Në kujtim të gjenocidit në Srebrenicë


Vetë përmendja e fjalës Srebrenicë dhe 11 korrik, ku janë vrarë 8372 njerëz në një vend, shkakton hidhërim, trishtim, traumë, imazhe të vrasjeve masive, përdhunime, spastrime etnike, varre masive, një det të gjerë tabutësh, nënash të përvajtuara, gra dhe fëmijë të vegjël. Çdo vit në të njëjtën ditë, 11 korrik, "Plaga e Srebrenicës" rihapet dhe të njëjtat ndjenja pushtojnë mendjet e trupin dhe janë edhe më të forta, nga viti në vit.

Koncepti i gjenocidit dhe “Srebrenica”

Në verën e vitit 1995 ndodhi gjenocidi në Srebrenicë. Po, gjenocid, sepse kjo ngjarje përmban të gjithë elementët e nevojshëm të përkufizimit ndërkombëtar të gjenocidit.
Gjenocid (genos = fis, gjeneratë, popull + occidere = të vrasësh) është metoda më ekstreme - më drastike për nga ashpërsia, shpesh më e egër dhe më shkatërruese për nga pasojat të diskriminimit racor. Kjo "mbytje njerëzore" (d.m.th., "krimi i gjenocidit") është, ekstremi më i rëndë i "krimeve kundër njerëzimit" që synon shfarosjen dhe shkatërrimin e grupeve të tëra racore, etnike, kombëtare, fetare dhe grupeve të tjera. Së bashku me çrrënjosjen biologjike të viktimës së grupit, fshihen edhe gjurmët e njohura të kulturës së saj materiale dhe shpirtërore të quajtur si “kulturocid”.
Ky gjenocid është planifikuar në nivelet më të larta politike dhe ushtarake të qeverisë së atëhershme, të cilët kishin mbështetjen e institucioneve fetare dhe të udhëheqësve, dhe të gjitha materialet, mediat, burimet njerëzore, ushtarake dhe burimet e tjera u mobilizuan për ta realizuar atë.
Megjithatë, përkundër gjithçkaje që është bërë, gjenocidi i kryer mohohet në të gjitha mënyrat e mundshme. Nuk dëshirohet që të miratohet rezoluta që njeh dhe dënon gjenocidin, madje kundërshtohen vendet e tjera që e kanë miratuar rezolutën e tillë, siç kanë bërë shumë shtete, e së fundmi edhe Mali i Zi dhe Kosova.
Ata duan të shënojnë gjenocidin në Srebrenicë si një fitore kombëtare! Ata që e konceptuan gjenocidin në mendjet e tyre të sëmura dhe autorët e krimit konsiderohen heronj kombëtar! Kujdesen për familjet e tyre nga buxheti i financuar nga shteti, dhe kur të kthehen nga "robëria" i mirëpresin ata si heronj! Kjo, sigurisht, nuk është rruga që çon drejt drejtësisë dhe pajtimit.

Ndëshkimi i dynjasë dhe i ahiretit

Ne si myslimanë kemi bindjen se vrasja, gjenocidi, padrejtësia, krimet e luftës, përdhunimet dhe të ngjashme nuk janë vepra të hijshme ose të pranueshme dhe se Zoti gjithësisë nuk i do vepra të tilla dhe i urren ato. Ne besojmë se autorët e saj do të dënohen në dynja por edhe në ahiret.
Kriminelët, autorët e gjenocidit sigurisht që nuk do ta pranojnë këtë mënyrë të menduarit apo madje do të tallen, por ky është një fakt që nuk mund të hidhet poshtë dhe një nga provat më të qarta dhe më të pranueshme nga të gjitha anët është realiteti ynë në të cilin jetojmë.
Allahu i Lartësuar thotë: “E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur). Ata të ngutur e duke u ngritur kokat e tyre lart, nuk lëvizin sytë e tyre (për të shikuar), e zemrat e tyre janë të zbrazura (nga frika). ” (Ibrahim, 42-43)
Dhe thotë i Plotfuqishmi: “Kurrsesi mos mendo se janë të pathyeshëm në këtë jetë ata që nuk besuan. Vendi i tyre është zjarri e sa përfundim i keq është ai!” (Nur, 57)
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Në të vërtetë, Allahu i Lartësuar i jep kohë (i vonon, i shtyn) zullumqarit (jobesimtarit), dhe kur ta kapë, nuk do ta lerë të shpëtojë. Ai thotë: "Ja, kështu ndëshkon Zoti yt kur i ndëshkon fshatrat dhe qytetet që kanë bërë dhunë. Dënimi i tij është vërtet i dhimbshëm dhe i tmerrshëm.“ (Tirmidhiu). Po ashtu, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., tha se Allahu ka thënë: “Kushdo që është armik i të dashurit (mbrojtësit) Tim, me të vërtetë unë i kam shpallur luftë atij!” (Buhariu). Pra, kush mund ta mposhtë Allahun në luftë?! E, nëse këta kriminelë, vrasës, tiranë, përdhunues shpëtojnë nga ndëshkimi i kësaj bote, çfarë do t'i thonë Zotit të gjithësisë kur të sillen para Tij dhe kur askush nuk do të jetë në gjendje t'i mbrojë ose t'i ndihmojë ata.
Thotë Allahu xh.sh., në Kuran: “Ne ua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për një dënim të afërt, në ditën kur njeriu (besimtar) shikon se çka i kanë sjellë duart e veta, e jobesimtari thotë: "Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhé!” (Neb'e, 40.) Atëherë (në Ditën e Gjykimit) jobesimtari do të dojë që ai ishte në këtë botë dhé, të mos jetë krijuar fare dhe të mos kishte jetuar fare në dynja. Ata do të lidhen në zinxhirë pasi që i kishin lidhur srebrenicasit me tela: “E kurrsesi mos mendo se Allahu e shkelë premtimin e vet që ua dha të dërguarve të Tij. Allahu është triumfues që ndërmerr masa ndëshkuese. Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues. E idhujtarët atë ditë i sheh të lidhur në pranga. Petkat e tyre janë nga katrani, kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri. Për ta shpërblyer Allahu secilin njeri me atë që e fitoi. Vërtet, Allahu është llogaritar i shpejtë. “ (Ibrahim, 47-51)
Gjithashtu, i Plotfuqishmi thotë në Kuran: “Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të xhehenemit. Atyre as nuk u lehtësohet (vuajtja) dhe aty janë të dëshpëruar. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë horra. Dhe ata thërrasin: "O Malik, le të na e marrë shpirtin Zoti yt!" Ai thotë: "Ju do të jeni aty përgjithmonë!” (Zuhruf, 77)
Dhe thotë i Madhërishmi: “Dhe thonë: "Zoti ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tanë dhe të parët tanë, por ata na shmangën nga rruga e drejtë". Zoti ynë, jepu atyre dënim të dyfishtë dhe mallkoi ata si është më së keqi!” (Ahzab, 67-68)

O Allah i dashur, ki mëshirë për viktimat e Srebrenicës dhe viktimat e tjera të vëllezërve dhe motrave tona që u ekzekutuan tmerrshëm në luftën e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ki mëshirë edhe për viktimat e masakrave dhe krimeve kundër njerëzve të pafajshëm këtu në Kosovë, na bëj që të kthjellemi dhe të nxjerrim mësime dhe të mos harrojmë të kaluarën tonë të hidhur, e cila, për fat të keq, u përsërit disa herë në këto trevat tonë, duke iu lutur Zotit që të mos përsëritet më kurrë dhe ndaj askujt, këtu e në mbarë botën! Amin


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi