Degë tjetër e besimit është edhe durimi. Ibën Haxheri madje e ka radhitur këtë në kuadër të veprave të zemrës, të cilat, siç dihet, kanë një vlerë dhe rëndësi më të madhe se veprat e tjera. Kjo na shtyn që durimin ta hulumtojmë së pari nga ky aspekt e pastaj të shohim se si mund ta shfrytëzojmë për çështje edukimi.

Esenca e durimit

Në Kuran, durimi është përmendur rreth nëntëdhjetë herë.(1) Siç ka shpjeguar Imam Gazaliu, durimi është tipar që e karakterizon njeriun dhe natyrën e tij. Nuk imagjinohet te kafshët, për shkak të mangësisë së tyre, dhe as tek engjëjt, për shkak të përsosmërisë së tyre.(2)
Durimi është vlerë, virtyt, pjekuri, largpamësi. Ibën Hibani, në mënyrë figurative, e ka përshkruar si prind të mendjes.(3)
Durimi është vetëdije e lartë dhe lidhje e fuqishme e besimtarit me fenë e vet. Kur është shpjeguar gjuhësisht, durimi (ar. sabr) është thënë se është e kundërta e xhezei’t e cila nënkupton shqetësimin, pikëllimin, preokupimin, mërzitjen, frikën, etj.(4)
Besimtari që duron, nuk është se nuk i ka këto ndjenja e përjetime që mund t’i ketë secili njeri, porse lidhja me Allahun xh.sh., llogaritja në shpërblimin e Tij,
në zgjidhjen e problemeve nga ana e Tij, e bëjnë që të mos pushtohet prej tyre. Dhimbja nga ndarja me një të afërm është krejtësisht normale, por durimi duke llogaritur në shpërblim dhe duke shpresuar në bashkim në botën tjetër e lehtësojnë dhimbjen. Durimi, siç shpjegon Xhurxhani, është që për fatkeqësitë, sprovat, dhimbjet, t’i ankohesh vetëm Allahut xh.sh.(5)
Për këtë shkak, durimi duhet të manifestohet menjëherë pasi të ndodhë sprova a fatkeqësia.(6)
Pra, është parapërgatitja e besimtarit, ajo që e bën ta sfidojë fatkeqësinë qysh në momentin e parë të ndodhjes së saj. Së këndejmi, durimi nuk është dobësi. Allahu xh.sh., thotë: “Dhe për hir të Zotit tënd, duro.” (El-Mudethir, 7)
Durimi nuk është instinkt, por veprim i paramenduar dhe parapërgatitur për të.(7)
Siç shpjegohet, durimi është ndalim, mbyllje, pengim, mbajtje e nefsit për të bërë gjërat që parashihen logjikisht dhe fetarisht, apo për t’u larguar prej të tjerave që parashihen, po kështu logjikisht e fetarisht.(8)
Me fjalë të tjera, durimi është veprim që vjen si rezultat i bindjeve dhe principeve, për të bërë atë që feja dhe logjika e cilësojnë të mirë, dhe për t’u larguar prej tjetrës që feja dhe logjika na thonë të largohemi prej saj. Durimi është kontrolli mbi nefsin që të mos e humb durimin, të mos shfaqë hidhërim e pakënaqësi (me caktimet e Allahut), të mos shfaqë ankesa e as të mos i qahet askujt për hallet dhe dertet që ka. Durimi është veprim i cili bëhet duke synuar shpërblimin e Zotit. Për këtë shkak mund të thuhet se si sinonim, sabri ka ihtisabin – llogaritjen në shpërblimin e Zotit.
Buhariu shënon hadithin kudsij në të cilin Allahu xh.sh. thotë: “Për robin, të cilit ia kam marrë të dashurin e vet (fëmijën, prindin, etj.) dhe ka bërë ihtisab (duruar duke shpresuar në shpërblimin Tim) nuk ka shpërblim tjetër pos Xhenetit.”(9)

Llojet e durimit

Durimi mund të ndahet në mënyra të ndryshme, siç ka përmendur Imam Gazaliu(10), por si forma më të përhapura të tij dhe që dijetarët
i nënvizojnë më shumë janë tri:

1. Durim në raport me bindjen dhe dëgjueshmërinë ndaj Allahut xh.sh., respektivisht durimin për t’i kryer obligimet dhe detyrimet fetare,
2. Durim në raport me largimin nga ndalesat e Allahut xh.sh., dhe
3. Durim në raport me caktimet e dhimbshme të Allahut xh.sh.

