Fazat e Zhvillimit Ekonomik sipas Ibn Haldunit


Ibn Halduni ka qenë një dijetar i cili ka diskutuar zhvillimin ekonomik nga dimensione të ndryshme, po rëndësi të madhe i ka dhënë drejtësisë në vendimmarrje. Për zhvillimin ekonomik ka përdorur gjuhë dhe shembuj shumë të thjeshtë, në mënyrë që të ishte më i kuptueshëm shpjegimi i tij. Për shumë mendime, ai bazohej në vështrimin e tij që u bënte popullatës dhe udhëheqësve të kohës kur jetoi dhe në shpjegime ekonomike të dijetarëve para tij.


Fazat e zhvillimit ekonomik


Dallimi në mes të njerëzve bëhet kryesisht nga dallimi në mes profesioneve; në këtë dallim buron nevoja për bashkimin e tyre, në mënyrë që të ketë bashkëpunim për sigurimin e një jetese.
Dhe, së pari, para komforit dhe luksit, vijnë profesione që merren me nevojat minimale të jetesës. Prandaj, disa njerëz i përkushtohen bujqësisë dhe mbjelljes, disa kanë tendencë për kafshët - si delet, lopët, dhitë, për bletët, etj., me qëllim që të përdorin prodhimet e tyre. dhe ata që u përkushtohen bujqësisë dhe blegtorisë, detyrohen të dalin në vende të hapura, ku ka hapësirë, e kjo mungon në qytete, pra hapësira për fusha, kullota dhe plantacione. Njerëz të tillë, pra, patjetër duhet të ndjekin një jetë nomade dhe për këtë arsye ata do të bashkohen, të bashkëpunojnë në çështje ekonomike dhe të kenë ushqim, vendbanim dhe strehim vetëm në atë masë, sa t'u përgjigjen nevojave të jetës, pa asnjë bollëk.
Megjithatë standardi i tyre jetësor duhet të rritet, në mënyrë që ata të fillojnë të gëzojnë më shumë se nevojat minimale të jetës, dhe efekti do t'i ngjallë ata: një dëshirë për mbështetje dhe qetësi. Ata, pra do të bashkëpunojnë për të siguruar tepricën, ushqimi dhe veshmbathja e tyre do të rritet në sasi dhe nga përpunimi, e ata do të zgjerojnë shtëpitë e tyre dhe do të planifikojnë mbrojtjen vendbanimeve të tyre. Përmirësimet e mëtejshme të kushteve të tyre, do të çojnë në zakonet e luksit, që rezulton me përmirësime në gatimin dhe përgatitjen e ushqimit, në zgjedhjen e veshjeve nga mëndafshi më i mirë, në ngritjen e pallateve të larta e të kështjellave dhe në mobilimin e tyre luksoz, e kështu me radhë. Në këtë fazë zanatet zhvillohen dhe arrijnë kulmin e tyre. Kështjella dhe pallate të larta janë ndërtuar dhe dekoruar me përkushtim, uji është sjellë në to dhe një larmi e madhe ndodh në mënyrën e veshjes, mobilieve, enëve dhe pajisjeve shtëpiake.
Të tillë janë edhe njerëzit e qytetit ose qytetarët, të cilët fitojnë për jetën e tyre në industri ose tregti. Fitimet e tyre janë më të mëdha se të atyre që punojnë në bujqësi a blegtori, dhe standardi i tyre jetësor është më i lartë, në përputhje me pasurinë e tyre. Që të dyja fazat, edhe ajo nomade edhe ajo urbane, janë të natyrshme dhe të domosdoshme.


Marrëdhëniet ekonomike midis qytetit dhe fshatit


Jeta fshatare është e mëhershme (më e vjetër) se jeta e qytetit; fshati ka qenë origjinë e jetës së qytetit të civilizuar dhe një burim i vazhdueshëm i furnizimit të njerëzve në qytete.
Për njerëzit që kërkojnë nevojat elementare, dhe vetëm më vonë, kur nevojat parësore përmbushen, atëherë vijnë pajisjet dhe luksi. Prandaj, vrazhdësia e jetës së fshatit duhet t'i paraprijë përmirësimit të jetës së qytetit. Për këtë arsye, shohim bashkatdhetarë që marrin jetën urbane si objektiv të tyre, dhe përpiqen për tu stabilizuar në qytete sa më shpejt që të kenë arritur një standard të caktuar të jetesës dhe duke adaptuar disa zakone të tyre. Kjo kishte ndodhur për një kohë në të gjitha fiset nomade.
Qytetarët, nga ana tjetër, nuk brengosen shumë për fshatra, përveç rasteve kur të jenë të detyruar të veprojnë kështu në rrethana të veçanta, ose në qoftë se nuk janë në gjendje për të fituar një jetesë më të mirë në qytet. Kundërshtimi ynë që jeta e fshatit i paraprin jetës qytetare dhe është origjina e saj, është konfirmuar nga fakti se hetimet për prejardhjen e banorëve të çdo qyteti zbulojnë që shumica e tyre origjinën e kanë nga fshatra fqinje e që në qytet paraardhësit e tyre erdhën kur e kishin përmirësuar gjendjen ekonomike. Ne kemi deklaruar se gjendja e civilizimit në fshat është më e ulët se në qytet, sepse jo të gjitha kërkesat mund të gjenden në fshat. Në veçanti, fshati nuk u siguron fermerëve mjete dhe orendi bujqësore, të cilat ata i kërkojnë për kultivim, ndërsa veprimtari artizanale, si rrobaqepësi, zdrukthëtari dhe prodhime të hekurit në fshat mungojnë plotësisht. Në të njëjtën mënyrë vendasve u mungon monedha prej ari dhe argjendi. Megjithatë, ata kanë prodhime nga toka dhe kafshët, si p.sh. qumësht, lesh, lëkurë, etj., të cilat mund t'i këmbejnë me monedha. Duhet vënë re se fshati është për përmbushjen nevojave të qytetit, kurse qyteti për fshatin siguron kërkesat për gjërat luksoze.


Mjeshtëritë a zejet kryesore


Mjeshtëritë e njeriut janë shumë për shkak të numrit të madh të aktiviteteve shoqërore, prandaj nuk mund të numërohen të gjitha. Disa prej tyre janë të nevojshme për shoqërinë ose të ndershme për nga natyra e tyre, dhe ne do të merremi vetëm me këto.
Zanatet e nevojshme janë bujqësia, ndërtimi, rrobaqepësia dhe zdrukthëtaria. Ndërkaq, profesionet e ndershme përfshijnë profesionin e mamive, shkrimin, prodhimin e letrës, këndimin dhe mjekësinë.
Profesioni i mamive është i nevojshëm për shoqërinë dhe ka rëndësi të gjerë, sepse prej tij varet jeta e të porsalindurit, e cila në përgjithësi është e ruajtur, çështja kryesore është përkujdesja për të porsalindurit dhe nënat e tyre.
Mjekësia synon ruajtjen e shëndetit të njeriut, dhe jashtë sëmundjes është një degë e studimit të natyrës; lëndë kryesore është trupi i njeriut. Shkrimi dhe artizanati i tij, prodhimi i letrës ruajnë nevojat e njerëzve nga harresa, të komunikojnë të fshehtat e shpirtit të tyre tek ata që u mungojnë dhe janë larg, për t'i bërë të pavdekshme mendimet dhe njohuritë e njeriut si dhe vënien e tyre në letër. këto tri veprimtari artizanale i çojnë praktikuesit e tyre në praninë e mbretërve të mëdhenj, në dhomat e tyre private apo në dhomat e tyre festive, dhe kështu ata gëzojnë një prestigj që nuk u jepet profesioneve të tjera. Profesione të tjera janë të rangut të dytë dhe kryesisht të përbuzura. Qëndrimi dhe perceptimi i njerëzve ndaj tyre mund të ndryshojnë statusin që gëzojnë në shoqëri dhe vendosin se cilat do të jenë të çmuara dhe të respektuara nga shoqëria.


Pasojat ekonomike të shtypjes


Vendimet përvetësuese nga qeveria me rritjen e taksave mbi fitime dhe prona të njerëzve, rezulton në humbjen e stimulimit për të fituar, kur njerëzit e kuptojnë se ajo që ata kanë grumbulluar, do të merret prej tyre. Humbja e stimulimit do të çojë në një ngadalësim dhe zvogëlim në ndërmarrje; ky ngadalësim bëhet në proporcion me shtrirjen e shkallës së konfiskimit. Kështu, nëse konfiskimi është mjaft i përhapur, që mbulon të gjitha format e aktivitetit ekonomik, do të ketë një ngadalësim të përgjithshëm, për shkak të ndjenjës se nuk ka degë që ofron më asnjë fije shprese për të fituar. Nëse konfiskimi është i butë, do të ketë relativisht vetëm rënie të vogël në aktivitetin ekonomik.
Tani gjendja e shoqërisë dhe prosperiteti i biznesit varet nga intensiteti i përpjekjeve të njeriut dhe kërkimi për të fituar; nëse njerëzit i zvogëlojnë veprimtaritë ekonomike, tregjet do të bien dhe gjendja e shoqërisë përkeqësohet. Njerëzit do ta braktisin atë vend dhe të emigrojnë diku tjetër, në kërkim të fitimit e rezultati do të jetë zvogëlimi i popullsisë dhe braktisja e qyteteve. Dhe ky përkeqësim në shoqëri do të pasohet nga një dobësim i shtetit, i cili shfaqet edhe në shoqëri. Shtypja ose brutaliteti e shkatërron shoqërinë, ndërsa rrënimi i shoqërisë çon në dobësimin dhe shkatërrimin e shtetit.
Kështu, nëse vendi është i madh, i populluar mirë dhe i begatë, shtypja dhe konfiskimi do të çojnë vetëm në një përkeqësim të vogël. Këto gjëra vijnë vetëm gradualisht, dhe ky përkeqësim do të maskohet nga aktivitetet e biznesit të përgjithshëm dhe do të shfaqen vetëm pas disa kohësh. Për më tepër, shteti shtypës mund të zhduket para se vendi të jetë shkatërruar dhe të zëvendësohet me të tjera, të cilat do të riparojnë dëmet e fshehta të shkaktuar nga paraardhësi i tij, kështu që dëmi i shkaktuar nuk vërehet lehtë, po kjo, megjithatë, ndodh shumë rrallë. Prandaj shkatërrimi i shkaktuar në shoqëri nga shtypja dhe konfiskimi, është një fenomen dhe pasojat e dëmshme të tij janë ndjerë nga shtetet.
Në mesin e masave më shtypëse, dhe atyre që dëmtojnë shoqërinë më së shumti, është detyrimi nga subjekti për të kryer punë të obliguar padrejtësisht. Puna është një kapital, shumica e njerëzve nuk kanë asnjë burim të të ardhurave përveç punës së tyre. Prandaj, në qoftë se ata detyrohen të bëjnë punë të tjera përveç asaj që ata mund ta bëjnë, apo i detyrojnë me forcë për të punuar në profesionin e vet, ata do të humbasin frytet e punës së tyre dhe do të jenë të privuar nga pjesa më e madhe, jo në tërësi, nga të ardhurat e tyre.
Ata që i kombinojnë të dyja, pasurinë dhe prestigjin, bëhen të pasur, pa marrë parasysh profesionin e tyre. Kjo është për shkak se një njeri që gëzon prestigj, kënaqet me punën dhe shërbimet e të tjerëve që kërkojnë favorin apo mbrojtjen e tij. Ai pra mund të nxjerrë nga puna e të tjerëve për të arritur dëshirat e tij, qoftë të nevojave apo të luksit, dhe vlera e asaj pune, për pasojë, hyn në të dhe kështu shtohen të ardhurat e tij, duke shfrytëzuar shërbimet e të tjerëve, pa u paguar atyre ndonjë kompensim.
Të ardhurat e atyre që u mungon krejtësisht prestigji, do të përcaktohet vetëm nga shuma e kapitalit të tyre dhe përpjekjet që kanë bërë. Kjo është pozita e shumicës së tregtarëve, dhe kjo është arsyeja pse ata tregtarë që gëzojnë prestigj, janë më të pasur se të tjerët. E njëjta gjë mund të vërehet tek shumë juristë dhe teologë. Pasi të përhapet fama e tyre, masa fillon të besojë se, duke i ndihmuar ata, ky është një akt i këndshëm për Perëndinë, sepse ata u ndihmojnë atyre në punët dhe interesat e kësaj bote, kështu që këta teologë shumë shpejt bëhen të pasur, pa fituar pasuri përveç vlerës nga shërbimet që bëhen për ta nga përcjellësit e tyre. Ne kemi parë shumë të tillë, në qytete, apo fshatra, të cilët rrinë ulur në shtëpitë e tyre dhe akumulojnë pasuri të madhe, sa kohë që të tjerët punojnë për ta.


