Mbase shumë njerëz që nuk e njohin Islamin do të prisnin të gjenin në Kuran tregime për situatat e vështira me të cilat qe ballafaquar i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., si vdekja e bashkëshortes (Hadixhes) apo vdekja e djemve dhe e vajzave të tij,m mirëpo në të nuk gjendet diçka e tillë.
Nëse Muhamedi a.s do të ishte një pretendues, pse në Kuran nuk përmendet asgjë për vendin e lindjes të Muhamedit a.s., për fëmijërinë, adoleshencën, rininë e tij dhe as për atë që i ndodhi në dyzet vitet para se të vinte shpallja!
Njeriu për nga natyra e tij ndikohet nga mjedisi, shoqëria, kultura dhe ajo që sheh përreth tij. Prandaj është dashur që ta shohim Pejgamberin a.s. duke folur për atë që ai shihte dhe dëgjonte nga trashëgimia dhe mendësia e poezive para-islamike, të luftërave dhe tregimeve të panumërta në kohën para-islamike.
Kurani nuk përmend asnjë prej tyre! Madje, ku është rrëfimi i Pejgamberit a.s. për veten e tij në Kuran? A është normale kjo?
Nëse Kurani Fisnik do të ishte libër i Muhamedit a.s., pse ai nuk i përmendi asnjëherë me emër shokët e tij më të dashur si Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin, Aliun etj.?!
Ku është hazreti Hatixheja r.a. që qëndroi me të në kohërat më të vështira dhe duroi në vuajtje, rrethim dhe uri?
Pse nuk e përmendi emrin e Hatixhes qoftë edhe një herë nëse ai do të ishte autor i Kuranit?!
Ku janë vajzat e Pejgamberit? Pse ai nuk e përmendi kurrë ndonjërën prej tyre? Ku është nëna e tij, Emine? Asnjë përmendje e saj! Madje, në Kuranin fisnik ekziston një sure e tërë në emër të Merjemit a.s., nënës së Isait a.s.
Me të vërtetë është e çuditshme të gjesh një libër për të cilin skeptikët dhe dyshuesit thonë se është shkruar nga Muhamedi a.s. dhe aty nuk gjen një sure të emëruar në emër të hazreti Emines, në emër të h. Hatixhes, në emër të h. Aishes ose një sure me emër të h. Fatimes.
Ndërkaq, gjejmë një sure të emëruar Merjem! Nëse Muhamedi a.s. do të ishte autori i Kuranit Fisnik, a nuk është logjike që ai t’i anashkalonte dhe të mos i përmendte pejgamberët më të afërt të kohës së tij, veçmas Isain a.s., në mënyrë që njerëzit ta harronin atë?(1)
Mirëpo në Kuran Isai a.s. përmendet 25 herë. Kurse Muhamedi a.s. përmendet vetëm pesë herë! Katër herë me emrin Muhamed dhe një herë me emrin Ahmed.
Dr. Gary Miller, autori i "Kurani i Mrekullueshëm", thotë: "Kur lexova për herë të parë Kuranin, prisja të gjeja fjalë për shkretëtirën, zakonet dhe traditat lokale në atë mjedis të thjeshtë të shkretëtirës. Prisja të lexoja për disa ngjarje të vështira që kishte kaluar Pejgamberi Muhamed a.s., siç është vdekja e gruas së tij Hadixhes r.a. ose vdekja e vajzave dhe djemve të tij, por nuk gjeta asnjë prej tyre
Ajo që më hutoi dhe më bëri të hamendësohem në çështjen time ishte se gjeta një sure të plotë në Kuran, të quajtur Merjem, ku flitej me respekt për Merjemin a.s., gjë që nuk ekziston në librat e të krishterëve apo në Biblat e tyre!
Në të njëjtën kohë, nuk gjeta një sure me emrin e Aishes r.a., apo me emrin e Fatimes r.a.
Gjithashtu, zbulova se Isai/Jezusi, paqja e Allahut qoftë mbi të, ishte përmendur 25 herë në Kuran, ndërsa Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, përmendej vetëm 5 herë,kështu që konfuzioni im u rrit!"(2)
Të shtojmë gjithashtu se Musai a.s. është përmendur në Kuran më shumë se 130 herë!
O skeptikë dhe dyshues, pse u desh që Muhamedi a.s., i cili ishte në Mekë, të përmendte 130 herë Musain në Egjipt, i cili kishte jetuar dy mijë vjet para tij?!
Do të mjaftonte që Muhamedi a.s. ta përmendte Musain a.s. një ose dy herë, pastaj në pjesën tjetër të Kuranit të fliste për veten e tij, për familjen dhe shokët e tij, për historinë e Mekës dhe trashëgiminë e saj, për poetët e periudhës para-islamike, si Imrul Kajs dhe Antara dhe poezitë e tyre.
Këto poezi vlerësoheshin nga njerëzit e epokës para-islamike deri në atë shkallë sa ato u quajtën mualakat – të varura, ngase zemrat e njerëzve të epokës para-islamike ishin të varura dhe të lidhura me ato poezi dhe ishin poezi që shkruheshin në muret e Qabesë.
Natyra e shpirtit njerëzor është që ai të flasë për ato që sheh dhe dëgjon. Por, ajo që prezantoi dhe solli Kurani është në kundërshtim me ato që Muhamedi a.s. pa dhe dëgjoi. Padyshim kjo është dëshmi se Kurani i Shenjtë është nga Zoti i Plotfuqishëm.
_______________________
1. Matematicienti Gary Miller, i cili u përpoq të argumentonte “gabimet” në Kuran, përfundoi duke pranuar Islamin!, shih: https://ekuiliber.com/2020/01/17/matematicienti-gary-miller-uperpoq-te-argumentoj gabime-ne-kuran-perfundoiduke-pranuar-islamin
2. Gary Miller, Kurani i mrekullueshëm (1), Dituria Islame, Revistë mujore fetare, shkencore e kulturore, numër 367, viti 34, Prishtinë, Qershor 2021, Dhul Ka’de, f.43.