Kjo është një histori e vërtetë për një nënë të devotshme dhe djalin e saj të vogël.
Qysh në moshë të vogël nëna e inkurajonte djalin e saj që ta lexonte Kur'anin, kështu që në një rast i tha: "Djali im i dashur, a e di se Allahu do të ndërtojë një shtëpi të mirë në Xhenet nëse lexon suren "Kul huvallahu ehad" 10 herë?"
Djali u gëzua dhe filloi ta lexonte.
Duke e lexuar ai e vërejti se edhe nëna e tij e përsëriste bashkë me të, dhe i tha: "Nënë, mos u lodh duke e lexuar me mua".
"Pse, biri im?"
“Sepse edhe ti do të jetosh me mua në shtëpinë time që Allahu do të ma ndërtoj në Xhenet…”
Subhanallah! Të mendojmë për bukurinë e fjalëve dhe pastërtinë e gjoksit të këtij fëmije.
Po, ai e ka kuptuar se çfarë marrëdhënie duhet të ketë një musliman me të dashurit e tij, dhe dëshiron që nënës së tij t’ia kompensojë gjithë mundin që ajo ka bërë për të.
Pra, le të pyesim veten se ku jemi ne në raport me të?
Nëse kemi prindër, a i duam, a i vlerësojmë dhe i respektojmë për hir të Allahut të vetëm. Të mos presim që ata të ikin nga kjo botë, apo të na ndodhë ndonjë e papritur, e që atëherë t'i kujtojmë.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e lexon suren “Kul huvallahu ehad” (El-Ihlas) dhjetë herë, Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në Xhenet.” (Burimi: Sahih el'Xhami).