Gjatë kohës së zhvillimit të diturive kur'anore, nëpër disiplina të ndryshme, si dhe kushtet e ndryshme sociale në të cilat kanë jetuar muffesirët dhe shkencëtarët në çështjen e shpjegimit të librit të Zotit, mund të thuhet definitivisht që shkenca për Kur'anin është e pashtershme, e pakufizuar dhe për shpirtin njerëzor një materie jo tërësisht e mbizotëruar.
Bile edhe sot, pas më shumë se katërmbëdhjetë shekujve, gjejmë shpjegime të reja të verseteve dhe zbulojmë mesazhe të reja të Librit, sikur të lexohet për të parën herë.
Allahu i Madhërishëm thotë: "..."Sikur të ishte deti ngjyrë për t'i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti)". (Kur'an, 18:109)
Dhe e tërë kjo, pa asnjë kontradiktë dhe jo realitet, pa fjalë të pashfrytëzuara dhe tërësisht me vend dhe e thënë me ekspresion të pa paramenduar. Këtë e vërteton edhe i Lartësuari: "A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur'anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie". (Kur'an, 4:82)
Për këtë Kur'ani është nxitje për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh cilit komb i takojnë, nga i cili vend rrjedhin ose në cilën kohë jetojnë.
Tropika - kreativiteti gjuhësor
Shkenca që merret me elokuencën e Kur'anit (ar. Belaga), ndahet në tre lëmi: sintaksa (ilmul-me'ani), stilistika (ilmul bejan) dhe tropika (ilmul - bedi'). Kjo e fundit ka qenë lëndë e ndarjes në mes dijetarëve, ngase muffesirët nuk e kanë ndarë nga shkenca e stilistikës deri në shekullin e shtatë të hixhretit, kur imam Bedruddin in Malik ed-Dimeshki në librin e tij - Misbah - elokuencën e Kur'anit e ndanë në tre disiplinat e përmendura dhe kështu shumica e dijetarëve më pas e kanë pasuar këtë ndarje. Pra, sintaksa është disiplinë e cila merret me kompozimin e përkryer kur'anor (nadhm), stilistika e fjalive dhe figurave me të cilat arrihet qëllimi kuptimor dhe ekspresioni, ndërsa tropika jep aksent në momentet kreative gjuhësore. Tropika është në realitet është disiplinë e cila studion kreativitetin gjuhësorë me të cilat zbukurohet dhe dekorohet gjuha në mënyrat më të bukura. Versetet aq shumë janë të zbukuruara me tropime sa që në disa versete edhe pas shumë leximeve nuk i vërejmë si sintagmë të vërtetë. Është interesant që imam Sujutiu në "Itkanin" e tij, dhe Ibn Ebu Asbe'a në librin e tij "Bediul-Kur'an", kanë përmendur mbi njëqind trope të ndryshme që janë të përdorura në Kur'an. Ndërsa vet gjuha kur'anore, si të themi, është natyrshëm e pasur, kështu që estetika e tij vërehet edhe nëpërmes segmenteve integrale dhe parciale. Tropet janë mu ato pjesë gjuhësore parciale të cilat janë të pandara nga ato integrale, si nga pikëpamja e tij semantike, kompozuese dhe metrike.
Këto janë, pra, momentet kreative të cilat plotësojnë shprehjen estetike dhe kuptimet e pasura.
Le të studiojmë versetin kur'anor vijues i cili është i zbukuruar me një varg dekorimesh të ndryshme: "Thuaj: "O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë"! (Kur'an, 3:26)
Përveç kuptimit madhështor me të cilin aludon verseti pas leximit integral, le të vështrojmë momentet e tija parciale kreative. Verseti fillon me: "O Allahu im i Cili ke tërë pushtetin (ose o Posedues i çdo pushteti ekzistues), sikur me këtë vendosin titullin e tërësisë kur'anore e cila pason, duke aluduar që, Ai që ka pushtet absolut ka fuqi të bëjë çdo gjë. Me këtë "titull", lexuesi i Kur'anit kupton të drejtat e Sunduesit Absolut. Ti i jep pushtet kujt të duash, Ti ia heq pushtetin kujt të duash. Ti ngritë kënd të duash, Ti përulë kënd të duash. Kur'ani këtu shërbehet me dy lloje të tropikës - antitezën (et-tibak) dhe antitezën simetrike të përbërë (el-mukabela), për të ngulitur në vetëdijen e besimtarit që varësia është vetëm prej Allahut. Ai jep dhe heq pushtet dhe vetëm Ai është Sundues Absolut!? Ai ngrit, Ai zbrit! A nuk janë antiteza: jep - merr, ngritë - poshtëron, këto janë një proces në kontinuitet. Pra, versetet e zbukuruara me trope mahnitëse me fjalë që janë opozitë njëra me tjetrën, Kur'ani arrin edhe bukurinë e shprehjes dhe fuqinë e kuptimit.
Fenomeni kohë dhe fenomeni i jetës dhe vdekjes
Allahu i Madhërishëm vazhdon: "Ti e fute natën në ditë dhe Ti e fute ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do! (Kur'an, 3:27)
Përsëri një mori zbukurimesh të cilat njëkohësisht zbukurojnë dhe pasurojnë kuptimet.
Zbukurimi i parë është i ashtuquajturi inversion (el-aks), fjalët: futë dhe nxjerrë ndërsa i dyti i ashtuquajturi paronomazi (el-xhinasu en-nakis) në të dy fjalët e cekura që përputhen me disa komponentë të përbashkëta - numrin e shkronjave, vokalizim dhe renditjen e tyre. Përveç që këto versete vazhdojnë të tregojnë në fuqinë absolute të Allahut, me këto lloje të tropeve tregohet edhe në dy fenomene interesante të jetës, ndaj të cilave njeriu është dëshmitarë, por edhe i paaftë t'i ndryshoj, e këto janë fenomeni kohë, e cila patjetër kalon, dëshmitarë i përhershëm i të cilës është Allahu absolut dhe fenomeni i jetës dhe vdekjes, pronar i të cilave është i vetmi - Krijuesi Absolut.
Është e pamundur të paraqitet ky imazh i bukur me tekst konciz me versete të zbukuruara me mjeshtëri, me tropet të cilat secila në mënyrë të veçantë aludon në kuptim të ri apo paraqitje e cila nuk është lënë nga vet konteksti i këtyre verseteve si dhe nga vet "titulli" i kësaj pjese të Kur'anit: "O Allah, Sundues i çdo sendi".
Llojet e tropikës mund t'i kuptojmë edhe më bukur, dhe mendjemprehtët do të marrin mesazhe të urta dhe të dobishme në versetet vijuese kur'anore:
"...E, sa i përket atij që jep dhe ruhet,
Dhe vërteton bindshëm për më të mirën,
Ne do ta përgatitim atë për më të lehtën.
E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur (nga Zoti),
Dhe që përgënjeshtron atë më të mirën,
Ne do ta përgatisim për më të vështirën.
E pasuria e tij nuk do t'i bëjë dobi, kur ai të zhduket.
Detyrë e jona është vetëm të udhëzojmë.
Dhe vetëm Jona është bota tjetër si dhe kjo.
Unë u kam tërhequr vërejtjen për zjarrin të ndezur fort.
Që aty nuk hyn tjetër, pos atij që është më i prishuri.
I cili përgënjeshtroi dhe u zmbraps.
Ndërsa ai që është më i devotshëm do të jetë larg tij.
Ai që e jep pasurinë e vet e pastrohet,..." (Kur'an, 92:5-18)
Në të gjithat aludon antiteza në fjalët: ndanë, është i devotshëm, më të mirën e çmon të vërtetë, kundruall: koprracit, mbahet i pavarur, përgënjeshtron të mirën,... të gjitha këto imazhe të ndryshme të cilat përsëri me antitezë aludojnë në kohën, në krijimin dhe në veprimet e ndryshme të njerëzve:
"Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë!
Pasha ditën kur ajo shkreptin!
Pasha Atë që krijoi mashkullin e femrën!
Vërtet, veprimi juaj është i llojllojtë". (Kur'an, 92:1-4)