Në librin e mirënjohur “Shtatë zakonet e njerëzve më efektivë”, si pikë e dytë përmendet: “Filloni prej një fundi të imagjinuar”. Më tej thuhet: “Nëse nuk përpiqeni me vetëdije që të imagjinoni në mënyrë vizuale se kush jeni dhe çfarë dëshironi të arrini në jetë, atëherë ju keni lejuar me automatizëm që rrethanat dhe njerëzit e tjerë t’ju formojnë juve dhe botën tuaj.”
Pra, në përputhje me këtë, ia vlen ta përmendim se izolimi një ditë do të marr fund, njerëzit do t’i kthehen jetës normale dhe rrutinës së jetës, ndërsa jeta do të vazhdojë sikur më parë. Ajo që do ta bëjë dallimin është çështja se si do të dalim dhe çfarë fituam nga e tërë kjo situatë pandemike.
Nga kjo situatë pandemike kanë fituar ata që, gjatë kësaj kohe, arritën të kryenin ndonjë kurs të dobishëm, apo lexuan disa dhjetra libra, apo lexuan Kur’anin fisnik disa herë, sikur ka edhe të tillë që kanë shfrytëzuar kohën për të reflektuar mbi vetveten dhe se kanë gjetur vizionin e tyre mbi jetën dhe botën.
Nga ana tjetër, ka prej njerëzve të tillë që nga kjo kohë e pandemisë nuk arritën të fitojnë atë që përmendëm më lartë, por shikuan me dhjetra filma, të tjerë ndoqën me qindra profile të njerëzve në rrjetet sociale, ndërsa disa të tjerë, sikur asnjëherë më parë, kaluan kohën duke luajtur lojra të ndryshme.
Ajo që na habit është se të gjithë kanë bërë diç dhe të gjithë e kanë shfrytëzuar resursin e njëjtë, pra kohën e lirë, por rezultatet janë të ndryshme.
Rezultatet janë të ndryshme, sepse shfrytëzuesit e këtij resursi janë të ndryshëm dhe dallojnë sipas imanit, inteligjencës dhe synimeve jetësore.
Nëse i shikojmë tekstet fetare, Kur’anin dhe Sunnetin, do të shohim se kohës në përgjithësi, dhe kohës së lirë në veçanti, i kushtojnë vëmendje të rëndësishme, ashtu që në disa sure All-llahu xh.sh. betohet për kohën dhe për disa intervale të caktuara kohore, siç është nata, dita, agimi, mëngjesi, asr-i – koha në përgjithësi, etj.
Fakti që Zoti i botëve betohet për kohën, flet më shumë se çdo gjë tjetër:
“Pasha kohën!” (Asr, 1).
“Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë!” (Lejl, 1)
“Pasha ditën kur ajo shkrepëtin!” (Lejl, 2)
“Pasha agimin, dhe pasha dhjetë netët.” (Fexhr, 1-2).
Kurse Muhammedi a.s. na ka porositur:
“Shumë njerëz nuk i shfrytëzojnë dy të mira: Shëndetin dhe kohën e lirë.” (Buhari).
Po ashtu, ka thënë:
“Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave:
– Rininë, para se të arrijë pleqëria.
– Shëndetin, para se të arrijë sëmundja.
– Pasurinë, para se të vijë varfëria.
– Kohën e lirë, para se të zihet me punë.
– Jetën, para se të vijë vdekja.” (Darimiu).
Dijetari dhe mistiku i njohur, Hasan El-Basriu r.a. ka thënë:
“O biri i Ademit! Ti nuk je asgjë tjetër përveç një grumbuj ditësh. Kur të kalojë një ditë, kalon dhe një pjesë e jotja.”.
Sot, në këtë kohë ku ne jetojmë, është bërë trend të thuhet se “koha është para”. Dhe kush e shfrytëzon kohën siç duhet, ai nuk fiton vetëm para, por fiton edhe shumë më shumë se paraja. Shumë më herët, kur muslimanët ishin aktorë kryesorë në sundimin e botës, e kishin pikërisht këtë moto.
Ja se çfarë na tregon pasardhësi i shokëve të Muhammedit a.s., tabiini i nderuar, Hasan El-Basriu, për kohën e tij: “Kam takuar njerëz të cilët kanë qenë më të kujdesshëm për të ruajtur kohën se që jeni ju për të ruajtur paratë tuaja (dinarin dhe dirhemin).”
Vëllezër e motra, ne jemi ende në fillim të rrugëtimit tonë, kështu që për të vendosur ende nuk është shumë vonë. Të zgjedhim me urtësi vendin tonë dhe të fillojmë duke e imagjinuar një fund të mirë. Të imagjinojmë se pas kalimit të pandemisë do të jemi më të mirë me vetveten dhe me Zotin, si dhe më të përkushtuar dhe me të përparuar me botën.
O njeri, tash është koha! Shfrytëzo kohën dhe fillo me ndryshimin dhe plotësimin e vetvetes dhe të rrethit kur jeton.
05.05.2020, St.Gallen / Zvicër
/islampress.ch/