Dikur Gjyshi më pati treguar historinë e katër burrave që kaluan Al-Rub Al-Khalin (shkretëtirë në dunat e gadishullit arabik) të cilët pasi u mbaruan ushqimet, i kaploi një etje e madhe, megjithatë preferuan më mirë të vazhdonin, sesa të dorëzohen.
Ndërkohë që çapiteshin dunave të rërës, dalluan një grup çadrash leshi të ngulura në rërë, përbri një pusi uji. Kur u afruan, u doli para një beduin dhe i ftoi në çadrën e tij. Hynë brenda, ndërkohë që lodhja dhe topitja u lexohej në fytyrë. Mikpritësi doli dhe u theri një dele, e gatoi dhe ua shërbeu. Pasi përfunduan së ngrëni, mikpritësi i la të pushonin, duke dalë nga çadra. Njëri nga udhëtarët u tha shokëve: E vutë re që ai burrë nuk kishte më shumë se dy dele?
Njëri prej shokëve iu përgjigj: Po ti, nga e kuptove?
Ai shtoi: Shihni atje! Ishin dy dele të lidhura pranë devesë, në qoshe të çadrës, tani është vetëm një. Të tjerët heshtën dhe nuk folën, për të pushuar pas atij udhëtimi rraskapitës.
Ditën e dytë u zgjuan dhe e panë mikpritësin duke gatuar delen e dytë. Nxituan t’i thonë se ishin të ngopur nga darka e shkuar. Ai vazhdoi gatimin pa nxjerrë asnjë fjalë. Pasi mbaruan së ngrëni, mikpritësi u kërkoi leje për pjesën e mbetur të ditës, duke iu thënë se e shoqja dhe djali i vogël i tyre ndodheshin në çadrën përbri dhe se do t’u shërbenin në rast nevoje. Pasi ai u largua, thirrën të shoqen dhe i lanë në dorë një shumë parash, aq sa për të blerë disa dele, mandej vazhduan rrugën.
Pas një dite rrugë u ndalën në një oazë me ujë, rrethuar nga disa pemë. Sapo u ulën të çlodhen, shikuan hijen e një burri që u afrohej. Ishte beduini tek i cili kishin bujtur një natë më parë.
Zbriti nga deveja e tij dhe me fytyrë të zverdhur e vetulla të rrudhura u tha: A nuk ju vjen turp nga vetja? Si u larguat pa ardhur unë? Përse m’i latë këto para?
Njëri prej tyre iu përgjigj: Kur kuptuam se nuk kishe veçse ato dy dele, vendosëm të mos ta rëndojmë mikpritjen tënde, prandaj dhe të ndihmuam që të blesh ca dele të tjera.
Por, beduini e ndërpreu: Mikpritja nuk blihet me para. Sikur çdo banor i shkretëtirës të merrte para për mikpritje, atëherë do të ishte Saharaja e shkretë. Zoti më vuri në rrugën tuaj dhe kjo mjafton për t’ju shërbyer.
Pasi ua ktheu paratë u tha:– Ju lashë sepse vajta të shihja çobanin që u vonua. Kam një tufë me dele dhe sa herë që më duhet të ther ndonjërën për miqtë, një tjetër lind.
Kur e shohim veten si një mjet i së tërës, atëherë Zoti na begaton në mënyrë që të vazhdojmë në misionin tonë.
E huazuar