Një nga shkaqet që ndikon në rritjen dhe përhapjen e racizmit është edhe mendjemadhësia, arroganca edhe krenaria e tepruar.
Mendjemadhësia nuk ka asnjë vend të fenë dhe besimin tonë në All-llahun xh. sh. dhe se është e paimagjinueshme që një cilësi e tillë të gjendet te besimtarët e vërtetë. Kjo cilësi e shëmtuar shpesh bëhet shkak që të refuzohet e vërteta dhe të injorohen mësimet e Zotit.
Mendjemëdhenjtë, arrogantët mendojnë se janë njerëz të veçantë, se në venat e gjakut të tyre rrjedh një tjetër gjak, se janë më të mirë se të tjerët, etj. Këta njerëz, përpara Zotit, kurrë nuk mund të jenë besimtarë të drejtë dhe të vërtetë, po edhe sikur të na habis forma e jashtme e tyre dhe sasia e adhurimit dhe veprave të tyre.
Duke e pasur parasysh gjithë këtë, Llukmani i urtë, e këshillonte djalin e tij që të ketë kujdes nga kjo veti shkatërruese e krenarisë, duke i thënë: “Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet.” (Llukman, 18).
Gjithashtu, Abdullah ibn Mes’udi r.a. na përcjell një hadith nga Muhammedi a.s., i cili ka thënë: “ Ai që në zemrën e tij ka mendjemadhësi qoftë edhe sa një thermi të vogël, nuk do të mund të hyj në xhennet. Dikush nga të pranishmit e pyeti: “O i Dërguari i All-llahut! Ka prej njerëzve që dëshirojnë të duken bukur, pra të vishen mirë. Për këtë Pejgamberi a.s. iu përgjigj: All-llahu është i bukur dhe e do të bukurën. Ndërsa, mendjemadhësi konsiderohet atëherë kur njeriu mohon të vërtetën, kur i konsideron të tjerët më të ulët se sa veten e tij, shikon me përbuzje dhe mospërfillje dhe sillet ashpër me ta.” (Muslimi).
Në një hadith tjetër, Muhammedi a.s. ka thënë: “Tre lloje të njerëzve janë që All-llahu nuk do t’u flet në Ditën e Gjykimit, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë prej mëkateve dhe do të kenë dënim të dhembshëm: Plaku lavir (zinaqar), udhëheqësi gënjeshtar dhe i varfëri mendjemadh”. (Muslim).
Sikur sot njerëzimi t’i lexonte dhe t’i zbatonte këto mësime të arta të fesë sonë, nuk do të kishim urrejtje, ksenofobi, nacionalizëm të dëmshëm dhe racizëm. Le t’ia mbyllim çdo derë racizmit dhe nënvleftësimit të të tjerëve, duke e larguar nga vetja arrogancën, mbivlerësimin e vetvetes dhe mendjemadhësinë.