Sa herë që e bëjmë trajtimin e ndonjë ndodhie madhore dhe me ndikime të mëdha në historinë islame dhe atë njerëzore, duke e ditur se ato e kanë peshën dhe ndikimin e tyre të madh si dje, ashtu edhe sot dhe do e kenë me emrin e Zotit edhe nesër, i gjejmë disa "Alima" kujdestarë nga mesi ynë, të cilët shigjetat e tyre helmuese i lëshojnë drejtë çdo institucioni fetar, hoxhe dhe prijësi, nga Myftiu i nderuar i Republikës e deri të hoxha i fundit që zhvillon çfarëdo aktiviteti që kujton këto ngjarje, qoftë ajo ligjeratë, program kulturor-artistik, lavde dhe poezi... Duke e ditur rëndësinë e këtyre programeve, domosdoshmerinë e mbajtjes gjallë dhe transmetimin e mesazheve madhore të këtyre ndodhive e ngjarjeve, çdo njeri i arsyeshëm dhe dertli i fesë dhe edukimit, sidomos të të rinjëve, mundohet të kontribuoj në përqimin e mesazheve dhe porosive të këtyre ndodhive me mundesitë, kapacitetet dhe mjetet që posedon. Krejt këto ndodhi janë katalizatorë të cilët i japin shtytje Thirrjes Islame, e cila është obligim dhe privilegj për çdo musliman e muslimane moshërritur e të lexuar në fe, e sidomos për institucionin e organizimit fetar tek ne e që është Bashkësia Islame dhe hoxhallarët. Duke e njohur natyren njerëzore e cila di t'i dorëzohet rutines dhe përtacisë, na vijnë këto ngjarje dhe ndodhi të cilat na nxjerrin dhe largojnë nga rutina e na bëjnë të angazhohemi dhe të jemi sa më atraktiv dhe të larmishëm në trajtimin dhe përcjelljen e mesazheve e porosive të çmuara të të njejtave. Përmes këtyre organizimeve dhe programeve, sa njeriu që ka qënë i dobët forcohet, e tjetri që nuk ka qënë i informuar informohet dhe me lejen e Allahut edhe udhëzohet... Por, për çudi sa herë që e bëjmë këtë, dalin disa "Alima" dhe për fat të keq në emër te Sunnetit fillojnë të na sulmojnë e akuzojnë, se me këto organizime po bëjmë bidat dhe se të njejtat nuk i ka bërë Pejgamberi a.s dhe as sahabët e tij. Këtë e bëjnë njerëzit që vërehën që kanë alergji ndaj leximit, janë "Alima" n'katrorë dhe njeriu sa më i paditur që është, aq më i ashpër dhe ekstrem bëhët, madje edhe ndaj profesionistëve të fushës në të cilën ata ("Alimat") as shkronjën A të alfabetit të saj nuk e kanë marrur. Është interesant se këtë e bëjnë vetëm ndaj fesë, duke treguar trimëri dhe guxim maksimal për t'i "mësuar" ata që nga 20 e 30 vite i kanë kaluar duke e studiuar fenë dhe atë në mënyrë sistematike, por të njejtit edhe pse "dijnë" nga mjekësia po aq sa "dijnë" nga feja, nuk marrin guximin t'i mësojnë mjekët se çfarë terapie t'ju japin pacientëve për sëmundjet e tyre-shyqyr që edhe këtë nuk bëjnë...! Falë Zotit që këtë nuk e bëjnë edhe ndaj profesioneve të tjera.
Nêse do i thërrisnin mendjes, të njejtit do i porositja:
1. Angazhohuni me lexim sistematik të literatures fetare.
2. Konsultohuni me ekspertët e shkencave islame për të panjohurat e shumta që do i hasni gjatë leximit.
3. Para se të filloni të shkruani e komentoni veprimet e Institucioneve Fetare dhe hoxhallarêve, mësone EDEBIN nga ndonjë hoxhë i thirrur, sepse kështu na kanë porositur selefët tanë.
4. Kur të lexoni dhe shihni ndonjë shkrim apo aktivitet të Institucionit apo hoxhës së caktuar dhe nuk ju duket i qëlluar, konsultohuni me hoxhë të informuar dhe mos komentoni dhe kontestoni në muret e hoxhallarëve, por kërkoni që këtë ta bëjë hoxha ndaj hoxhës, e nëse hoxha nuk e bënë, atëherë ti mos u bëj me hoxhë se hoxha, sepse ai e di se përse nuk e komenton-konteston hoxhën tjetër.
5. Krejt në fund, ju porosis që nëse nuk keni vendosur t'i studioni në mënyrë sistematike shkencat islame, e kjo në këtë kohë zakonisht bëhët përmes shkollimit fetar, Medrese, Fakultet, Master...-, atëherë rrekju si duhet dhe bëhu hoxhë i mjekësisë, ekonomisë, jurisprudencës, inxhinierisë, apo çfarëdo profesioni tjetër dhe lexoni nga literatura fetare ato që duhet njohur çdo musliman e muslimane dhe thellohuni në shkencën-profesionin që keni zgjedhur dhe për aspektet fetare gjithmonë konsultohuni me hoxhallarët dhe kurrrrrëëëë mos i komentoni hoxhallarët në çështjet profesionale!
Për fund, Israja dhe Miraxhi, Mevludi (Lindja e Muhammedit a.s) dhe sa ndodhi tjera madhore, i kujtojmë gjithandej globit dhe në Kosovën tonë, dhe gjithmonë inspirohemi nga porositë e çmuara që na vinë nga këto ngjarje dhe ndodhi dhe na shtohet elani për punë dhe angazhim edhe më të madh në bartjen e fjalës së Allahut dhe Sunnetit të Pejgamberit a.s. Krejt këtë e bëjmë, jo si ibadet të përcaktuar, jo se jemi të porositur me ndonjë ajet apo hadithë kategorik, por si përgjigje Allahut dhe të Dërguarit të Tij që na ftojnë t'i duam, t'i zbatojmë fjalët e tyre dhe t'i përcjellim ato tek të tjerët.
O Allah i gjithmëshirshëm, na udhëzo dhe na forco në rrugë të drejtë, na i Ruaj të rinjët tanë nga teprimi dhe ekstremizmi në Fe, Udhëzoi ata, drejt leximit e studimit të mirfilltë dhe bëji ata të dobishëm për Fenë dhe Vatanin tonë, ja Rabbel alemiiin!


(Autori është imam, hatib e mualim në Xhaminë "Hasan Beg" në Prishtinë)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi