Kur profesori përfundoi ligjëratën, si rëndom tha: - a ka pyetje?
Një student ngriti dorën: - Profesor, cili është qëllimi i jetës?
Studentët tjerë filluan ta përqeshnin në këtë pyetje. Pasi u mendua pak, profesori tha:
- Do të përgjigjem.
Mori nga xhepi portofolin dhe nga ai nxori një copëz të pasqyrës dhe filloi tregimin e tij:
- Isha fëmijë gjatë luftës. Një ditë, në rrugë vërejta copëza të një pasqyre që dikush e kishte thyer. Meqë nuk kisha lodra, e mora copëzën e pasqyrës dhe fillova të luaja me të. Duke luajtur, së shpejti kuptova që me anë të kësaj copëze mund ta drejtoja dritën e diellit në vende dhe kënde ku dielli asnjëherë nuk mund të depërtonte: në gropat e thella, hapësirat e errëta, në anët e veriut të ndërtesave. Kur u rrita dhe u bëra burrë, kuptova që ajo copëz nuk ishte vetëm lojë, por metaforë e asaj që mund të bëja gjatë jetës. Kuptova se edhe unë mund të jem një pjesë e një pasqyre të cilën nuk e njoh në tërësi në madhësinë e saj të vërtetë. Por, me atë që kam dhe mendoj që jam, mund të sjell së paku pak dritë të vërtetës, kuptimit, mirësisë dhe butësisë në këndet e errëta dhe të fshehta të zemrës dhe ndoshta të ndryshoj diçka tek njeriu, zemra e të cilit është e errët dhe e ftohtë.
Nëse njerëzit e tjerë e vërejnë dhe e kuptojnë këtë, ndoshta do të përpiqen që njësoj të sjellin dritë aty ku nuk ka.
Ja, ky për mua është kuptimi i jetës dhe për këtë ende e ruaj copëzën e pasqyrës në portofol.
Kurdo që e hap portofolin dhe të hollat, më përkujtojnë në dashurinë ndaj pasurisë materiale, e shoh edhe copëzën e pasqyrës e cila më kujton kuptimin e jetës, të cilin të hollat shumë shpesh e fshehin.
"Njerëzit më të mirë janë ata që u shërbejnë (më së shumti) njerëzve." (Hadith)
Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi