Ramazanit, muajit të mirësisë vetëm se ka filluar që t'i prishet tenda dhe t’i përfundojnë ditët e tij, andaj është e natyrshme për ne që të pikëllohemi për ndarjen nga ky muaj dhe të na rrjedhin lotët gjatë lamtumirës se tij.

Si mos të pikëllohemi për ndarjen nga ky muaj përderisa ne nuk e dimë se a do të presim tjetrin apo jo?! Si mos të na rrjedhin lotët për ikjen e tij kur ne nuk e dimë a na janë pranuar veprat e mira apo jo dhe a është rritur afërsia te Zoti jonë?! Si mos të pikëllohemi për të, kur ky është muaji i mëshirës, faljes së mëkateve dhe largimit të pengesave nga rruga jonë.
Ramazani po përfundon përderisa në të disa njerëz vepruan punë të mira e disa vepruan punë të liga. Ramazani po përfundon dhe ky do të jetë argument për ne ose argument kundër nesh. Argument për të vendosurin në agjërim, namaz, drejtësi dhe bamirësinë e tij, ndërsa kundër argument për abuzuesin, mohuesin dhe harrestarin.
Ramazani ishte një treg i cili u ngrit dhe tash po përfundon, fitoi në të kush fitoi dhe humbi kush humbi, për Allahun sa njeriu bëri sexhde, sa njeriu bëri dhikër, sa njeriu falënderoi, sa njeriu u përul, e në anën tjetër sa njeriu i kaloi kufijtë, sa bënë mëkate mëkatarët.
Po shkon muaji i Ramazanit, sa të lumtur janë shpirtrat e fitimtarëve, sa jetë të lumtur kanë ata që u janë pranuar veprat ndërsa në anën tjetër sa të poshtëruar janë shpirtrat e mëkatarëve fajtorë dhe sa në gjendje të mjerueshme janë abuzuesit që i tejkaluan kufijtë.
Patjetër duhet që të ndalemi dhe të bëjmë një llogari serioze, të shikojmë se çka i ofruam ne muajit tonë nga veprat? Cilat janë dobitë që ne i përfituam nga ky muaj? Cilat janë gjërat në të cilat kemi ngecur? Kush ishte bamirës le ta falënderoj Allahun dhe le ta shtojë bamirësinë, le të kërkojë nga Allahu përforcim, pranim dhe falje, ndërsa abuzuesit le të pendohen te Krijuesi para ardhjes së momentit te fundit (vdekjes).
Përkujto o agjërues kur ditët e muajit tënd janë duke ikur me shpejtësi e bashkë me to edhe vitet dhe në ikjen tyre me shpejtësi ka mësim për ata që logjikojnë dhe këshillë për ata që e duan këshillën.

Thotë Allahu xh.sh.: ”All-llahu bënë rrotullimin e natës e të ditës dhe në të gjitha këto ka fakte për ata që kanë të pamurit e shëndoshë.” (EN NURE 44)

Në të djeshmen e afërt ne pranonim urime për ardhjen e muajit të Ramazanit dhe i luteshim Allahut që ta përjetojmë këtë muaj, e sot po i japim lamtumirën me keqardhje duke pranuar ngushëllime për ikjen e tij. Sa shpejtë kaluan ditët dhe netët e bashkë me to edhe muajt dhe vitet.
Jeta është një shansë e cila të jepet vetëm një herë ,nëse kjo shansë te ikë dhe kjo gjithsesi do të ikë dhe nuk do të përsëritet pra shfrytëzoji ditët e jetës sa të kesh mundësi para se të ikin ato.
Thotë Omer bin Abdulaziz: “Me të vërtetë dita dhe nata punojnë në ty andaj puno edhe ti në ato dyja”
Abdullah Mesudi thotë: “Nuk jam penduar për asgjë më shumë në jetën time se sa për ditën në të cilën ka perënduar dielli, është shkurtuar jeta ime dhe nuk është shumuar në të puna ime”.
Përkujto çdo herë se fitimi është në fund, andaj bëje fundin e këtij muaji istigfar (kërkim falje), tewbe (pendim) sepse istigafari është përfundimi i punëve te mira.
Për këtë Allahu i thotë të Dërguarit në ditët e fundit të jetës se tij: “Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Kur erdhi ndihma e All-llahut dhe çlirimi (ngadhënjimi), Dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e All-llahut. Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh”. (EN NASR)
Gjithashtu i urdhëroi haxhinjtë që pas kryerjes së veprave dhe obligimeve të haxhit që të kërkojnë falje: “Pastaj zdirgjuni andej kah zdirgjen njerëzit, kërkoni All-llahut falje, se All-llahu fal e është mëshirues.” (EL BEKARE, 199)
Për këtë shkak të parët tanë nga Selefu-Salih (Allahu qofte i kënaqur me ta) janë përpjekur që veprat t'i plotësojnë në mënyrën më të mirë e pas kësaj i kanë kushtuar kujdes pranimit të tyre dhe kanë pasur frikë nga mos pranimi. Sikur që i ka cilësuar Allahu robërit e Tij besimtarë: “Ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, e dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.” (EL MUMINUN, 60)
Ti vëlla agjërues a ke këtë shqetësim (sikur të parët tanë) derisa je duke i dhënë lamtumirën muajit tënd.
Thote Aliu r.a: “Bëhuni të vëmendshëm për pranimin e veprës më shumë se sa për veprën. A nuk e keni dëgjuar fjalën e Allahut xh.sh: “All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve” (EL MAIDE, 27)
Ai çdo herë në natën e fundit të muajit Ramazan ka thirrur: ”O i mjeri unë, kush është ai njeri me fat (qe iu kanë pranuar veprat) ta përgëzojmë dhe kush është ai i pa fat ta ngushëllojmë”.
O ti njeri me fat, urime dhe përgëzime ndërsa ti o i pafat Allahu ta largoftë belanë tënde.

O Allah, për ty është falënderimi që na bëre të mundur pritjen e muajit te Ramazanit. O Allah, prano nga ne agjërimin dhe namazin, na bëj të mundur që përfundimi ynë të jetë i mirë. O Allah, na përmirëso gjendjen tonë nga ndarja me muajin e Ramazanit dhe na përsërit vite të tjera e kohe shumë të gjata dhe beje argument për ne dhe jo argument kundër nesh. O Allah, na bëj nga të liruarit prej zjarrit të Xhehenemit dhe na bëj nga të pranuarit dhe fitimtarët.


Artikulli i kaluar
Sadekatul fitri

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi