Të medituarit për vdekjen mund të jetë armë e fuqishme e cila na liron nga veset dhe qëndrimet e padëshiruara. Vdekja me siguri na rrit vetëdijen për vlerën e çastit në të cilin jetojmë. Ballafaqimi me vdekjen, në një mënyrë, do të thotë të fillosh procesin e zhvillimit shpirtëror.
Askush prej nesh nuk e di sa kohë na ka mbetur. Për t’u përgatitur për vdekje, me rëndësi vitale është të përkujtohen dy gjëra.
E para, vdekja është e pashmangshme. Secili do të vdesë. Jeta jonë bart numër të kufizuar të frymëmarrjes, minuta, ditë, muaj dhe vite. Duke përkujtuar vdekjen, ne do të duhej të jetojmë më me vetëdije dhe përgjegjësi. Nuk duhet të mashtrohemi se kemi në dispozicion kohë të pakufizuar.
E dyta, askush nuk e di kur do të vdesë, askush nuk e di kur do të trokasë momenti i kalimit të tij. Ndoshta në frymën tjetër, ndoshta shumë vite më vonë; askush nuk e di dhe askush nuk garanton. Shumica prej nesh ballafaqohet me vdekjen, përderisa shumica e punëve dhe planeve tona mbesin të paplotësuara.
Para se të kalonte nga kjo botë, Muhammedi, a. s., iu drejtua sahabëve me këto fjalë: "Po ua lë dy mësues në amanet. Njëri prej tyre flet, ndërsa tjetri hesht. Mësuesi i cili flet është Kur'ani fisnik, ndërsa mësuesi i cili hesht është vdekja".
Por, a thua çfarë bartim me vete në qytetin e vdekjes? Me siguri jo pronat tona, pasurinë e patundshme, fotot që i mbajmë me kujdes.
Do t'i bartim vetëm veprat tona.
Muhammedi, a. s., ka thënë: "Vdisni para se të vdisni!" Domethënë, gjatë jetës ballafaqoheni me atë që ju pret në çastin e vdekjes. Urtësia me të cilën ballafaqohemi në momentin e vdekjes na zbulon vlerën reale të gjërave. Sa do të bëhej jeta e pasur nëse këtë urtësi ta arrinim para çastit të vdekjes!
Një ditë një i varfër hyri në dyqanin e Attarit. Menjëherë vërejti zgjedhje të pasur të ilaçeve dhe aromave. Disa i provoi, e pastaj mori frymë thellë dhe qau. I habitur me këtë, Attari e luti të varfrin ta lëshojë dyqanin e tij.
"Në rregull, zotëri, - tha i varfri, - barra ime është e lehtë; më e lehtë se kjo pelerinë e vjetër që e mbaj mbi vete. Por zemra më dhemb kur të shoh ty, o Attar! Kur të të arrijë ty vdekja, si do t'i bartësh me vete të gjitha këto gjëra të dyqanit tënd?"
Pas këtyre fjalëve, i varfri ra për tokë dhe vdiq. Attarin e tërë kjo aq shumë e tronditi saqë të gjitha gjërat që kishte ua ndau të varfërve dhe u nis në kërkim të njohjes së vërtetë shpirtërore.
Kur meleku i vdekjes erdhi për t'ia marrë shpirtin Ibrahimit, a. s., ai i tha: "A ke parë ndonjëherë që miku ia merr shpirtin mikut?"
Atëherë, Allahu i Madhërishëm i tha: "A ke parë ndonjëherë, o Ibrahim, që miku nuk dëshiron të takohet me mikun e tij?"
Vdekja është urë që bashkon të dashuruarin me të Dashurin.
Njëherë një njeri iu afrua Ebu Derdait dhe i tha: "Dëshiroj të bëhem njeri i mirë, por e kam zemrën e sëmurë. O imam, a ka ilaç për mua?”
"Djali im, - i tha Ebu Derdai, - fal sa më shumë xhenaze, vizito spitalet dhe varrezat, se kjo me siguri do ta shërojë sëmundjen tënde".
Por sikur njerëzit do të ndryshonin duke falur xhenazet, secili hoxhë do të bëhej evlia; sikur vizita e varrezave do t'i sillte njerëzit deri te e Vërteta, secili varrmihës do t'ishte sikur melek; nëse vizita e të sëmurëve në spitale do t'i përmirësonte njerëzit, atëherë mjekët dhe infermieret do të ishin të përsosur.
Djaloshi kishte vepruar sipas udhëzimeve të Ebu Derdait, por zemra edhe më tej i kishte mbetur e errësuar dhe e shqetësuar. Andaj, vendosi përsëri të shkojë te Ebu Derdai për t’u ankuar:
"O imam, e dëgjova këshillën tuaj, por zemra ime ende ka mbetur e ngurtësuar dhe nga këshilla juaj nuk pata kurrfarë dobie".
"Përderisa ke falur xhenazen, - i tha Ebu Derdai, - a ke menduar ndonjëherë që ti qëndron në tabut dhe vetes ia fal xhenazen? A ke menduar se t'i kanë hequr rrobat, të kanë marrë pasurinë dhe pozitën? Gruaja të ka mbetur e vejë, fëmijët jetimë. Të kanë vendosur në varr, pa fuqi... qëndron aty i lidhur, por pa litar dhe zinxhir, i vetmuar, vetëm me veprat tua, se së shpejti do të arrijnë dy melekët për pyetje? Çfarë do të bësh vetëm në këtë shtëpi të errët?"
"Jo, - tha djaloshi, - diç e tillë nuk më ka shkuar ndërmend".
"Nuk do të kesh dobi, duke falur xhenazet, nëse vepron si deri më tani”, - i tha Ebu Derdai.
Imam el Gazaliu këshillon ushtrimin shpirtëror në vijim, që forcon vetëdijen e çmuar për vdekjen:
"Përkujtoni moshatarët tuaj, të cilët
Duke qenë të rinj këtë botë e lëshuan
Mendoni krenarinë dhe lavdin të cilin e përjetuan.
Disa prej tyre në pozita të larta qëndronin
Me fytyra dhe trupa të bukur jetonin.
Por, ja, sot e tëra në pluhur u shndërrua
Nga ata nuk mbeti asgjë për tu kujtuar.
Këtu fëmijët dhe bashkëshortet i lënë
Prej tyre mbeti pluhuri në varrin e gjerë.
Ata shtrihen nën tokë në varret e errësuar
Fytyrat e tyre mbetën pa bukuri të turpëruar
Për këtë, për pasuri mos i lidh mendimet
Tua duke shpresuar
Mos ço jetën kot duke u hutuar
Gjuhët e tyre, që aq bukur kanë ligjëruar,
I hëngrën krimbat dhe dhëmbët i copëtuan.
Më kot ditët e tyre i shpenzuan
Që koha fshin çdo send nuk besuan.
Nuk kanë pritur dhe për vdekje nuk janë kujtuar
Dhe për të më së paku kanë menduar".
Qëllimi i rrugëtimit shpirtëror është njohja e së Vërtetës, e kjo arrihet duke edukuar dhe transformuar nefsin, se vetëm kështu arrihet pastrimi i zemrës. Fjala arabe nefs, mund të përkthehet si frymë, shpirt, ego, un-i, esencë, natyrë, individ, dhe ka të bëjë me procesin i cili lind gjatë prekjes në mes shpirtit dhe trupit. Kur shpirti (rruhi) hyn në trup e humb natyrën e tij të vërtetë dhe bëhet pjesë e botës materiale. Atëherë lind nefsi. Latinisht quhet Id, që do të thotë impuls psikologjik i trashëguar.
Pra, nefsi përfshin egoizmin tonë, lakminë, vetëpëlqimin, krenarinë dhe animin e pafund kah gjërat materiale. Nefsi prodhon vetëdijen e orientuar kah vetvetja, egoja dhe uni i njeriut.
Nefsi vazhdimisht paraqitet në rrjedhat e jetës sonë, por ai nuk është krijesë statike në psikën tonë. Gjendja më e ulët e nefsit, egoja impulsive ose qenia jonë e ulët është e përbërë nga impulset edhe epshet dhe realizimin e kënaqësive të pafund. Këto epshe dominojnë me mendjen dhe gjykimin tonë. Këto fuqi në natyrën e njeriut duhet të frenohen. Pra, nefsi duhet qetësuar, për të dalë në sipërfaqe shpirti (rruhi). Ky është ideal i çdo besimtari të sinqertë. Nefsi i ngjason kalit të egër, është shumë i fuqishëm dhe është gati e pamundur të kontrollohet.
Përse lufta me nefsin? Sikur mos të ishte mendja jonë e ndarë, nuk do të kishte nevojë për këtë luftë. Bile, kur ne jemi të sigurt se diç është e drejtë, nefsi mundohet të na bindë të kundërtën. Madje edhe në rastet kur i shohim qartë gjërat, nefsi na udhëheq kah harresa.
Si vepron nefsi ynë, si ta kuptojmë natyrën e tij dhe si të veprojmë me të, janë çështje me rëndësi thelbësore për procesin e përkujtimit të shpirtit, përkujtimit të pastërtisë së paralashtësisë (ezel).
Nefsi kërkon prej njerëzve t'i respektojnë parimet morale, por ashtu siç ai i shpjegon, ta duam më tepër se çdo gjë. Ai dëshiron që të frikësohemi në të gjitha rrethanat e jetës, ta përqafojmë shpresën në mëshirën e Allahut, xh.sh.
Nefsi kënaqet me lëvdata. Ai gjithnjë e cyt njeriun që të paraqitet i tillë çfarë nuk është, vetëm e vetëm për ta respektuar të tjerët.
Njëra prej veseve të fshehta të nefsit dhe sëmundjeve të tij është dashuria ndaj lëvdatave.
Nefsi është sikurse flaka, si në dashurinë e tij ndaj asaj që është e bukur, por edhe në fshehtësinë e aftësisë së tij që të shkatërrojë.
Edhe pse ngjyra e kësaj flake është tërheqëse, ajo megjithatë përcëllon.
“E pashë nefsin tim, - thotë Huxhviriu, - në formë të miut dhe e pyeta: "Kush je ti?" "Unë jam ai i cili shkatërroj ata të cilët pa vetëdije më pasojnë në të këqija. Unë jam shpëtimtar për miqtë e Zotit. Po të mos isha unë, ata do të krenoheshin me pastërtinë dhe veprat e tyre. Kur ata më njohin në vete, krenaria e tyre menjëherë zhduket".
Kashaniu ka thënë: “Në shumicën e rasteve, paraqitja e jashtme e nefsit ndryshon nga e brendshmja. Nga jashtë, nefsi sillet në atë mënyrë që i lëvdon njerëzit në praninë e tyre, duke aktruar sinqeritet, ndërsa në mungesën e tyre e bën të kundërtën”.
Semnaniu ka thënë: “Nëse pallati mbretëror nuk e ka vendin për hedhurina, nuk është i kompletuar. Në afërsi të pallatit duhet të jetë vendi për mbeturinat që grumbullohen me shumicë. Ngjashëm, kurdo që Krijuesi ynë e bën një zemër me dritën e pastër, Ai krijon në afërsi edhe nefsin e papastër që të shërbejë si kontejner për hedhurina. Kjo pikë e zezë "e paditurisë", fluturon me të njëjtët krahë sikurse diamanti i pastërtisë. Kjo thërrmijë kundërthënëse është e nevojshme si kontrast, në mënyrë që pastërtia të mund të shkëlqejë pranë saj. Shtizës së drejtë medoemos i duhet harku i shtrembër!”
Kur pavoda hap puplat e saj, ajo ndien kënaqësi të veçantë në çdo gjë. Por, sapo hedh vështrimin poshtë në këmbët e saj të shëmtuara, ajo turpërohet. Kjo pikë e zezë e paditurisë është këmba e pavodës, e cila gjithmonë mbetet me ju.
Kashaniu ka thënë: “Nefsi, sado që mundohet t'i ekspozojë virtytet dhe t’i fshehë të këqijat, ato mbesin të fshehura vetëm për shkurtpamësit dhe naivët, e jo për ata që shohin realitetin. Ky i përngjan plakës së moshuar e cila ka veshur petk të shtrenjtë dhe vezullues.”
Nefsi vazhdimisht është i preokupuar me virtytet e atributeve të tij, duke menduar për veten me kënaqësi dhe respekt të thellë. Ai i jep rëndësi edhe sendit më të vogël që e ka bërë për të tjerët, duke përkujtuar me mallëngjim vitet e tij të mirësisë, dhe shkrihet në vetëkënaqësi.
Në anën tjetër, sado që të tjerët t’i kenë bërë të mira, ato atij i duken të parëndësishme dhe i harron shpejt.
