Pandemia COVID-19, frika, pasojat dhe qëndrimi islam


Pandemia COVID-19, frika, pasojat dhe qëndrimi islam Virusi COVID-19 ka bërë që shumë njerëz të këtij nënqielli të përjetojnë një ankth dhe frikë të vërtetë. Mediume e shkruara dhe ato elektronike, kryefjalë të informacioneve kishin virusin vdekjeprurës me emrin Corona.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, provinca kineze Hubei, ishte rajoni nga ku filloi të merr përmasa të mëdha të zhvillimit virusi COVID-19. Më 11 shkurt të këtij viti, Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi emrin zyrtar për virusin e identifikuar për herë të parë në Kinë. Pak ditë më vonë, kjo organizatë virusin në fjalë e shpalli si pandemi me përmasa të mëdha globale.
Menjëher pas përhapjes së pandemisë, thuajse të gjitha shtetet filluan të marrin masa nga më të ndryshmet për ta parandaluar virusin i cili çdo ditë e më shumë krijonte rrethana shqetësuese. Kaluan muaj dhe akoma vaksina kundër COVID-19 nuk është zbuluar, flitet se shumë shpejt do të testohet një vaksinë përkatëse, megjithatë vetë-izolimi, karantinimi kanë dhënë rezultate të kënaqshme, duke preventu rrjedhën e përhapjes së gjerë. Të infektuarit me COVID-19 dhe vdekjet të cilat u shkaktuan si rezultat i kësaj sëmundje, krijuan një panik të paparë, rrethanë e cila nuk ishte parë dekada më parë.
Frika – Frika nga një pandemi e tillë ishte edhe e natyrshme, për faktin se numri i personave të prekur rritej nga çasti në çast. Deri tani numri i të prekurve në nivel global ka arritur në qindra mijëra, gjersa vdekjet nga ky virus kanë arritur në dhjetra mijëra njerëz. Fatkeqësisht numri i të infektuarve dhe të vdekurve në botë, në vazhdimësi është në rritje e sipër. Epiqendra e përhapjes së COVID-19 në Evropë ishte Italia.
Kjo vetëm se e shtoi dozën e shqetësimit dhe frikës tek qytetarët tanë. Gjasat se pandemia po i afohet shoqerisë sonë, tani më ishin reale. Kalonin ditët, javët, gjersa nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës është konfirmuar lajmi e të infektuarit të parë në Kosovë me virusin Corona. Përfundimisht as Kosova nuk ishte imune nga virusi i ri COVID-19. Masat drastike që përcaktuan institucionet tona qeveritare si: Mbyllja e shkollave, izolimi nëpër shtëpi, mbyllja e lokaleve dhe bizneseve private, mbyllja e kulteve fetare, aeroporti dhe së fundi edhe kufijtë me vendet e rajonit, pavarsisht se në shikim të parë dukeshin tejet ekstreme, megjithatë masat e tilla ishin më se të domosdoshme për të minimizuar gjerë në një masë numrin e të infektuarve, pse jo edhe për të parandaluar vdekjen e qytatarëve tanë. Thirrja ”panikë jo kujdes po”, për shumë qytatarë sikur nuk ishte e mjaftueshme. Ndoshta paniku i krijuar tek disa edhe mund të ishte i justifikueshëm.
Realisht frika e tyre shtrihej në dy rrafshe: ? Frika nga infektimi i Corona-virusit ;? Gjendja ekonomike-sociale & falimentimi i bizneseve.
Si rrjedhojë, numri i të infektuarve në Kosovë me këtë virus në vazhdimësi është në rritje e sipër, kemi me dhjetra të infektuar, fatkeqësisht kemi edhe një të vdekur të konfirmuar nga virusi COVID-19. Andaj, udhëzimet dhe këshillat e ekspertëve të mjekësisë duhet ndjekur domosdoshmërisht.
Pasojat – Virusi Corona me që nuk njeh kufij mes shteteve të ndryshme, madje as ngjyrë e racë njerëzore, është më se e natyrshme se nga një pandemi e tillë pasojat mund të jenë fatale. Fatkeqësisht pasojat janë të mëdha dhe të natyrave të ndryshme.
Prej tyre do veçoja: Numër i madh i të infektuarve, vdekje të shumta, kriza ekonomike e financiare, izolim, frikë, falimentim i ndërmarrjeve, rritje e papunësisë, etj.
Pasojat sa janë serioze do jenë edhe të pashmangshme. Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të tregojmë gadishmëri për të evitur sa më shumë pasojat e një pandemie të tillë. Duhet shtuar kujdesin në nivelin më të lartë, për t’u përgatitur për sfida edhe më të rënda, si psh: për ndonjë tërmet social global. Dhashtë Zoti të mos përballemi me një situatë të tillë, por të arrijmë që sa më parë të e mposhtim këtë pandemi vdekjeprurëse.
Qëndrimi islam ndaj pandemisë – ”Për çdo sëmundje që ka zbritur Allahu, Ai ka zbritur edhe ilaçin e saj”. Në mesin e rekomandimeve të OBSH-së për të parandaluar virusin COVID-19, ishte edhe kujdesi ndaj higjenës, gjegjësisht pastrimi i duarve. E vërteta qëndron se: ”Allahu është i pastër dhe i do njerëzit e pastër”. Islami është ndërtua mbi themele të pastërtisë, andaj, ndër objektivat kryesore të Islamit është ruajtja e shëndetit, ngase një parim i tillë përputhet me natyrshmërinë e pastër të njeriut.
Është fakt se Islami ka vlersuar lartë pastërtinë, duke e bërë atë bazë të higjienës, e cila ndihmon për të mënjanuar shumë sëmundje dhe epidemi të ndryshme, gjegjësisht për ta ruajtur shëndetin e njeriut. Praktikisht, ishte pastërtia në Islam ajo çfarë ka bërë të mahnitën të tjerët në Pernëdim. Një prej tyre thotë: “Edhe sikur të mos kishte në Islam asgjë tjetër veç pastërtisë, ajo do t’i mjaftonte”. Se çfarë në fakt është pastërtia në Islam, këtë e pasqyron në vijim thënja profetike: “Pastërtia është gjysma e besimit”.
Fillimisht, duhet kuptuar faktin se njeriu përballet me sfida të shumta e vështirësi të natyrave të ndryshme, duke përfshi këtu edhe sëmundjet deri në nivel pandemie. – Si t’i qasemi një pandemie të tillë nga këndvështrimi islam? Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk ndodh në këtë botë pa ndonjë arsye që ka përcaktuar Allahu. Madje edhe këtë moment të cilin po e përjetojmë me (COVID-19), vetëm se ishte përcaktuar të ndodh kohë më parë. Murtaja-pandemia është një sëmundje ngjitëse e cila përhapet me shpejtësi të madhe, duke shkatuar vdekjen e shumë njerëzve në botë. Andaj, virusi CORONA me këto përmasa të mëdha të pasojave, me të drejtë mund të themi se është një murtajë e vërtetë. Çfarë të bëjmë në rrethana të tilla? – Në një situatë të tillë, veprimet tona duhet të jenë konform rekomandimeve profetike: “Nëse ndëgjoni se ka shpërthyer me një vend murtaja, mos shkoni aty, e nëse ajo ka shpërthyer duke qenë ju aty, mos dilni nga ai vend.”
Dispozitat islame në raport me rrethana të tilla janë më se të qarta. Sa bukur e këshilloi Pejgamberi ? umetin e tij, duke i urdhëruar njerëzit që të ndërmarrin masat më efikase për t’u parandaluar pandemia-murtaja. Nga kjo rezulton se karantina nuk është një shpikje moderne e as shkencore. Karantinimi ishte një prej mekanizmave më efikas në parandalimin e përhapjes së murtajës-pandemisë. Domethënien e vërtetë të karantinës, muslimanët e kanë të njohur 1400 vite më parë. Hadithi në fjalë pasqyron faktin se njeriu nuk duhet t’i humbë shpresat, por të shfrytëzojë të gjithë potencialin e tij pozitiv për t’u përballur me pandeminë.
Të vetëdijshëm për seriozitetin e rrethanave aktuale, Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, duke vlerësuar situatën e krijuar nga pandemia CORONA, mori disa vendime me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Në mesin e tyre ishte edhe pezullimi i namazit të Xhumasë si dhe namazet tjera ditore me xhemat në Xhami. Ishte jashtëzakonisht e dhimbshme mosfalja e namazit të xhumas nga ana e besimtarëve, por ishte urdhëresë nga ana e institucionit përkatës, gjë që duhej përfillur. Rreziku që mund të i kanosej besimtarëve nga pandemia COVID-19, bëri që fat të tillë të kishin edhe tri xhamitë e vendeve të shenjta: Xhamia el-Mesxhid el-Haram, Xhamia el-Mesxhid en-Nebevi dhe Xhamia el-Mesxhid el-Aksa. Fatmirësisht, Qabja e bekuar akoma nuk është boshatisur tërësisht, edhe përkundër faktit se pelegrinazhi në Meke tanimë është ndaluar nga autoritetet e Arabisë Saudite.
Qëndrim i dijetarëve islam është se, në rrethana të përhapjes së pandemisë, lejohet mosfalja e xhumasë dhe namazeve me xhematë, duke e kryer këtë rit fetar në shtepitë e tyre me xhemat bashkë me familjarët e tyre. Mbështetja e muslimanit në Allahun xh.sh. është një test i besimit dhe lidhjes në raport me Krijuesin e tij, veçanarisht në momentet kritike, siç përballemi ne tani me pandeminë COVID-19, “…pra, besimtarët le t’i mbështeten vetëm All-llahut”.
Mbështetja në Allahun në këtë moment kur përhapja e sëmundjes është në rritje e sipër, nënkupton të jesh i kënaqur me caktimin e Allahut xh.sh. E ky fakt më së miri vihet në dukje nga fjalët e Allahut Fuqiplotë: ”Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na ka caktuar Allahu; Ai është ndihmëtar yni, prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët”.
Është parim Islam në raport me COVID-19, të marrim të gjitha masat dhe preventivat me qëllim që të mbrohemi nga prekja me virusin CORONA. Nuk mjaftojnë vetëm masat parandaluese përballë një pandemie të tillë, porse, shikuar nga këndvështrimi fetar ne duhet bëjmë përpjekje maksimale që në rrugët legjitime të hulumtojmë në shërimin dhe mjekimin e sëmundjes-pandemisë. Usame r.a. transmeton: “Kam qenë prezent tek i Dërguari i Allahut ? dhe erdhën disa beduin dhe thanë:”O i Dërguari i Allahut ? a të mjekohemi?” Tha:”Po, mjekohuni o robër të Allahut sepse Allahu i lartësuar nuk ka lënë një sëmundje përveçse ia ka lënë edhe ilaçin e saj, përveçse pleqëria”.
Rrjedhimisht, Islami urdhëron të kujdesemi për shëndetin tonë, duke pasur në vëmendje se është Allahu Ai ”… i Cili, kur sëmurem, më shëron”. Në një rrethanë të tillë, kur muslimani infektohet nga sëmundja pandemike, pas masave për shërim, të bërit durim është gjëja më e mirë. Nga suneti profetik gjejmë lutje specifike për t’u mbrojtur nga dëmi që mund të sjellin: sëmundjet, viruset apo edhe pandemi të ndryshme:” O Allahu im unë kërkoj strehim tek Ti nga elbaras (sëmundja kronike) nga çmenduria, nga lebroza dhe nga çdo sëmundje e keqe”.
Për vlerën dhe rëndësin e madhe që ka durimi në situata të tilla, më së miri flet hadithi profetik: ”Çdo njeri (rob) që gjendet në vendin ku bie murtaja dhe qëndron në vendin tij duke bërë durim, duke kërkuar shpërblim tek Allahu dhe duke e ditur se atë nuk e godet asgjë përveç asaj që Allahu ka caktuar për të, do të ketë të njëjtin shpërblim si ai që bie dëshmor”. Nga kjo thënje profetike rezulton se: nëse njeriu (muslimani) është infektuar nga pandemia- murtaja, bën durim dhe si shkak i sëmundjes vdes, do jetë në radhët e shehidëve. Mbesim me shpresë se pandemia COVID-19, të kalon me pasoja sa më të vogla në shoqërinë tonë kosovare. Dhashtë Zoti që një pandemi e tillë të parandalohet dhe të shërohet edhe në nivel global. Lusim Zotin që sa më shpejt dhe lehtë të kalojë kjo gjendje!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi