Mendimi i mirë për Allahun xh.sh.

Në jetën tone kohë pas kohe na godasin sprova të ndryshme: fatkeqësi, vdekje, humbje të pasurisë, sëmundje të ndryshme etj. Në situata të tilla duhet të kemi mendim të mirë për Allahun xh. sh.
Mendimi i mirë është shenjë e kënaqësisë sonë me caktimin e Tij. Kjo e qetëson shpirtin, e lehtëson dhimbjen dhe e shton sabrin.
Nga adhurimet e mëdha të zemrës është edhe mendimi i mirë për Allahun, që është edhe nga gjendjet dhe shkallët më të larta të fesë.
Xhabiri r.a. ka thënë: "Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, tri ditë para se të ndërronte jetë, duke thënë: "Askush prej jush të mos vdesë, vetëm se duke pasur mendim të mirë për Allahun.” (Muslimi 2877, Ebu Davudi 3113).
Pejgamberi a.s. thotë: "Allahu ka thënë: "Unë jam ashtu siç më mendon robi Im. Ndaj, le të mendojë çfarë të dojë.” (Buhariu dhe Muslimi).
Gjithashtu Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Allahu i Lartësuar thotë. "Unë jam ashtu si mendon robi Im për Mua, pra le të mendojë për Mua si të dojë. Nëse mendon mirë, do jetë në dobi të tij, por nëse mendon keq, do jetë në dëm të tij." (transmeton Ahmedi).
Allahu tregon se disa njerëz u shkatërruan për shkak të mendimit të tyre të keq për Allahun e Madhëruar: "Mendimi juaj i gabuar, të cilin e patët ndaj Zotit tuaj është ai që ju shkatërroi dhe tani jeni më të dëshpëruarit.” (Fussilet, 23)
Prandaj, prej mëkateve të mëdha është edhe mendimi i keq për Zotin, mëkat për të cilin në Kuran është përmendur një dënim që nuk është përmendur për mëkatet e tjera.
Allahu i Madhëruar thotë: "Gjithashtu, (Ai e bëri këtë) për t’i ndëshkuar hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët e idhujtaret, që mendojnë keq për Allahun. Radha e fatkeqësisë do t’i godasë ata! Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar dhe u ka përgatitur Xhehenemin: sa vendi keq që është ai.” (El-Fet'h, 6).
Enesi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. kishte hyrë te një djalë i ri që ishte në prag të vdekjes dhe e kishte pyetur: "-Si ndihesh? -Shpresoj në Allahun dhe kam frikë nga mëkatet e mia - i përgjigjet djaloshi.” Atëherë Pejgamberi a.s. tha: "Këto dy gjëra nuk bashkohen në zemrën e robit dhe, në një situatë të këtillë, Allahu si të mos ia japë atë që shpreson dhe ta mbrojë nga ajo që frikësohet.” (Ahmedi, Ibën Maxheh dhe Tirmidhiu, 983).
Ibën Mubareku ka shënuar fjalët e Ibën Abbasit r.a. ku thotë: "Kur ta shihni ndonjë person që është në prag të vdekjes, përgëzojeni, në mënyrë që ta takojë Zotin e tij duke pasur mendim të mirë për Allahun, e nëse është akoma i vetëdijshëm, këshillojeni ta ketë fokë Allahun e Lartësuar.”
Ibën Ebi Dunja ka transmetuar nga Ibrahim Nehaiu se ky ka thënë: "E kanë konsideruar punë të pëlqyeshme që njeriut në momentin e vdekjes t’i përmenden veprat e tij të mira, në mënyrë që të ketë mendim të mirë për Zotin e tij.”
Enesi r.a. tregon se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: "Askush prej jush mos të vdesë ndryshe vetëm se duke pasur mendim të mirë për Allahun, sepse me të vërtetë mendimi i mirë për Allahun është çmimi i Xhenetit." (Ibën Asakir) Ibën Mesudi r.a. se ka thënë: "Pasha Allahun, i Cili është Një dhe nuk ka tjetër, askush nuk do të ketë mendim të mirë për Allahun e që Allahu të mos t’ia japë atë që mendon." (Ibën Ebi Shejbeh). Allahu nuk e zhgënjen askënd që mendon mirë për Te, nuk ia humb shpresën askujt që iu mbështet Atij dhe nuk ia humb askujt veprën e mirë: “ ... s'ka dyshim Allahu nuk e humb shpërblimin e punëmirëve." (Jusuf, 90)
Mendimi i mirë për Allahun është rrjedhojë e njohjes dhe e diturisë për Allahun dhe për emrat dhe cilësitë e Tij të përsosura, e bindjes se mëshira e Allahut ka përfshirë gjithçka dhe se Allahu është Mëshirëplotë e Bujar që e pranon pendimin dhe i fal mëkatet.
Mendimi i mirë për Allahun është nga begatitë më të mëdha që njeriut i dhurohen nga Zoti i tij. Ibën Mesudi r.a. ka thënë: "Betohem në Atë, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, se asnjëherë nuk i është dhënë besimtarit mirësi më e madhe sesa mendimi i mirë për Allahun e Madhëruar. Betohem në Atë, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, se sa herë që njeriu mendon mirë për Allahun e Madhëruan Allahu ia jep njeriut atë që dëshiron, sepse në dorën e Tij është e tërë mirësia.”
Mendimi i mirë për Allahun nuk shoqërohet me neglizhencë dhe pasimin e epsheve, por me devotshmëri dhe largim nga mëkatet, sepse ato janë pengesë ndërmjet njeriut dhe mendimit të mirë për Zotin.
Hasan El-Basriu thotë: "Besimtari kur mendon mirë për Zotin e tij e përmirëson edhe veprën, ndërsa mëkatari ka menduar keq për Zotin, prandaj edhe ka vepruar keq.”
Muadh ibën Xhebeli r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., një ditë, u kishte thënë sahabëve: “A dëshironi t’ju tregoj se cila do të jetë gjëja e parë që do t’ju thotë Allahu xh.sh. besimtarëve Ditën e Kiametit? - Po, o i Dërguar i Allahut - u përgjigjëm ne. l Dërguari i Allahut tha: “Në Ditën e Gjykimit, Allahu i Lartësuar u thotë besimtarëve: “A e dëshiruat takimin me Mua? Ata thonë: - Po, o Zoti ynë. - Përse? - i pyet Allahu. - Kemi shpresuar në mëshirën dhe faljen Tënde, - përgjigjen ata. Atëherë Allahu u thotë:
"Falja Ime është bërë obligim për ju." (Abdullah ibën Mubareku, Taberaniu dhe Ahmedi, 5/238)


Artikulli i kaluar
Shtyllat e ibadetit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi