Lavd-falënderimet, frikë-respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin a.s, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij të nderuar, dhe mbi të gjithë muslimanët.

O Allahu ! Kërkojmë mbështetjen Tënde nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet!
Ibadet do të thotë devotshmëri, besnikëri, lutje, adhurim. Ibadeti përkufizohet me këto fjalë: Ibadeti është emër përmbledhës që përfshin çdo gjë që e do dhe është i kënaqur Allahu i Lartësuar, qofshin ato fjalë apo vepra të jashtme apo të brendshme.
Ibadeti i ka dy kushte bazë të vlefshmërisë. Ato janë:

1. Sinqeriteti
2. Pëlqimi dhe përputhja me fjalën e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij.

Kësaj radhe nuk do të flasim për shartet e ibadetit, por do të ndalemi te ruknet e ibadetit, shtyllat qendrore dhe themelore të adhurimit. Ibadeti ngrihet dhe qëndron mbi tri shtylla qendrore (rukne). Ato janë:

1. Dashuria
2. Shpresa
3. Frika

Në vazhdim do të ndalem në pika të shkurtra në këto tre kushte bazë.


Shtylla e parë: Dashuria

Kjo dashuri përcakton lidhjen mes robit dhe Allahut Fuqiplotë. Dashuria është një begati që nuk e dinë ata të cilët nuk e kanë shijuar.
Të kujtojmë se dashuria e Allahut të Lartësuar është që robin e Tij ta udhëzojë dhe drejtojë në dashurinë e plotë ndaj Tij, në atë dashuri që nuk krahasohet me asnjë dashuri tjetër. Allahu i Lartësuar thotë:
“Vërtet se ata që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, i Gjithëmëshirshmi do të dhurojë dashuri për ta (në zemrat e besimtarëve).” (Merjem 96)
“Thuaju (O Muhamed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin fasik (kryeneç, të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).” (Teube 24)
“Thuaj (O Muhamed): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (pranoni Islamin, ndiqni Kuranin dhe Sunetin), Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” (Ali Imran)
Ndërsa Muhamedi alejhi selam thotë:
“Tek ai i cili gjenden tri gjëra ka shijuar ëmbëlsinë e imanit (besimit): ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo gjë, ta dojë një njeri vetëm për Allahun dhe të urrejë kthimin në mosbesim ashtu siç e urren hedhjen në zjarr.” (Transmeton Buhariu)
Dashuria ndaj Allahut është njëra ndër shtyllat qendrore të ibadetit (adhurimit). Është obligim për besimtarin që ta dojë Allahun, t’i pranojë urdhrat e Tij, t’i zbatojë mësimet e Tij, të urrejë çdo gjë që urren Ai.
Dashuria ndaj Allahut të Lartësuar nuk është vetëm një thirrje, pretendim, pohim, kërkesë, deklaratë që shprehet vetëm me gjuhë, por duhet të dëshmohet edhe në vepër.


Shtylla e dytë: Shpresa

Shpresa është ndjenja e dëshirës në përmbushjen dhe arritjen e qëllimit të faljes dhe mëshirës nga Allahu i Lartësuar. Me fjalë të tjera ajo do të thotë: etje, dëshirë, synim për të arritur shpërblimin e Allahut, faljen e Tij dhe duke pritur mëshirën e Tij.
Allahu i Lartësuar thotë:
“...kushdo që shpreson për takimin me Zotin e tij, le të punojë mirësi e drejtësi dhe të mos i bashkojë askënd për shok në adhurim Zotit të tij.” (Kehf 110)
“A është ai i cili është i nënshtruari i Allahut, i cili bie në sexhde e qëndron në falje gjatë orëve të natës duke pasur frikë jetën e pastajme dhe duke shpresuar për mëshirën e Zotit të tij (si ai që mohon e nuk beson)? Thuaj: “A janë ata që dinë, njësoj me ata që nuk dinë?” Janë vetëm njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të cilët me të vërtetë do të përkujtojnë (e do të marrin mësim nga fjalët dhe shenjat e Allahut).” (Zumer 9)
“Ata vërtet që ishin që nxitonin të bënin punë të mira dhe gjithnjë na luteshin Neve me shpresë dhe frikë dhe gjithnjë nënshtroheshin ndaj Nesh.” (Enbija 90)


Shtylla e tretë: Frika

Frika është një shqetësim i thellë në zemër përpara se njeriu të bjerë në mëkat. Besimtari duhet të shpresojë në faljen e Tij, por në të njëjtën kohë edhe të ketë frikë, trembje, ankth, shqetësim nga dënimi i Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:
“..kështu që mos iu frikësoni atyre aspak, por m’u frikësoni vetëm Mua, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali Imran 175)
“Kësisoj mos kini frikë nga njerëzit, por m’u frikësoni Mua.” (Maide 44)
“...dhe vetëm Mua m’u frikësoni.” (Bekare 40)
Zemra gjatë udhëtimit deri tek Allahu i ngjason apo është në pozitën e shpendit shtegtar. Dashuria luan rolin (pozitën) e kokës, shpresa dhe frika në pozitën e dy krahëve. Nëse zogut i këputet koka, vdes. Nëse i humbin krahët, nuk mund të fluturojë.
Ibadeti ngrihet mbi tri shtylla qendrore (rukne): dashuria, shpresa dhe frika.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi