Bazuar në studimet e fundit të shkruarit përmban çelësin për një shëndet të mirë mendor, lumturinë dhe progresin e njeriut Përveç kësaj, të shkruarit u mëson njerëzve një fjalor të pasur, përmes të cilit ata mund të përshkruajnë dhe shpjegojnë mekanizmat e proceseve bazike që ndikojnë, siç janë idetë, ndjenjat dhe mendimet.
Zhvillimet e papritura të jetës, stresi, depresioni, ankthi apo traumat mund të ndikojnë që të kemi mendime të turbulluara dhe jo-logjike mbi botën fizike por edhe mbi atë shpirtërore. Prandaj të shkruarit mbi ndjenjat dhe mendimet që lindin si pasojë e përvojave të ndryshme jetësore traumatike apo stresuese, ndihmon shumë njerëz të përballen me pasojat emocionale të tyre si dhe i ndihmon ata që të organizojnë mendimet dhe t'i japin kuptim përvojave të tilla. Për këtë arsye, vetë-ndihma konsiderohet si një ndër qëllimet parësore në psikoterapi, dhe pikërisht ky është misioni yt heroik.
Të shkruarit ngrit vetëvlerësimin dhe ju bën më të lumtur
Arti i të krijuarit në përgjithësi, i të shkruarit në veçanti, stimulon lëshimin e dopaminës, prandaj edhe ndjeheni më të lumtur përgjatë këtij procesi. Ky neuro-transmetues është veçanërisht i mirë në frenimin e depresionit, i cili gjithashtu më pas ngrit vetëvlerësimin. Po ashtu, është vënë re se ky proces ndihmon në çlirimin emocional, lehtësimin e stresit dhe zbulimin e vetvetes.
Jo rastësisht edhe mbajtja e një ditari dhe të krijuarit e shprehisë së shkrimit janë nga zakonet e njerëzve të suksesshëm.
Christiano Strang, profesor i neuroshkencës në Universitetin ''Alabama", thotë se krijimtaria është mjet i rëndësishëm për të qëndruar të lidhur me botën. Duke stimuluar qendrat e shpërblimit dhe kënaqësisë së trurit tuaj, ju jeni në gjendje të imagjinoni një të ardhme më shpresëdhënëse.
Pra, përveç stresit dhe uljes së ankthit, terapia e vetë-shprehjes apo e të shkruarit (ku përfshihet edhe artrerapia, mundëson relaksimin, rritë mirëqenien dhe ulë dhimbjet, andaj edhe konsiderohet nga ekspertët si plotësues i fuqishëm gjatë trajtimit psiko-terapeutik.
Si mund ta përmlresojmë shëndetin mendor përmes të shkruarit?
Këtë radhë do të shtjelloj parimet që çojnë drejt suksesit dhe qetësisë së brendshme, të cilat, nëse zotërohen dhe praktikohen në baza ditore, do të të udhëheqin drejt një ndjenje paqe ndjellëse e qetësie.
Koncepti i shpresës
Nise çdo ditë të jetës tënde duke menduar mirë për Zotin dhe duke e falënderuar për të mirat me të cilat ai të ka bekuar. Dhe jo vetëm ta mendosh, por edhe ta përjetosh prezencën e Tij në çdo pore të jetës tënde, sepse çfarëdo qoftë ajo nëpër të cilën je duke kaluar, mund të ishte edhe më keq, andaj bëhu falënderues.
Duke qenë mirënjohës për begatitë që Ai të ka dhënë, si dhe duke çmuar po ashtu prezencën e personave të tjerë në jetën tënde si prindërit apo gjyshërit, motrat apo vëllezërit, bashkëshorten apo bashkëshortin, fëmijët apo miqtë, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për ta.
Më pas, hap ditarin tënd dhe shëno një falënderim dedikuar kujtdo që ka lënë gjurmë në jetën tënde apo të ka ndihmuar që të tejkalosh cilëndo qoftë nga sfidat tua jetësore apo qoftë edhe vetëm një fjalë e mirë nga ta, Mirënjohja është dritë për shpirtin, andaj bëje atë të shkëlqejë!
Akceptenca
Secili nga ne ka sukseset dhe dështimet e veta të dukshme ose jo, prandaj vuajtja nga keqardhja e brendshme që na bën të ndihemi si dështakë, mbushet me konflikt dhe zemërim si dhe me konfuzion për atë se çfarë kuptimi ka jeta. por e vërteta është se qëndrojmë përballë një numri të pafund të mundësive. Dhe, kudo që je apo çfarëdo gjendje të pashpresë në të cilën mendon se je, je pikërisht përballë shumë alternativave të pa hulumtuara, për shkak të mungesës së një disipline apo zbatimi të detyrueshëm të disa rregullave të caktuara në mënyrë të ndërgjegjshme.
Pra, të nxisë që të hapësh mendjen tënde ndaj mundësive që ke përpara, t'u rezistosh përpjekjeve për injorimin tënd dhe të jesh i hapur për t'i kontribuar paqes individuale.
Andaj, bëj një listë të sukseseve dhe dështimeve tua si dhe shëno për secilën se si ka ndikuar në jetën tënde, por edhe shkaqet apo arsyet që ta kanë mundësuar një sukses apo pamundësuar atë. Kështu do ta kesh më të lehtë të identifikosh potencialin dhe mangësitë e tua dhe r'i orientosh ato drejt një qëllimi madhor.
Vendimmarrja
Ne mund të mendojmë rreth vendimeve që kanë mjaft ndikim në jetën tonë. Ato mund të ndryshojnë qëllimet tona duke ndryshuar po ashtu fokusin tonë. Kur ndryshoni fokusin, gjithashtu ndryshojnë edhe mendimet tuaja.
Mendimet e tua vijnë të shoqëruara me energji, prandaj edhe ndryshimi është i mundur sepse ato fuqizojnë njeriun dhe mendja është mjet i fuqishëm në krijimin e mirëqenies.
Nëse mendimet tuaja janë të fokusuara në atë se çfarë ti dëshiron të tërheqësh në jetën tënde dhe këto mendime i kanalizon drejt një qëllimi të rëndësishëm, atëherë dornosdoshmërish do të veprosh drejt realizimit të atij qëllimi, ngase paraardhës i secilit veprim është thjesht mendimi. I gjithë ky proces është vetëm një vendim i vetëdijshëm nga aha jote për të qenë përgjegjës për të menduarit tënd dhe pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhesh, është zgjedhja jote.
Meqenëse është kështu, krijo një listë të mendimeve tua negative dhe që të shqetësojnë apo dobësojnë duke i radhitur një për një. Identifiko bllokimet e 'trafikut' në mendjen tënde të cilat të sjellin ankth. Në këtë mënyrë ju mund të përdorni këtë proces si mjet për të krijuar një strukturë të qëndrueshme të të menduarit.
Psikologia Diane Barth thotë se mbajtja e ditarit është një mjet shumë efektiv i cili ju ndihmon të përballeni me veten dhe derisa shkruani dhe pranoni që ndiheni i pakënaqur me veprimet tuaja, do t'ju ndihmojë të mësoni t'i anashkaloni situatat që ju shqetësojnë dhe të çlironi mendjen nga mendimet shpërqëndruese.
Këto praktika të të shkruarit, do të ndihmojnë të zhbllokosh të menduarit dhe të kuptosh gabimet e tua dhe mësimet e nxjerra nga to, duke të ofruar rrugë të reja të shtegtimit në botë.
Shkruaj, dhe kupto superfuqinë tënde!
Besarta Fazliu