Preventivat e fesë Islame për të parandaluar konfliktin bashkëshortor (1)


Jeta bashkëshortore përveçqë është një etapë jete që lumturon çiftin, u mundëson atyre prehje dhe qetësi, shoqërohet me dashuri, bashkëpunimi dhe mirëkuptim.

Po krahas këtyre, ajo sjell dhe batica e zbatica dhe përballje me sfida, të cilat duhen administruar e rregulluar me urtësi e mençuri. Këto ndryshime vijnë si rezultat i ndryshimit të natyrës së qenies njerëzore, atributeve të dy bashkëshortëve, gjendjes psikologjike, emocioneve të tyre të ndikuara nga rrethi dhe gjendja socio-ekonomike dhe nga mjedisi.

Të gjithë këta komponentë sjellin stuhi polemikash, që i tundin erërat në drejtim të fondacionit familjar dhe shtëpisë martesore, që shkaktojnë në anijen e jetës së tyre bashkëshortore gërvishtje apo skandale, që ndryshojnë gjendjen nga thellësia. Prandaj themi që Kurani fisnik inkurajon një jetë të lumtur bashkëshortore, këshillon të dy bashkëshortët që përgjatë gjithë jetës të kenë mirëkuptim, i sugjeron çiftit të kuptojnë detyrat e tyre dhe obligimet e ndërsjella, të ndalen në kufirin e paraparë sipas normave hyjnore, se veprime në kundërshtim me këto, shpien në përshkallëzimin e situatës, që mund t’u shkaktojë kosto të lartë të dy bashkëshortëve. Në raste të rëndomta mosmarrëveshjet dhe konfliktet bashkëshortore rrjedhin si pasojë e injorancës së të drejtës së martesës, apo e mungesës së vetëdijes së objektivave të kurorës dhe dobive të saj, e jo rrallë si pasojë e motiveve të tekave, apo edhe të animit të egos nga padrejtësia e tejkalimi. Prandaj sfidat duhet të përballohen e të sanohen defektet që institucioni familjar t’i sjellë produktet e veta të harmonisë e mëshirës për çiftin. E Kurani sinjalizon që, me gjithë dëshirën e çiftit që të kenë fat të mirë në përzgjedhjen e partnerit, ekziston një kategori njerëzish, edhe burrash edhe grash. që duhen trajtuar në mënyrë të veçantë, prandaj Kurani ka sjellë për secilin çift mekanizma për t’i përmirësuar.

Gruaja e padëgjueshme dhe trajtimi i saj

Feja Islame për të gjitha sëmundjet ka sjellë medikamente që janë tejet të dobishme e shëruese. Si jo, përderisa Allahu xh. sh. është cilësuar i Urtë dhe i Gjithëditur, a thua vallë kush mund ta dijë gjendjen e krijesave të Tij më mirë se Vetë Ai? Askush përveç Tij, pavarësisht nga përpjekje të të tjerëve për të sjellë forma brutale ose që të kenë sjellje despotike. Kurani ka sjellë dy lloj alternativash për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore, si preventiva parandaluese për divorcin, nëse është e mundur. Një: zgjidhje nga brenda prej vetë bashkëshortëve. Dy: zgjidhje nga jashtë me ndihmën e palëve ndërmjetësuese. Alternativa e parë-zgjidhje nga brenda, lidhur me këtë preventivë Allahu xh. sh. në Kuran thotë: ’’Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që Allahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj së fshehtës. Sa u përket grave që druani nga mosbindja dhe sjellja e keqe e tyre, këshillojini, (e nëse kjo s’bën dobi) mos i pranoni në shtrat (e më në fund) rrihni ato (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ato ju binden, atëherë mos i ndëshkoni më, Allahu është më i Larti, më i Madhi’’ (En-Nisaë, 34)
Në shikim të parë, citati në fjalë bën klasifikimin e grave në dy kategori:Një: gra të mira-të devotshme, të cilat janë cilësuar si të respektuara, të dëgjueshme, besnike etj., kategori së cilës i takojnë pjesa dërrmuese e grave myslimane. Dy: gra të rebeluara, kryeneçe, të padëgjueshme dhe jorespektuese ndaj burrave të tyre; kësaj kategorie i takojnë një pjesë nga gratë. Natyrisht që diskursi kuranor njofton për gjendjen e disa grave, të cilat mund të jenë të prekura nga kjo problematikë, e kurrsesi të jenë të gjitha të tilla, ngase në esencë ato janë të devotshme e të dëgjueshme, praktikisht ato e bëjnë jetën të lumtur. Njëherësh përshkrimi kuranor i kësaj gjendje të femrës, vetëm sa e mbivlerëson atë dhe assesi të kuptohet si denigrim i vlerave të saj.(1)
Prandaj diskutimi ynë do të përqendrohet në kategorinë e dytë, meqë për grupin e parë kemi folur më herët.(2)
Duhet ditur që këto preventiva janë bërë si masa parandaluese në rast frike nga mosbindja dhe sjellja e keqe e gruas, që ndodhin herë pas here, e që mund të shfaqet si me fjalë, ashtu edhe me vepra, e nuk lejohet kurrsesi që kjo frikë të jetë vetëm një hamendje a dyshim i pabazuar nga ana e burrit karshi gruas së tij.(3)
Dijetarët islamë çështjen e “Nushuzit-grua jo e bindur dhe me sjellje jo të mira’’ e trajtojnë në mesin e veprave jo të lejuara, për dy arsye:
1-Ngase në të ka mëkat dhe kundërshtim ndaj bindjes së burrit, për se është urdhëruar bashkëshortja fetarisht, kur dihet se kundërshtimi i çdo urdhri prodhon ndalesë. Mu për këtë arsye Imam Dhehebiu nushuzin e ka radhitur në mesin e mëkateve të mëdha.
2-Ngase Allahu xh. sh. ka përgatitur ndëshkim për shkak të kësaj vepre-nushuzit, kuptohet nëse gruaja nuk përmirësohet duke e këshilluar ose duke e larguar nga shtrati. Dihet mirëfilli se ndëshkimi nuk pason
përveçse pas veprimit të ndaluar ose lëshimit të ndonjë urdhri.(4)
Studiues dhe ekspertë të shumtë të kësaj fushe pohojnë se kjo problematikë nga ana e gruas nuk është e rastësishme, mirëpo, përveç anës së brendshme të natyrës së saj, që mund të jetë e trashëguar apo e përfituar, ka edhe indikatorë e rrethana të jashtme që shkaktojnë një gjë të tillë. Po aq sa e ndihmon këtë proces gruaja, mund ta shtyjë më tutje edhe burri me veprimet, dhe sjelljet e tij karshi gruas. Nga arsyet që shkaktojnë nushuzin janë:
-Përzgjedhja euforike e çiftit, në momentin që i riu i jep prioritet vetëm bukurisë dhe pasurisë, duke anashkaluar moralin dhe fenë e palës tjetër, në kohën kur zbulohen intimitetet e tyre, shfaqet dhe karakteri jo i mirë i secilit prej tyre. Prandaj pasuria dhe bukuria bëhen shkak për përbuzje dhe keqtrajtim nga ana e burrit, gjë që ndikon te gruaja që t’i zbehë raportet me burrin, e si rezultat vjen nushuzi.
-Mungesa e perceptimit të natyrës së çiftit bashkëshortor: Kur bashkëshortëve u mungojnë njohuritë për njëri-tjetrin, kur sjelljet e tyre ndaj njëri-tjetrit mund të jenë në kundërshtim me natyrën e tyre, pa mëdyshje kjo sjell nushuzin.
-Mospërshtatja në mes bashkëshortëve: Jurisprudenca islame këtë kriter të rëndësisë së veçantë për çiftet e ka paraparë me kohë, qoftë mospërshtatje sociale, kulturore apo ekonomike. Në mungesë të këtij elementi, jeta bashkëshortore nuk mund të harmonizohet si duhet, prandaj shfaqen përplasje në mes tyre. Nëse ky kriter dominon te gruaja, zakonisht përfundon me nushuz.
-Mosnjohja e të drejtave reciproke të njëri-tjetrit: Injorimi i gruas ndaj të drejtave dhe obligimeve të burrit shpie në moskryerjen e detyrave karshi tij, e këto e dërgojnë gruan në nushuz. Në mënyrë proporcionale edhe burri arrin në të njëjtin përfundim.
-Ndërhyrjet familjare të çifteve: Jo rrallë ndodh që, në emër të përvojave të tyre, të ndërhyjnë familjarët apo të afërm të të dy bashkëshortëve, pa nevojë në jetën private të tyre. Në shumë raste këto sjellin pasoja negative, prej tyre edhe nushuzin.

Metodat e Islamit për përmirësimin e gruas për mosbindje dhe sjellje jo të mirë

Kur bashkëshortja arrin në gjendjen që të mos i bindet bashkëshortit, të kundërshtojë shërbimin për të, të grindet me të, të përkeqësohet gjendja në mes tyre, - Kurani urdhëron bashkëshortin që, para se të mendojë për ndarje-divorc, për të përmirësuar situatën të marrë tri masa parandalimi. Kurani përdor metoda të përshkallëzuara, duke nisur nga më e lehta, më e përballueshmja e tutje. Çdo preventivë e dështuar gruas ia vështirëson gjendjen dhe pengon rrugën për zgjidhjen e problemit, e do të thosha se çdo kartë nga këto tri karta, nëse nuk japin rezultate pozitive, shkurtojnë jetën bashkëshortore. Këto preventiva janë:
1. Këshilla e mirë, duke iu referuar citatit kuranor të sipërtheksuar: “Sa u përket grave që u druheni për mosbindje dhe sjellje të keqe nga ana e tyre, këshilloni, pra, gjithnjë duke përdorur larmi mënyrash e metodash, duke përzgjedhur këshillat më të mira, ura të komunikimit, bashkëbisedim të ngrohtë, duke nisur nga fjalë të urta e të buta, duke i kujtuar gruas dënimin nga Allahu xh. sh. nëse kundërshton respektin ndaj burrit të saj, dhe se Allahu ka urdhëruar të kalojë jetë të mirë me bashkëshortin, se përndryshe do të ballafaqohet më vështirësi gjatë tërë jetës. Përgjatë këshillimit të gruas bashkëshorti duhet të udhëhiqet gjithnjë nga maksima metodologjike që ka shpallur Allahu xh.sh. në Kuran: ’’Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë. (En-Nahl,125).
Ashtu siç kërkohet që burri të jetë i vëmendshëm gjatë këshillës së gruas, praktikisht ta përzgjedhë vendin e duhur-jo në masë dhe as në prani të fëmijëve, por të zgjedhë edhe kohën e duhur-momentin që këshilla të japë rezultate.(5)
Gjithashtu burri i vëmendshëm duhet të mendojë se kjo kartë për përmirësimin e gruas, është më e favorshmja, më e lehta dhe më e sigurta, kështu që, për t’i dhënë hapësirë gruas të përmirësohet vetëm me këtë kartë, burri duhet të përpiqet për përmirësimin e gabimit eventual, duke mos hapur shtigje të panevojshme.
2. Largimi nga shtrati, duke iu referuar ajetit: “Mos i pranoni në shtrat”. Nëse metoda e parë për të përmirësuar gjendjen e gruas- këshilla, nuk ka dhënë rezultat, atëherë shmanguni kontakteve intime me to, duke ua kthyer shpinën në shtrat ose duke ndërprerë edhe bisedat. Përmes këtyre veprimeve burri shpreh revoltën e tij ndaj gruas, veprime të cilat do të ndikojnë që ajo të mendojë për përmirësimin e gjendjes së saj. Këtë metodë e pati përdorur edhe vetë Muhamedi a.s. ndaj disa grave të tij duke u distancuar prej tyre, siç njofton Imam Buhariu në koleksionin e tij/4906.
Sipas mendimit më të saktë të juristëve islamë, largimi nga shtrati nuk ka kufi të caktuar, atë e zbaton burri për aq kohë sa e sheh të arsyeshme; gjithashtu edhe ndërprerja e bisedave me gruan mund të zgjasë derisa të vërehen përmirësimet e saj.(6)
Aplikimi i kësaj metode në këtë mënyrë është më i dobishëm edhe për vetë gruan dhe familjen në tërësi. Në të kundërtën, ajo që vërehet tek disa burra në kohën tonë, që, në shenjë revolte ndaj gruas, braktisin shtëpinë ose e nxjerrin nga shtëpia, duke i tmerruar fëmijët, po një sjellje që i shqetëson dhe fqinjët, për shkak të britmave dhe veprimeve brutale, - tërë kjo nuk i shërben së mirës, vetëm sa shton revoltën ndaj gruas. Këtë veprim e urren natyrshmëria njerëzore, dhe kjo sidomos nuk është metodë islame. Ekspertë myslimanë të kësaj fushe bëjnë të ditur se kjo metodë, pas aplikimit të metodës së parë, të shumtën e rasteve ka qenë e dobishme dhe e suksesshme, ngase gruas, kur i mungon burri në shtrat, praktikisht i mungojnë prehja dhe qetësia, pa të cilat nuk mund të vazhdojë jetën bashkëshortore.(7)
Pas tërë këtyre orvatjeve të mundimshme nga ana e burrit për ta përmirësuar gruan me këshilla dhe duke e larguar gruan nga shtrati, nëse këto nuk tregojnë ndonjë sukses, atëherë konstatojmë se këto janë fakte që tregojnë për sëmundjen e ndjenjave dhe devijimin e natyrës së saj, prandaj duhet filluar zbatimi i terapisë së fundit.


_____________________
1) Muhamed Reshid Rida, tefsirul menar 5/72-77, bot 2, 1947, Kajro, me një ndërhyrje të lehtë.
2) Koment yni.
3) El Hafidh Ibn Kethir, muhtesar tesir elkur’an eladhim, v1, f. 500, bot 1/2003, Kajro.
4) Muhamed bin Ahmed bin Ebi Bekër el Kurtubi, el xhamia li ahkam el kur’an, v. 6, f. 283, bot. 1, 2006, muesesetu err-risale. Dhe: Mu’tesim Abdurrahmen Muhamed Mensur, ahkan mushuz ez-zevxhe fi esheria elislamije, Palesrin 2007.
5) Halid Abdurrahman el Ak, bina el usre el muslime, f. 315, bot. 5, darul mearif 2003, Bejrut.
6) Elhafidh ibn Kethir, muhtesar tefsir elkur’an eladhim-umdetu et-tefsir, v. 1, f. 501, bot 1, 2003, Egjipt. Reshid Rida, tefsir elmenar, v. 5, f. 60. Ibn Abidin. Pashijet kurret ujun elahbar tekmilet red elmuhtar, v. 1, f. 143, dar sadir-Bejrut. Ibn Tejmije, mexhmu elfetava, v. 28, f. 203-207. Bot. 2. Ibën Haxher Ahmed bin Alij el Askalani, fethul bari sherh shih elbuhari, v. 10, f. 608, bot. 1, dar elkutub el. ilmije 1989, Bejrut.
7) Dr. Neval b Abdulaziz elid, hukuk elmer’eti fi dev’ë es-sune en-nebevije, bot. 1, 2006, f. 930-931.



Mr. Sadat Rrustemi