Lavd-falënderimet, frikë-respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Kërkojmë mbështetjen e Allahu nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet!
Njeriu, duke lëvizur nëpër dynja, lakmon dhe kërkon që të ketë kohë sa më tepër e ta gëzojë jetën, pasurinë, fëmijët dhe miqtë. Muslimani i lutet Allahut të Lartësuar që t’i japë bereqet.
Bereqet do të thotë: Fryti, dobia, bekimi i Allahut të Lartësuar ndaj një gjëje, nëse është e paktë bëhet e shumtë, kur është shumë ka dobi të madhe, kurse fryti më i madh i bereqetit në të gjitha çështjet është përdorimi në kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
Allahu, kur e zbret bereqetin, përfshin çdo gjë si: pasurinë, fëmijën, kohën, punën, prodhimin, gruan, pasurinë, mjetin, shtëpinë, mendjen, trupin, etj..
- Bereqeti në pasuri; në rritje, shumim dhe bollëk.
- Bereqeti në shtëpi; në qetësi dhe pushim.
- Bereqeti në ushqim; në shumicë të mjaftueshme.
- Bereqeti në fëmijë; në edukimin e tyre.
- Bereqeti në familje; duke pasur harmoni.
- Bereqeti në ymër; duke jetuar më gjatë me vepra të mira.
- Bereqeti në kohë; duke e shfrytëzuar atë në maksimum.
- Bereqeti në shëndet; i fuqishëm dhe aktiv.
- Bereqeti në dituri; në njohuri të bollshme.
Të gjithë duhet t’i kërkojnë bereqetet e lartpërmendura që të shtohen e të zhvillohen.
Si ta sjellësh bereqetin?
E para: Frikërespekti ndaj Allahut të Lartësuar. Takvallëku është çelësi i çdo mirësie.
I Lartësuari thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bereqete nga qielli dhe toka.” (Araf, 96.)
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Talak, 2-3.)
Takva do të thotë të kesh respekt ndaj Allahut për hir të Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin prej Allahut. T’i lësh mëkatet për hir të Allahut duke u frikësuar nga dënimi i Allahut.
Pra, devotshmëria dhe frikë respekti ndaj Tij hap dyert e mirësive dhe të bekimit të tyre.
E dyta: Leximi i Kuranit. Fjalët e Allahut të Lartësuar janë bekim dhe shërim i sëmundjeve të zemrës dhe të trupit. Lexo fjalët e Tij:
“Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të medituar mbi ajetet e tij dhe për t’u këshilluar me të mençurit.” (Sad, 29.)
E treta: Duaja, lutja. Muhamedi (alejhi selam) e kërkonte bereqetin në shumë çështje.
Na mësoi që të lutemi për tjetrin në gjitha aspektet.
E katërta: Përfundimi dhe realizimi i punëve që në fillim të ditës. Kështu u lut Muhamedi (alejhi selam) me lutjen:
“Allahu im! Bekoje (jepi bereqet) popullit tim herët në mëngjes!” (Transmeton Ahmedi.)
E pesta: Largimi nga malli haram me të gjitha format që ka. Në pasurinë e ndalur nuk ka bereqet dhe argumentet për këtë janë të shumta.
E gjashta: Zbatimi dhe kryerja e namazeve. Allahu i Lartësuar thotë:
“Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.” (Taha, 132.)
E shtata: Kërkim falje nga Allahu i Lartësuar në mënyrë të vijueshme. Allahu i Lartësuar thotë:
“E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh, 10-12.)
Gjithashtu, bereqeti dhe bekimi i Allahut të Lartësuar realizohet edhe duke e falënderuar Krijuesin, duke dhënë lëmoshë, duke u mbështetur në Të, duke pasuar rrugën e Muhamedit a.s në çdo gjë, duke vizituar farefisin, duke treguar besnikëri në shitblerje, etj..
Jeta jonë ka nevojë të madhe për të fituar bereqetin e Allahut.
Sot, me të drejtë mund të pyesim: Ku është bereqeti! Ku është jeta e lumtur, e mirë, e sigurt?
Lexoni fjalët e Allahut të Lartësuar:
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahël, 97.)
Shpejtoni në bereqetin e Allahut të Lartësuar që ta fitoni shpërblimin e Tij. Lutjuni Atij për bereqet. Allahu ju dhëntë juve bereqet në jetë.