Marrëdhënia Zot – njeri në Islam bazohet në dashurinë hyjnore, në mëshirën dhe mirësinë e Tij. Allahu i Madhëruar krijoi gjithçka nga dashuria, duke përfshirë edhe njeriun si krijesën më të rëndësishme. Krijimi i njeriut ishte një shprehje e dashurisë së Zotit. E krijoi njeriun në formën dhe pamjen më të përsosur dhe i fryu atij shpirtin. Kjo dashuri shprehet edhe në urdhrin
që Zoti u dha engjëjve dhe xhinëve për t’i rënë në sexhde respekti Ademit a.s.
Shpallja e Kuranit, si dhe pajisja e njeriut me aftësinë e të folurit, është manifestim i kësaj dashurie e mëshire: “I Gjithëmëshirshmi, Ai ia mësoi Kuranin, e krijoi njeriun, ia mësoi atij të folurit (të shqiptuarit).” (Err Rrahman, 1-4).
Kurani tregon se Dashuria e Zotit është: Për ata që e besojnë dhe nuk i bëjnë ortak Atij: “Pra ju më përmendni Mua (me adhurime), Unë ju përmend juve. Më falënderoni e mos më mohoni!” (El Bekareh, 152); Për ata që e pasojnë të Dërguarin dhe mesazhin e tij: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është Shumë falës, Mëshirues i
madh.” (Ali Imran, 31); Për ata që ruhen e janë të devotshëm. Sinqeriteti, që është thelbi i besimit, kërkon devotshmëri dhe ruajtje nga mëkatet: “... dhe ruhet nga mëkatet, s’ka dyshim, Allahu i do ata që ruhen.” (Ali Imran, 76);
Për ata që qëndrojnë të durueshëm përballë vështirësive: “... ata nuk u dobësuan nga ana morale, e as ajo fizike dhe as nuk u përulën. Allahu i do durimtarët.” (Ali Imran, 146)
Për ata që mbështeten tek Allahu xh.sh.: “... e kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek Allahu, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159); Për ata që janë të ndershëm e të drejtë me të tjerët: “... nëse gjykon mes tyre, gjyko drejt; Allahu i do të drejtit.” (El-Maideh, 42); Për ata që janë të pastër dhe e duan pastërtinë: “...Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (El Bekareh, 222)
Dashuria e Zotit përfitohet përmes veprave të mira në rrugën e Allahut: “Dhe jepni për në rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.” (El Bekareh, 195); si edhe përmes ruajtjes së premtimit dhe sjelljes së virtytshme: “Allahu i do ata, që e ruajnë besën.” (Et-Tevbeh, 7)
Afërsia e ngushtë e marrëdhënies Zot – njeri shprehet përmes përvojës fetare. Prandaj, lidhja jonë me Allahun nuk duhet të jetë nga frika, por nga dashuria. Le të ketë frikë-respekt, por dashuria duhet të dominojë: “O ju që besuat! Kush largohet prej jush nga feja e vet (i bën dëm vetes), s’ka dyshim se Allahu do ta sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin)...” (El- Maideh, 54). Këto ajete tregojnë qartë se dashuria e Allahut është për disa robër dhe nuk është për të tjerë. Ashtu sikurse qenia dhe cilësitë, edhe dashuria e Allahut xh.sh. i përket madhërisë dhe përkryeshmërisë së Tij.
Prej fryteve të dashurisë së Allahut tek robi i Tij është se njerëzit e duan dhe e pranojnë atë në tokë. Muhamedi a.s. ka thënë: ”Kur Allahu e do robin, thërret Xhibrilin dhe i thotë: “O Xhibril, Unë e dua filanin, prandaj duaje dhe ti!” dhe e do edhe Xhibrili. Pastaj ai thërret: ”O banorë të qiellit! Allahu e do filanin, prandaj duajeni dhe ju!” dhe e duan edhe banorët e qiellit. Më pas
bëhet i pranueshëm (i dashur) në tokë.” (Buhariu).
Allahu i dhuron shumë mirësi dhe është mbrojtësi i atij që e do. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu i Madhërishëm tha: Do t’i shpall luftë atij që më armiqëson një mik! Robi Im nuk më afrohet në mënyrë më të mirë, përpos duke i kryer farzet. Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, derisa ta dua atë, e kur e dua
atë, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën godet dhe këmba me të cilën ecën. Nëse ky rob kërkon diçka prej Meje, Unë do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, Unë do ta strehoj atë.” (Buhariu).
Allahu xh.sh. mund të na kërkonte ta duam dhe të mos fliste fare për dashurinë e Tij për ne. Por Allahu tregon se e Ai e do robin e Tij. Muhammedi a.s. ka thënë: “Allahu i Madhërishëm thotë: E meritojnë t’i dua ata që duhen për Mua, ata që janë të lidhur mes tyre për Mua, ata që e vizitojnë njëri-tjetrin për Mua dhe ata që harxhojnë për njëri-tjetrin për Mua.” (Transmeton Ahmedi).