Popullsia më e madhe krijon pasuri


Në fazat e hershme të shtetit, taksat janë të lehta në numra por vjelin të ardhura të mëdha; në fazat e mëvonshme përqindja e taksave rritet, por mesatarja e të hyrave nga taksat ulet. Kjo ndodh për arsye se, sikur shteti të bazohet në baza fetare, do të ngarkonte vetëm obligimet që janë të parapara me ligjin islam, siç janë kontributet për mirësi dhe ato të detyrueshmet, të parapara me obligueshmërinë e zekatit.
Kudo që taksat dhe obligimet e tjera janë të ulëta, individët privatë janë të inkurajuar për të ndërmarrë aktivitete biznesore, ndërmarrjet zhvillohen, sepse biznesmenët mendojnë se ia vlen të japin një përqindje të vogël të fitimit si taksë për shtetin. Me rritjen e bizneseve numri i taksave rritet dhe të hyrat nga taksat në total rriten për shkak të numrit të madh të bizneseve dhe jo për shkak të rritjes së përqindjes së taksave.
Me rritjen e përqindjes së taksave me qëllim të mbulimit të shpenzimeve të qeverisë, kjo barrë fillon të ndihet te prodhuesit dhe biznesmenët dhe fitimi i tyre fillon të shkojë për pagesë të këtyre taksave. Efekti i rritjes së tyre i dekurajon biznesmenët duke bërë krahasim me përqindjen e fitimit dhe të taksave, kështu që prodhimi fillon të bjerë dhe, së bashku me të, bien edhe të hyrat nga taksat.
Udhëheqësit mund të përpiqen gabimisht që të mbulojnë pjesën e pambuluar të shpenzimeve me anë të rritjes së taksave deri në atë shkallë, saqë shuma e pagesës së taksave dhe shpenzimet e prodhimit nuk lënë asnjë fitim për biznesmenët. Ky proces shkon deri në atë shkallë, sa prodhimi të bjerë në shkallë të madhe, gjë që shkurajon e afekton biznesmenët dhe në shkallë të madhe popullatën. dëmi më i madh i këtij procesi kthehet te shteti.
Nga kjo duhet të kuptojmë se faktori kryesor për të bërë që bizneset të kenë prosperitet, është lehtësimi i taksave në biznese sa më shumë që të jetë e mundur, për të inkurajuar ndërmarrjet dhe për t'u mundësuar atyre që të kenë profit më të madh. Shpërndarja e taksave duhet të bëhet tek të gjithë taksapaguesit në mënyrë sa më të barabartë dhe të drejtë në mënyrë të përgjithshme, pa përjashtuar askënd. Dhe duhet pasur kujdes që të mos ngarkohet askush me ndonjë pagesë, e cila është jashtë kapacitetit të tij për ta paguar.
Dallimi në të ardhura dhe në prosperitetin e tregut në mes të fshatrave dhe qyteteve janë për shkak të dallimit në popullsi. Kjo është për shkak se, ashtu siç është e ditur, një person është në gjendje për të punuar për nevojat e veta, po ai duhet të bashkëpunojë me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Produkti i një bashkëpunimi të tillë do t'i tejkalojë nevojat e grupit. Prandaj, për prodhimin e grurit nuk shohim që secili individ të prodhojë për nevojat e veta, por shohim që një grup bashkëpunojnë në këtë punë, dikush me lëvrimin e tokës, tjetri me mbjellje e tjetri me korrje, secili i specializuar për një veprimtari të veçantë. E njëjta gjë ndodh edhe me farkëtarin apo zdrukthëtarin në përgatitjen e mjeteve dhe punëve të veçanta për prodhim. Rezultati i një pune të tillë është për të prodhuar një sasi që është e mjaftueshme shumë herë më shumë se nevojat e atyre që janë angazhuar në këtë veprimtari.


 


Dituria Islame  255


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë