Fitër-Bajrami dhe rregullat e tij


"Zbukuroni festat (Bajramet) tuaja me tekbire, me tehlile, me falënderime (tahmide) dhe shenjtërime (takdise)!" (Hadith)

Si një mysafir i mirë dhe i dashur që vjen dhe na viziton, na nderon e na begaton me praninë e tij, ashtu është edhe Ramazani, të cilit, për këtë vit, po i themi lamtumirë, po i themi “el-veda”, me ymytin e shpresën e madh tek Allahu xh.sh. që të na ketë pranuar të gjitha ibadetet që i kemi bërë për gjatë këtij muaji dhe të na i falë gabimet dhe gjynahet tona.
Sikurse e kemi thënë edhe herë të tjera, gjatë gjithë muajit të Ramazanit besimtari me agjërimin e tij jo vetëm fizik, por edhe shpirtëror e epshor, ai sikur është më afër melaqeve se sa natyrshmërisë së tij të përhershme. E, kur kalon muaji i Ramazanit, atëherë besimtari përsëri fillon t’i kthehet natyrshmërisë së tij. Këtij kalimi nga njëra gjendje në tjetrën, i ndihmon shumë edhe festa e Bajramit, që është një si urë kalimi mes këtyre dy statuseve të besimtarit dhe e cila, përveç kësaj, mbartë edhe shumë vlera të tjera; ajo është një festë që vjen pas një ibadeti të gjatë, një festë që pason një sukses të madh tonin në raport me Krijuesin tonë...
Sidoqoftë, nesër është ditë feste. Është dita e Fitër-Bajramit, dita kur besimtarët myslimanë gjithandej globit, e edhe në vendin tonë, festojnë. Festojnë të gëzuar, të lumtur, të qetë e me maturi dhe sipas rregullave të fesë së tyre që i ka parapa ajo edhe në raste gëzimi e festimi.
Në të vërtetë, ky Bajram, sikurse i gjithë Ramazani, është më i veçantë dhe më ndryshe se herëve të tjera që nga kur mbahet mend. Kjo sepse, për shkak të rrethanave të krijuara pas përhapjes së pandemisë Covid/19, myslimanët janë të privuar nga disa veprime teknike që ndihmojnë në kryerjen e ibadeteve të tyre, por kjo assesi nuk do të thotë se ne jemi të privuar nga sevapet e atyre ibadeteve. Përkundrazi, në këto rrethana, ne ndjehemi dhe jemi shumë më të përmbushur shpirtërisht, më të devotshëm dhe më të përkushtuar. Fitër Bajramin e sivjetmë nuk do të mund t’ia urojmë njëri tjetrit fizikisht, por urime nga shpirti do t’u shpërndajmë dhe do t’u dërgojmë familjarëve tonë, farefsiti, akrabave dhe miqve tonë gjithandej ku i kemi. Zemra, si asnjëherë më parë, ka për të na qarë për ta pse nuk i kemi afër fizikisht, por urimi ynë do të ketë një kuptim dhe domethënie edhe më të madhe, kurse Allahu, padyshim, se ka për të zbritur mbi ne mëshirën e Tij që kurrë nuk ka munguar.
Këtë vit myslimanët s’do të mund ta falin namazin e Bajramit, që është vaxhib, por ata do ta falin, si gjithmonë, namazin e sabahut që është farz. Këtë vit ne s’do të mund t’i vizitojmë të gjallët tanë, por tek varrezat do të shkojmë dhe të afërmeve tanë që na kanë paraprirë atje, do t’ua këndojmë “Fatihanë”, do të lutemi për ta dhe varret e tyre do t’i rregullojmë. Edhe me myslimanët e tjerë do të solidarizohemi, sikurse kemi bërë gjithmonë, dhe sofrën e tyre, me gjithë këto rrethana, boshë nuk do ta lëmë. Ne edhe do të vishemi, sipas traditës, me teshat tona më të mira, edhe fëmijët tanë do t’i gëzojmë me dhurata e peshqeshe, sepse ne kemi festë, kemi Bajram...
Mundësitë për t’u lutur, për të bërë ibadet dhe për të bërë mirë, Zoti kurrë nuk na i ka mbyllë, sikurse që nuk na i ka ndërprerë as nimetet dhe begatitë e Tija që s’kanë të numëruar.
Prandaj, në këtë ditë të shënuar, në këtë ditë feste, e lusim Allahun xh. sh. që të na i largojë vështirësitë dhe të na nxjerrë nga kjo sprovë që ka goditur botën mbarë. Po ashtu, i bëjmë dua Allahut xh.sh. që bajramet e tjerë t’i presim si është më së miri dhe t’i falim konform kushteve dhe rregullave që ka paraparë feja jonë, disa prej të cilave do t’i shpjegojmë në vazhdim, meqë dispozitat e Sheriatit lidhur me ibadetet kanë vlera të përhershme dhe ato vlejnë për të gjitha kohët.
Mirëpo, para se të hyjmë në shtjellimin e disa elementeve më kryesore që kanë të bëjnë me festën e Bajramit, edhe njëherë e falënderojmë të Madhin Zot që na mundësoi që me aq lehtësi ta kryejmë agjërimin e muajit të Ramazanit. Mësimet, porositë dhe urtësitë që i kemi fituar duke e kryer këtë ibadet kaq të çmueshëm, le të na shërbejnë edhe pas këtij muaji, kurse lutjeve ndaj Zotit mos tu ndalemi asnjë herë.
Në fenë islame, festat kryesore janë Fitër-Bajrami dhe Kurban-Bajrami (në popull më shumë të njohur si Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël).
Në parim, këto festa vijnë pasi që besimtarët të kenë mbaruar me sukses një ibadet madhor. Festa e Fiëtr-Bajramit pason pasi që besimtarët të kenë mbaruar agjërimin e muajit të madhërishëm të Ramazanit. Kurse, festa e Kurban-Bajramit pason pasi që besimtarët ta kenë mbaruar një ibadet tjetër që është, si kundër edhe agjërimi, shtyllë e fesë islame e që është Haxhi. Prandaj, dijetarët me të drejtë kanë konstatuar se myslimanët meritojnë që pasi të kenë zbatuar në praktikë urdhrin e Krijuesit për të agjëruar, tash të gëzohen e të festojnë ashtu siç meriton një festë islame.
Festa e Fitër-Bajramit bie ditën e parë e muajit Shevval sa po të rihet hëna. Duke qenë se festat tona lidhen me muajt hënorë, është e natyrshme se ato bien në çdo stinë të vitit, kështu që na bie t'i shijojmë edhe në verë edhe në dimër, edhe kur është dita më e gjatë edhe kur është më e shkurtë. Studiuesit e vëmendshëm të “Sîres” (Jetëshkrimit) së Resulull-llahit kanë vërejtur se, ndonëse këto janë normuar në vitin e parë të hixhretit, festimi i këtyre dy bajrameve ka filluar të festohet në vitin e dytë pas hixhretit. Bajramin e parë të cilin e ka falë Pejgamberi (a.s.) ka qenë Fitër-Bajrami në vitin e dytë të hixhretit. Asokohe është rregulluar si dispozitë edhe
Sadakatu'l-Fitri.
Nocioni "fitër" origj.??? ????? e ka kuptimin "kthim në natyrshmëri", kthim në regjimin e ushqimit etj. si zakonisht që e kemi gjatë njëmbëdhjetë muajve tjerë. E, meqë kjo ditë është ditë feste, atëherë është e udhës që gajlet, telashet, pikëllimet e të ngjashme duhet lënë anash, kurse gëzimi e hareja duhet të dominojë në ambientet myslimane. Prandaj, Pejgamberi (a. s.) me një rast ka thënë:
"Çdo popull i ka festat e veta, e kjo është festa jonë!"
Kjo në fakt ka qenë traditë e Pejgamberit, në veçanti gjatë periudhës së Medinës, kur ai festat i kalonte në një atmosferë gëzimi e lumturie, madje aq sa argëtimin për këtë festë e kanë konsideruar synet të Pejgamberit (a. s.).
Në të vërtetë, kur Pejgamberi (a. s.) qe vendosur në Medinë, kishte vërejtur se njerëzit aty i festonin dy ditë, e pasi i treguan se ç’ishte ky manifestim, ai, sikurse tregon Enes bin Maliku, tha:
Enes bin Maliku ka thënë: "Në kohën që Pejgamberi erdhi në Medinë, njerëzit argëtoheshin dy ditë. Ai pyeti: Ç'farë janë këto ditë që po festoni? Ata iu përgjigjën se në kohën e injorancës argëtoheshin gjatë atyre dy ditëve. Pas kësaj Pejgamberi deklaroi: "Pa dyshim se Allahu ato festa i ka ndryshuar me dy festa më të mira dhe më të vlefshme, e ato janë: Kurban-Bajrami dhe Fitër-Bajrami!"
Sikurse në çdo ibadet, edhe namazi i Bajrameve, nëse i kuptojmë si përfitim individual dhe shoqëror, atëherë kjo do të na mundësojë dashuri të madhe dhe ndjekje të këtyre vlerave. Prandaj, është me rëndësi që gjatë festave të Bajrameve, të lihen anash ndasitë e përçarjet, hidhërimet e inatet, por të buzëqeshur ta urojmë secilin, t'i dëshirojmë mirësi e begati, shëndet e lumturi.
Feja Islame ka parapëlqyer që festa e Bajramit të festohet me tërë kuptimin e mirë të fjalës, të festojnë besimtarët duke u argëtuar njerëzishëm. E, argëtimet duhet të jenë të tilla që lartësojnë vlerat njerëzore dhe kanë respekt të madh ndaj virtyteve, duke na rikujtuar se edhe argëtimi ka edukatë. Prandaj, festimi i myslimanëve për Bajram është festimi që bëhet edhe bashkërisht edhe me ndërgjegje.
Sigurisht që veçoria më e madhe e mëngjesit të kësaj dite të Fitër-Bajramit është se duaja e atij që i lutet Allahut është e pranuar nga Ai të Cilit i drejtohet me dua.
Duhet të përmendim me këtë rast se besimtarët në ditën e Bajramit duhet të zgjohen me kohë e të shkojnë në xhami ose aty ku organet kompetente kanë vendosur që të falet namazi i Bajramit. Fillimisht duhet falë namazin e sabahut e pastaj, kur të vjen koha edhe atë të Bajramit. Gjithsesi nuk duhet lejuar që të shkojmë deri te xhamia dhe të mos hyjmë brenda, por të rrijmë jashtë si spektatorë. Kjo është e papëlqyeshme.
Këtë ditë duhet që të pastrohemi dhe t’i veshim rrobat më të mira , do të parfumosemi dhe të shkojmë në xhami.
Gjatë rrugës për në xhami sa ma shumë duhet marrë tekbire dhe duke e madhëruar Atë që meriton të madhërohet- Allahun e Gjithëmëshirshëm.
Para se të shkojmë në xhami, ditën e Fitër-Bajramit mirë është që të hajmë ca kokrra hurme (mundësisht tek), kurse për Kurban -Bajram mirë është që të mos hajmë asgjë deri pas faljes së namazit të Bajramit. Kjo vlen për ata që therin kurban. Në fakt, kjo ka qenë praktika e Resulull-llahut, sepse ai para se të shkonte për ta falur namazin e Fitër-Bajramit ëmbëlsohej me ca kokrra hurme (gjithnjë tek) , e me të drejtë është thënë se kjo praktikë më vonë është shndërruar në ëmbëlsira të cilat për këtë festë i përdorin myslimanët gjithandej globit.
Namazi i Fitër-Bajramit
Një prej karakteristikave kryesore të festës së Bajramit është edhe falja e namazit të Bajramit, i cili falët në xhami (më mirë është sikur të falej në namazgjah ose musal-la) :
Namazi i Fitër Bajramit sipas mendimit të Ebu Hanifës (r.a.) është vaxhib-i obligueshëm. Përbëhet prej dy rekateve. Falet ekskluzivisht me xhematë e jo individualisht në shtëpi, e vaxhib e kanë të gjithë ata që e falin namazin e xhumasë. Ky namaz nuk ka as ezan as ikamet.
Në qoftë se rastësisht nuk ke arritur me e falë namazin e Bajramit me imam dhe xhemat, atë nuk mundesh që ta falësh vetëm.
Koha e faljes së namazit të Fitër-Bajramit
Koha e faljes së këtij namazi fillon kur dielli të ngitet në gjatësi të një ose dy shtizave e zgjat deri kur ai është në zeval (në zenit të qiellit), ndonëse në kohën aktuale llogaritet më thjesht: 45 minuta pas lindjes së diellit dhe zgjat deri pak para dreke.
Në qoftë se imami ka pasur një arsye të justifikueshme dhe nuk ka mundur që t’i prij xhematit në namaz, këtë do ta bëjë ditën e dytë të Bajramit, e pas kësaj dite nuk lejohet falja e namazit të Bajramit. Për dallim nga Kurban-Bajrami, i cili lejohet të falët edhe pas ditës së dytë dhe të tretë. Ebu Umejri kishte thënë: Ka qenë vranët aq sa s'kemi mundur që ta shohim hënën e rime të muajit Shevval, kështu që kemi agjëruar. Kah mbarimi i po asaj dite erdhi një grup njerëzish dhe ia treguan Pejgamberit se një ditë më herët e kishin parë hënën, kështu që Pejgamberi i urdhëroi menjëherë që të hanë, kurse të nesërmen të shkojnë për ta falur namazin e Bajramit.
Mënyra e faljes së namazit të Bajramit
Në fillim bëhet nijeti, i cili mund të bëhet kështu: "E vendosa me e falë namazin e Fitër-Bajramit për Zotin e Mëshirshëm, u ktheva kah kibla, iu mbështeta këtij imami", dhe kur imami merr tekbir, edhe xhematlinjët marrin tekbir, duke i ngritur duart te veshët dhe duke thënë “Allahu ekber”.
Në rekatin e parë imami e këndon “Subhaneken”, pastaj tri herë radhazi merr tekbire , duke i ngritur duart deri te laprat e veshëve, e pas herës së tretë i lidh duart mbi bark (nën kërthizë), pastaj me zë e lexon “Fatihanë” dhe një sure (synet është nëse e lexon suren “el- A'la”), për të vazhduar më pas në ruku dhe në sexhde.
Në rekatin e dytë, e lexon “Fatihanë” dhe një sure (synet është nëse e lexon suren “el-Gashije”), pastaj i merr tri tekbire, duke thënë “Allahu ekber” dhe duke i ngritur duar te laprat e veshëve, kurse herën e katërt merr tekbir për të shkuar në ruku, në sexhde dhe në “tehijjat”, dhe në fund jep selam!
Pas faljes së namazit të Bajramit, pason hytbeja, e cila është sikurse ato të xhumasë, mbase duhet të jetë e shkurtë, përmbajtjesore, me këshilla konkrete dhe gjithsesi aktuale. Hytbeja e Bajramit është synet.
Pas mbarimit të hytbes, e udhës është që kjo ceremoni kaq domethënëse, të përfundohet me një dua-lutje përmbajtësore.
Krejt kjo, sepse besimtari i sinqertë dëshiron që gjithmonë të jetë falënderues ndaj Allahut, mirënjohës për të mirat dhe begatitë e dhuruara nga Ai. Besimtari gjithmonë, e në veçanti në këtë ditë feste, dëshiron që të jetë "...falënderues për begatitë e dhuruara...", sepse ai më së shumti kënaqet dhe lumturohet atëherë kur e kryen një obligim karshi Allahut të Gjithëpushtetshëm.
Disa tradita që meritojnë të vazhdohen
Pas kthimit nga xhamia, fillimisht urojmë të afërmit tanë, akrabanë-farefisin, dhe do të afrohemi në sofrën e Bajramit, të cilën për festë e kemi zakonisht më të begatshme, siç thonë nga supa deri në bakllava.
Nëse i vizitoni edhe varrezat, asgjë nuk keni gabuar, përkundrazi keni bërë mirë. Po nëse me atë rast keni lexuar një “Fatiha” ose “Jasin”, keni bërë ku e ku ma mirë.
Keni kujdes edhe këtë: gjatë ditëve të bajramit është i ndaluar agjërimi, sepse këto janë ditë të ushqimit dhe pijeve
Si përfundim
Në përmbyllje të këtij shpjegimi për rregullat e festës së Fitër-Bajramit, e shoh të nevojshme, që lexuesve të nderuar t’ua rikujtojë edhe një njoftim që na e ka bërë më i dashuri ynë-Pejgamberi (a. s.), i cili është besniku i besueshëm, të cilit kurdoherë i kemi besuar ashtu siç na ka rrëfyer: Kjo ditë e bekuar festohet edhe ndërmjet qiellit dhe tokës, me ç'rast marrin pjesë edhe melaqet që zbresin nga lartësia si dhe njerëzit e devotshëm që janë në tokë. Agjëruesit ofrojnë agjërimin e tyre, ndërkaq nga Krijuesi i Gjithëmëshirshëm pranojnë shpërblimet.
Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
"Ditën e Fitër-Bajramit melaqet qëndrojnë në hyrje të rrugëve dhe thërrasin: Nxitoni, o besimtarë, tek Zoti Fisnik, sepse Ai ju ofron mirësi dhe më pastaj edhe ju shpërblen me dhurata. Ju ishit urdhëruar që ta falni namazin e natës (taravitë), dhe ju atë e bëtë; ju ishit të urdhëruar që ditën të agjëroni, dhe ju agjëruat dhe kështu ju e respektuat Zotin tuaj, prandaj merrni shpërblimet tuaja. E, pasi ta falin namazin e Bajramit, një thirrës i fton: Sot, Zoti ju ka falur, prandaj kthehuni në shtëpitë tuaja të kënaqur! Kjo është dita e shpërblimeve. Edhe në qiell emërtohet si Dita e shpërblimeve!"
Përhajr dhe urime Fitër-Bajrami! E gëzofshim përgjithmonë!



Literatura:

- Kur'ani i Madhërishëm, përktheu Prof. Hasan I. Nahi, botim i përkthyesit, Prishtinë, 1988.
- Kur'ani Fisnik, përktheu H. Sherif Ahmeti, botoi: “Kompleksi i Mbretit Fehd për shtypjen e Kur'anit të ndershëm, Medinë, pa v. b.
- Muhammad Fu’ad ‘Abdul-Bâkî, al-Mu’?am al-mufahras li alfâz al-Kurân al-Kerîm”, 1987, Kajro.
- El-Imam Alauddin Ebi Bekr b. Mesud El-Kasani El-Hanefi, “Bedaiu’ s-Sanai’ fi tertibi sh-Sherai’”, botoi “Daru-l-ihjai al-tourath al-arabi”, bot i tretë, 2000 (1421), Bejrut.
- Prof. Muhammed Mustafa Esh-Shelebi, “El-Medhal fit-tarif bil-fikhi-l-islamij”, botoi “Dar an-Nahda al-Arabijje”, 1969, Bejrut.
- Afif Abdyl-Fettah Tabbare, “Ruhud-din el-Islamij” bot. i 10, 1973, botoi “Daru-l-ilm lil melajin”, Bejrut.
- Muhamed Ferid Vexhdi, “El-Islamu fi asri-l-ilm’”, botoi “Daru-l-kitab el-arabij”, 1967, Bejrut.
-Dr. Subhi Es-Salih, “En-Nudhumu-i-Islamijje”, botoi “Daru-l-ilm’ lil melajin”, 1968, Bejrut.
- Dr. Nerkez Smailagic, "Leksikon Islama", bot. Svetlost- Sarajevo, 1990, fq. 679 e tutje.
-Es-Sejid Sabik, Fikhu s-Sunne, bot. i pestë, 1983, Bejrut.
-Ekipi i Studimeve Akademike, Stamboll-Turqi, Udhërrëfyesi i një myslimani (adhurimet), botoi Prizmi- Tiranë, 2010.
Ali Zaimi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri, Ilmihal i zgjeruar, Tiranë, Prishtinë, Shkup, 1918.
-Muhamed A.I. el-Bureni, Çështjet të fikhut sipas Kuduriut, bot. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2002, Prishtinë.
-Grup autorësh të përzgjedhur të "Ez'herit", Hutabu 'l Xhu'ati vel idejni, Dar el mearif në Egjipt, bot. i dytë, Kajro.
. Mustafa Sibai, Dispozitat e agjërimit dhe filozofia e tij në dritën e Kuranit dhe synnetit, Bejrut, 1397.


Artikulli i kaluar
Lamtumira e Ramazanit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi