Është obligim fetar respektimi i atyre rregulloreve që nuk shkelin dispozitat e ligjit islam, ngase kjo është një çështje e bindjes ndaj sundimtarit në procedurat që ai organizon, bazuar në argumentin e interesit të përgjithshëm.
Obligueshmëria e ndjekjes së rregulloreve, ligjeve dhe edukatës
Është obligim ndjekja e rregulloreve, ligjeve dhe edukatave që janë të vendosura sipas kohës në të cilën jetojmë, pasi që rrugët në historinë e tyre kanë një zhvillim sipas makinerisë së përdorur në to.
Kështu që rrugët në të cilat tërhiqen gomarët dhe mushkat ndryshojnë nga rrugët në të cilat voziten makinat, ashtu siç ndryshojnë rrugët e makinave nga rrugët e trenave, e kështu me radhë. Për këtë ekziston një edukatë e përbashkët ndërmjet epokave dhe ka zhvillime të reja që i përshtaten kohës dhe vendit.
Për këtë aspekt, Kurani fisnik nuk ka folur në detaje, por atë ia ka referuar mendjeve dhe zakoneve të njerëzve, ndërsa ne sot përballemi me rrugët e shumta dhe me rrezikun e makinës së përdorur. Të gjithë njerëzit e mençur kanë rënë dakord në gjetjen e rregullave që ruajnë jetët e njeriut, pasuritë dhe nderin e tyre, pavarësisht nëse këto rregulla kanë të bëjnë me makinat, apo me personin që ecën ose pasagjerin, me vozitësin e makinës, apo edhe me vetë rrugën.
Këto rregulla bashkëkohore të trafikut janë të vendosura nga ekspertët e fushave të rrugëve dhe të trafikut, të cilët i kanë të njohura kushtet e sigurisë së trafikut, organizativisht, financiarisht, teknikisht, fizikisht dhe psikologjikisht. Në këtë fushë gjejmë se Zoti i Madhëruar urdhëron që t'u drejtohemi njerëzve me përvojë dhe njohuri, si dhe t'u përmbahemi mendimit të tyre. Ai thotë: "Ju pyetni pra njerëzit e dijshëm nëse ju nuk e dini.”(1)
Ajo që ne e shohim në këtë ajet, janë çështjet e përgjithshme dhe se nuk kufizohen vetëm në pyetjet që kanë të bëjnë me fenë.
Këshilli i Jurisprudencës Islame, në vitin 1414h-1993m, e ka miratuar sistemin bashkëkohor të trafikut, duke vendosur:
Është obligim fetar respektimi i atyre rregulloreve që nuk shkelin dispozitat e ligjit islam, ngase kjo është një çështje e bindjes ndaj sundimtarit në procedurat që ai organizon, bazuar në argumentin e interesit të përgjithshëm. Këto rregullore duhet të përfshijnë vendimet e sheriatit të cilat nuk janë zbatuar në këtë fushë;
Gjithashtu, interesi kërkon miratimin e të gjitha llojeve të rregulloreve penguese (parandaluese), prej tyre: ndëshkimin financiar për ata që i shkelin këto rregullore të trafikut, në mënyrë që të parandalohen ata që rrezikojnë sigurinë e njerëzve në rrugë dhe tregje nga pronarët e automjeteve dhe mjeteve të tjera të transportit.(2)
Vendosja e ndëshkimeve për njerëzit që bëjnë shkatërrime në rruge
Një nga nderimet e Zotit për njeriun është se Ai në Librin e Tij dhe në fjalët e të Dërguarit të Tij e ka ligjësuar atë që e ruan jetën dhe pasurinë e njeriut, ndërsa prekjen e tyre në çfarëdo forme e ka bërë krim që meriton dënim në Ahiret dhe dëmshpërblim në këtë botë, ngase në Islam nuk ka gjak apo pasuri që shkon kot. Zoti i Madhërishëm ka thënë: "Kush e mbytë një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh."(3)
Pastaj ajeti tjetër: "E kush e mbytë gabimisht një besimtar, ai është i obliguar ta lirojë një rob besimtar dhe shpagimin (e gjakut) t'ia dorëzojë familjes së tij, përpos në qoftë se ia falin (familja gjakun)."(4)
Prandaj ruajtja e jetës dhe e pasurisë janë dy prej pesë objektivave të domosdoshme, të cilat Islami ia garantoi njeriut dhe e mbrojti atë nga çdo agresion. Dëmtimi i të tjerëve në vetveten dhe në pasuritë e tyre është i ndalur dhe i dëmshpërblyer, e kjo është bazë në tekstet e Kuranit dhe të Sunetit.
Sa i përket Kuranit fisnik, dëshmia më e qartë me të cilën dëshmohet për dëmshpërblimin e pasurisë është thënia e të Plotfuqishmit: "(Kujto) Davudin e Sulejmanin kur pleqëronin për çështjen e bimës (mbjelljes) të cilën delet e atij populli e kishin kullotur natën, e Ne ishim përcjellës të gjykimit të tyre. E Sulejmanit Ne ia mësuam atë (përgjigjen e saktë), po secilit (prej tyre) u patëm dhënë urtësi e dije."(5)
Transmetohet nga Ibën Mesudi r.a., se bimët e përmendura në këtë ajet kanë qenë vreshta që kishin çelur sythin dhe delet i kishin dëmtuar ato. Davudi a.s., kishte gjykuar që delet t'i jepen pronarit të vreshtave,(6) kurse Sulejmani a.s., tha që vreshtat t'i jepen pronarit të deleve dhe të punojë në to derisa të kthehen ashtu siç kanë qenë, ndërsa delet t'i jepen pronarit të vreshtave që të marrë nga dobitë e tyre, e kur vreshtat të kthehen ashtu siç kanë qenë, atëherë vreshtat t'i jepen pronarit të tyre dhe delet t'i jepen pronarit të tyre.(7)
Cilido qoftë mendimi i dijetarëve në lidhje me interpretimin e dispozitës, se a ka qenë shpallje nga Zoti dhe se gjykimi i Sulejmanit ka qenë shfuqizim i gjykimit të babait të tij, apo se ai ka qenë me ixhtihadin e tyre, apo se ia kanë qëlluar secili prej tyre në atë që kanë gjykuar, apo se dispozita e tyre është shfuqizuar në sheriatin tonë apo jo, ajo që na intereson është se ajeti kuranor konfirmon këtë bazë ligjore, e që është obligimi i dëmshpërblimit të dëmit që i është shkaktuar tjetrit. Ani pse metoda e lartpërmendur është e shfuqizuar në sheriatin tonë, ne mund ta marrim nga ky parim një rregull, prej të cilit themi se ai që i shkakton dëm personit tjetër, ai ia dëmshpërblen dëmin. Për këtë, Ibën el Arabiu, pas një fjale të gjatë, në lidhje me ajetin thotë: "Në këtë nuk ka mospajtim nga ajo që u transmetua nga pejgamberët e mëparshëm, në lidhje me parimin e dëmshpërblimit, por mospajtimi është në formën e tij."(8)
Sa i përket sunetit të Pejgamberit a.s., nga hadithet më të qarta që janë transmetuar nga ai, në këtë kuptim është hadithi, që e transmeton Ibën Abasi r.a. dhe Ebu Seid el Hudriu r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë:
"Nuk e dëmton tjetrin dhe tjetri nuk e dëmton atë (që e ka dëmtuar)."(9)
Domethënë personi nuk e dëmton vëllain e tij, as fillimisht e as si hakmarrje në sasi të së drejtës së tij, ngase fjala "ed-darar" është në kuptimin e "ed-durr", e kjo është prej një personi, kurse fjala "ed-dirar" është prej dy vetëve në kuptimin e "el-mudara", e kjo është ta dëmtosh atë që të ka dëmtuar.(10)
Ky hadith ka vendosur një parim të rëndësishëm nga parimet e legjislacionit islam, e që është ndalimi i dëmtimit të tjetrit, si dhe ka ndaluar që dëmtimi të kthehet me dëmtim. Kështu që, personi të cilit i është dëmtuar diçka, ose duhet ta falë, ose të marrë kompensim për të, ngase Pejgamberi a.s., nuk e ka treguar këtë parim në formën e ndalimit, që e tregon vetëm ndalimin, por ai e ka përmendur në formën e mohimit të llojit. Prandaj, kush përplaset me makinën e tij me makinën e tjetrit, me apo pa qëllim, nuk ka të drejtë të godasë makinën e atij që e ka goditur. Por, ai ose duhet ta falë atë ose të marrë dëmshpërblimin për të qenë shpagimi i asaj që e ka dëmtuar.
Bazuar në këto parime, dijetarët islamë kanë gjykuar se jeta dhe pasuria e njeriut janë të mbrojtura në Islam dhe se bazë në to është ndalimi, si dhe nuk lejohet jeta apo pasuria e tjetrit, përveçse me të drejtë.
_________
1. En Nahl, 43.
2. Fikhu El-Islami ve ediletuhu, 7/179-180.
3. En Nisa, 93.
4. En Nisa, 92.
5. El Enbija. 78-79.
6 Domethënë ka gjykuar t'i zotërohen delet pronarit të vreshtave si kompensim për atë që kanë shkatërruar.
7. Tefsiru El- Taberi, 18/475.
8. Ahkamu El-Kuran li Iben el-Arabi, 3/267.
9. Ahmed, nr: 2865. 5/55. Shejh Shuajb thotë: Është i mirë; Ibën Maxhe, nr: 2341. 21784. Darkutni, nr: 3079. 4/51. El Mul Mustedrek, nr: 2345. 2/66. El Hakim thotë: Senedi i këtij hadithi është sahih sipas kritereve të Muslimit. Këtë e miraton edhe Edh Dhehebi. Sunen El Kubra li El Bejheki, nr: 11384, 6/115. etj. Iben el Mulkin, në Hulasatu el-bedri el-munir; 2/438. thotë: Ibën Salahi ka thënë është i mirë. Ebu Davudi ka thënë: Ky është një ndër hadithet rreth të cilit sillet fikhu.
10. Tebjinu El Hakaik, 6/142. El-Inajeh, 10/307, Ei-Binajeh, 8/12, Ed-Durru EI-Muhtar; 6/593, etj.