Muaji i Ramazanit është cilësuar si muaj me begati të shumta, jo vetëm në rrafshin individual, por edhe në atë shoqëror, dhe jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në aspektet tjera të jetës njerëzore. Në veçanti, Ramazani shquhet si muaj i dijes, edukimit, ngritjes shpirtërore dhe intelektuale dhe i aktivitetit të bujshëm fetar, kulturor, social dhe human, që reflekton në jetën e individëve dhe shoqërive, bile edhe nëse nuk janë të besimit islam, ngase shndërrohen në dukuri shoqërore të njohura, interesante dhe tërheqëse për të gjithë.
Po, realisht, Ramazanit i ka hije të jetë muaj i edukimit dhe ngritjes shpirtërore dhe intelektuale, ngase është muaj i fjalës, librit, mesazhit hyjnor dhe leximit. Në Ramazan, bota njohu dritën e udhës dhe pishtarin e së ardhmes së lumtur, ngase pikërisht në muajin e Ramazanit filloi shpallja e mesazhit të fundit hyjnor për njerëzimin-Kur’anit. Nisur nga kjo, Ramazani u kuptua nga muslimanët edhe si muaj i aktivitetit dhe punës intensive me njerëz, për t’i njoftuar me të vërtetat islame, për t’ua mësuar Islamin dhe për t’ua shpjeguar mesazhet e fjalëve të Krijuesit. Në Ramazan, ndryshe prej muajve tjerë të vitit, për çdo ditë nëpër xhami mbahen ligjërata, që të tregohet se Ramazani është muaj i dijes, ngritjes intelektuale dhe thirrjes në rrugë të Allahut të Madhërishëm.
Megjithatë, krahas këtyre aspekteve të theksuara të Ramazanit, duhet nënvizuar edhe një aspekt tjetër mjaft të rëndësishëm të Ramazanit, atë të përllogaritjes së vetes dhe vetëkorrigjimit nga ana e thirrësve dhe veprimtarëve. Njerëzit janë të prirur që më tepër t’u flasin tjerëve se sa vetvetes, dhe të mendojnë se ata kanë kryer me disa gjëra, dhe se tash, e kanë obligim t’i mësojnë tjerët. Por, në fakt, njeriu çdo herë do të jetë i nevojshëm që së pari, dhe më tepër, t’i flet vetes, ta llogarit veten dhe ta korrigjojë atë. Kështu, Ramazani është muaj i vetëkorrigjimit, vetëllogaritjes dhe vetëpeshimit nga ana e thirrësve dhe veprimtarëve, të cilët për çdo ditë ua mësojnë njerëzve të mirat e fesë. Një konstatim i tillë nuk është tendencioz dhe me qëllim të kritikës ndaj thirrësve, por buron nga vetë praktika pejgamberike dhe ndodhitë e Ramazanit, të cilat paraqesin thesar të madh dhe të pa diskutueshëm, për të gjithë brezat e umetit islam.
Koleksionuesit më të shquar të thënieve dhe traditës profetike, kanë shënuar ngjarje autentike se engjëlli Xhibril, për çdo vit, në muajin e Ramazanit, ka ardhur te i Dërguari i Allahut, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, dhe për çdo natë e ka përsëritur me të Kur’anin, gjegjësisht ato pjesë të Kur’anit të cilat i ka zbritur te Muhamedi, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, deri në atë kohë. Ndërkaq, në vitin në të cilin i Dërguari i Allahut ka ndërruar jetë, engjëlli Xhibril ka ardhur dy herë brenda vitit, dhe dy herë e kanë përsëritur Kur’anin. Kjo do të thotë se përcjellësi i Kur’anit te i Dërguari i Allahut, nga ana e Allahut të Madhërishëm, engjëlli Xhibril, e ka pasur detyrë nga Krijuesi që të vjen në muajin e Ramazanit te Muhamedi, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, dhe siç qëndron në disa transmetime, t’ia ekspozoj atij Kur’anin, si dhe ai vetë e ka dëgjuar Kur’anin prej Muhamedit, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, gjegjësisht ka qenë një bashkëpërsëritje e Kur’anit.
Pikërisht kjo ngjarje nga jeta e të Dërguarit të Allahut, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, na flasin se muaji i Ramazanit ka qenë edhe për të, edhe pse ka qenë i dërguar i fundit të Allahut, muaj i llogarisë, përsëritjes dhe korrigjimit, që qartë na mëson se muslimanët në çdo kohë, në veçanti thirrësit dhe veprimtarët islamë, duhet ta kuptojnë në këtë mënyrë muajin e Ramazanit. Muhamedi, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, është shembulli më i lartë i misionarit islam, dhe kjo ndjenjë e bën atë që ta shndërrojë këtë muaj në muaj të përllogaritjes së vetvetes, veprimeve të tij, korrigjimit të vetvetes dhe rishikimit të strategjisë së veprimit. Është kërkesë imediate për thirrësin që, jo vetëm tjerët t’i thirr ta kuptojnë Ramazanin si muaj të ngritjes shpirtërore dhe kthimit te Krijuesi, ngjitjes në piedestalet më të larta morale dhe llogarisë, por edhe vetë duhet ta kuptojë Ramazanin në këtë mënyrë. Bile, thirrësi është më i nevojshëm që ta llogarisë dhe korrigjojë vetveten dhe strategjinë e veprimit të tij, ngase kështu ka qenë pararendësi i tij i cili merret shembull, i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.
Këtë aspekt të vlefshëm dhe të një rëndësie jetike të Ramazanit, si për misionarët islamë, ashtu edhe për masën e gjerë muslimane, e kuptojmë edhe nga momenti i iftarit dhe nxitja që ka bërë i Dërguari Allahut, paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, që koha e iftarit të shfrytëzohet me lutje, ngase është një moment i veçantë kur lutja ka një vlerë të veçantë. Në fakt, qëndrimi ulur në sofër, në kohën e iftarit, dhe bërja e lutjes, është tregues më i fortë i meditimit dhe analizave të mirëfillta të cilat duhet t’i bëjë misionari dhe veprimtari islam në veçanti, për ta konsoliduar veprimtarinë e vet, dhe për ta korrigjuar strategjinë e punës, për ta peshuar vetveten, dhe për të gjurmuar për favoret dhe mangësitë e personalitetit dhe veprimtarisë së tij. Në fakt, me këtë, Ramazani shndërrohet në një shkollë të vërtetë konsolidimi dhe përmirësimi, me çka ndihmon në mbarëvajtjen e veprimtarive shoqërore, përmirësimin e gjendjes së njerëzve, dhe konsolidimin e shoqërisë. Ramazani, me këtë nuk len gabime të misionarëve dhe veprimtarëve, ofron mundësi për kreativitet dhe përshtatje me kërkesat e kohës në fushën e thirrjes islame.
Në një reze më të gjerë shtrirjeje të Ramazanit, kështu Ramazani duhet kuptuar nga të gjithë faktorët relevantë të shoqërisë, gjegjësisht, të gjithë kanë nevojë për vetëllogaritje, konsolidim dhe vetëkorrigjim, dhe nëse ndodh kjo, vërtet efekti pozitiv do të shihet në çdo sferë të veprimtarisë njerëzore, si: arsimi, shkenca, politika, ekonomia, etj., në veçanti institucionet dhe organizatat islame, të cilat nuk duhet ta harrojnë vetveten, duke u folur tjerëve për Islam. Një korrigjim i vetvetes dhe një përllogaritje e mirëfilltë, do t’i konsolidonte kënaqshëm institucionet tona fetare, të cilat, në bazë të asaj që reflektojnë, nuk janë duke dëshmuar sa duhet se dinë të vetëkorrigjohen.