Nefsi është përplot dëshira dhe teke, si në fjalë ashtu edhe në vepra. Ai nuk ndalet aspak, por asnjëherë nuk e përfundon atë që ka filluar.
Është i padurueshëm dhe çdo gjë dëshiron ta përfundojë shpejt. Çdo gjë që bën është e pasigurt dhe e përkohshme. Gjithmonë ngutet t'i plotësojë dëshirat e tij. Ai është i ngjashëm me topin i cili lëviz vazhdimisht.
Nëse arrin dhe ka sukses të fitojë atë që dëshiron, përsëri është i pakënaqur. Nefsi nuk ka kurrfarë stabiliteti.
Nefsi është i krijuar në mënyrë të atillë që është e pamundur të lirohesh nga ai pa ndihmën e Allahut të Madhërishëm.
Përderisa nefsi mbizotëron zemrën tuaj, nuk do t'ju lëshojë dashuria ndaj dynjasë.
Nefsi vazhdimisht pengon që të përkujtojmë Allahun e Madhërishëm.
Nëse kultivoni dashuri ndaj nefsit tuaj, asnjëherë nuk do të shpëtoni nga ai.
Ata që kanë vdekur për nefsin e tyre, janë të gjallë te Allahu i Madhërishëm.
Njëra prej mënyrave për ta frenuar nefsin, është të injorosh lakmitë e tij. Por, duhet ditur se nuk mund t'i kundërvihemi dhe ta mbizotërojmë me sulme të drejtpërdrejta.
Përmendja e pandërprerë e Allahut të Madhërishëm shpie dalngadalë deri te transformimi i cilësive të nefsit, në cilësi Hyjnore.
Një gjuetar i kuçedrave njëherë u nis në male për ta gjuajtur kuçedrën. Pas një kërkimi të gjatë, në fund gjeti në një shpellë një trup të ngrirë të kuçedrës. Njeriu e mori trupin e kuçedrës së ngrirë në Bagdad.
Kështu, para të gjithëve, filloi të lavdërohej se e ka mbytur kuçedrën me një goditje.
Me mijëra njerëz vinin për ta parë kuçedrën. Por, nxehtësia e Bagdadit filloi ta shkrijë kuçedrën dhe ajo filloi të lëvizte duke u zgjuar nga gjumi i dimrit. Njerëzit, të tmerruar, zunë të iknin me panik. Kuçedra mbyti shumë veta, e në fund edhe gjuetarin.
Nefsi është kuçedër e egër, gjakpirës, tiran,
Nuk është i vdekur, por i përgjumur.
Ruani kuçedrën tuaj të ngrirë, me vetëdisiplinë.
Mos lejoni që dielli i Bagdadit ta ngrohë
Kuçedra juaj le të jetë në gjumë
Sepse nëse zgjohet, do t'ju gëlltitë!
(Xhelalud-din Rumiu)
Nefsi është sikurse hajni, i cili pa dëgjuar hyn në shtëpinë tuaj, duke vjedhur çdo gjë të vlefshme dhe të dobishme. Nuk mund t'i kundërviheni drejtpërdrejt, sepse nëse e sulmoni, ai të kundërpërgjigjet, mu si pasqyra e cila reflekton tërë forcën e dritës që e drejtoni nga ajo.
Nëse keni armë, edhe ai ka armë; nëse gjuani në të, edhe ai gjuan në ju. Të luftosh kundër tij mund të shkaktosh katastrofë.
E atëherë çfarë duhet bërë?
Nuk kemi rrugëdalje tjetër, përveçse ta ndezim dritën e imanit. Hajni është qyqar dhe sapo ta shohë dritën, vepron jashtë. Por si ndizet drita? Thjeshtë: me praktikimin e përmendjes së Allahut, me vetëdije dhe zgjuarsi.
Çfarë duhet bërë në stade më të gjata?
Të njohësh nefsin dhe shtatë nivelet e tij. Këto janë njëkohësisht edhe shtatë nivelet e zhvillimit shpirtëror, duke filluar nga gjendja e dominimit të tij të plotë dhe egoizmit deri te niveli i pastrimit të plotë.
1. Nefsi i cili urdhëron (nefsi emmare)
Në Kur'anin fisnik thuhet:
"...epshi është shumë nxitës për të keqen..."(1)
Në nivelin e parë nefsi përshkruhet si urdhërues, i cili dominon dhe kontrollon individin.
Në këtë nivel ekziston egoizëm kulmor, pa kurrfarë ndjenje të moralit dhe mëshirës.
Ky nivel i nefsit, përshkruhet ngjashëm me id –in në teorinë psikoanalitike, i lidhur ngushtë me epshe dhe agresivitet. Epshi dhe agresiviteti janë sikurse derri dhe qentë e shpirtit. Kënaqësitë epshore janë sikurse derri, ndërsa agresiviteti i ngjason qenve apo ujqve.
Në këtë nivel nefsi është i ekspozuar tërbimit, lakmisë, epsheve pakufi dhe zilisë.
Në këtë nivel njerëzit sillen sikur i sëmuri, i cili nuk pranon faktin se është i sëmurë. Me veprimet e tyre dominojnë sjelljet shtazarake si dhe veset e liga, të cilat është e pamundur të çrrënjosen.
2. Nefsi i cili pendohet (nefsi levvame) – i cili përmendet në Kur'an:
"Betohen në shpirtin që është shumë qortues".(2)
Përderisa njerëzit në nivelin e parë gjenden në indiferencë të thellë dhe pa vetëdije, në këtë nivel vetëdija fillon të zgjohet kur ndriçohet me dritën e fesë.
Për herë të parë, nefsi bëhet i vetëdijshëm për pasojat shkatërruese të cilësive të këqija të tij. Në këtë nivel ende mbizotërojnë dëshirat e natyrës së ulët, por këtu, kohë pas kohe, fillojmë të ndiejmë pendim dhe mundohemi të pasojmë impulset e natyrës sonë më të lartë. Një dijetar ka thënë:
"Tek ne zhvillohet lufta e përhershme në mes të natyrës sonë të ulët dhe të lartë. Kjo vazhdon tërë jetën. Nuk e dimë kush do të fitojë. Nuk e dimë kush do të bëhet zotërues i jetës sonë. Nëse ngadhënjen mendja, do të bëhemi besimtarë të sinqertë dhe do ta pranojmë të vërtetën. Por, nëse cilësitë e ulëta e mbizotërojnë mendjen tonë, atëherë me siguri do ta hedhim të vërtetën.
Në këtë nivel njeriu ende nuk ka fuqi të mjaftueshme që të ndryshojë mënyrën e jetës së tij. Por, ai tani i vëren qartë gabimet e tij, tek ai zgjohet pendimi dhe dëshira për ndryshim. Ky tani mund të krahasohet me të sëmurin i cili fillon të kuptojë seriozitetin e sëmundjes së tij dhe ndien dhembjen që i ka shkaktuar vetes dhe të tjerëve. Mirëpo, sëmundja e tij ende është e fuqishme për t’u shëruar tërësisht. Për këtë i nevojitet një ilaç shumë më i fortë.
3. Nefsi i frymëzimit (nefsi mulhime)
Në Kur'anin fisnik thuhet:
"Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij".(3)
Në këtë nivel udhëtari në rrugën e vërtetë fillon të ndiejë dhe përjetojë kënaqësi në namaz, meditim, dhe në aktivitetet tjera shpirtërore. Tani përjeton kënaqësi të veçantë të përvojës shpirtërore dhe motivohet me vlerat e larta morale dhe idealet e urtësisë, mirësisë dhe shërbimit. Deri në këtë periudhë besimtari i kupton dhe kryen detyrat fetare në mënyrë sipërfaqësore dhe mekanike.
Edhe pse individi ende nuk është liruar nga të gjitha dëshirat, ai në këtë nivel të frymëzimit dhe përvojës shpirtërore zvogëlon dukshëm fuqinë e nefsit. Nëse frymëzimi nuk përqendrohet në zemër të udhëtarit shpirtëror, ekziston rreziku që kjo të shuhet dhe tërësisht të zhduket.
Nefsi i frymëzuar karakterizohet me dashuri, dhembshuri, mirësi dhe moral. Pra, njeriu në këtë nivel të frymëzimit duket i pjekur në sferën emotive, respekton të tjerët dhe është i respektuar nga të tjerët.
4. Nefsi i qetësuar (nefsi mutmeinne)
Në Kur'anin fisnik thuhet:
"O ti shpirt i bindur plotësisht..."(4)
Udhëtari shpirtëror në këtë periudhë ka arritur gjendjen e qetësisë. E tërë lufta e cila ka qenë imanente në nivelet e mëparshme, praktikisht ndalet. Këtu tani nuk na lidhin dëshirat e vjetra dhe prangat. Natyra jonë e egos fillon të shuhet dhe besimtari fillon t’i afrohet Allahut të Madhërishëm.
Në këtë nivel, udhëtarin shpirtëror e karakterizojnë liria e mendimit, falënderimi dhe besnikëria. Tani ai i pranon me qetësi të mirat dhe të keqen. Nefsi i tij fillon të lirohet nga të gjithat brengat e deritanishme që e kanë penguar në rrugëtim.
Këtu, në këtë nivel, qartazi fuqizohet procesi i reintegrimit në qenien universale të Allahut, xh.sh.
5. Shpirti i kënaqur (radija)
Në Kur'anin fisnik thuhet:
"Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur..."(5)
Në këtë nivel, individi pranon i qetë çdo gjë që i ndodh, në brendi ndien kënaqësi të përhershme, bile edhe në vështirësi dhe peripeci të ndryshme të jetës. Ai tani, në fshehtësinë e zemrës së tij, kupton thellë, se çdo gjë e këndshme apo e pakëndshme vjen nga Allahu i Madhërishëm. Shpirti i kënaqur nuk frikësohet nga dhembjet. Këtë e ilustron bukur tregimi në vijim:
Një ditë Sulltan Mahmudi nga Gazna e ndau kastravecin dhe gjysmën ia dha Ajazit, mikut të tij të sinqertë e të dashur.
Ajazi e mori dhe e hëngri me kënaqësi. Gjysmën tjetër, kur sulltani e futi në gojë, menjëherë e hodhi sepse ishte tejet e athët.
Atëherë u kthye kah Ajazi duke bërtitur: “Si munde të hash diç kaq të athët si helmi?!
“Sulltani im i dashur, - tha Ajazi, - nga ti kam marrë aq shumë begati, andaj kjo që më ofrove është ëmbëlsi.”
Por, kur dashuria dhe falënderimi ndaj Allahut arrin në këtë nivel, ai ka arritur shkallën e shpirtit të kënaqur.
6. Shpirti me të cilin Allahu është i kënaqur (merdijja)
Në Kur'anin fisnik thuhet:
"...dhe ai i kënaqur...."(6)
Ata që arrijnë këtë shkallë, në fshehtësinë e zemrës së tyre kuptojnë se fuqia e cila na lëvizë vjen nga Allahu i Madhërishëm, dhe është e pamundur të veprojmë me forcën tonë. Këta nuk i frikësohen askujt dhe nuk kërkojnë asgjë.
Ibn Arabiu e përshkruan këtë nivel si martesë e brendshme në mes nefsit dhe rruhit. Allahu i Madhërishëm është i kënaqur me këtë njeri dhe ky ka arritur teuhidin e brendshëm.
7. Shpirti i pastruar (Safija)
Ata të pakët që e kanë arritur këtë shkallë, tërësisht e kanë tejkaluar nefsin e tyre.
Nefsi i tyre është zhytur në detin e teuhidit të Allahut. Në këtë nivel besimtari ka arritur të vërtetën e thënies LA ILAHE IL-LALL-LLAH – (Nuk ka Zot, pos Allahut!) Ai tani me tërë qenien e tij e di që nuk ekziston asgjë përveç Allahut të Lartësuar. Vetëm Ai ekziston dhe çdo ndjenjë e individualitetit dhe ndarjes është imagjinatë dhe iluzion.
Rumiu këtë gjendje e pasqyron me këto fjalë:
Nëse, së paku për një çast
Mundohesh nga vetja të lirohesh,
Menjëherë Fshehtësia e të gjitha Fshehtësive
Do të të zbulohet
Fytyra e Panjohur, e fshehur mbi Gjithësi
Do të shfaqet në pasqyrën e shikimit tënd.
1. Jusuf, 53
2. El Kijame, 2
3. Esh Shems, 8
4. El Fexhr, 27
5. El Fexhr, 28
6. El Fexhr, 27
E shkoqitur nga libri "Shkëndija të urtësisë."