Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen e tij , për shokët e tij dhe të gjitha ata që e pasojnë deri në Ditën e Gjykimit. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.
Allahu i Lartësuar e zgjodhi Muhamedin a.s që të jetë vula e të Dërguarve. Ai po ashtu e zgjodhi Mekën qendër të ndriçimit botëror. Lindja e Muahmedit a.s ndodhi në Mekë, edhe mesazhi i pejgamberisë i erdhi në Mekë dhe për një kohë të gjatë përhapi thirrjen islame në Mekë. Allahu i Lartësuar deshi që Meka të ketë vlerë dhe nderë. Ai deshi që ky vend i bekuar të vlerësohet lart nga besimtarët islamë nga të katër anët e botës.
Në këtë hytbe do të veçojmë disa ajete që flasin për vlerën e Qabes dhe të Mekës. Kur’ani na mëson disa emërtime të këtij vendi të shenjtë dhe në vazhdim po i kujtojmë së bashku të nderuar besimtarë.
Në Kur'an quhet Meke
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ai është që pengoi duart e tyre prej jush dhe duart tuaja prej tyre brenda në Mekë.” (Fet-h, 24)
Në Kur'an quhet Bek-ke
Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë që, Shtëpia e parë (për adhurim e lutje) e caktuar për njerëzimin ishte ajo në Bek-ke (Mekë), gjithë bekime e mirësi dhe udhëzuese për gjithë alemin (njerëzimin e xhinët). Në të ka shenja të qarta, (si për shembull) Mekami i Ibrahimit (vendqëndrimi i Ibrahimit); kushdo që hyn në të (Ka’abë) fiton sigurinë.” (Ali Imran, 96-97)
Në Kur'an quhet Mesxhidul-Haram (Xhamia e Shenjtë)
Allahu i Lartësuar thotë: “Ata janë të cilët mohuan dhe ju ndaluan ju nga El-Mesxhid El-Haram (Xhamia e Shenjtë në Mekë).” (Fet-h, 25)
Në Kur'an quhet Ummul-Kura (Nëna e qyteteve)
Allahu i Lartësuar thotë: “...për të këshilluar Nënën e Qyteteve (Mekën) dhe të gjithë (botën) rreth saj.”(Enam, 92)
Në Kuran Allahu i Lartësuar betohet për këtë qytet duke thënë:
“Betohem Unë për këtë qytet (Mekën)! Dhe ti je i lirë në këtë qytet (Mekë).” (Beled, 1-2)
Në Kur'an cilësohet si qytet i sigurisë
Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha fikun dhe ullirin! Dhe (kodrën) Turi Sina-en! Dhe këtë qytet të sigurisë (Mekën)!” (Tin, 1-3)
Allahu i Lartësuar e bëri Mekën e bekuar vend të shpalljeve, burim të Islamit. Vlera e saj është një vlerë e madhe dhe shenjtrimi i saj është shenjtërim nga Krijuesi i gjithësisë. Ky qytet këto vlera do t’i ketë deri në fundin e kësaj bote. Po ashtu, duhet të kujtojmë se njëra ndër shtyllat e Islamit është edhe haxhi, një obligim që jetësohet vetëm në Mekë.
“Allahu e ka bërë Kabën, Shtëpinë e Shenjtë, vend sigurie dhe përfitimi (si vizita për haxh ose umre) për njerëzimin.” (Maide, 97)
Kështu Allahu i Lartësuar e madhëroi Qaben në Meke në zemrat e robërve të Tij.
Muhamedi a.s thotë: “Allahu e ka bërë të shenjtë Mekën në ditën kur ka krijuar qiejt dhe tokën dhe ky shenjtërim i Allahut do të vazhdojë deri në Ditën e Kiametit.” (Transmeton Buhariu)
Xhamia është djep i idesë dhe planeve për t’i realizuar synimet shoqëria islame. Ajo barti flamurin e pastrimit shpirtëror, ngriti moralin, forcoi besimin, shtoi dashurinë dhe respektin ndaj njëri tjetrit. Prej saj buruan inisiativat e përhapjes së Islamit, dhe kështu u transformua shoqëria islame dhe bota lulëzoi. E gjithë kjo u arrit për arsye të një organizimi të mirëfilltë të udhëhequr nga i dërguari i Allahut të Lartësuar, Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai qe i përkrahur nga sahabët. Një përkujdesje e tillë, arrihet vetëm nga burrat besimtarë, të cilët i frikësohen vetëm Allahut.
“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe Ditës së Fundit e që e falë namazin, jep zekatin e nuk i frikësohet askujt përveç Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).” (Teube,18)
Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: “(Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që Allahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregëtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin. Ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.” (Nur, 36-37)
Xhamia e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri atë që nuk mundën ta bëjnë universitete e shumta të botës. Xhamia e tij ishte e hapur për të gjithë, minare e udhëzimit në sipërfaqen e tokës, qendër mësimi dhe udhëzimi, universitet i të gjitha shkencave, mjafton mbi të gjitha, ishte qendër e zbritjes së uahjit-shpalljes. Xhamia prodhoi udhëheqës, prijësa, trima, komandantë, dijetarë, fukaha, muhaditha, muftinjë, poetë, thirrësa, mendimtarë etj. Kjo u arrit, për arsye se themelet e saj ishin të vendosura mbi devotshmërinë dhe kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
“A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e themeloi në devotshmëri dhe në kënaqësi të Allahut, apo ai që ndërtesën e vet e themeloi buzë bregut të shembur e bashkë me të bie në zjarrin e xhehenemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë.” (Teube, 109)