Ebu Hurejra r.a. tregon se Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: "Kul huvallahu ehad – Thuaj Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm”, ka barasvlerën e një së tretës së Kuranit.(1)
Shkaku i thënies së hadithit
Si shumë hadithe të tjera që kanë shkakun dhe pretekstin e deklarimit të tij, edhe ky hadith ka shkakun e vet, edhe pse nuk është shkaku ai që e përcakton hadithin në kohë dhe vend të caktuar. Rregulla thotë: “Kuptimi nuk merret nga shkaku, por ngakonotacioni i fjalëve.”
Ebu Seid El-Hudrij r.a. thotë: “Dikush dëgjoi një njeri duke kënduar: Kul huvallahu ehad - “Thuaj Ai është Allahu, Një dhe i vetëm ...” dhe po e këndonte duke e përsëritur vazhdimisht. Në mëngjes ai shkoi te Pejgamberi a.s. dhe e njoftoi atë për këtë gjë, sikur po e quante me gjykimin e tij se
këndimi i asaj kaptine në vetvete nuk mjaftonte. I Dërguari s.a.v.s. tha: “(Betohem) Për Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im! Ajo është sa një e treta e Kuranit.”(2)
Gjithashtu kemi edhe shkakun e zbritjes së kësaj kaptine, e cila quhet El-Ihlas (Pastërtia e Besimit). Disa idhujtarë shkuan te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i thanë: “O Muhamed, na trego prej çka është Ai Zoti yt, prej ari, argjendi, diamanti?” Atëherë shpallet kjo kaptinë dhe përshkruan cilësitë e Zotit të Madhëruar e thotë: “Allahu është Një, e dy nuk bëhet. Zotëruesi i Vetëmjaftueshëm, Absolut me të gjitha Cilësitë e përsosura në shkallën më të Lartë, për të Cilin kanë nevojë të gjitha krijesat dhe të gjithë Atij i drejtohen, i Përhershmi, i Pafillim dhe i Pambarim, Ai s’ka nevojë për asgjë, as nuk ha dhe as nuk pi. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe s’ka asnjë të barabartë ose të krahasueshëm me Të.”(3)
Aishja r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. dërgoi një njësi lufte nën komandën e një burri, i cili gjithnjë u printe shokëve të tij në faljen e namazit dhe gjithnjë e përfundonte këndimin e tij me “Kul huvallahu ehad – Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm...”. Kur ata u kthyen nga lufta, ia përmendën këtë Pejgamberit s.a.v.s. dhe ai tha: “Pyeteni pse e bën këtë.” Ata e pyetën atë dhe ai u tha: “Veproj kështu sepse ajo (kaptinë) përmend cilësitë e të Gjithëmëshirshmit – Err-Rrahmanit dhe e dua shumë, prandaj e këndoj gjatë faljes.” Pejgamberi s.a.v.s. u tha: “Tregojini atij se Allahu e do atë.”(4)
Shpjegimi i hadithit për Kulhuvallahun
Dijetarët islamë kanë dhënë disa mendime në kuptimin e barasvlerës së Kulhuvallahut me një të tretën e Kuranit. Mendimi më i arsyeshëm që e interpreton këtë është se kjo kaptinë e shkurtër në konotacionin e saj ka kuptime madhore, ka kuptime të tevhidit, pastërtisë së besimit në një Zot, dhe përmban bazamentet e imanit.
Tematikat kryesore që shtjellon Kurani janë: dispozitat e sheriatit, qofshin shpirtërore apo trupore, që ndërlidhen me adhurime apo çështje juridike civile, tregime dhe ngjarje të kaluara për njerëzimin, gjendjen e shpërblimeve dhe ndëshkimeve për personat e moshës së rritur dhe besimin e pastër, njohjen e emrave të Allahut dhe cilësive me të cilat është i veçuar për nga përsosmëria absolute dhe pastrimi prej çdo të mete si dhe mosngjasimi i tyre me krijesat.
Kështu kuptimi i sures ‘Kulhuvallahu ehad’ i përmban të gjitha këto, ngërthen çdo gjë që duhet besuar prej këtyre bazave, që është bazë e të gjitha bazamenteve.
Në kontekst me këtë Allahu xh.sh. na ka urdhëruar që këtë kaptinë ta recitojmë me gjuhët tona, ta dimë në mendjet tona, ta njohim me zemrat tona, me këtë t’i bindemi dhe të adhurojmë vetëm Allahun xh.sh.. Ai tha: “Kul huvallahu ehad – Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i vetëm”.
E para: Allahu është Një në krejt gjithësinë. Allahu ekziston e nuk është që nuk ekziston (Allahu mevxhudun, lejse bi meadumin); Ai është i kahershëm, i pafillim, e nuk është i vonshëm (Kadimun, lejse bi hadithin); Ai është i përhershëm, nuk i ka paraprirë mosekzistenca (Bakin, la jetërau alejhil-‘ademu); Nuk i përngjet krijesave, i pangjashëm (Muhalifun lilhavadithi,
la shej-un jumathiluhu); qëndron vetvetiu, nuk ka nevojë për vend apo diçka të caktuar (Kaimun bi nefsihi, la jahtaxhu ila mehal-lin eu muhassasin); Ai është Një, askush nuk mund t’i bëhet pjesëmarrës në qenien e Tij, as në cilësitë e Tij e as në veprimet e Tij. Ai s’ka nevojë për askënd (Vahidun, la musharike lehu fi dhatihi ve la fi sifatihi, ve la fi ef’alihi). Këtu mohohen të gjitha atribuimet dhe shpifjet ndaj Allahut nga të krishterët dhe hebrenjtë.
E dyta: Njësia e të adhuruarit të Allahut - Tevhid el-Uluhije nënkupton të besosh se askush nuk ka të drejtë të adhurohet pos Allahut xh.sh., d.m.th. të falesh, të lutesh, të kërkosh ndihmë, të betohesh, të presësh kurban, të agjërosh vetëm për Allahun xh.sh. e për askënd përveç Tij.
E treta: Ai është vetëm një në emrat dhe cilësitë e Tij – Tevhid Esmau ves-Sifat. Pra, të besosh se në asnjë mënyrë nuk duhet ta emërtojmë a ta cilësojmë Allahun përveçse me atë që Ai me Madhështinë e Tij ka emëruar e cilësuar Veten e Tij si dhe me atë që i Dërguari i Tij e ka emërtuar ose cilësuar Atë. Prej emrave të Tij janë:
Huvel-Kadiru – Ai është i Gjithëfuqishëm,
El-Muridu – Dëshirues,
El-‘Alimu – I Gjithëdijshëm,
El-Hajju – I Gjallë,
Essemi’u – Dëgjuesi,
El-Besiru – Shikuesi,
El-Mutekel-limu – Folësi.
Prej cilësive të larta të Allahut xh.sh. janë edhe këto:
Lehulkudretu – Ai ka fuqi,
El-Iradetu– ka dëshirë,
El-hajatu – kajetë,
El-Ilmu – ka dije,
Essem’u– dëgjon,
El-besaru – shikon,
El-kelamu – flet, etj.
Çfarë përmban “Kul huvallahu”?
Njëshmërinë e Allahut xh.sh. e konfirmon edhe vazhdimësia e kaptinës El-Ihlas – Pastërtia e besimit, Allahus-samed – Allahu është Pronar i Vetëmjaftueshëm, Absolut me të gjitha cilësitë e përsosura që është cilësuar në shkallën më të lartë, për të cilin kanë nevojë të gjitha krijesat – El-ledhi lem jebëka sifetu kemalin il-la ittesafe biha. Disa cilësi të Tij krijesat nuk mund t’i njohin me zemër e as t’i shprehin me gjuhë, ngase janë absolute dhe të paarritshme. Atij i drejtohen të gjithë krijesat – Huvelmasmudu, sepse kanë nevojë të patjetërsueshme për të. Ai nuk han e as nuk pi. Allahu xh.sh. thotë: “Gjithkush që gjendet në qiej dhe në tokë i luten dhe i kërkojnë Atij (nevojat e tyre). Çdo ditë Ai është i angazhuar në ndonjë çështje.” (Err- Rrahman, 29)
Allahu xh.sh. është i Vetëmjaftueshëm në Qenien e Tij, ndërsa të gjitha krijesat organike dhe inorganike janë të varura nga Ai me qeniet e tyre, me njohjet e tyre, me përgatitjet e tyre, me furnizimin e tyre, me çdo gjë që kanë nevojë për Të në të gjitha format dhe mënyrat. Nga Allahu nuk është i pavarur askush, as sa grimca më e imët e atomit në çdo kohë dhe gjendje prej gjendjeve të tyre. Krijesat kanë nevojë për ndihmën, mëshirën , mbrojtjen, bujarinë dhe bamirësinë e Tij.
Mandej në këtë kaptinë vazhdon ajeti: Lem jelidë ve lem juledë – “Ai as nuk ka lindur, as nuk është i lindur” (El-Ihlas, 3). Nga kjo kuptohet se Zoti xh.sh. është i pastër nga çdo ngjashmëri me cilësitë e krijesave. Të gjitha krijesat janë të lindura nga njëri-tjetri, disa janë prindër të disave e disa të tjerë janë fëmijë. E çdo gjë e krijuar është edhe nga materia, ndërsa Zoti xh.sh. është Krijues i materies.
Ky pastrim shprehet edhe në versetin e radhës: Ve lem jekun lehu kufuven ehadë – “Dhe s’ka asnjë të barabartë ose të krahasueshëm me Të (Një, i Vetëm, i Pashok).” (El-Ihlas, 4).
Pra, Allahu s’ka të ngjashëm me Të, as ortak, as homolog, as ndihmës, as në emrat e Tij e as në cilësitë e Tij, as në veprimet e Tij, e as në të drejtat e Tij, me të cilat është i veçuar.
E drejta e Tij e veçantë është dy llojesh:
1. I veçuar pa të meta, absolut në të gjitha aspektet, dhe
2. I veçuar në adhurim nga të gjitha krijesat.
Pra, një kaptinë e tillë që përmbledh kaq shumë çështje të rëndësishme, me plot të drejtë e ka barasvlerën e një të tretës së Kuranit. Pra, një e treta e Kuranit përmban shtjellime dhe zbërthime të emrave të bukur të Allahut xh.sh., të cilësive të plota të Tij, të veprimeve të Tij dhe dispozitave të ndërlidhura me veprimet e Tij. Ndoshta edhe tërë Kurani ka si bosht përqendrues të Tij këtë kaptinë të shkurtër madhështore.
Në këtë kaptinë gjendet edhe emri më i madh i Allahut xh.sh. (ismull-llahi el-e’adham), bazuar në hadithin e Ibn Maxhes.
Pejgamberi s.a.v.s. e kishte dëgjuar një person duke u lutur: “O Zoti im, vërtet unë kërkoj nga Ti që je Allahu Një e i Vetëm dhe i Vetëmjaftueshëm Absolut, që nuk ke nevojë për askënd, e të gjithë kanë nevojë të patjetërsueshme për Ty, Ti je Ai i Cili nuk lind e as nuk je i lindur dhe s’ka askush që është i barabartë ose i krahasueshëm me Ty (një i vetëm i pashoq).” “Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Vërtet i ke kërkuar Allahut me emrin e Tij më të madh me të cilin kur i kërkohet, Ai jep me të, e kur lutet me të, i përgjigjet.”(5)
Hadithet që tregojnë për cilësitë e Allahut xh.sh.
Sa për ilustrim mund të sjellim hadithin e njohur si hadithi i robëreshës – hadithul-xharijeti. Resulullahu s.a.v.s. këtë robëreshë e kishte pyetur: “Ku është Allahu?” Ajo u përgjigj se është në qiell. Resulullahu s.a.v.s. e pyeti: “Kush jam unë?” Ajo u përgjigj: “Ti je i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Liroje
atë, se vërtet ajo (robëresha) është besimtare.”(6)
Ky është prej haditheve që flet për cilësitë e Allahut xh.sh. dhe për to ka dy mendime:
Hadithet që flasin për cilësitë duhen besuar ashtu siç kanë ardhur, pa u lëshuar në kuptimin e tyre dhe duke e pastruar Allahun xh.sh. prej çdo gjëje që nuk i takon Madhërisë së Tij. Pra, pa përngjasim dhe shëmbëllim me krijesat.
Interpretimi i haditheve të cilësive në atë që i takon dhe e meriton Allahu xh.sh..
E vërteta është se çdo tekst që ka ardhur në këtë fushë ka të bëjë me cilësitë – Essifat dhe jo me Qenien e Allahut xh.sh. – La bidhdhati.
Bazuar në këtë mendim nuk mund të themi se Allahu xh.sh. me Qenien e Tij hyjnore është në qiell, për arsye se është përcaktim, përkufizim dhe trupëzim fizik.
Po ashtu nuk mund të themi se Qenia e Tij Hyjnore është në çdo vend, për arsye se Allahu xh.sh. nuk përcaktohet me vend dhe kohë, ai është i pastër nga ato dhe i paraprin kohës dhe vendit.
Por ajo që mund të thuhet është se Allahu xh.sh. me dijen e Tij, fuqinë e Tij, me cilësitë e Tij ndodhet në çdo vend, në qiell, në tokë dhe me njerëzit kudo që gjenden.
Për argument kemi versetin e Kuranit, ku Allahu xh.sh. duke dërguar Musain a.s. dhe Harunin a.s. te Faraoni i drejtohet me këto fjalë: “Pa dyshim që Unë jam me ju të dy duke dëgjuar e shikuar çdo gjë.” (Ta-ha, 46)
Allahu xh.sh. është me ata të dy me cilësitë e Tij, me të dëgjuar dhe me të shikuarit e nuk është me ata të dy me Qenien e Tij. Po ashtu në këtë drejtim kemi edhe versetin tjetër: “Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti i tyre (me dijen e Tij dhe me njohjen e Tij), e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti i tyre, edhe as më pak se aq, edhe për as më shumë se aq veçse Ai është me ta kudo që ndodhen.” (El-Muxhadeleh, 7)
E si mund të thuhet se Ai është me ta me Qenien e Tij në çdo vend përderisa Ai është me ta me cilësitë e Tij, me dijen, me njohjen, me të dëgjuarit, me të shikuarit dhe ka fuqinë e Tij për mbizotërimin ndaj tyre?
Nuk është e qartë pse disa këtë ajet e interpretojnë, kurse hadithin e robëreshës nuk e interpretojnë. Nuk e pranojnë të thuhet se Allahu xh.sh. me cilësitë e Tij është në qiell dhe nuk bën të lëshohemi në Qenien e Tij sepse ne për të nuk dimë asgjë.
Disa të tjerë duke parë ngritjen e duarve kah qielli mendojnë se Allahu xh.sh. është në qiell. Edhe kjo nuk qëndron ngase orientimi i muslimanit kah Qabeja nuk tregon se vërtet Allahu xh.sh. është në Qabe. I Lartësuar është Allahu xh.sh. nga ajo që mendojnë njerëzit!
Duhet të kemi kujdes e të mos lëshohemi në çështjen e Qenies së Tij ngase një gjë e tillë mund të jetë rrëshqitje e rrezikshme. Ajetet dhe hadithet në këtë drejtim kanë të bëjnë me cilësitë e Tij. Allahu xh.sh. me cilësitë e Tij është në qiell, në tokë dhe në çdo vend.
Allahu xh.sh. thotë: “Dhe Ai është Allahu në qiej dhe në tokë. Ai di çfarë ju fshihni dhe çfarë ju shprehni dhe Ai di çfarë ju fitoni.” (El En-Aam, 3)
“Dhe është Ai (Allahu) i Cili është i vetmi Zot në qiell dhe i vetmi Zot në tokë. Ai është i Urti, i Gjithëdijshmi.” (Ez-Zuhruf, 84) Allahu xh.sh. na tregoi se Ai është në qiej dhe në tokë me dijen e Tij, d.m.th. me cilësitë e Tij dhe asnjë argument nuk ka ardhur që sqaron se Allahu xh.sh. me Qenien e Tij është në ndonjë vend të caktuar.
Hadithi i robëreshës gjithashtu tregon se ai që u bindet të gjitha degëve të besimit islam konsiderohet musliman dhe për të nuk kushtëzohet që për secilën degë të besimit t’i njohë argumentet e tyre dhe nuk ka nevojë për argument shtesë në to. Njëherazi ky është edhe mendimi dhe qëndrimi i shumicës absolute të dijetarëve, sepse Pejgamberi s.a.v.s. kur dikush ka hyrë në Islam nuk e ka pyetur për argumentet e ekzistimit të Zotit, as për argumentet se Zoti është një, i vetëm në krijim, e as për shtyllat e tjera të besimit.
Duhet të bëjmë patjetër dallim mes dijes dhe besimit. Dija e mirë për Islamin nuk mjafton edhe për besimin. Djalli, kundërshtarët Kurejshë, hebrenjtë, të krishterët, munafikët kishin njohuri të mirë për Islamin dhe besnikërinë e Muhamedit a.s., megjithatë nuk konsiderohen muslimanë pa bindje në besim.
Besimi është dije e mendjes, e prerë në përputhje me dijen e zemrës ose të përjetuarit e kënaqësisë së Islamit. Kush e njeh Islamin dhe nuk e pranon si fe, nuk është i kënaqur me të, ai nuk konsiderohet musliman. Islami kërkon njohuri mendore, pranim dhe kënaqësi të shpirtit, bindje të zemrës dhe praktikë të gjymtyrëve.
________________________
1. “Sahihu Muslim”, vëll. IV, fq. 241, nr. 1344; “Sunen Et-Tirmidhij”, vëll. X, fq. 137, nr. 2824.
2. “Sahihul Buhari”, vëll. XV, fq. 419, nr. 4627.
3. “Kurani Fisnik, përkthim me komentim në gjuhën shqipe”, H. Sherif Ahmeti, fq. 1276; “Shpjegim i kuptimeve të Kuranit të Lartë”, fq. 911.
4. “Sahihul Buhari”, nr. 7375.
5. “Sunen Ibn Maxhe”, bab: Ismull-llahi el-e’adham, nr. 3857.
6. “Sahihu Muslim”, vëll. I, fq. 381, nr. 537.