Ta presim ramazanin sikur me qenë i fundit

Allahu i Madhërishëm në Kur'anin fisnik urdhëron e thotë:

" O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.
(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.
(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni." (El - Bekare, 183 - 185)
Kur njeriu kryen një punë, ose viziton një vend të caktuar, apo takohet me një person të dashur dhe me këtë rast mendon që nuk do të ketë rastin tjetër, kjo i fuqizon ndjenjat që këtë rast duhet shfrytëzuar sa më mirë ngase nuk përsëritet më. Kur sahabët dëgjonin këshillat e Pejgamberit s.a.v.s. sytë u lotonin, zemrat u dridheshin, thonin: "Sikur kjo është këshilla e fundit, lamtumirëse e cila nuk kthehet më!?" (Tirmidhiu)
Në haxhin lamtumirës, Pejgamberi s.a.v.s. para turmës së mbledhur u drejtoi fjalët e udhëzimet dhe këshillave që ishin përmbledhje e pejgamberisë shumëvjeçare. Një fshehtësi e këshillës së tij drejtuar një një sahabiu ishte: "Kur ngritesh për të falë namazin, fale sikur me qenë i fundit në jetë!" (Ibn-Maxhxheh)
Paramendoni njeriun i cili falet me sinqeritet duke ditur se është namazi i fundit i tij . . ., sa do të mundohet ta kryejë me përkushtim ..., me përulësi..., i sinqertë në lutjet e tija!? Pejgamberi s.a.v.s. na udhëzon dhe këshillon si të lirohemi nga kurtha e transformimit të ibadetit në adet - imitim.
Përse edhe ne nuk përpiqemi që ibadetet tona t'i bëjmë me përkushtim, sikur me qenë të fundit?! Gjithsesi jemi në udhëtim pa fund. Namazet tona nuk janë të vetmit që janë të ekspozuar rrezikut që të transformohen nga ibadeti në adet.
Ramazani është mysafiri ynë më i dashur. Ai do të na fisnikërojë nëse ndaj tij jemi fisnik. Me ardhjen e tij, përjetojmë ardhjen e bereqetit dhe mirësive të panumërta. Ai është mysafir që duhet pritur bukur. Ndoshta dikush prej nesh do ta pret për herë të fundit. Andaj ta gostitim bukur mysafirin e dashur! T'i shfrytëzojmë momentet që t'i kalojmë me te!
Besimtar të nderuar, ejani që bashkarisht të arrijmë ndjenjat të cilat i ka dikush kur me një të dashur ndahet përgjithmonë, ta forcojmë besimin tonë duke kaluar këtë muaj të bekuar në shkallën më të lartë të vëmendjes dhe brengës sikurse me qenë i fundit në jetë duke shpresuar fuqishëm në shpërblimin dhe faljen e Allahut ndaj mëkateve tona të cilat janë të shumta.
Le të përpiqemi që këtë Ramazan, ta studiojmë Kur'anin fisnik duke medituar thellë për versetet e tij.
Përveç ushqimit trupor le të pasurohemi me ushqim shpirtëror.
Le të përpiqemi të bëjmë sa më shumë vepra të mira.
Këtë vit le të përpiqemi që në vetmi të bëjmë llogari me vetveten.
Për çdo vit dëgjojmë për vlerat e mëdha të këtij muaji të bekuar. Mundohu këtë vit që brenga yte kryesore të shfrytëzosh të gjitha begatitë e këtij muaji.
Vlera kulmore e ramazanit arrin në natën e Kadrit. A ke menduar ndoshta viteve të kaluara ke lëshuar rastin e këtyre vlerave? Shfrytëzoje këtë vit që sa më shumë të kalosh në ibadet, dhikër, mirësi, sepse ndoshta nuk do ta përjetosh më këtë!
Bjerë vendim të fuqishëm për fillim të ri me pendim të sinqertë dhe kthim kah Allahu i madhërishëm.
Zot i dashur, na beko në këtë muaj. Na ndihmo të agjërojmë në mënyrë të drejtë dhe na bëj prej atyre që u ke pranuar agjërimin dhe na bëj prej të devotshmëve.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi