Alkooli dhe përdorimi i tij si materie “shëruese"

Qysh prej se Allahu i Lartëmadhëruar e bëri të ndaluar konsumimin e pijeve alkoolike në formën përfundimtare, janë hequr që të gjitha dilemat e dijetarëve islamë rreth normës së tij, ngase që të gjithë njëzëri pohojnë se çdo pije dehëse është e ndaluar për konsumim qoftë ajo sasi e madhe apo e vogël.

Ishin ajetet 90-91, të kaptinës El Maide, të cilat kishin zbritur në vtin e pestë pas hixhretit të Muhamedit a.s., në Medine, që ndaluan përfundimisht alkoolin. Në këto ajete Allahu zbriti: "O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)". (El Maide, 90-91). Në këto dy ajete ka disa elemente të qarta e të dukshme, që tregojnë në formë të drejtpërdrejt se alkooli pa asnjë dilemë është i ndaluar për konsum nga myslimanët.
Mirëpo, trajtesa jonë nuk synon diskutimin rreth normës parimore të konsumimit të alkoolit nga myslimanët, sepse kjo në fakt konsiderohet çështje e mbyllur dhe e përfunduar. Por, synon që të bëjë të qartë disa prej problematikave që kanë të bëjnë me përdorimin e alkoolit si "ilaç shërues" dhe në preparatet medikale. Thënë thjesht, synohet të kristalizohet norma e kurimit-mjekimit me anë të alkoolit.

Përdorimi i verës-alkoolit për shërim

Është mjaft ironike të dëgjosh që disa njerëz sot tentojnë që të gjejnë justifikime boshe e irracionale vetëm për t’ia lejuar vetvetes konsumimin e alkoolit, kinse e bëjnë atë vetëm për shërim. Madje shpesh të tillët argumentohen me prononcime edhe të "mjekëve", të cilët iu sugjerojnë pacientëve të tyre konsumimin e ndonjë sasie të vogël të disa llojeve të birrave ose verërave, me pretekstin se kjo ndikon pozitivisht në eliminimin e disa parazitëve bakterial në kanalet e ushqimit e të pijes, tretjes, urinimit ose eventualisht në shërimin dhe shkrirjen e gurëve në veshkë, e tjera të ngjashme.
Përpjekja për të përdorur alkoolin si bar shërues në fakt është e hershme, dhe ishte prezente edhe në kohën e zbritjes së shpalljes. Një rast mjaft ilustrativ nga jeta e Muhamedit a.s., është edhe kur Tarik ibën Suvejd El-Xhufijj e kishte pyetur Muhamedin a.s. për alkoolin-verën, dhe ai ia kishte ndaluar (Tarikut) që ta prodhonte atë. E Tariku i kishte thënë: "Ne këtë e prodhojmë vetëm për shërim, ndërsa i Dërguari a.s., ia ktheu: "Ai nuk është shërues, ai është vetë sëmundja"(1)
Po kështu i drejtpërdrejt ishte edhe Abdullah ibën Mesudi r.a., kur ishte pyetur lidhur me përdorimin e alkoolit për shërim, duke thënë: "Vërtet Allahu nuk ua ka përcaktuar shërimin-ilaçin tuaj në ato gjëra që Ai ua ka ndaluar”.(2)
E një e vërtetë e tillë, që është aprovuar nga burimet sheriatike islame tejet herët, është aprovuar dhe konstatuar po ashtu qysh në fillim të shekullit të kaluar në konferencën e 21-të "Për luftimin e konsumimit të alkoolit" që është mbajtur në Helsinki në vitin 1939, ku ishte thënë se: "Ai mjek që ia përshkruan në terapinë e pacientit të tij, pirjen e ndonjë doze alkooli si ilaç-bari shërues, në fakt i tilli është i prapambetur e naiv në aspektin mjekësor për më shumë se dhjetë vjet".(3)

Mendimet e juristëve islamë rreth përdorimit të alkoolit si bar shërues

Juristët hanefitë, në kontekst të komentimit të haditheve të lartpërmendura, kanë thënë se nuk lejohet që të bëhet shërimi i njeriut me gjëra të ndaluara, e më konkretisht me alkool në parim, me përjashtim nëse konstatohet në formë të prerë e të sigurt, se në përdorimin e tij ka ndonjë dobi, dhe me kusht që të mos gjendet asnjë alternativë tjetër që do ta zëvendësonte alkoolin në efektin e tij "shërues". E një konstatim të tillë, do të mund ta bënte vetë ai mjek që është i besueshëm dhe që ka kredibilitet shkencor në lëmin e tij.(4)
Madje dijetarët islamë janë pajtuar se në parim ndalohet përdorimi i cilitdo produkt alkoolik për shërim, pavarësisht sasinë që do të përdorej për një synim të tillë, nëse për këtë nuk ekziston domosdoshmëria emergjente, e për të cilën nuk ka kurrfarë alternative tietër që do ta zëvendësonte alkoolin. Madje disa prej juristëve maliki, e kanë ndaluar edhe lyerjen e ndonjë pjese të trupit me cilindo produkt të verës-alkoolit.
Këtë mendim ata e arsyetojnë nëpërmes analogjisë-kiasit, duke thënë se edhe ngrënia e mishit të derrit ose pirja e alkoolit nuk lejohet në parim, vetëm se na është lejuar me tekst nëse njeriu frikësohet se do të vdes nga uria e nuk ka diç tjetër për të ngrënë pos tij.
E ndër emrat e shquar të dijetarëve shafiitë që mbështesin afërsisht këtë mendim është edhe El-Izz ibën Abdus-Selam i cili thotë që: "Lejohet të shërohemi edhe me gjëra të ndyta, nëse për këtë ekziston domosdoshmëria e ruajtjes së jetës e shëndetit, por nuk lejohet të shërohemi me alkool, veçse në rast se dëshmohet se ai ka efekt shërues dhe nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër për shërim". Po kështu mendojnë edhe Ibnul-Arabij dhe Kurtubiu nga dijetarët e shkollës juridike malikite.(5)
Ndërsa, mendimi tjetër është përfaqësuar nga shumica dërmuese e dijetarëve të katër shkollave juridike, e që theksojnë se as në rast të domosdoshmërive emergjente nuk do të lejohej që të përdoren materiet alkoolike (është fjala për ato konsumuese), sepse në to nuk ka lënë i Gjithëdijshmi-Allahu asnjë dobi, qysh prej se e ka ndaluar atë për konsumim.
Këtë e mbështesin shumë dijetarë nga të gjitha medhhebet, siç është Muhamed ibën Eb Zehre nga hanefitët, i cili ka thënë që me ndalimin e alkoolit në realitet është mbyllur nga Ligjvënësi çdo mundësi e përfitimit prej tij, qoftë si pije, qoftë si bar shërues e të ngjashme. Pastaj ky mendim në fakt është fuqizuar edhe me hulumtime shkencore bashkëkohore që janë bërë në lëmin e mjekësisë, e të cilat dëshmojnë mos efikasitetin e alkoolit në shërim, siç u theksua edhe më lart.

Alkooli mjekësor i përzier me elemente tjera kimike dhe norma e përdorimit të tij

Nëse u kuptua norma rreth alkoolit konsumues, atëherë është e rrugës që të trajtohet edhe norma e alkoolit, që sot përdorët gjerësisht në fushat e mjekësisë, si në farmaceutikë, ku një pjesë e madhe e barërave në përbërje të tyre kanë edhe alkool medikal.
Alkooli medikal përdorët si materie dezinfektuese e pastruese, pastaj si përbërës efikas në ruajtjen dhe konservimin afatgjatë të barërave të ndryshme. Pos kësaj ai shërben edhe si materie antibakteriale, që përdoret për evitimin e baktereve në kanalet e ushqimit e të tjera.
Këtu në fakt kemi të bëjmë me shndërrimin e alkoolit në materie tjetër, pasi që ai është bashkë dyzuar e përzier me materie tjera.
E rreth këtij lloji të alkoolit kemi mendimin e shumicës së dijetarëve bashkëkohorët e një pjese jo të vogël edhe nga ata klasikë (këtu bëjnë pjesë hanefitët dhe malikitët dhe disa prej hanbelitëve), që theksojnë se lejohet përdorimi i barërave, element përbërës i të cilave është edhe alkooli, pasi që ky i fundit të jetë shkrirë e shndërruar në materie tjetër. Rezervat e veta për këtë çështje i kanë shprehur më tepër dijetarët e shkollës shafiite.
Por, mendimi që sot veprohet gjerësisht në botën islame, është mendimi që e lejon përdorimin e alkoolit si preparat nëpër barëra, përderisa mungon ndonjë alternative tjetër. Dhe për këtë ka marrë vendim edhe" Akademia e Jurisprudencës Islame", në sesionin e tretë të mbajtur në Aman të Jordanisë në tetor të vitit 1986. Madje këtij mendimi i është konstatuar saktësia e tij edhe prej disa simpoziumeve juridiko-mjekësore islame, sikurse ai që është mbajtur në Kuvajt, në maj të vitit 1995 nga "Organizata Islame e Shkencave Mjekësore".
Mendimin e parë që e lejon përdorimin e alkoolit të tillë, ata e kanë mbështetur në faktin se alkooli po të fermentohej-thartohej e të shndërrohej vetvetiu në uthull do të lejohej pa asnjë diskutim, sepse në atë rast do të evitohej arsyeja për të cilën ka qenë e ndërlidhur norma e ndalueshmërisë, e që është dehja ose humbja e vetëdijes. E nëse do të lejohej po të shndërrohej në uthull, atëherë analogjia e shëndoshë na thotë se lejohet edhe kur të shndërrohet në materie tjera si preparate mjekësore.(6)
Ndërsa dijetarët islamë sugjerojnë vazhdimisht që të hulumtohen nga shkencëtarët materie tjera alternative pos alkoolit, e që do të mund të përdoreshin për të njëjtat synime, e me anë të të cilave do të arriheshin të njëjtat efekte dhe rezultate në lëmin e mjekësisë.


______________________
(1) Sahih Muslim (Nr. 1984), dhe Imam Ahmedi në "Musnedin" e tij (Nr. 18862).
(2) Ebi Jusuf El-Kadi, El-Athar ( 1227). Bot. Darul-Kutubul-Ilmijje. Bejrut. Pa vit dhe numër botimi.
(3) Hukmu Et-Tedavi Bil-Muharrem, Abdul-Fet-tah Mahmud Idris ( fq. 66). Bot. i parë. 1993. Kajro. Pa shtëpi botuese fare.
(4) Hashijetu Ibn Abidin- Red-dul-Muhtar alad-Durril-Muh'tar, Ibn Abidin (1210). Bot. i dytë. Darul-Fikr. Bejrut. 1992.
(5) El Fikhul-Islamij Ve Edil-letuhu, Dr. Vehbetu Ez-Zuhejli (42609). Bot. i katërt. Darul-fikr. Damask. 2004.
(6) Fikhul-Kadaja Et-Tibbijjetul-Muasireh, Dr. Alij Kardagij dhe Dr. Alij El-Muhamedijj. Darul-Beshair El-Islamijje. Bot. i katërt. 2011. Bejrut.


Mr. Driton Arifi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip