drejtpërsëdrejti nga dy elementët e lartpërmendur, pra media dhe politika. Kështu, libra si "Murata Viva"; "Gjuetari i balonave" apo dhe mjaft të tjerë të shkruar nga individë nga vende me kriza të thella sociale për shkak të luftërave që përjetojnë, si Iraku apo Afganistani, e gjejnë veten të promovuar në masë të gjerë nga organet propaganduese si një liri shtypi e mohuar në vendet e tyre dhe e gjetur në perëndim. Si një realitet që duhet ndryshuar nga "shpëtimtari" i ndodhur në perëndim, ndoshta kjo është dhe mënyra që perëndimi dëshiron ta shohë vetveten. Në këto libra, hyjnizohet kultura perëndimore dhe demonizohet ajo orientale me shembujt më negativë të paraqitjes së këtyre problemeve sociale të cilat janë më tepër pasojë e traditave endemike sesa të një praktikimi të saktë të Islamit. Duke anashkaluar faktin se sikur Islami të praktikohej në formën e duhur, këto probleme nuk do të kishin ekzistuar kurrsesi. Fatkeqësisht kjo lloj literature e instrumentalizuar dhe e programuar për të krijuar skandal dhe çorientim, ka gjasa të ndikojë dhe te devijoje botëkuptimin e asaj mase të popullsisë e cila tenton me kuriozitet që të mësojë diçka më shumë mbi këto femra. Vendosen në një rrafsh të njëjtë vlerësimi, të gjitha femrat e mbuluara, si ato që jetojnë në një kontekst lirie dhe demokracie ashtu dhe ato që jetojnë të detyruara nën kontekste ekstreme diktatoriale apo edhe destabiliteti social për shkaqe madhore lufte dhe krizash, shiten sikur të ishin probleme edhe në ato vende ku lulëzon liria e veprimit dhe e praktikimit të shëndoshë të parimeve fetare. Këta faktorë instrumentalizohen dhe përçohen në shoqëri si probleme universale, të cilat gjenden kudo që gjendet një femër me vello islame. Shembull konkret për një fenomen të tillë është pikërisht Shqipëria. Perceptimi i lartpërmendur, është importuar edhe në vendin tonë edhe pse problemet e emigracionit të shtetasve nga vendet arabe nuk përbëjnë peshë sociale të konsiderueshme (siç mund të jetë fjala bie në Itali, Francë apo Gjermani) por kryesisht femrat me shami janë vendase dhe jo emigrante të ardhura nga vendet arabe apo gjetkë. Nga rrethe të caktuara interesi në Shqipëri ato tentohen që të paraqiten si femra të dhunuara dhe të detyruara nga familja. Ky është shembulli i radhës i interpretimit të një teorie të importuar nga vendet perëndimore e marrë shabllon nga shqiptarët pa i bërë aspak një filtrim në bazë të situatës dhe problematikave sociale në Shqipëri. Ajo nuk përputhet me problematikën reale të mbulimit islam tek femrat shqiptare, duke qenë se përqindja më e madhe e tyre e kanë bërë këtë gjest duke qenë plotësisht të kundërshtuar nga familja, madje dhe nën dhunim apo presioneve të tyre ndaj saj, me qëllim që të privohet nga liria e veshjes sipas rregullave fetare.
Për sa i përket politikës, ajo është një mjet i fuqishëm opinionbërës në vendin ku ndodhem duke qenë se mediat kryesore janë në pronësi të eksponentëve të lartë politikë (grupi Mediaset është në pronësi të kryeministrit Silvio Berlusconi i cili ka një aleancë qeveritare thelbësore me partinë ksenofobe "Lega Nord" ndërsa RAI është një rrjet televiziv shtetëror, pra i kontrolluar nga organet qeveritare) të cilët i japin rezonancë të konsiderueshme propozimeve ksenofobe dhe kryesisht anti-islame. Duke qenë se pikërisht këtu në Itali nuk kanë ekzistuar elemente islame kaq të përhapur dhe të kapilarizuar në jetën e përditshme të çdo italiani sa për të formuar një opinion autonom dhe të pa ndikuar nga çka thamë më lart. Në këtë mënyrë dhe velloja islame e cila nuk mbahet vetëm nga emigrante të ardhura nga vendet islame por edhe nga italiane të konvertuara e të kthyera në muslimane, tentojnë ta përçojnë në botëkuptimin publik si një element të huaj i cili kushdo që dëshiron ta mbajë atë le të "shkojë në vendin e vet" pa marrë parasysh se shumë syresh janë në "vendin e vet" duke qenë shtetase italiane që nga lindja! Të tillë, kanë kontribuar në formimin e një opinioni publik të pa precedent refuzimi të vellos islame si një simbol real i lirisë së femrës për të vendosur vetë fatin e saj në përgjegjësi të plotë para Krijuesit të gjithçkaje.
Në realitetin e përditshëm vëren se gjithkush ka një perceptim të vetin për lirinë e individit. Mund të arrish të takosh njerëz të cilët janë mjaft të hapur ndaj lirive dhe hapësirës personale që një individ duhet të gëzojë, por kjo për aq kohë sa nuk ke ndonjë ndërveprim interesash me to. Të ndihmuar nga impakti që emigrimi i ka sjellë kontaktit të njerëzve me kultura të ndryshme të cilat dashje pa dashje bashkëjetojnë në të njëjtin territor, është mundur të zbutet disi ashpërsia e perceptimeve që u imponohet individëve nga elementët e jashtëm të sipërpërmendur. Sado tronditëse të jetë përballja e një femre muslimane me mendime të tilla, ato gradualisht arrijnë ta ndryshojnë këtë perceptim tek njerëzit me vetë shembullin që japin në jetën e përditshme. Shembuj këto, konkret të një pavarësie dhe lirie reale të admirueshme që gëzojnë nga Islami.
http://vajadamanjani.blogspot.com