Reflektimi edukativ i durimit

Se durimi ka rëndësi të madhe për besimtarin flasin tekste të shumta, disa prej të cilave edhe do t’i zbërthejmë në mësime edukative më poshtë. Ajo që duam të përmendim këtu është një konstatim i Sufjan Theuriut për rëndësinë e durimit: “Besimtari ka më shumë nevojë për durim se që ka nevojë për bukë dhe ujë.” Kjo për faktin se durimi, siç edhe kemi përmendur më parë, është forcë e brendshme e cila na mundëson të kemi kontroll mbi nefsin tonë. Në vazhdim, do të mundohemi t’i evidentojmë fushat ku durimi na bën më të virtytshëm e më të plotësuar:

Mendimi i mirë për Allahun xh.sh.

Nëse durimi nënkupton të kundërtën e shqetësimit, mërzitjes, frikës, pikëllimit, kjo është për shkak të mendimit të mirë që ka besimtari për Allahun xh.sh.. E sa ka rëndësi të pasurit mendim të mire për Allahun xh.sh., mësojmë nga porosia e Pejgamberit Muhamed a.s.. Xhabir bin Abdullahu r.a., transmeton ta ketë dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë tre ditë para se të vdiste: “Të mos vdesë askush prej jush ndryshe vetëm se duke ndarë mendim të mirë për Allahun xh.sh..”(11)

Imazhi i drejtë i besimtarit

Nëpërmjet durimit, besimtari arrin të dëshmojë praktikisht nivelin e lartë të besimit dhe lidhjes me Zotin. Në një prej haditheve të tij, Pejgamberi Muhamed a.s. na e shpjegon këtë. “Çudi me punën e besimtarit dhe vetëm besimtarit, ngado që ta sjellësh, është në dobi të tij: nëse I ndodhë një e mirë, falënderon, kështu që është e mirë për të. Nëse i ndodhë një e keqe, duron, kështu që është e mirë për të.”(12)
Pra, besimtari di ta menaxhojë secilin rast në jetën e tij. Për të mirat, falënderon, sepse falënderimi i ruan dhe i shton ato, ndërsa për të këqijat, bën durim, sepse durimi shpërblehet. Këtu vjen në shprehje esenca e durimit që, siç kemi shpjeguar më lartë, është e kundërta e xhezeit ose shqetësimit, pikëllimit, mërzitjes, humbjes së durimit. Nga këtu, Kurani, kur e përshkruan besimtarin e goditur me fatkeqësi, e vë në pah këtë element të maturisë dhe lidhjes me Allahun xh.sh.:(13) “Të cilët, kur I godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (El-Bekare, 156)
Pejgamberi a.s., siç shënuam më lartë, ka konsideruar se durimi, si vlerë dhe virtyt, jetësohet menjëherë pas goditjes nga fatkeqësia. Pra, nëse arrin të durosh në ato momente, konsiderohet se ke fituar shpërblimin e durimit.
Imam Kurtubiu duke e shpjeguar këtë, shpjegon se arsyeja e kërkesës profetike që durimi të ndodhë menjëherë pas goditjes nga fatkeqësia qëndron në forcën e zemrës dhe vendosmërinë e saj përballë asaj fatkeqësie.(14)
Për këtë shkak, Ibën Abasi r.a., ka thënë: “Durimi është parapërgatitja dhe furnizimi më i mirë për ditët e vështira.”

Përsosja e virtyteve nëpërmjet durimit

Nëpërmjet durimi, besimtari arrin të përsos virtyte. Duke na e përshkruar në mënyrë figurative durimin, Aliu r.a., ka thënë: “Po të ishte durimi burrë, do të ishte goxha i përsosur!” Kjo për faktin se durimi është mënyrë e mirë për t’i kultivuar raportet me të tjerët. Jo të gjithë na trajtojnë me butësi dhe sikur ta kthenim çdo të keqe me të keqe nuk do të mbetej njeri në tokë. Për këtë shkak, raportet e mira janë shpjeguar si durim. Hasan Basriu paskësh thënë: “Fqinjësi e mirë nuk është të mos e dëmtosh fqinjin, por të durosh të ligat dhe prapësitë e tij.”
Pra është një nivel tjetër i lidhjeve dhe raporteve në të cilin nuk fillohet me të keqen, por as e keqja nuk kthehet me të keqe.
Të parët tanë durimin e kanë trajtuar si mjet të ruajtjes së emrit dhe reputacionit, ata kanë thënë: “Kush bën durim ndaj epshit (e kontrollon atë), do ta ruajë burrërinë.”
Pas Allahut të Madhëruar, për shërimin e shumë veseve të liga, I detyrohemi durimit. Për këtë shkak, durimi është cilësuar si brumi me të cilin bëhen ilaçe e barëra kundër veseve dhe dukurive negative. P.sh., nëse dikush vuan nga tërbimi ose mos përmbajtja epshore, atëherë, siç na ka mësuar feja, ai duhet të agjërojë.15 Ky i fundit, agjërimi pra, jo që nuk mund të paramendohet pa durim por është vetë durimi, është sinonim i durimit. Për këtë shkak, Ramazani quhet muaj i durimit.(16)

Sakrifica për të vërtetën

Nga këtu, durimi është forcë për t’u ballafaquar me sfida e sprova, forcë për të vazhduar përkundër pengesave, forcë për të mos e braktisur të vërtetën kurrë. Në komentin e ajetit 200 nga kaptina Ali Imran: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!”, Hasan Basriu ka thënë: “Besimtarët janë urdhëruar për të duruar për fenë e tyre, për të mos e lënë kurrë atë, pavarësisht gjendjes që kanë a do ta kenë, derisa të vdesin.”(17)
Sigurisht, kushdo që shfleton për stabilitetin në fe si mësimin më të rëndësishëm do ta gjejë durimin. Disa shokë erdhën te Pejgamberi a.s. dhe u ankuan për gjendjen e rëndë, për sprovat me të cilat ballafaqoheshin. Pejgamberi iu rrëfeu për një besimtar nga gjeneratat e mëhershme i cili qe mbytur në mënyrë primitive ndërsa nuk kishte pranuar ta linte fenë. Për këtë shkak, i porositi shokët që të durojnë dhe të mos i përshpejtojnë gjërat sepse premtimi i Allahut për triumfin e kësaj feje do të ndodhë patjetër.(18)

Durimi në kohë fatkeqësish

Durimi është forma e duhur e trajtimit të fatkeqësive dhe belave që na godasin. Nëse ajo që na ndodhë nuk mund të ndryshohet, atëherë durimi është mënyra e përfitimit prej saj (përfitimit të shpërblimit) dhe jo vetëm. Është dhe mënyra e dëshpërimit edhe më të madh të armiqve e kureshtarëve. Këta të fundit sprovat dhe fatkeqësitë i shohin si momente gëzimi për ta. Për të mos ua mundësuar një gjë të tillë, urtarët na kanë porositur të durojmë. Ibën Kudame Makdisiu citon një urtar të ketë thënë: “Humbja e durimit (ar. xhezei’) nuk mund ta kthejë atë që ka shkuar e ka humbur. E tëra që mund të bëjë, është ta bëjë një përqeshës të kënaqet me fatkeqësinë tonë.”(19)

Ndjekja e modeleve të përsosura

Durimi është tipar dallues I njerëzve të përzgjedhur të Allahut, pejgamberëve. Në Kuran, i Dërguari i fundit, Muhamedi a.s. dhe ne, udhëzohemi që të durojmë ashtu siç kanë duruar pejgamberët, madje ata më të dalluarit: “Prandaj, ti bëhu I durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ata!...” (El-Ahkaf, 35)
Për besimtarin që Pejgamberin e ka shembull dhe model që e ndjek në çdo gjë, ky fakt, e nxit dhe motivon edhe më shumë të durojë sepse, po të mos ishte durimi i mirë, nuk do të dallohej Pejgamberi Muhamed a.s. dhe as pejgamberët e tjerë. Durimi, duke u thirrur në pejgamberë ka qenë praktikë edhe e vetë pejgamberëve. P.sh., kur dikush i tha një fjalë të rëndë pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., ai iu përgjigj: “Allahu e mëshiroftë Musanë, u keqtrajtua edhe më shumë e duroi.”20

Durimi në mision

Durimi, nga kjo perspektivë, është mënyrë se si një thirrës duhet t’I trajtojë njerëzit të cilët i thërret në fe. Jo çdoherë do të gjejë pranim, jo çdoherë do të trajtohet me mirësjellje, kështu që, në rastet e tjera, durimin duhet ta ketë armë për të mos lejuar dështimin e misionit që bart mbi supe. Për këtë shkak, në komentin e ajeteve që shënuam sipër, disa dijetarë kanë thënë: “Duroji sjelljet e këqija dhe shqetësimin që disa njerëz (mohues e kundërshtarë të fesë) ta shkaktojnë dhe mos kërko përshpejtim të dënimit për ta...”(21)
Pra, ajo që kërkohet prej nesh, është vazhdimi I misionit, pavarësisht pengesave që mund të hasim. Këtu qëndron mbase edhe urtësia e porosisë së Pejgamberit Muhamed për të mos u izoluar për kinse ruajtje të fesë në kohën kur lipset angazhimi ynë në terren: “Besimtari që shoqërohet me njerëz dhe i duron fyerjet e lëndimet e tyre është më i mirë se tjetri që nuk I shoqëron njerëzit dhe nuk i duron dot fyerjet e tyre.”(22)
Duhet të durojmë sepse ajo që kërkohet prej nesh është kumtimi I fjalës së Zotit, pavarësisht se e pranojnë njerëzit apo jo. Këtë na e mëson edhe Kurani. Allahu xh.sh. thotë: “Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd...” (El-Kalem, 48)
Në komentin e këtij ajeti është thënë: Duro sepse është detyrë e jotja të kumtosh dhe ta përcjellësh shpalljen. Përgënjeshtrimi i njerëzve mos të të zmbrapsi nga kumtimi...(23)

Përzgjedhja e shoqërisë

Durimi shprehet edhe në përzgjedhjen e shoqërisë. Ndonjëherë ftesa që shokët e këqij bëjnë për në epshe është tejet joshëse të cilës vetëm një besimtar i fortë mund t’i bëjë ballë. Nga këtu, Allahu xh.sh., na porosit që të mos lejojmë nefsin të na marrë nën kontroll, por të jemi ne ata që duke duruar qëndrojmë me njerëzit që e adhurojnë Allahun xh.sh. e nuk e kundërshtojnë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (te të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë, e që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (El-Kehf, 28)
Ky ajet, siç ka shënuar Abdurrahman Sa’di, është urdhër për përzgjedhje të shokëve të mirë, për ta luftuar nefsin me tërë forcën që mos të të largojë prej shoqërimit të tyre, edhe nëse janë të varfër.24 Vënia e nefsit nën kontroll, që po u synuaka në këtë ajet, është esenca dhe thelbi i durimit.

Durimi është rrugë vetëzhvillimi

Nëse duam të avancojmë, duhet ta kuptojmë se durimi (për të mësuar, hulumtuar, punuar, kaluar kohë larg familjes...) është mënyra se si arrijmë te suksesi. Allahu xh.sh. thotë: “Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ishin të durueshëm dhe besonin bindshëm.” (Es-Sexhde, 24)
Ibën Tejmije ka thënë: “Me durim dhe bindje arrihet imameti (pozita e lartë) në fe.”25 Mejmun bin Mihrani ka thënë: “Askush, as nga pejgamberët dhe as nga njerëzit e rëndomtë, nuk ka arritur ndonjë të mirë të madhe përveç se me durim.” Disa kanë thënë: Kapërdije durimin sepse nëse të mbyt, shkon shehid, e nëse jo, jeton krenar.(26)


__________________________
1. Shih: Ibën Kudame el-Makdisi, Muhtesar minhaxhi el-kasidine, vep. cit., f. 268.
2. Ebu Hamid el-Gazali, Ihjau ulumiddin, vep. cit., 4/61.
3. Ibën Hibbani ka thënë: Mendja i ka dy prindër, njëri është durimi e tjetri është verifikimi. Shih: Reudatu el-ukala, f. 26.
4. Shih: Sulejman Tomçini, Fjalor arabisht-shqip, (Tiranë: Instituti i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, 2010), f. 117; Muhamed Salih el Munexhid, A’mal el-kulub: Es-sabru, (Huber: Mexhmuat Zad li en-neshr, 2009), f. 7.
5. Grup autorësh, Meusuatu et-tefsiri el-meuduij, vep. cit., 20/202. Këtë mund ta kuptojmë edhe nga shpjegimi i Sufjan Theuriut i cili duke folur për mthelbin e durimit ka thënë: Tri gjëra janë pjesë përbërëse e durimit: të mos flasësh për dhimbjen tënde, të mos flasësh për fatkeqësinë tënde, dhe të mos e shfajësosh (dëlirësh, arsyetosh) veten. Sufjan Theuriu, sipas: Tefsirit të Taberiut, 15/585.
6. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Durimi është në momentin e parë të goditjes...” Hadithin e shënojnë Buhariu, nr. 1283, dhe Muslimi, nr. 926.
7. Këtë mund ta kuptojmë edhe nga hadithi që e shënojnë Buhariu dhe Muslimi e në të cilin qëndron se Pejgamberi a.s. ka thënë: “...kush shfaq durim, Allahu do t’i dhurojë durim...” Shih: Buhariu, nr. 1469; Muslimi, 1053. Pra, durimi është diçka që fitohet. Durimi është tipar i njerëzve të pjekur dhe të virtytshëm. Një malësor arab paskësh thënë: Durimi është i hidhur, e shijon veç ai që nuk është i lidhur. Shih: El-besair ve edh-dhehair, 218.
8. Grup autorësh, Meusuatu et-tefsiri el-meuduij, (Rijad: Qendra e Tefsirit për Studime Kuranore), 20/202; Muhamed Salih el-Munexhid, A’mal el-kulub: Es-sabru, vep.cit., f. 7.
9. Hadithin e shënon Buhariu në Sahih, nr. 6424.
10. Ebu Hamid el-Gazali, Ihjau ulumiddin, vep.cit., 4/67-75.
11. Hadithin e shënon Muslimi në Sahih, nr. 2877.
12. Hadithin e shënon Muslimi në Sahih, nr. 2999.
13. Në fakt, kjo është dhe porosi hyjnore. Shih: Kurani: Bekare, 45.
14. Cituar sipas: Muhamed Salih el-Munexhid, A’mal el-kulub: Es-sabru, vep.cit., f. 15.
15. Pejgamberi Muhamed a.s., ka thënë: “Ai që i ka mundësitë, le të martohet, sepse e ka më të lehtë uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit. Ndërkaq, ai që nuk i ka mundësitë, le të agjërojë, sepse ai ia shuan epshin.” Hadithin e shënon Buhariu, nr. 1905.
16. Për Ramazani si muaj të durimit, Pejgamberi a.s., ka thënë: “Agjërimi i muajit të sabrit dhe tre ditëve prej çdo muaji konsiderohet agjërim i tërë kohës (vitit).” Hadithin e shënon Nesaiu. Shih: Sahihu en-Nesai, 2407.
17. Grup autorësh, Meusuatu et-tefsiri el-meuduij, vep.cit., 20/206.
18. Hadithin e shënon Buhariu në Sahih, nr. 3612.
19. Shih: Ibën Kudame el-Makdisi, Muhtesar minhaxhi el-kasidine, vep. cit., f. 268.
20. Hadithin e shënon Buhariu në Sahih, nr. 3150.
21. Grup autorësh, Meusuatu et-tefsiri el-meuduij, vep.cit., 20/220.
22. Hadithin e shënon Tirmidhiu. Shih: Sahih et-Tirmidhij, nr. 2507.
23. Grup autorësh, Meusuatu et-tefsiri el-meuduij, vep.cit., 20/220.
24. Shih: Sa’di, Tejsir el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, vep. cit., f. 639.
25. Cituar sipas: Muhamed Salih el-Munexhid, A’mal el-kulub: Es-sabru, vep.cit., f. 26.
26. Shih: Ibën Kajjimi, Medarixh es-salikinë, 2/159.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi