Edhe pse kjo botë na ndryshoi të gjithë neve, nuk ia arriti të ndryshojë Ebu Ubejden


Ebu Ubejde ishte tej mase bujar. Mallërat dhe paratë që i fitonte nuk i mbante për vete por ua shpërndante personave në nevojë. Pas vizitës në shtëpinë e tij, Omeri e pa gjendjen e sahabiut dhe kur u kthye në Medine Ebu Ubejdes i dërgoi katër mijë dirhemë argjendi dhe katërqind dinarë ari. Personin që e dërgoi, para se të nisej e urdhëroi duke i thënë:
-Thuaji Ebu Ubejdes që këto ia kam dërguar për të plotësuar nevojat e tij. Pasi ti’a dorëzosh largohu nga shtëpia e tij dhe fshehu dikund. Ndiqe atë se ç’do të bëjë me arin dhe argjendin.
Nënpunësi mori arin dhe argjendin dhe u nis. Sapo arriti në Damask, me urdhër të halifit menjëherë shkoi tek Ebu Ubejde. Pasi u prezantua, ia dorëzoi qeset e mbushura me ar dhe argjend dhe i tha:
-Këto Omeri ti ka dërguar ty!
Ebu Ubejde i ofroi ushqim atij dhe i ofroi që atë natë të ishte mysafir i tij.
-Nëse më lejoni dua të qëndroj në pushimoren e mysafirëve, i tha njeriu dhe u largua nga shtëpia e tij.
Personi që Omeri kishte dërguar doli jashtë, kaloi në një vend të sigurtë dhe filloi të vështrojë shtëpinë e Ebu Ubejdes.
Sahabiu mori dinarët dhe dirhemët, por nuk i mbajti në shtëpi as një ditë të vetme. Hapi qeset, ndau vetëm disa dinarë dhe dirhemë, dhe të tjerat i nxori nga qesja. Pas namazit të akshamit i futi ato në shportë dhe doli jashtë shkoi nëpër shtëpitë e nevojtarëve dhe ua ndau atyre.
Personi i angazhuar nga halifi e ndoqi Ebu Ubejden hap pas hapi dhe shënoi çdo veprim të tij. Pastaj u kthye në Medine dhe i tregoi gjithçka halifit. Halifi i prekur nuk i mbajti dot lotët dhe filloi të qajë. Më pas e shprehu gëzimin e tij duke thënë:
-Edhe pse kjo botë na ndryshoi të gjithë neve, nuk ia arriti të ndryshojë Ebu Ubejden. Falenderimi i takon Allahut që në mesin e muslimanëve ka ende kështu njerëz të vlefshëm.



Hasan Baftijari


Artikulli i kaluar
Lutja e plakës
Artikulli radhës
Hiqe qafe gjarprin tënd!